E enjte, 01.12.2022, 04:07 AM (GMT)

Editorial » Zejneli

Xhelal Zejneli: Osvald Shpengler - Rënia e Perëndimit

E merkure, 13.04.2022, 06:50 PM


OSVALD SHPENGLER – “RËNIA E PERËNDIMIT”

Qytetërimet lindin, rriten, zhvillohen, arrijnë kulmin e zhvillimit, marrin teposhtën, bien në dekadencë dhe vdesin – Osvald Shpengler

Nga Xhelal Zejneli

Osvald Shpengleri (Oswald Arnold Gottfried Spengler, 29 maj 1880 – 8 maj 1936) është historian gjerman dhe filozof i historisë. Tregoi interesim edhe për matematikë, shkencë dhe art. Gjyshi i Osvaldit nga vija e babait, Teodor Shpengler (1806-1876) ka qenë inspektor metalurgjik në Altenbrak. Babai i Osvaldit, Berhardi (1844-1901) dhe nëna Paulina (1840-1910) kishin pesë fëmijë: dy djem dhe tri vajza. Fëmija i parë ishte i vëllai i Osvaldit, i lindur më 1879. Kishte lindur në muajin e tetë të shtatzënisë dhe kishte vdekur tri javë pas lindjes. Osvldi ishte fëmija i dytë. Pas tij lindin tri motar e tij: Adel (1881-1917), Gertrud (1882-1957) dhe Hildegard (1885-1942). Osvaldi ka qenë shëndetlig dhe gjatë jetës ka vuajtur nga migrena dhe nga kompleksi i anksiozitetit. Kur ishte dhjetë vjeç, familja e tij u shpërngul në qytetin universitar në Hale. Këtu Shpengleri, kreu gjimnazin klasik. Kjo ishte një shkollë e mesme me orientim akademik. Studion greqishten, latinishten, matematikën dhe shkencat e natyrës. Këtu e zhvilloi edhe prirjen e tij për artin, sidomos për poezinë, dramën dhe muzikën. Eksperimentoi madje me disa realizime artistike, disa prej të cilave mbijetuan edhe më tej.

Pas vdekjes së të atit në vitin 1901, Shpengleri qëndroi në disa universitete – në Munih, në Berlin dhe në Hale si shkencëtar privat, duke marrë kurse në një spektër të gjerë temash. Studimet private të tij qenë të paorientuara. Në vitin 1903, për shkak të referencave të pamjaftueshme, ai nuk ia doli ta mbronte disertacionin e doktoratës mbi filozofin antik grek  Heraklitin*. Kjo ia zvogëloi në mënyrë efektive të gjitha gjasat për karrierë akademike. Megjithëkëtë, në vitin 1904 ai doktoroi, ndërsa në vitin 1905 pësoi një tronditje nervore. Studiuesit e tij kanë ardhur në përfundim se jeta e tij ka qenë disi e rëndomtë. Një kohë të shkurtër punoi si arsimtar në Sorbruken, pastaj në Dyseldorf. Prej viti 1908 deri në vitin 1911 punoi në gjimnazin e Hamburgut, ku ligjëroi shkencën, historinë, gjuhën gjermane dhe matematikën. Në vitin 1911, pas vdekjes së të ëmës, u shpërngul në Munih ku jetoi deri në vdekje. Jetoi i mbyllur, me ndihmën e trashëgimisë së thjeshtë. Mbijetoi me mjete tejet të kufizuara dhe bëri një jetë të karakterizuar nga vetmia. Nuk posedonte asnjë libër. Për të krijuar të ardhura plotësuese, bënte punët e tutorit ose shkruante për revista të caktuara.

Demokracinë e konsideron të korruptuar, për arsye se aty çdo gjë sillet rreth parasë.   Njeriu perëndimor në veprën e Shpenglerit paraqitet si një hero krenar, por tragjik, për arsye se aspiron atë që është e paarritshme. Pas demokracisë, duhet të vijë një rend i ri. Por atij nuk i pëlqeu nacional-socializmi.

Ministri i Arsimit Popullor dhe i Propagandës gjatë regjimit nacional-socialist të viteve 1933-1945, antisemiti i përbetuar, Josef Gebels (Paul Joseph Goebbels, 1897-1945) e konsideronte Shpenglerin paraardhës intelektual të tijin. Megjithëkëtë, pas viti 1933, për qëndrimin pesimist të tij rreth të ardhmes së Gjermanisë dhe të Evropës, për refuzimin për t’i mbështetur idetë naziste mbi superioritetin racor si dhe për punimin e tij kritik “Ora e vendimit” - nazistët e injoruan.

*   *   *

Teorinë e ciklit historik e përkufizojnë historinë e shoqërisë si përmbledhje e historive të shoqërive të veçanta të cilat doemos dhe pothuajse pa përjashtim kalojnë nëpër faza të njëjta të zhvillimit, përsëritja e të cilave mund të përcaktohet në hapësirë dhe në kohë. Fazat e jetës së shoqërisë, përkatësisht të qytetërimeve apo të kulturave, si rregull u përgjigjen fazave të ciklit të jetës në natyrë, kështu që këto teori flasin për ciklet e lindjes, të rritjes, të rënies dhe të vdekjes. Me fjalë të tjera, një qytetërim lind, rritet, zhvillohet, arrin kulmin e zhvillimit, merr teposhtën (bie në dekadencë) dhe vdes.

Teorinë mbi ciklet, në mënyrë më drastike i ka përfaqësuar Osvald Shpengleri (Spengler), duke krijuar teorinë mbi kulturat si organizma të rendit më të lartë, jeta e të cilëve kalon sipas ligjeve organike të lindjes, të rritjes dhe të vdekjes. Tetë organizma të këtillë, tetë rrathë kulturorë – sa i ka gjetur Shpengleri – kalojnë të njëjtën rrugë të zhvillimit, ngase edhe numri i dukurive historike botërore është i kufizuar, kështu që shekujt, epokat, situatat madje edhe personalitetet sipas tipit, përsëriten, e megjithëkëtë në asnjë pikëpamje nuk kuptohen ndër vete.

Shpengler argumenton se qytetërimet kalojnë një cikël stinor prej afër 1000 vjetësh dhe u nënshtrohen fazave të rritjes, të lulëzimit dhe të rënies, të ngjashme me atë që ndodh në llojet biologjike. Sipas Shpenglerit, janë tetë kultura që e përbëjnë indin konstitutiv të historisë. Ato janë organizma të cilët kanë lindur, e kanë përjetuar fëmijërinë, rininë, pjekurinë, pleqërinë dhe vdekjen e vet.

Sipas Shpenglerit, ekzistojnë tetë qytetërime kryesore: babilonas, egjiptian, kinez, indian, meksikan, klasik, arab, perëndimor ose europiano-amerikan. Kultura të para janë kultura egjiptiane dhe ajo babilonase. Në të vërtetë, këto dy kultura paraqesin fillimin e historisë njerëzore, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Kanë lindur në zona të vogla të Nilit dhe të Eufratit, rreth 3000 vjet para erës së re. Pas kësaj, 1500 vjet para erës sonë, lindin edhe tri kultura. E para prej tyre është kultura indiane në Penxhabin e poshtëm. Pastaj, 1400 vjet para erës sonë ka lindur kultura kineze, ndërsa kultura antike apo apolonike ka lindur 1100 vjet para erës së re. Edhe një si këto sisteme makro-historike ka lindur në Meksikë. Dy kulturat e tjera që kanë ekzistuar gjatë historisë janë kultura arabe ose magjike dhe kultura faustiane. Kultura arabe lind pas paraqitjes së islamit dhe shtrirjes së tij në territore të tjera. Në vargun e këtyre sistemeve makro-historike, e fundit është kultura faustiane.

*   *   *

Me të madhe shkroi gjatë Luftës së Parë Botërore si dhe në periudhën ndërmjet dy luftërave, duke mbështetur me këtë rast hegjemoninë gjermane në Evropë. Në vitin 1919 doli libri „Prusianizmi dhe socializmi“ (Preußentum und Sozialismus) në të cilin mbronte versionin nacionalist, organik të socializmit dhe të autoritarizmit. Në këtë vepër, Shpengleri i kundërvihet marksizmit dhe liberalizmit. Kundërshtar i marksizmit, duke iu referuar me të drejtë apo pa të drejtë, Gëtes (Goethe) dhe Niçes (Nietzsche) si modele të tij, me morfologjinë e vet pesimiste dhe të zymtë të historisë, Shpengleri, ua çeli rrugën disa teoricienëve dhe praktikuesve të cilët nga doktrina apo nga mësimi i tij do t’i shfrytëzojnë elementet racore dhe nacionale dhe do të shpallin vdekjen e strukturës mendore dhe historike euro-perëndimore dhe amerikane, gjë të cilën duhet ta kompensojë dhe ta rilindë kultura gjermane.

Nacional-socialistët, në bazë të disa tezave të vulgarizuara dhe të simplifikuara apo të thjeshtësuara të Shpenglerit, e konsideronin veten mbartës të kësaj kulture të re e cila duhet të ndërtohet mbi gërmadhat e Evropës së vjetër, dekadente.

Rëndësinë e Niçes, Spengler do ta sqarojë në ligjëratën e vet “Niçe dhe shekulli i tij”.

*   *   *

Kur e filloi punën në vëllimin e parë të “Rënies së Perëndimit”, në fillim kishte ndërmend të fokusohet te Gjermania dhe te Evropa, por Kriza e Agadirit e goditi rëndë, ndaj e zgjeroi vëllimin e studimit të vet. Për titullin e veprës së vet, Shpengleri u frymëzua nga punimi i Oto Shik (Otto Schick) “Rënia e antikës”. Librin e përfundoi në vitin 1914, por për shkak të shpërthimit të luftës botërore, botimi u shty. Për shkak të problemeve me zemrën, ai nuk u ftua në shërbim ushtarak.

“Rënia e Perëndimit” është titulli i veprës së politologut gjerman Osvald Shpengler. Përbëhet prej dy vëllimeve. Vëllimi i parë u botua në vitin 1918, ndërsa i dyti – më 1923. Në vitin 1922 u botua vëllimi i parë i rishikuar. Duke qenë se në Luftën e Parë Botërore Gjermania u mund, u poshtërua dhe u varfërua, populli gjerman e përshëndeti këtë vepër në të cilën Shpengleri për Evropën shkruante: “Ti je duke dhënë shpirt. I shoh te ti të gjitha shenjat e shkatërrimit. Mund të jap prova se pasuria e madhe e jotja dhe varfëria e madhe e jotja, kapitalizmi yt dhe socializmi yt, luftërat tua dhe revolucionet tua, ateizmi yt, pesimizmi yt dhe cinizmi yt, amoraliteti yt, martesat tua të shkatërruara dhe kontrolli yt i lindjeve, e thithin prej teje edhe pikën e fundit të gjakut nga poshtë dhe të vrasin nga lartë, të vrasin në tru dhe do të të shfarosin – mund të të jap prova se te ti vërehen të gjitha shenjat e vendeve të vdekura të kohëve të lashta – të Aleksandrisë, të Greqisë dhe të Romës neurotike”.

Në verë të viti 1918 doli nga shtypi „Rënia e Perëndimit“. Vepra mbulon historinë e botës. Ai doli me një teori të re, sipas së cilës kohëzgjatja e qytetërimeve është e kufizuar dhe në fund ato shkatërrohen. Libri korri sukses të madh. Nënçmimi kombëtar i shkaktuar me Traktatin e Versajës (1919) dhe depresioni ekonomik i vitit 1923 e këndej, i shoqëruar me hiperinflacion, dukej sikur shkonin në dobi të tezës së Shpenglerit. Libri sikur i ngushëlloi gjermanët ngase e racionalizoi rënien e tyre, duke e shpjeguar rënien si pjesë të proceseve të mëdha historike botërore. Libri korri sukses të madh edhe jashtë Gjermanisë, ndërsa në vitin 1919 u përkthye eshe në disa gjuhë të tjera. Shpengleri e refuzoi ofertën për t’u bërë profesor i filozofisë në Universitetin e Getingenit, me arsyetimin se i dihet kohë që t’i përkushtohet shkrimit.

“Rënia e Perëndimit - projekt për morfologjinë e historisë së botës (Der Untergang des Abendiandes – Umrisse einer Morphologie der Weltgeschichte, 1918-1922) e paraqet morfologjinë e historisë, d.m.th. doktrinën për format e ndryshme themelore, për ndryshimet dhe për ndërlidhjet e ngjarjeve historike. Libri përmban një numër tejet të madh të dhënash kulturore-historike dhe konstatimesh lucide.

Vepra kapitale e Shpenglerit bën pjesë ndër librat më të rëndësishëm të shekullit XX. Vepra ka frymëzuar një numër të madh analizash, studimesh dhe veprash artistike. Midis tyre shquhet piktura “Rënia e Perëndimit” e bashkëkombësit të Shpenglerit, piktorit dhe skulptorit gjerman, Anselm Kiefer (1945-).

Për librin flitej me të madhe, madje edhe prej atyre që s’e kishin lexuar. Sipas historianëve, autori duke qenë i paushtruar, ka bërë punë amatore me një qasje joshkencore. Prozatori gjerman, laureat i çmimit “Nobel” (1929), Tomas Man (Thomas Mann, 1875-1955), leximin e librit të Shpenglerit e krahasoi me leximin e filozofit gjerman, Shopenhauerit (Arthur Schopenhauer, 1788-1860). Në Akademi ndërkaq, mendimet ishin të ndara. Sociologu dhe filozofi gjerman Maks Veber (Max Weber, 1864-1920) e përshkroi Shpenglerin si një “diletant gjenial dhe tejet të arsimuar”, ndërsa filozofi anglez me prejardhje austriake Karl Poper (Karl Popper, 1902-1994), tezën e Shpenglerit e përshkroi si “të pakuptimtë”. Historiani i madh gjerman i antikës Eduard Majer (Edward Meyer, 1855-1930) kishte mendim të lartë për Shpenglerin, edhe pse lidhur me punën e tij kishte vërejtje të caktuara.

Intuitizmi dhe misticizmi i Shpenglerit ishin shënjestër e lehtë e kritikës, sidomos për pozitivistët dhe për neokantistët të cilët te historia nuk shihnin kurrfarë rëndësie të madhe. Për kritikun dhe estetin anglo-gjerman, Kontin Hari Kesler (Harry Kessler, 1868-1937) Shpengleri ishte një autor joorigjinal dhe i parëndësishëm. Nuk pajtohej sidomos lidhur me mendimin e tij për Niçen (Nietzsche). Por, filozofi austriak-britanik Ludvig Vitenshtajn (Ludwig Vittgenstein, 1889-1951) pajtohej me pesimizmin kulturor të Shpenglerit. Sidoqoftë, studimi i Shpenglerit u bë bazë e rëndësishme e teorisë së ciklit social.

*   *   *

Studimi i Shpenglerit korri sukses në radhët e intelektualëve të mbarë botës, për arsye se parashikonte rënien e qytetërimit evropian dhe amerikan pas “epokës së dhunshme të cezarizmit”, duke theksuar analogji të hollësishme me qytetërimet e tjera. Zgjoi në Evropë pesimizmin e periudhës midis dy luftërave botërore. Filozofi gjerman, një prej përfaqësuesve më të njohur të shkollës neokantiane, Ernest Kasirer (Ernst Cassirer, 1874-1945) thotë se në fund të Luftës së Parë Botërore, vetë titulli i studimit të Shpenglerit mjaftonte për të zgjuar imagjinatën: “Në këtë moment, shumica prej nesh e kuptojnë se në shtetin tonë me një qytetërim perëndimor tejet të çmuar, ka diçka të kalbur”.

*   *   *

Këtë frymë letargjike, studimi i Shpenglerit e shprehte në mënyrë të ashpër dhe me mendjehollësi. Kritiku letrar kanadez dhe teoricieni i letërsisë, një prej më me ndikim i shekullit XX, autor i veprës “Anatomia e kritikës” (Anatomy of  Criticism, 1957) Nortrop Fraj (Herman Northrop Frye, 1912-1991) thotë: “Çdo element i tezës së Shpenglerit është hedhur poshtë të paktën nja dhjetë herë; megjithëkëtë vepra e tij është një prej poezive romantike më të mëdha botërore. Sot, idetë kryesore të studimit të tij janë pjesë e strukturës sonë mentale, sikur elektronet apo dinozaurët dhe në këtë pikëpamje të gjithë jemi Shpengleristë”.

*   *   *

Parashikimet pesimiste të Shpenglerit për rënien e pashmangshme të Perëndimit, e kanë frymëzuar punën e intelektualëve të botës së tretë, duke filluar nga Kina, Koreja e Veriut  etj. të cilët mezi presin të shohin rënien e imperializmit perëndimor.

Por, në Britani dhe në Amerikë, pesimizmit të Shpenglerit iu kthye me optimizëm historiani anglez dhe filozofi i historisë Arnold Tojnbi (Arnold Joseph Toynbee, 1889-1975).

Në bazë të njohjeve të gjera historike dhe praktike-politike si dhe arritjeve shkencore antropologjike dhe etnologjike, Tojnbi (Toynbee) synon të zbulojë forcën lëvizëse të zhvillimit historik. Rrjedhën e historisë vazhdimisht e përshkon ritmi i statikës dhe i dinamikës dhe shfaqet si lëvizje – ndërprerje e shkurtër – lëvizje. Elementi lëvizës që e determinon lindjen e qytetërimit, nuk është faktori biologjik, as mjedisi gjeografik, siç thuhet në disa teori raciste. Qytetërimet, si përgjigje ndaj një sfide të caktuar, nuk janë pasojë e kushteve materiale; në të vërtetë ato janë akt i vullnetit. Vetëm konflikti, d.m.th. raporti midis provokimeve, thirrjeve dhe përgjigjeve ndaj këtij akti loja alternative ndërmjet nxitjes dhe reaksionit, është forca krijuese që e krijon formën e qytetërimit. Me këtë rast, kushtet jetësore të rënda gjithmonë ndikojnë fuqishëm në krijimin e qytetërimit dhe të kulturës. Sa më të mëdha të jenë vështirësitë, aq më e fuqishme është nxitja (stimulusi) Prandaj, racat dhe klasat e shtypura gjithmonë kanë aftësi më të madhe për të qëndruar para mundësive të reja të hapura.

Tojnbi (Toynbee) dallon 21 qytetërime, të cilëve ua shton edhe 3 qytetërime “të shterpëzuara” dhe 5 qytetërime “të palëvizshme”. Edhe pse thotë se komponenti perëndimor do të hidhet në vend modest, megjithëkëtë konsideron se e ardhmja e Perëndimit ende nuk është mbyllur. Tojnbi thotë: “Le të më falë zoti Shpengler, por mendoj se nuk ka arsye që një mori sfiduesish motivues të mos nxitë një varg përgjigjesh triumfuese ad infinitum”.

Është autor i librit “Studim mbi historinë” (A Study of History, vëll. I-III 1934, vëll. IV-VI 1939) me theks më të madh mbi religjionin.

*   *   *

Me rastin e botimit të vëllimit të dytë të “Rënies së Perëndimit” (1922), revista Time pasqyroi ndikimin dhe kundërthëniet që kanë shkaktuar idetë e Shpenglerit në vitet ’20 të shekullit XX. “Kur para ca vitesh doli në Gjermani vëllimi i parë i “Rënies së Perëndimit”, sakaq u shitën mijëra kopje të veprës. Diskursi evropian i kultivuar shpejt u ngi me Shpenglerin, ndërsa shpenglerizmi kaloi nëpër penat e nxënësve të panumërt. Ta lexosh Shpenglerin - me admirim apo me rebelim - ishte imperativ. Vazhdoi të jetë kështu edhe një kohë të gjatë.

Në vëllimin e dytë të botuar në vitin 1922, Shpengleri pohon se socializmi gjerman dallohej nga marksizmi dhe ka qenë në të vërtetë kompatibil me konservatorizmin tradicional gjerman. Në vitin 1924, pas kthesës ekonomiko-shoqërore dhe inflacionit, Shpengleri hyri në politikë dhe tentoi ta sillte në pushtet gjeneralin Rajsfer, si lider i vendit. Qëllimi i tij dështoi, ndërsa Shpengleri u tregua joefektiv në lëmin e politikës praktike.

Në vitin 1931 botoi veprën “Njeriu dhe teknika” (Man and Technics). Në këtë libër autori paralajmëron për rrezikun që mund t’i kanoset kulturës nga teknologjia dhe industrializimi. Ai vuri në dukje posaçërisht tendencën e përhapjes së teknologjisë perëndimore  te “racat armiqësore me ngjarë” të cilat më pas do të mundë t’i shfrytëzonin armët kundër Perëndimit. Për shkak të qëndrimit kundër industrializimit, libri nuk u prit mirë. Libri përmban deklaratën e njohur të Shpenglerit “Optimizmi është ligështi”.

Në vitin 1932 Shpengleri votoi për Adolf Hitlerin (1889-1945) dhe jo për feldmareshalin e shtetarin, Paul von Hindenburg (1847-1934). Megjithëkëtë, Fyrerin e konsideronte vulgar. Në vitin 1933 u takua me Adolf Hitlerin. I impresionuar nga ky takim, deklaroi: “Gjermanisë nuk i duhet tenor heroik, por hero i vërtetë”. Shpengleri publikisht ra në konflikt me njërin prej intelektualëve nazistë më me ndikim, të dënuar me varje, Alfred Rozenberg (Alfred Rosenberg, 1893- Nyrnberg, 6.10.1946) ndërsa pesimizmi i tij dhe vërejtjet në kurriz të Hitlerit, rezultuan me izolimin e tij. Shpengleri vazhdimisht i refuzoi ofertat e Jozef Gebelsit (Joseph Goebbels, 1897-1945) për të mbajtur fjalime publike. Megjithëkëtë, gjatë vitit, Shpengleri u bë anëtar i Akademisë Gjermane.

Në vitin 1934 doli nga shtypi libri i Shpenglerit “Ora e vendimit”. U bë bestseller. Libri përmbante kritika ndaj nacional-socializmit. Nazistët e ndaluan librin. Në anën tjetër, kritikën e liberalizmit nga Shpengleri, nazistët e përshëndetën, por Shpengleri nuk u pajtua me ideologjinë biologjike të tyre dhe me antisemitizmin e tyre. Derisa misticizmi racor luante rol kyç në pikëpamjen e Shpenglerit mbi botën, ai gjithmonë ka qenë kritik i hapur i teorive pseudoshkencore racore të përhapura në kohën e tij prej nazistëve dhe prej shumë të tjerëve dhe nuk ishte i prirë t’i ndryshonte pikëpamjet e veta lidhur me ngritjen e Hitlerit në pushtet.

Libri paralajmëronte po ashtu edhe për luftën e ardhshme botërore, d.m.th. për Luftën II Botërore, në të cilën qytetërimi perëndimor “rrezikon të shkatërrohet”.

Magazina “Tajm” (Time) vlerësoi se me veprën “Ora e vendimit”, Shpengleri fitoi popullaritet ndërkombëtar si polemizues. Ua porositi librin “lexuesve të cilët kënaqen në shkrimin energjik”, të cilëve do t’u bëhet mirë të kruhen gabimisht prej aforizmave të ashpra të tij dhe prej parashikimeve pesimiste të tij.

Në punimet private të tij, antisemitizmin nazist Shpengleri e dënoi edhe më ashpër. Ai shkruan: “Sa xhelozi të madhe për aftësitë e të tjerëve, përballë paaftësive vetanake, fsheh në vete antisemitizmi!” Me fjalë të tjera, antisemiti i urren hebrenjtë ngase nuk e ka zotësinë e tyre.

*   *   *

Vitet e fundit, Shpengleri i kaloi në Munih (München) duke dëgjuar kompozitorin dhe pianistin gjerman, Betovenin (Ludwig van Beethoven, 1770-1827), duke lexuar komediografin francez, Molierin (emri i vërtetë Jean-Baptiste Poquelin, 1622-1673) dhe dramaturgun e poetin anglez, Shekspirin (William Shakespeare, 1564-1616), duke blerë mijëra libra dhe duke grumbulluar armë të vjetra turke, persiane dhe hinduiste. Herë-here shëtiste në malet Harc dhe në Itali. Në pranverë të viti 1936, pak para vdekjes, në letrën dërguar rajhslajterit Hans Frank (Hans Michael Franck, 1900 – 16.10.1946), Shpengleri pothuajse në mënyrë profetike ka konstatuar se “brenda dhjetë viteve, Rajhu gjerman mbase s’ka për të ekzistuar”. Shpengleri vdiq Munih, në moshën 56-vjeçare, më 8 maj 1936, nga infarkti në zemër. Pas nëntë vjetëve, Rajhu i Tretë ra, pikërisht kur e kishte parashikuar Shpengleri, dhjetë më parë.

Shënim: Gjatë luftës, Hans Franku ishte guvernator i territoreve të pushtuara të Polonisë. Shumë hebrenj të Polonisë i dërgoi në kampet e përqendrimit. Në procesin e Nyrnbergut u dënua me vdekje për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit.

*   *   *

Ndikimi i Shpenglerit ndër intelektualë – Në vitin 1938 Malkolm Kauli i pyeti intelektualët më të njohur të Amerikës se cili nga librat jofiksionalë u kishte lënë mbresa më të thella, Shpengleri ishte renditur në vendin e pestë, menjëherë pas Torsten Veblenit, Çarls Birdit, Xhon Djuit dhe Sigmund Frojdit. Ishte renditur po aty ku edhe filozofi dhe matematikani anglez, profesor i filozofisë në Harvard, Alfred North Vajthed (Alfred North Whitehead, 1861-1947) por para Leninit (Vladimir Iliç Lenin, 1870-1924).

Shumë gjermanë dhe austriakë ishin të frymëzuar nga puna e Shpenglerit, duke përfshirë edhe piktorin austriak Oskar Kokoshka (Kokoschka), dirigjentin dhe kompozitorin gjerman, Vilhelm Furtvangler (Wilhelm Furtwängler) dhe regjisorin austriak-gjerman-amerikan, Fric Lang (Fritz Lang). Midis tjerëve, Shpengleri ushtroi ndikim edhe mbi dy gjigantët e filozofisë evropiane, gjermanit Martin Hajdeger (Heidegger) dhe austriakut Ludvig Vitenshtajn (Wittgenstein).

Shpengleri ushtroi ndikim edhe mbi autorët britanikë, si prozatori anglez Herbert Xhorxh Uells (Herbert George Wells) si dhe mbi prozatorin Malkolm Louri (Malcolm Lowry).

Prej autorëve amerikanë të cilët kanë qenë nën ndikimin e Shpenglerit janë prozatori amerikan Ernest Heminguei (Ernest Hemingway), prozatorja amerikane Vila Kater (Willa Cather, 1873-1947), shkrimtari amerikan, Henri Miler (Henry Valentine Miller, 1891-1980) dhe Frensis Skot Ficxherald (Francis Scott Fitzgerald, 1896-1940) i cili njëherë e quajti veten „Shpenglerist amerikan“.

“Rënia e Perëndimit” la gjurmë të mëdha te përfaqësuesit e brezit të humbur* (Lost Generation). Vizioni i Shpenglerit për natyrën ciklike të qytetërimit dhe për bashkëkohësinë e fundit të ciklit evropian të qytetërimit perëndimor, e shtyri shkrimtarin amerikan Uilliam Sjuard Bërouz (William Seward Burroughs, 1914-1997), shkrimtarin amerikan Xhek Keruak (Jack Kerouac) dhe poetin amerikan Alen Ginsberg (Allen Ginsberg) të gjurmojnë për të gjetur farën e ciklit të ardhshëm në bashkësitë, pjesë e të cilave kane qenë ata vetë.

Për dallim nga kjo pjesë e botës, intelektualët dhe shkrimtarët e Amerikës Latine i tërhiqte posaçërisht argumenti i Shpenglerit që nënkuptonte se Evropa ka qenë në rënie terminale. Ka tregues që dëshmojnë se interesimi për Shpernglerin përsëri është ndezur.

Pesimizmi i Shpenglerit nuk kaloi pa ndëshkim. Në botomin e gazetës së ilustruar të Londrës të datës 10 korrik 1920, shkrimtari dhe filozofi anglez G. K. Çesterton (Gilbert Keith Chesterton) zhvilloi një polemikë me pesimistët - pa e përmendur Shpenglerin me emër - dhe me kritikët optimistë të tyre, duke pohuar se asnjëra palë nuk e ka marrë parasysh lirinë njerëzore të zgjedhjes: „Pesimistët besojnë se kozmosi është orë që lëviz dhe që nuk mund të ndalet; progresistët besojnë se ai është orë që e kurdisin vetë ata. Por unë besoj se bota është ajo që vetë ne kemi zgjedhur të bëjmë prej saj; edhe vetë ne jemi ata që kemi zgjedhur të bëjmë prej vetes; rilindja jonë apo rënia jonë do të dëshmojnë me trumbetë për lirinë tonë“. Me fjalë të tjera, si duket bota sot apo si do të duket në të ardhmen, kjo varet nga vetë njeriu, nga vetë njerëzit.

Shënime për autorët

Bërouz, Uilliam Sjuard (William Seward Burroughs, 1914-1997) shkrimtar amerikan; diplomoi në Harvard; figurë e rëndësishme e bit gjeneratës*; u bë i varur nga morfiumi;

Bird, Çarls – studiues amerikan;

Çesterton, G. K. (Gilbert Keith Chesterton) shkrimtar anglez, filozof, teolog laik, kritik letrar dhe kritik arti;

Djui, Xhon (John Dewey, 1859-1952) filozof amerikan, psikolog dhe reformues arsimor; paraardhës i filozofisë së pragmatizmit;

Ficxherald, Frensis Skot (Francis Scott Fitzgerald, 1896-1940) prozator amerikan; hyri në historinë e letërsisë si përfaqësues i „epokës së jazz-it“, që pasqyronte shpirtin e të rinjve të viteve ’20 të shekullit XX.

Frojd, Zigmund (Sigmund Freud, 1856-1939) psikolog dhe psikiatër austriak, me prejardhje hebraike; themelues i psikanalizës;

Furtvangler, Vilhelm (Wilhelm Furtwängler, 1886-1954) dirigjent dhe kompozitor gjerman;

Gëte, Johan Volfgang (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832) shkrimtar gjerman;

Ginsberg, Alen (Allen Ginsberg, 1926-1997) poet amerikan;

Hajdeger, Martin (Martin Heidegger, 1889-1976) filozof gjerman; kur Edmund Huserli (Husserl) për shkak të prejardhjes hebraike u dëbua nga universiteti, vendin e tij e zuri Hajdegeri;

Hanke, Herbert (1915-1996) prozator dhe poet amerikan;

Heminguei, Ernest (Ernest Hemingway, 1899-1961) prozator amerikan; laureat i çmimit „Nobel“ (1954); përfundoi me vetëvrasje, me pushkën e gjahut;

Herakliti (sipas Apolodorit, Efes, 544 – rreth 480 para K.) filozof antik grek; ishte kundërshtar i demokracisë. Pas fitores së demokracisë në qytetin e tij të lindjes, Efes, refuzoi të merrte pjesë në jetën shtetërore. Nga vepra e tij “Mbi natyrën” janë ruajtur rreth 130 fragmente autentike. Shprehja e njohur “Çdo gjë rrjedh”(Panta rei) shpreh njërin prej mendimeve kryesore të Heraklitit, sipas të cilit i gjithë realiteti ndodhet në ndryshime të vazhdueshme.

Huserl, Edmund (Edmund Husserl, 1859-1938) filozof gjerman me prejardhje hebraike;

Kasidi, Nil (Neal Leon Cassady, 1926-1968) poet amerikan;

Kater, Vila (Willa Cather, 1873-1947) prozatore amerikane;

Kauli, Malkolm (Malcolm Cowley, 1898-1989) shkrimtar, poet, kritik letrar amerikan;

Keruak, Xhek (Jack Kerouac, 1922-1969) shkrimtar amerikan;

Kiefer, Anselm (1945-) piktor dhe skulptor gjerman;

Kokoshka, Oskar (Oskar Kokoschka, 1886-1980) piktor, poet, dramaturg austriak;

Korso, Gregori (Gregory Nunzio Corso, 1930-2001) poet amerikan;

Kriza e Agadirit - Kriza e dytë e Marokut, e njohur edhe si Kriza e Agadirit, ishte një krizë ndërkombëtare që shpërtheu kur luftanija gjermane SMS Panther u ankorua në portin Agadir të Marokut, më 1 korrik 1911;

Lang, Fric (Fritz Lang1890-1976) regjisor austriak-gjerman-amerikan;

Lenin (Vladimir Iliç Lenin, 1870-1924) filozof, ekonomist dhe punëtor shoqëror - rus;

Louri, Malkolm (Malcolm Lowry, 1909-1957) prozator anglez;

Miler, Henri (Henry Valentine Miller, 1891-1980) shkrimtar amerikan;

Niçe, Fridrih (Friedrich Nietzesche, 1844-1900) filozof dhe poet gjerman;

Shik, Oto (Otto Schick) studiues gjerman;

Uells, Herbert Xhorxh (Herbert George Wells, 1866-1946) prozator anglez;

Vajthed, Alfred North (Alfred North Whitehead, 1861-1947) filozof dhe matematikan anglez, profesor i filozofisë në Harvard;

Veblen, Thorshtajn (Thorstein Veblen, 1857-1929) ekonomist dhe sociolog norvegjez-amerikan;

Vitenshtajn, Ludvig (Ludwig Wittgenstein, 1889-1951) filozof austriak.

*   *   *

Shënim: “Brezi i humbur” (Lost Generation) është shprehje që në kuptim të gjerë nënkupton personat e moshës së njëjtë apo të afërt në një shtet të caktuar ose në botë, të cilët në fëmijërinë e tyre, në rini apo në moshën më të mirë, janë goditur nga lufta, nga fatkeqësia e natyrës apo nga kriza ekonomike. Pjesëtarët e brezit të humbur kanë lënguar nga sëmundjet, kanë qenë të gjymtuar, janë ballafaquar me varfëri, kanë pësuar trauma psikologjike, kanë vdekur të rinj. Për dallim nga gjyshërit e tyre apo nga pasardhësit e tyre, brezi i humbur nuk ka mundur ta realizojë potencialin e vet të plotë. Në kuptim të ngushtë, në radhë të parë në Evropë apo në botën perëndimore, me këtë shprehje nënkuptohen brezat e meshkujve të viteve 1880-1900 e këndej, të cilët kanë qenë të aftë që si vullnetarë apo si rekrutë, të marrin pjesë në Luftën e Parë Botërore. Brezi i humbur është ballafaquar me një shkallë të lartë vdekshmërie, me plagosje apo me trauma psikologjike. Shprehjen e popullarizoi Ernest Heminguei (Hemingway) në romanin e tij “Dielli lind përsëri” (The Sun Also Rises, 1926). Në një kuptim edhe më të ngushtë shprehja brezi i humbur përdoret për shkrimtarët amerikanë, të cilët, sikur Heminguei, në vitet ’20 të shekullit XX jetonin dhe punonin në Paris.

*   *   *

Shënim: Shprehjen brezi bit (Beat Generation) e krijoi në vitin 1948 shkrimtari amerikan Xhek Keruak (Jack Kerouac). Ka të bëjë me një grup autorësh të cilët me veprat e veta i kanë dhënë formë kulturës amerikane në vitet pas Luftës së Dytë Botërore. Pjesa më e madhe e krijimtarisë së kësaj lëvizjeje jokonformiste ilegale të të rinjve u botua dhe u popullarizua gjatë viteve ’50 të shekullit XX. Brezi i bitistëve edhe sot ka ndikim të fuqishëm në San Francisko. Bërthamën e grupit e përbënin shkrimtari amerikan Xhek Keruak (Jack Kerouac), poeti amerikan Alen Ginsberg, prozatori dhe poeti amerikan Nil Kasidi (Neal Leon Cassady), poeti amerikan Gregori Korso (Gregory Nunzio Corso), prozatori dhe poeti amerikan Herbert Hanke dhe shkrimtari amerikan Uilliam S. Bërouz (William Seward Burroughs). Më vonë grupit iu bashkëngjitën edhe krijues të tjerë.

*   *   *

Veprat: “Rënia e Perëndimit - projekt për morfologjinë e historisë së botës” (Der Untergang des Abendiandes – Umrisse einer Morphologie der Weltgeschichte, 1918-1922); “Prusianizmi dhe socializmi” (Preußentum und Sozialismus, 1919); “Njeriu dhe teknika” (Man and Technics, 1931); bestselleri “Ora e vendimit” (Jahre der Entscbeidung, 1933); “Urfragen” (posthum, 1965).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora