E enjte, 28.03.2024, 11:16 PM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Argatë për një përdorim

E premte, 15.04.2022, 08:39 AM


ARGATË PËR NJË PËRDORIM

(Barcoleta)

NGA KALOSH ÇELIKU

(UJI QË NUK ECË NUK PIHET)

Im Atë, shpesh e përsëriste një urti popullore: uji që nuk ecë, nuk pihet... Dhe, unë i biri i tij sot bëj një krahasim me partitë politike shqiptare. Imzot, janë si uji që nuk ecin. Vite me radhë janë hurdha, ku notojnë të njëjtit individë. E mirreni me mend, çka mund të jetojnë në hurdha. Gjithëçka, lloj-lloj gjallëresash, përveç peshqve.

Hurdhat tona janë mbushur me gjarpërinj... Bretkosa... Mushkonja... Grerëza... Bumballa... E hanë njëri - tjetrin për të mbijetuar në hurdhë. Zvarriten nëpër kënetë... Shumësohen... Herë pas here dalin në breg, diell... Rreziten... I kërcejnë njëri tjetrit në shpinë... U pëlqen uji që nuk ecë, nuk pihet... Kallamishtet... Bërlloku... Xhirizi... Barishtet... Vendi, ku gjallërojnë dhe fshihen vite me radhë... Luftojnë... Humbin... Cofin...

Përditë themelojnë parti politike... Dalin në zgjedhje lokale dhe parlamentare... E fitojnë pushtetin... I ngrejnë gishtat në Parlament për barazi dhe të drejta kombëtare... E sjellin ligjin për flamurin kuqezi... Gjuhën shqipe... E realizojnë marrëveshjen kornizë të Hurdhës... I dalin zot arsimit... Kulturës... Popullit... E kanë televizorin e vet të Hurdhës... Radion... Gazetat e pavarura... I hapin dritaren... Fotografohen... Dhe, këndojnë për liri: guak. Guak. Guak... E thirrin Lejlekun... Haxhibekun tonë, që ia thotë mbi oxhak... Lisa... Ka-ka-kaaa... ta pastrojë Hurdhën... Gjuetarin, që me çifte në dorë i turret pas një pate të egër...

E im Atë shpesh thoshte: uji që nuk ecë nuk pihet...

(E KAPËRCEVA ZALLIN DHE TA

SHKËRDHEVSHA KALIN)

Partitë Politike Shqiptare gjatë zgjedhjeve parlamentare i skuqën dhe i kaltërsuan qytetetet dhe katundet me flamuj partiak e kombëtar, qafë për qafe me flamurin diell me rreze. I “ fituan “ zgjedhjet, dhe pasi hynë në “pushtet“ e lanë shqiponjën dykrenare të kalbet nëpër bandere.

“Zekthi” para Vitit të Ri, kur i pa flmujt kuqezi ende të varur nëpër shtylla, tha me vete: Epo, kështu është kur partitë politike shqiptare i keqpërdorin simbolet kombëtare për ta dalldisur dhe mashtruar popullin. E pasi e morën “pushtetin“, dihet: gjithë jatën kanë qenë argatë të partive politike “maqedonse”, e harruan popullin dhe flamurin kombëtar të varur nëpër shtylla.

E populli shqiptar, e ka një fjalë të urtë popullore: “E kapërceva zallin dhe ta shkërdhevsha kalin…“

(“SHQIPTARI NDERSHËM”

NË DEMOKRACI)

Në kohën e komunizmit, në periudhën famëkeqe për shqiptarët, kishim spiunë… Patriotë… “Shqiptarë të ndershëm”… Dhe, “armiqë” të shtetit “përbashkët”…

Tashti në Demokraci kemi vetëm patriotë. E mua, më ka marrë malli për spiunë… Shqiptarë të ndershëm… Jo, se tashti nuk i kemi prezentë në shoqëri… Parti politike… Institucione të shtetit “përbashkët”… Drejtori të manifestimeve kulturore… Mjete të informacionit… I kemi, si nuk i kemi… Edhe atë, me shumicë e pakicë… Po, tashti të gjithë e kanë vënë maskën e patriotit. Shkurt, gjatë ndryshimeve demokratike u shndërruan në kamelonë. E kanë ndërruar ngjyrën, po jo edhe veprimet patriotike… Hujin e vjetër legjendar…

Përditë i sheh nëpër mitingjet e partive politike… Zbulimin e përmendoreve të dëshmorëve të Luftës… Emisione dokumentare të dramatizuar në MTV, që për nga patriotizmi e kalojnë edhe Skënderbeun, Ismail Qemalin, Bajram Currin, Kalosh Zajazin, Fan Nolin, Sulltanë Qafën, Hasan Prishtinën, Azem e Shotë Galicën, Adem Jasharin…

Krekosen, luajnë role të të përndjekurve e burgosurve politikë, aq shumë të përvuajtur në kohën e komunizmit si gazetarë, redaktorë e profesorë universiteti… Lotët u shkojnë rrëke, sa që edhe ne që i kemi njohur në atë kohë e i njohim sot, na dhimben si “viktima’ të komunizmit… Ndonjërin, edhe me ndonjë libër kuqezi, ku u këndon prijësve të UÇK-së… Komandantëve të luftës duke i radhitur njëri pas tjetrit me vargjet antologjike:

“Të gjitha këta trima shqipëtarë

hynë në histori,

e dhanë jetën për liri…

E ngrejnë zërin për liri… Flamurin kuqezi… Gjuhë shqipe… Kosovë… Shqypni… E vrasin dhe e presin shkaun… Mezi i zbresim nga binat… Emisionet televizive… Faqet e gazetave… Jetën e japin për liri…

Dhe, të nesërmen nga ky zjarr i ndezur nga “patriotët” e këtij soji, këngëtari popullor i Tun Batunit e bënë çiftelinë copë-copë… Tym e falakë nxjerrë nga goja… E ka nxjerrë shpatën e Skënderbeut nga brezi… Topat e Mic Sokolit për liri…

(“ZEKTHI - SPIUN“)

Personazhet e “Zekthit” me bishtin në shpinë, nuk dinin se si të mbrohen nga thumbat para popullit dhe e përhapën nëpër Qytet, se: “Zekthi është spiun“. U zë pusi në kafene Patriotëve të vonuar, Rrospive Meshkuj, Rrugaçëve kuqezi, Deputetëve të popullit, Kryetarëve të partive politike “demokratike “…

Një patriot i Vonuar që e ndiqte “Zekthin” këmba - këmbës si hije, shkoi aq larg sa që kudo trumbetonte se, “Zekthi është spiun“. E, nga ana tjetër interesoheshte se ku i gjen Zekthi gjithë ato para që të bëj qejfe nëpër taverna me gratë besnike: vishet bukur, të ketë xhip kabriolet “korando“ dhe të shëtis me Gratë e veta besnike.

“Zekthi”, kur i dëgjonte këto trumbetime të këtij Patrioti të Vonuar qeshej dhe u përgjigjej kurreshtarëve: mua më prinë Tri Meleqe për në Baba Tomorr…

Një ditë nga këto trumbetime u bë kurreshtare edhe Mikja Di.

·       Mirë, ore Zekthi, kush të financon ty? “Zekthi”, buzëqeshi.

·       Gruaja, dhe një Hoxhë…

·       Ma jep mua njërin!... Ndash  Gruan… Ndash Hoxhën…

·       Jo. U përgjegjë plumb “Zekthi”. Ty po ta jap Cufë Dilinxhiun…

·       Jo, nuk e dua Cufë Dilinxhiun, ma jep Gruan ose Hoxhën!...

·       E do, se do: merre Cufë Dilinxhiun! Ngase, ma kujtove një histori të Babait.

Im Atë ma rrëfeu para disa viteve, në kohën e komunizmit. Në katund, UDBA e atëhershme e përhapi se është spiun Miti. Dhe, të gjithë ne katundarët i iknim Mitit. Nuk folnim para tij, e injoronim si spiun.

Dhe, në fund, e dini kush kishte qenë spiuni?! Jo, Miti. Po, “patrioti“ më i madh i katundit, të cilit ne i ishim rrëfyer pa frikë…

(ARGATË PËR NJË PËRDORIM)

Një mik shkrimtar, pasi u shpallën rezultatet e konkursit për botime nga Ministria e Kulturës për vitin 2022, i tha Kalosh Çelikut:

- E pe, se sa i fortë është Këlyshi me zgjebe i Nënës Parti me “vëllezërit” e Njerkës?! E lanë LSHSHM -së pa Manifestimin Kulturor Tradicional Ndërkomëtar: TAKIME NËN RRAP (XXVII), pa revistën letrare STILI 97 (viti: XXV, 60 numra), pa asnjë libër… Edhe, SHGB  “ASDRENI“ e kapi zjarri, dhunshëm e fshinë nga Regjistri Qëndror i RMV…

- Punemadhe. U përgjigjë shkrimtari. Edhe deri më tani ato aktivitete kulturore i ka ndihmuar im Atë. Dhe, me siguri do t’i ndihmojë edhe në të ardhmen…Vetëm se, ata janë këlyshë partiak me zgjebe, vetëm për një përdorim. E unë, kaçak edhe përtej varrit.

Dhe, përderisa ata janë argatë me afate të skaduara përdorimi në Qeveri… Ministri, e kanë Nënën Parti, “vëllezërit” e Njerkës, pushtetin dhe paratë, unë jam Ujk në letërsi… E kam verën…Gratë besnike…Dhe, penën…



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora