E marte, 23.04.2024, 01:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Filipok!

E diele, 10.04.2022, 03:41 PM


FILIPOK!!!

"...kurrë nuk shkruaj për gjëra që nuk di"

LEO FILIPE-shkrimtar spanjoll

Tregim

Nga Përparim HYSI

Po të shihni me vëmendje, këtë citatin e LEO FILIPES, nuk e kam vënë të plotë.I plotë do të qe, nëse shkruaja kështu:"Në botë ka plot gjëra që nuk i di, por unë kurrë nuk shkruaj për gjëra që nuk i di". Në një farë mënyre, edhe unë kurrë nuk shkruaj për gjëra që nuk di.Kjo ndodh, se nuk ia them fare dhe nuk jam hiç i zoti. Ky titulli i këtij tregimi është pak si një"kopjim":"Filipok" është një tregim për fëmijë nga LEON TOLSTOI. Nasi Ç... që qe martuar me Katerinën, vërtet që  ishte kurioz i sëmurë dhe ky ves e shtyti të hapte letrën që mezi priste Filip Bardhi, por duhet të them që, relativisht, ishte mësues i aftë. Aftësia në punë s'para përkon me ligësinë (se ligësi qe ajo që bëri me letrën e KAMILËS për Filipin), por ndodhte që t'i rrënjosej në kokë ndonjë personazh, siç ndodhi dhe me këtë, Filipokun.

*      *    *

Nasi me Katerinën kishin dhjetë vjet martuar dhe, sado në dukje qenë një çift që nuk kishte të sharë,  përsëri kish diçka që"çalonte":kishin 10-vjet pa fëmijë dhe nuk kishin lënë gjinekologë pa u vizituar. E para, Katerina se, kur i vinte radha Nasit për t'u vizituar, ky ia kthente me këmbët e para:- E ke fajin ti, moj Katerinë, se sa për Nasin, atij i bëjnë marshalla femrat kur kalojnë rrugës. Pastaj, i kthehej Katerinë, por unë të dua kështu si je:qumështore,  e bardhë  dhe faqet m'i ke si tulsimite. Dhe ajo:- Po ashtu jam tani, por , kur mos jem më si tulsimite dhe zë rreshkem e të bëhet faqa si me izoipset në një hartë gjeografike, atëherë do t'i biesh kokës me grushta.Dhe , në fund të fundit, duhet një fëmijë, NASI. Se, për vete, e ke mirë ti, NASI: lë punën, del nga  shtëpia dhe ku leh qen dhe ku del tym, ku ia bën daullja"bym", është Nasi im. Katerina , mbyllur brenda,  si ato vajzat qëmoti që, pasi prisnin ditën e martesës, nuk dilinin nga shtëpia. Pastaj, - vazhdoi mllefin Katerina, - ndryshe gruaja dhe ndryshe burri.Sot, vërtet, jam qumësht e bardhë, po nesër. Se, zotrote (është fjala për Nasiin) as e vret mendjen për më tutje: ti dukesh si martuar, pa martuar, po njësoj. Apo nuk je pak si çehrezi që, kësaj ngjyre nuk i kuptohet mosha. Nasi që s'para duronte bodecin e së,  shoqes, kësaj radhe i tha:- Vërtet pak çehrezi jam, por ti e di, moj Katerinë, që fiku i zi, është më i ëmbël se i bardhi dhe, pasi i dha një puthje kortezie së shoqes,  bëri zakonin: doli andej nga e prisnin shkokët.

*    *   *

Në fshat (epo unë fshatar jam), thonë:-Gruaja është si mola. Ajo mund të hajë dhe trarët e shtëpisë. Sado që kjo thënie është paksa tronditëse, këtë radhë e sjell si dëshmi e asaj që ndodhi me këtë çift dhe, veç çiftit, edhe me FILIP BARDHIN që, u ndërkallë fare rastësisht,  në këtë tregim. Fare rastësisht, por u bë paksa si i lidhur pazgjidhmërisht në këtë tregim. Katerina arriti ta bindë NASIN që të vizitohej dhe, kur u panë analizat, u vu re se, që të dy,  qenë"fajtorë pa faj". Ngaqë NASI nuk mund të  çburrërohej, iu la"faji" vetëm Katerinës. Kjo u porosit: të futej në kum të nxehtë deri në fyt dhe këtë kurë ta vazhdonte një muaj. NASI apo"fiku i zi" qe"buçko", se, kur thosh HASAN ZYKO KAMBERI:"Kadiut, po t'i dëftesh paranë/ters e vërtit sherjanë",   e kaloi më lehtë provimin. Si, "kavalier galant", fiku izi zu të kapërdisej. Erdhën pushimet e verës dhe NASI deklamoi:-  Sa të mbrrijmë dhe ashtu nga ora 10.00, para dite,  do të hap një gropë dhe do të të mbulojë me kumë deri në fyt. I ke parë ato filmat nga AMERIKA LATINE?Ata robërit ashtu i groposnin të gjallë. TY, moj KATERINË që, po nuk të deshi vjehrra, të do lala vet, - filloi të gilgilosej NASI dhe, ke për të parë, do kemi fëmijë apo jo.

E thënë,  e bërë. Katerina u  fut në atë gropën dhe çfarë nuk bënte vetëm e vetëm të mbetej shtatzënë. Vërtet e kredhur në kum, por fytyra rrezëllinte. Kushdo që kalonte bri saj,  nuk mundej pa e zhbiruar me sy. Kish nja një javë dhe, për çudi, u befasua nga një kalimtar. Ky, sado i moshuar, sikur s'kish hequr dorë nga ca vese të  kohës  së djalërisë. E pa tjetrën që "mbytej" dhe, sa e prakaloi, befas u kthye mbrapsht dhe i tha:- T'i bëhet në grykë atij që të ka dënuar si martire. Kuptohet kjo thënie qe ashtu si me të qeshur dhe me të ngjeshur. Pastaj, "babloku" shtoi:- Përse ky"ndëshkim" në këtë diell që pjek si saç? Katerina e pranoi pak me xhetilencë ndërhyrjen dhe, tek u mundua të shpjegohej, babloku foli:- E kuptoj,  moj bijë e xhaxhait, por sa vite kini martuar?

- 10-vjet, - tha Katerina. Babloku u nis të ikte dhe, befas,  si ai që nuk rri dot pa u trazuar me punët e botës, u riafrua tek e mbytura dhe me atë dialektin e fortë nga jugu, e  shkrepi:

- Ke ndërruar dash, ë?!!!

E la pyetjen e rëndë si një gozhdë të ngulur në mendjen e KATERINËS. Tani KATERINA nuk po ndjehej më rehat.Nuk thonë kot:hedh një i marrë një gur në ferrë dhe mblidhen njëqind të mençëm dhe nuk e nxjerrin dot.

Sa hyri në kabinë, tha me vete:- Ke ndërruar dash, ë?!!! U la pas asaj banje aq të rëndë dhe, ngaqë po merrte veten me të mirë,  iu kujtua i ati, SOTIRI. Sotiri kish thirrur në shtëpi një usta për  t'i bërë një çarg për minj.Kur e mbaroi çargun,  Sotiri e pyeti:- Është i sigurt apo jo? Dëgjo, - i tha ustai, - çargun e bëra, por për siguri të duhet një mace në shtëpi. Dhe Katerina tha:- Kurën po e bëj, por, për siguri, duhet të"ndërroj dash"!!! Duhet ajo"macja" e ustait apo ai, "dashi" i atij bablokut. Nasi.si zakonisht, takëmet e gjahut dhe tutje nga kanali. Gjithmonë kujdesej që KATERINA, të "mbytej deri në fYt" dhe tym, Selim.Drejt e në peshkim. Një ditë, tek doli nga gropa dhe po shkundte kumin nga trupi,  pa FILIP BARDHIN. Sakaq, desh bërtiti si Arkimedi:-Eureka! "Eureka" se e gjeti "dashin".Ky "dash" qe FILIP BARDHI. Dhe, ndërsa"fiku i zi", NASI Ç..., nisej për gjah, atje tek kabina nr .13,  rrëfehej FIIP BARDHI. Si rrallë e për mall, për mos rënë në sy të botës. Mbaruan pushimet dhe, ndërsa Katerina u kthye nga shkolla më heret se zakonisht,  e kuptoi që ishte shtatzënë. Mezi priti, sa të kthehej Nasi në shtëpi.Ky hyrë pa hyrë mirë,  Katerina e kapi me të dy duarët prej qafe, i dha një të puthur dhe s'e mbajti dot gëzimin:-NASi jam shtatzënë!!! NASi e ngriti avadan dhe s'e lëshonte. Të thashë që kumi do të bënte mirë. Dhe aq i gëzuar qe nga lajmi, sa, kur e lëshoi, mend sokëlliti.

- Ma ndjen zemra që do jetë djalë dhe, po qe djalë, moj Katerinë,  emrin do t'ia vëmë FILIPOK!!! Katerina, mend u tramaks.Të ketë dëgjuar gjë, për"dashin", ky? Po, kur pa që NASI qe shend e verë, pyeti:- Ore NASI por ç'është ky emër Filipok apo të kujtohet ai, i shkreti Filip për atë proçkën  i  ke bërë.

- Jo, moj jo, - por FILIPOKU është një fëmijë për të cilin tregon LEON TOLSTOI që është shkrimtari më i madh i botës. Katerina u qetua dhe, tek mbeti vetëm, tha:- Dash i Katerinës, do ZOTI e të të kem në shtëpi.

Pas 9-muajësh, Katerina lindi djalë. Emrin ia vuri NASI:FILIPOK! Kur e mertte në prehër, KATERINA e përkdhelte:- Dashi i mamas dhe NASI:- Korrosaku i babait! Korrosak në Myzeqe u thonë peshkatarëve.FILIPOKu nuk u bë korrosak, por mama KATERINA dhe, kur u rrit, ia fërkonte kokën dhe,  duke e puthur,  i thoshte:-Dashi i mamas... Epo ku harrohet"kolla e vjetër?"

Tiranë,  10 prill 2022



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora