E diele, 04.12.2022, 02:27 AM (GMT)

Kulturë

Nexhat Halimi: Kroi i Zanave

E hene, 18.04.2022, 11:48 AM


Kroi i Zanave

Nga Nexhat Halimi

Në rreth dyqind hapa  nga uji i detit, në fund të Ullishtës së Valdanosit në Ulqin, gjendet Kroi i Zanave. Rruga deri aty  është praktikisht e pamundur sepse e tërë kjo hapësirë është mbuluar nga shkurret dhe kaçubat, gjë që akoma më shumë i jep Kroit të Zanave kuptim mitik.

Vetë toponimi i Valdanosit ka prejardhje nga “Vallja e nuses”, që ka  kuptimin e valles së sirenës, zanës. Ulqinakët në raste stuhie i largonin anijet e veta në këtë “gji të qetësisë”, ku natën, ata që qëndronin atje, dëgjonin dhe kënaqeshin me muzikën e zanave. Ekziston po ashtu dhe legjenda e shpellës mbas Kroit të Zanave, ndërsa secili e ruan në vete bindjen se zanat gjithnjë e ruajnë thesarin e mbretëreshës ilire Teuta.

*

E shikoja Dean nga ecte buzë valëve të  shkumëzuara të detit.

-..Babi, a mund të shëtisim në Valdanos, te Kroi i Zanave, - më tha Dea me një ndjenjë të zgjuar. I ndoq me kureshtje tufat e dritës së diellit me interesim dhe më shikoi ngul në sy.

- Ti mendon të ikim  në Ullishte?

-Po atje... Ka tre javë që rrimë këtu e gjithnjë njëjtë – rëra, uji dhe dielli...

-E shëtitjet mbrëmjesh nëpër qytet, me ndonjë pije apo akullore... Këto i harron!

-Të ikim në një shëtitje te Shpella e Pëllumbave,-  tha ajo dhe më përvodh me bisht të syrit, e buzëqeshur.

-Çfarë të bëjmë atje? Vetëm të ecim dhe t'i shikojmë yjet, t'i dëgjojmë valët e shqetësuara, e zërat e Zanave...

-Natyrisht të prekim ndopak në gojëdhëna e legjenda dhe të përjetojmë magjinë që ka krijuar natyra...

Unë qesha me zë e ajo më mori për dore me dashuri.

-Natyrisht ka çfarë të mësojë  njeriu nga gjurmët e veta.

Shqiptarët, si të gjithë popujt në botë, i kanë legjenda e veta, që i kanë trashëguar nga kohët e lashta , -ecja e i flisja  Deas. –E  ato legjenda rrjedhin nga mitologjia. Shpesh herë ato e kanë bazën edhe nga ngjarjet nga historia, të cilat populli duke i treguar me gojë brez pas brezi, nganjëherë u ka dhënë imazhe magjike me plot fantazi. Pak a shumë këto gojëdhëna janë të lidhura me detin dhe me detarët, me trimat që luftonin për lirinë e popullit, herë herë të lidhura me ëndrrat e me dashurinë.

-Apo për legjenda të bukura herë herë, e herë tjetër për dhembje të rënda e të thella.

-Apo për rrëfime të ndryshme dhe të pabesueshme,  të cilat në kohën ndërsa nuk kanë qenë në lundrime i kanë treguar detarët dimrit pranë vatrave në shtëpitë e veta me të dashurit e vet.

Ndër legjendat e bukura është dhe ajo e Kroit të Zanave në Valdanos.

Ka mbetur në kujtesë, ndër breza, që imazhi i legjendës  ka zgjuar tashmë të jetojë zërin e legjendës dhe më vonë  e kurdoherë, të shfaq  në Valdanos me miq e shokë, apo me mysafirë për të bërë ‘fisch picknick’ me ndjenjën e posaçme. Sa herë i afrohesh Valdanosit me sanall, syri të shkon te dy bredhat, e gjelbër, aty ku gjendet Kroi dhe menjëherë aty  te Shpella e Zanave, ku dikur në kohët e lashta kanë ndodhur ndodhi dhe ngjarje magjike, të cilat  kanë mbetur një legjendë e përhershme dhe trashëgimi e popullit.

Në raste të tilla njeriut i kujtohet e kaluara dhe çastet që i ka përjetuar në zgjime magjik në kohë. Atëherë njeriu i mbyll sytë dhe imagjinon aq ma tepër duke ditur se ky vend, i cili te mahnitë me bukurinë e tij të ëndrrës, dikur ka shërbyer si vend strehimi për barkat e famshme pirate ulqinake.

Natyrisht, gjithnjë duke i kujtuar njerëzit që i jepeshin detit deri në largësi të largëta të përrallës, të cilat kujtohen nga brezat e ardhshëm me ndjenjë gufuese të valëve të egra në brigjet e detit.

Ja, aty është dhe uji i kroit të kulluar.

Në këtë hapësirë pra, gjendet Kroi i Zanave dhe kujtimi për detarët, të cilët detyroheshin të rrinin ne barka si rojtarë natën në Valdanos. Jo rrallë , apo shpesh herë duke dëgjuar këngën e bukur, dhe lëvizjen magjike me ritëm të shpirtit e me rrahje të zallit, me trokëllimë vallesh nga Kroi i Zanave.

Nganjëherë nga Shpella, e cila ka qenë afër Kroit janë dëgjuar edhe vajtime dhe gjëmë, posaçërisht atëherë kur nga ndonjë barkë, e cila po i afrohej Valdanosit, derdhej ciatje dhe vaji i ashpër, për ta qarë ndonjë ndodhi të rëndë, për ta shprehur me dhembje atë që kishte ndodhur, për ta lidhur me zërin mitik ndonjë fatkeqësie. Detarët e kishin zakon që në raste të tilla, nga direku, djaloshi më i ri ta informonte popullin për tërë atë çfarë kishte ndodhur. Valdanosi deri vonë ka qenë i pabanuar, dhe si i tillë ka shërbyer lima i sigurt për detarë dhe barka ulqinake, duke qenë larg qytetit me një ullishtë mijëvjeçare të famshme. Kjo  në netët e errëta ka ndikuar në fantazinë e detarëve të vetmuar në lundrimet e gjata nëpër det.

Vetëm hëna lartë e portokalltë i shoqëronte.

Në kalimin nëpër ujë të njelmët mrekulloheshin  me zërin e Zanave. Për t'i dëgjuar Zanat, pak nga frika e pak nga kënaqësia detarët nuk mund ta çelnin gojën. E mbyllnin gojën dhe heshtnin, duke e kuptuar se po i afrohen Valdanosit. Në të njëjtin çast, krenoheshin që dëgjonin këngët ritmike të Zanave, ndërsa i afroheshin Shpellës te kroi dhe i luteshin më vete Zotit e nisnin ritet shqiptare. Gëzimi i madh zgjatej buzë valësh. Ullishta e priste detarin deri vonë, e prekur nga një puhizë e lehtë e erës.  E detari pa frikë  merrte të kthehej në shtëpi. Zanat e  falënderonin dhe ia varnin një gjerdan me florinj.

Detari në kthim  nëpër ullishtë të errët,  nga gjerdani këpuste florinj dhe i hidhte në rrugë, duke menduar se janë hudhra. Sapo do t'i jetë afruar Mëhallës së Re i kishte hedhur të gjithë florinjtë. Me të arritur në shtëpi hoqi këmishën e në çardak ranë dy napolona dhe atëherë e kuptoi se çka kishte fituar prej ditës që ikte. Në mëngjes sa zbardhi drita u zgjua dhe shkoi menjëherë të kërkojë florinjtë, të cilët i kishte hedhur. E kuptoi se pastaj xhindet i kishin mbledhur të gjithë, duke ia lënë vetëm dy napolona...

*

Dea dhe Unë ecnim në hapësirën rreth kroit të Zanave të mahnitur me bukurit magjike të natyrës, me përplasjet e valëve shkëmbit të ullishtës. Ajo ishte  shumë e lumtur që e mësoi dhe një gojëdhënë e cila për vite e vite jeton në ullishte , e shoqëruar me zërin dhe këngën e Zanave.

-Po ik dhe një ditë në Ulqin,  e dashura Dea, - të kthehemi në  qytet të pimë diçka apo ta qerasim veten me ndonjë akullore, natyrisht më të begat për një gojëdhënë lidhur me kroi e zanave.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora