Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shefqet Deliallisi: Ende në duart e hetuesve të diktaturës?

| E marte, 16.12.2008, 08:27 PM |


Ende në duart e hetuesve të diktaturës?

Nga Shefqet Deliallisi

Pak ditë më parë, në një debat televiziv, një analist i njohur pranë opozitës u shpreh: Vullneti i maxhorancës për të miratuar me shpejtësi draftin “Për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë” duket se ka qëllim tjetër nga ai që pretendohet. Kalimi i tij në kuvend pikërisht në këto momente zbulon qartë qëllimin e shumicës për të goditur prokurorët e katër dosjeve të bujshme: “Gërdecit”, “Durrës- Kukës”, “Damir Fazlliç” etj, të cilët para viteve ’90 kanë punuar në hetuesi.
Në këtë debat, jo pa habi, mësova që Zamir Shtylla, aktualisht drejtor i hetimit në Prokurinë e Përgjithshme që merret me të gjitha dosjet, përfshirë edhe atë të Gërdecit,  Arben Kraja me rrugën Durrës-Kukës dhe Xhevat Hana që merret me dosjen “Remzi Hoxha” që të gjithë, na paskan qenë hetues të diktaturës, hetues të shkollës së Saukut !!!!.
Dhe habia nuk mbaroi këtu. Sipas analistit, prokurorët mund të largohen, por jo pikërisht në këtë moment !!!!! Pra sipas tij, t’i lemë njëherë sa të zbrazin deri në fund mllefin ndaj demokracisë e pastaj….. të shohim !!!.
Akoma më keq, sipas disa të tjerëve, hetuesit nuk qenkan aspak përgjegjës për krimet e diktaturës. Është e vërtetë se diktatori krijoi sistemin e dhunës, është e vërtetë se ai u ngrit në sajë të dhunës, por dhuna e diktaturës nuk u krye nga duart e diktatorit. Ajo u krye nga duart e atyre, që në emër të tij, ushtruan dhunë. Ishin pikërisht falangat e dhunëtarëve që mbajtën në këmbë dhe zbatuan  sistemin kriminal. Dhe në krye të tyre, ndër më të zellshmit, ishin pikërisht ata, hetuesit sadistë të diktaturës dhe gjykatësit politikë.
Çdo njeriu të ndershëm, që e ka jetuar diktaturën komuniste, aq më tepër atyre që  e kanë vuajtur në shpinën e tyre, s’ka se si të mos i lindë pyetja : Si ka mundësi që këto dosje kaq të rëndësishme, që mund të destabilizojnë vendin, të hartohen nga dhunëtarët më të egër të diktaturës komuniste. Si ka mundësi që këto dosje kaq të rëndësishme, që mund të destabilizojnë vendin, të ndodhen në duart e njerëzve më të indoktrinuar të diktaturës, që pa asnjë mëshirë, madje me kënaqësi torturuan, masakruan dhe dërguan në burgje apo ekzekutime njerëz të pafajshëm, vetëm se kishin bindje të ndryshme ?!. Dhe këtë e kryen deri në vite ’90, madje dhe pas rënies së murit të Berlinit. 
Nuk paska prokurorë të shkolluar në vitet e demokracisë ? Pse pikërisht këta? Jam i sigurt se shumica e njerëzve në Shqipëri, por jo vetëm, duhet të jenë të shqetësuar jo për faktin se do largohen nga prokuroria hetuesit e  diktaturës. Ata duhet të jenë të shqetësuar për faktin se si është e mundur që njerëz me një background të tillë, ende të vazhdojnë të jenë kaq të rëndësishëm, madje në krye të një institucioni kaq jetik për fatet e vendit. Duke iu kthyer fillimit të shkrimit, ligji për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë, i ashtuquajturi “Ligji i Dosjeve”, është i domosdoshëm. Ai duhet të miratohet pa humbur kohë. Jemi të vonuar. Aprovimi në këtë moment i ligjit, nuk ka aspak lidhje me dosjet e prokurorisë të përmendura më lart. Ne kemi shumë kohë që dëgjojmë projekt-draftet të hartuara nga forca të ndryshme politike. Madje socialistët e kërkuan me ngulm këtë ligj dhe vetëm pak kohë më parë çuditërisht u tërhoqën… Duket se nuk e kanë patur seriozisht, ka qenë vetëm një blof.
Sidoqoftë, në çdo rast, aprovimi i ligjit në këtë moment është një koincidencë mirëpritur.

Gazeta 55