E enjte, 06.10.2022, 03:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Me sytë e fëmijës (10)

E marte, 19.04.2022, 08:51 PM


Resmi  Osmani

Roman-vazhdimi

ME SYTË E FËMIJËS

Dhjetë

Mozaik.

1

Shesholli, ishte kërthiza e fshatit.Merreshin e jepeshin lajme e thashetheme, të qëna e të paqëna  bëheshin takime e ndarje, lozej edhe futboll me top të vërtetë  e jo si ai me  lecka që luanim ne të vegjëlit.

Aty kryqëzoheshin  rrugë dhe fate e ndodhnin gjëra që s’ti prêt mëndja.

Edhe unë, aty, thuajse isha i përditshëm.

Në vjeshtë kalonin kopetë e mëdhaja të deleve të çobenjve që zbrisnin nga kullotat verore për në ato dimërore në fushë të Myzeqesë.Kope me qindra krerë, me desh brirë spërdredhur, me këmborë zile që tingëllonin si një muzikë pa melodi. Këta po që ishin barinj, e jo unë me tetë krerë gjithë e gjithë! Burrat veshur me shajak të zi, me krraba në duar, me mushka ngarkuar me çadra e plaçka. Thoshin që ata, si puna e kërmillit, ngado që shkojnë, shtëpinë e merrnin me vete. Kishin qen trupmëdhenj, të frikshëm që shkonin pas tufave,  në qafë  hallka hekuri me kunja, që të mos i mbyste ujku.

Aty kam parë për herë të parë sorkadhen. Edhe ajo shkonte pas kopesë. Na thanë që e kishin gjetur të vogël ,në malet e Gramozit dhe e kishin rritur si manare. Gjë më të bukur s’kisha parë.E kuqërremtë, kërcinjtë të lartë, koka e vogël mbi qafën e gjatë dhe sytë e bukur. Thonë se ato qajnë si njerëzit dhe derdhin lot kur i plagosin gjuetarët.Kështu thonë dhe mua më vinte keq për sorkadhet. Shumë të pashpirt, e si mund të vritt një e tillë bukuri, që qan si njeri?

Gratë të veshura me fustane të leshta që u thoshin cibunë, ngjeshur në brez furkat që tirrnin leshin, apo thurnin triko e çorape. S’u rrinin duart rehat. Vajzat, gjithë me të leshta, kokën lidhur me shami lulushane,në supe shallin me thekë të thurur po nga vetë ato. Ishin faqekuqe ,si mollë, të shëndetshme, të qeshura e të bukura.

Jorgji Gjini, që ishte tok me ne, kur i pa, i qeshi fytyra, lëpiu buzët dhe psherëtiu. “Femra, këto çobankat, jo shaka!- tha ai- për t’i pirë në kupë! I kanë faqet kuq si trëndafil se ushqehen me kulloshtër, pinë ujë bore dhe rriten me erë mali. Jo si këto ngordhalaqet  tona malarike.

Qëndruan për tu shplodhur disa orë, pastaj,kopetë e bardha si tufa e reve, ashtu siç erdhën, u larguan drejt kullotave të bregdetit si t’i shtynte era.

Sheshi u boshatis mu duk se mbeti shkretë.

2

Në shesholl u dukën djem të fshatit që kishin qënë vullnetarë në hekurudhë. Ecnin me kapardisje, duke tundur supet dhe duart,dhe na shihnin me vëhtrim tallës. Të veshur me teshat që u kishin dhënë : pantallona dhe xhakavento doku blu. Në to të gjithë kishin të qepura, kush një kush dy po edhe tre shkronja të kuqe “S”. Kur i pyetëm se ç’ishte ajo shkronjë, na thanë se ishte “Sulmues”, që kishin punuar më mirë e më shumë se të tjerët, ato “S” ishin  fituar me djersë dhe jo me llogje!

Me ‘ta për një muaj që kishin qenë  në hekurudhë, kishte ndodhur një ndryshim i çuditshëm. Ata e quani veten “Garipë”(hajde merre vesh se ç’janë garipët) dhe përdornin ca fjalë në dialekt tjetër të mësuara atje, shqipe, po ndryshe nga ajo që flisnim ne: ”Kqyre bre vocin,dreqi, i duket vetja i qut”,”Kah je ti bre çun, më dukesh si me qen garip kah Nroqi” “ Mos të duket vetja si shkodran që të gjitha i ban”, “Pse rri vranët or taj, si me ta pas hangër bukën thiu, kthjellu bre!” Unë vrisja mëndjen çtë jetë vallë thiu? E plot fjalë të tilla, përfshirë dhe ato për të treguar rrëmujën, përmendnin pazarin e Rroskovecit, që e dija që ishte në Fier dhe hanin e Perisnakës, që se kasha dëgjuar as ku ishte as ta përmëndte më parë njeri. Ata nuk i drejtoheshin njeri-tjetrit me emër, por: ”Ç’kemi robo, si ke njeh, a  je si je robo” dhe kur donin të thoshin për dikënd që ishte humbameno, e quanin “Rob Zoti”

Por çudia e madhe ishte kur flisnin për hekurudhën: lokomotiva ishte një bina e madhe hekuri, aq e madhe, katana sa s’ta rrokte mendja, hazhdërha, barkmadhe e gojëshqyer, që ushqehej e skish të nginjur me qymyr , gëlltiste zjarr, villte pa pushim avull ,tym e shkëndija dhe  thërriste me një zë fishkëllues sa dridhej ajëri, që i thoshin sirenë. Në vënd të këmbëve, kishte rrota hekuri, që nuk ecnin në xhade si makinat, por shkisnin në dy radhë binarë hekuri që u thoshin shina. Kur ecte bubullonte e dridhej toka. Ishte aq e fuqishme sa tërhiqte pas vetes ca shtëpi të hekurta me rrota që u thoshin vagona, Brenda të pajisura me ulëse e tryeza të vogla ku rehatoheshe për shtatë palë qejfe, kur udhëtoje nga Durrësi në Peqin.Nga dritaret beje sehir dynjanë. Hajde bir hajde!

Pa le ato mbrëmjet e vallzimit.Bëhej qejf, jo shaka! Thuajse  përnatë, në sheshin para barakave, të ndriçuar dobët,nga llambat elektrike, si në muzg .Keni parë llamba elektrike? Jo. Se merrni dot me mënt, janë një ,mreklulli që bëjnë dritë si dielli, me korent. Radjua buçiste në qëndrën e zërit.Po radio keni parë? Jo, e ku ta shihnit? Një kuti , frap i hap çelsin flet e këndon si njeri. Ç’e pyet!

Çupa nga e gjithë Shqipëria,nga malësia e nga jallija, fshatare e qytetare, më e bukur njera se tjetra. Sefte të turpshme e të druajtura,që rrinin në tufë, po pastaj, prenë gërshetat,veshën pantallonat, u bënë më të afërta dhe u pëlqente shoqëria me djemtë.Për ne, të paparët e të padalët, kishte çtë zgjidhje e ç’të lije. Orkestra , me fizarmonikë, llautë e qemane, zinte muzikë vallzimi, kercenim një valle “Alla braca” që i thonë tango. Valsi ishte një valle e shpejtë në çift që e rrotulloje vajzën sa i merreshin mendtë. Eh or miq, të paharruara ato mbrëmje: as e merrni dot me mënt.I kap dorën e djathtë, ndjen ngrohtësinë e saj, me të majtën e rrok për beli, e tërheq dhe  e mbështet vajzën për gjoksi, ndjen shtypjen e siseve dhe rrahjen e zemrës së saj, e ty të drithërohet trupi e të hipën një zjarmi, pstaj të vinë vetiu në gojë, sit ë mbira nga shpiri ca fjalë dashurie. Sefte ajo bën sikur nuk dëgjon, apo sikur nuk kupton e nuk do, por vetëm gjasme ama, dhe më pas, e kuptoni vetë: lere,lere se ç’vete! Atje e merrje vesh se sa prapa botës jemi ne këtu! Ta them unë: rrojmë kot, po kot fare ama!

Kishin sjellë edhe një këngë të re:

Hajd të punojmë,

Djersën ta kullojmë.

Se ndërtojmë’

Shqipërinë e re.

Nga këto rrëfime,që ne I dëgjonim gojëhapur nga habia, e që nuk e di nëse paskëshin qënë të vërteta apo dëngëla mburravecësh, djemve në moshë iu ngrit mendja dhe shumë syresh u regjistruan dhe shkuan vullnetarë në hekurudhën Durrës-Peqin. Që të shihnin e jetonin  ato çudira. Erdhi e i mori një kamion i mbuluar.

Andej larg, po ndodhnin gjëra që s’ti rrokte mëndja. Më vinte keq që isha i parritur dhe nuk mund të shkoja edhe vetë. Kur të rritesha, mbase nuk ndërtoheshin më hekurudha.

3

Djemtë që ruanin bagëtinë, kur nisi vapa i vunë të mrizonin dhe u mblodhën  për një dorë muhabet posht hijes së vidhit tonë. Aty unë isha si   i     shtëpisë, paçka se më i vogli në moshë.

-Morët gjë vesh- pyeti dajë Loni

-Jo, thuana përse pyet.

-Mëhill Gjini, të dielën marton djalin, Vlashin. Mbrëm ka hapur dasmën.

- E po të trashëgohet!

-Si pres urimet unë, shkoni ja bëni të zot.

-Nga e merr nusen e Vlashit?

-Nga Kryegjata, çupën e Tonç Longarit.

-Larg paska shkuar.

-Djemtë e botës martohen, ne i biem tamburasë- vërejti Jorgji-Po nuk është ca  si shpejt, Vlashi akoma buzëqumësht! Nja dy vjet më i madh nga unë.Pastaj do ikij të bëjë ushtrinë dhe nusja do t’i mbnetet batall! Hah ha… një e qeshur me shpoti.

- E po Mëhilli e ka djalë të vetëm. E shoqja si lindi të tjerë. Do të gëzojë, të bëhet me nipçe e mbesollka.

Llafi hapi llafin, u soll nga u soll dhe erdhi te çupat, si gjuha që shkon ku dhemb dhëmbi. Fshati ynë kishte plot vajza në moshë, por dy ishin më të bukurat, më të mirat e më të lakmuarat nga djemtë: Zoica e bija e Rrapi Dimos dhe Zeli, komshija jonë e bija e Dule Bacit.

Jorgji, kur përmëndi Zoicën, perëndoi sytë dhe psherëtiu, pastaj: “Zoica moj zoica, ti ngrënça ato cica, vdeksha unë për ty”

-Dale dale, more Jorgji , të paska shkuar mëndja për mish zoge, se mos të mbeten dhëmbët!-I tha daj Loni.

-Ku ta kisha atë fat- ja ktheu Jorgji-Shih me sy e plas me zemër o dajë Loni. Ama çudi për tu çuditur. Rrapi Dimua, kukudhi korrozi e shtrembaluq, të ketë një çupë aq të bukur, e trup purtekë që s’ja gjen shoqen.

-E ku ta dish, fëmijës i dihet nëna, pa le kush mund të ketë qënë babai!-Tha Rrahimi, kosovari, duke u zgërdhirë,  edhe ai djalë në moshë, që i pëlqente Zica. E kujt nuk i pëlqente ajo!

-Thonë që e ha gjethen lart.

-Ka patur shumë kërkesa , nga mblesër, por të vëllezërit i kanë kthyer pas se nuk kanë bërë karar.

-More, kam dëgjuar se i vardiset infermieri, Demiri, dhe asaj sikur ja ka qejfi me të-ngau fjalën Rrahimi.

- Kush? Ai biçim xherrahu? Ti bëjë hysmet asaj këmbëleshes e bythëderres që ka në shtëpi se thonë që po ja dredh me atë të plotfuqishmin, që sillet fshatit me kobure në brez.

-Fajin e ka im atë- tha Jorgji- që më lindi von. Të isha më i madh, e dini ç’do të bëja? Do ta rrëmbeja Zicën, siç rrëmben skifteri zogun dhe do ikja të jetoja gjetk, në një qytet, bie fjala në Tiranë, e do jetonim si qytetarë, jo si këtu mes pocaqisë,bajgave të lopëve dhe kakërdhive të deleve.

Çudi djalë ishte ky Jorgji. Akoma i parritur mirë, flokë kashtë ,të djegura nga dielli. Mbi ballë atje ku nisin flokët kishte një përdredhore, si ato gjeratoret e ujrave të rrëmbyer, ndaj i thoshin edhe “Balash”, fytyrë shplarë e sy të vegjël, dinakë, po shpuzë i gjallë, i lëngëzoheshin sytë dhe jargosesh kur përmendeshin çupat. Qëllonte që i përzjenim dhentë dhe i kullosnim bashkë.Më rokaniste kokën me muhabete dashurie e se paskësh rënë në dashuri me një perri që s’donte t’i zinte gojesh emrin.

-Që të të vejë mbarë me çupat, sefte duhet ta bësh me gomaren e zezë!

Po kjo ç’të qe? Në fshat s’kisha parë ndonjë grua zezake që e quanin Gomare. Ndaj i pyeta.

-Rri ti, vetëm dëgjo, je i vogël e s’kupton nga këto gjëra.

E qepa gojën, po në mëndje më mbeti ajo zezakja që e quanin Gomare.

-Eh mor Jorgji, kaq i ri dhe je ashari si kalë varvat. Kalit ja bëjnë dermanin, e skopitin te nallbani dhe i vënë samarin dhe ai bie rehat e si shkon më mëndja për pela. Po me ty si i bëhet mor xhan, që të mos përflasish e marrish ngoje çupat e botës? Yt atë bën mirë të të martojë dhe pastaj të gjesh paqe dhe të t’i hajë gjeli qurrat , kur të uleh për tu ngrohur në shullë, si atij që donte dy gra, ngaqë punonte me dy pëndë qe!-Foli dajë Loni.

Jorgjit që s’I pëlqeu muhabeti, ia mori  me vërshëllimë avazit “Tuj-tuj me pula deti”  dhe u largua duke u tundur dhe shkundur.

Zelin, nuk e zunë ngojesh, e dinin që unë kisha të bëja me të. Dajë Loni u kishte thënë: mos u merrni me vajzat e çamëve se ata të vrasin për punë nderi!

Që atë ditë e mora zët Jorgjin dhe si përzieva më dhëntë me të.

4

E njihja dhe e doja Zoicën. Ne shkonim në shtëpinë e tyre. Motra, Gjylja, e ndihmonte për të rrahur lirin në havan, per të veçuar fijet nga shtupa dhe për të tjerrë hollë- hollë fijet , për të mbushur sovajkat me fill. Shkrifnin dhe tirrnin leshin dhe ndanin pambukun nga farat. I ndihja dhe unë aq sa mundja. Pambuku ishte mbjellë atë vit bashkë me recinin dhe lulediellin se i donin jugosllavët për të nxjerë vaj. Ajo punonte në avëlmend hidhte e priste sovajkën dhe endte pëlhura të holla për veshje të brendshme. Këndonte me zë të lehtë, për qejf të saj ca këngë myzeqare. Avlëmendi i mbante iso:trak-truk. Dhe kishte zë të bukur. Po tok me të kunatat, thurte edhe qilima dhe velenxa, që më pas i shisnin të vëllezërit në tregun e Fierit.Lum kush ta fuste në derë Zoicën!

Edhe ajo më donte, më thoshte xhan i motrës. Kur iknim, asnjëherë nuk na përcillte bosh.

Ç’dreqin kishin që e përgojonin Zoicën që ishte aq e mirë dhe e dashur! Vallë mos nga të  qënët e bukur ? Ç’u thoshte mëndja? Si  tha Jorgji: shih me sy e plas me zemër! Mu kujtua ajo figura në librin e këndimit të Damanit, ku dhelpra shihte rrushin lart në pjergull dhe thoshte: është i pa bërë!

5

Mëhill Gjini po bënte dasmë të madhe, e dogji fare, ftoi  gjithë fshatin.

Nuk mbante as dhjetë minuta nga Shesholli. Pyeta nënën dhe më dha leje të shkoja për sehir. Si I thonë asaj fjalës: një martohet  njëqind  shkallohen!

U përzieva me moshatarë të mi dhe mbrëmanet shkuam në dasmë.Oborri plot. Hynin e dilnin. Dëgjuam këngë nga oda e grave dhe u përziem me çupëlinat dhe hym brënda. Ishte nata e zënies së brumit për bukët e dasmës,kuleçët dhe p[etët për yshmer. Gratë, të nisura e stolisura, ishin reth e rreth. Në mes magjia e drunjtë dhe emta e djalit, llërëpërveshur, po zinte  në të brumët. Gratë këndonin:

Jançe ,Jançe brumët,

Me se zihet brumët,

Me mjaltë e me qumësht.

Nga ai brumë, poqën një kulaç dhe e ngjitën në trarin e tavanit.Vlashit i dhanë në dorë një hark të bërë nga dru marine dhe lakun nga litar i linjtë dhe tri shigjeta majëmprehta. Vlashi i gjuajti me radhë dhe të treja e goditën kulaçin. Gjindja brohorit dhe uroi: “Me shëndet e të trashëgoheni” Kështu ishte zakoni.

Në dhomën e burrave, ishin shtruar sofrat mbushur me meze. Mëhilli kishte ftuar gjithë fshatin.Shtruar në sofra dukeshin myzeqrët me takie, kosovarët me plis dhe çamët me feste të bardha. Pinin raki me filxhanë dhe me ca shishe të vogla që u thoshin ranxhata. Rakia pihesh me dolli.

Në hajat pingërinte gerneta e Zeqos, lektisej dajrja, qeshte qemania dhe rënkonte llahuta . Djemtë dhe burrat hidhnin valle. Lezet ti shihje ato vallet “dyshe” dhe ato që u thoshin” rrethçe” sa bukur i kërcenin.

Nuk na harruan as ne të vegjlit, shtruan një sofër më vete.Bollëk i madh: një palare balte mbushur me jahni e thela mishi, bukë të grynjtë,  të tjera me yshmer që kullonin gjalpë,  revani dhe lugë druri. Mëhilli nuk ishte kursyer. Epo njeriu një herë martohet! Hëngrëm si të babëzitur sa na their barku.

Të nesërmen, që ishte e diel, erdhi beriberi. Ulën një skami në oborr dhe beriberi, si i hodhi mbi supe një çarçaf të bardhë, nisi të qethte e rruante Vlashin. Rreth e qark shokët dhe miqtë këndonin këngë. Mbaj mend  që kënga thoshte: Berberi që rruan mbretnë…..Në një tabaka, hidhnin lek për të darovitur berberin. Kur mbaroi e spërkati me livando sa mori aromë gjithë oborri.

Dy shokë që ishin vllamë të dhëndërrit e shoqëruan për në dhomë që të ndrrohej. Përjashta krisi kënga:

Hiq rrobat e djalërisë,

Dhëndërro,

Vish rrobat e dhëndërrisë…..

Qaj e qaj për djalërinë

Dhëndërro

Djalëria s’vjen më kurrë….

Nusja erdhi pasdite, me qerre që e tërhiqnin një pëndë qe që ua kishin stolisur brirët me fjongo. Qerrja ishte mbuluar me qilim, vendosur mbi shufra formë harku. Pas qerres, krushqit hipur mbi ca kuaj të vegjël myzeqarë. “Erdhi nusja, erdhi nusja”, dgjoheshin brohoritjet.Një nga përcjellësit e nuses, mbante një flamur bojë qielli në shtizën e të cilit ishte ngulur një mollë. Nusen, nisur e stolisur siç i takon një nuseje, e morën nga krahët emtat e Vlashit . Hodhen grushte me oriz , karamele dhe lek metalikë, ia lyen gishtin me mjaltë që e ngjeshi te qemeri i derës. Kërciste defi, harbonte gërneta, përzjehej me to kënga grarishte që lavdëronte bukurinë e nuses.

-Të trashëgohen, me jetë shëndet e nafak!

-Faleminderit, gëzuashi edhe ne shtëpitë tuaja!

Urata, papa Josifi i kishës së Shënmërisë u vuri kurorë dhe bekoi martesën.

Vazhdon…

Prill 2022



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora