Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Besnik Dizdari: “Ad absurdum”: Shqipëria kundër “trajnerit të Evropës”

| E marte, 16.12.2008, 12:39 PM |


Besnik Dizdari
“Ad absurdum”: Shqipëria kundër “trajnerit të Evropës”

Nga Besnik Dizdari

… I pari qe Mario Kempes. I fundit ishte Blaž Sliškovic. I pari ishte Kampion i Botës 1978. I fundit kishte qenë titullar i njërës prej skuadrave më të mira të Botës, Jugosllavisë, 26 ndeshje nën fanelën e saj. I pari nuk iku ngaqë nuk e deshtën. Iku se Shqipëria u hodh në luftën e ashtuquajtur të “fajdeve”. I fundit iku se nuk e deshtën. Në tanësi ata nuk i deshtën, ndonëse ata kanë plot 12 vjet që luftojnë për t’i dashtë Shqipëria. Më 1996 kur argjentinasi Mario Kempes – Kampion i Botës me Argjentinën 1978 – papritmas u pa të merrte drejtimin e skuadrës së Lushnjës, u besua se një risi hapjeje dhe përvoje po mbërrinte në Shqipërinë e futbollit.

Ai mbërriti me avionin e Shoqërisë “Alitalia” Romë – Tiranë dhe zbriti në Rinas më 18 dhjetor 1996, duke përjetuar një pritje thuajse spektakolare. Më 20 dhjetor 1996, Mario Kempes i përgjigjet ftesës së autorit të këtushëm për të qenë i pranishëm në Edicionin e Dytë të Çmimit “Anton Mazreku” për gazetarinë sportive në Hotel “Dajtin” e Tiranës. Ishte një mbrëmbje e rrallë – i vetmi rast që në një veprimtari të gazetarëve sportivë të Shqipërisë ishte i pranishëm një Kampion i Botës. Atë 1996 kurr nuk më shkonte ndër mënd se mu gazetarët shqiptarë do të bëheshin “armiqtë” më të egër të trajnerëve të huaj në Shqipëri. E kam fjalën për shtypin, televizionin, kronikat, komenetet, diskutimet e pandalshme të studiove që iu ngjallin ikjen…

Premiera “argjentinase” e vitit 1996, në të vërtetë ishte një lloj çlirimi shpirtëror përmes historisë së futbollit kombëtar të Shqipërisë, që qysh prej 60 e mâ vjetësh nuk kishte pa me sy një trajner të huaj për një klub shqiptar. Ishin harruar ata që i solli Mbretëria Shqiptare për të bërë sportin dhe futbollin në Shqipërinë e viteve ’30, Lissoni, Ratti, Zanicchi, Vitali, Omari, Singeri. Madje dy prej tyre, turko-shqiptari Qemal Omari e kishte bërë Skenderbeun e Korçës - Kampion të Shqipërisë më 1933 dhe hungarezi Samo Singer e kishte bërë Sportklub Tiranën – Kampione të Shqipërisë më 1934. Të dy për herë të parë dhe të fundit në histori…

1. Si niste një histori e Mbasluftës…

Kështu, në atë 1996, KS Lushnja e MARI KEMPES-it mbasi fitonte në Lushnje shkonte në Durrës dhe me një futboll taktik të tipit argjentinas rezistonte 0-0 me Teutën para 16.000 shikuesve dhe kalonte në kartërshen e Kupës së Shqipërisë. Në katër ndeshje të ¼-tave janë 40.000 shikues, 10.000 shikues për ndeshje. Rekord i derisotëm në historinë e Kupës së Shqipërisë! Kur vijnë ndeshjet e kthimit, vetëm në dy ndeshje kemi 32.000 shikues: Partizani – Vllaznia 3-0 dhe 16.000 shikues. Teuta – KS Lushnja 0-0 dhe po 16.000 shikues! Trajneri i parë i huaj në futbollin shqiptar ishte maja. Mu në këte ditë të 18 janarit 1997 ëndërra merr fund. Shqipëria hidhet në “luftën” e saj absurde të të ashtuquajturave “fajde”. Mario Kempes ikën për të mos u kthyer më kurr. Kampionati Shqiptar ndalon këtu. Kupa e Shqipërisë “shuhet” po këtu dhe krismat e armëve pushtojnë gjithë Shqipërinë.

Duhej të vinte viti 2000 që një trajner tjetër i huaj të zbriste në Rinasin e Tiranës për një aventurë të re shqiptare. Ai ishte një instruktor i shquar i FIFA-s, me emrin Miklos Temesvari. Një hungarez. Mario Kempes kishte qenë i pari. Miklos Temesvari ishte i dyti. Por nëse i pari iku, të dytin do ta përzenin! Me Miklos Temesvarin niste një aventurë që gjithashtu kurr nuk do të shkonte deri në fund. “Shqipëria “vetëm” për Shqiptarët” do të zbatohej pa mëshirë kundër trajnerëve të huaj në Kampionatin Shqiptar. Viktima e parë e këtij përjashtimi thuajse ksenofob, do të bëhej mu ky instruktor i dëgjuar i FIFA-s, i cili do ta merrte e do ta përzente mu ajo skuadër e cila Paraluftës qe shpallë Kampione e Shqipërisë po me një trajner hungarez: Samo Singer, 1934. Ishte njeriu i i cili kishte themeluar deri Kombëtaren e Shqipërisë më 1936 dhe

Temesvari ishte i dyti. Në ditët e fundit të asaj vere 2000, së bashku me te vjen edhe Dervis Hadziosmanovic i Malit të Zi. Kështu që dy trajnerë të huaj marrin dy skuadrat historike të Kampionatit Shqiptar dhe për fat qysh në këte premierë të tyre, për pak kohë ata kanë një duel mes védi

Aventura do të ishte vërtet spektakolare…

MIKLOS TEMESVARI zbret në fushë si trajner i SK Tiranës qysh në Javën 1 të Kampionatit 2000-2001, në ndeshjen Skenderbeu – SK Tirana, 16 shtator 2000 dhe 3-1 për kryeqytetasit. Ai dukej si gjetja e përkryer për Sportklubin. E vazhdon 2-1 me Vllazinë, 5-0 në Fier, 7-1 KS Lushnjës, papritmas humbet në Ballsh 0-1, por 6-0 Besëlidhjes, 3-1 Dinamos, 1-0 Tomorit, humbje 1-2 në Durrës, 2-0 Flamurtarit, 0-0 në Kavajë, 4-1 Shkumbinit, 0-0 në Gjirokastër. Eshtë 16 dhjetor 2000. SK Tirana është “Kampione e Dimrit” me një trajner humgarez mbas 65 vjetëve. Madje me dy trajnerë hungarezë, sepse Temesvari ka si ndihmës bashkëatdhetarin e tij Joseph Dzuriak, i cili nuk e lëshon për asnjë çat nga duart bllokun e shënimeve të trajnerit. Në 11-shin kryeqytetas është dhe një futbollist hungarez, mesfushori Zoltan Kenesei, i cili luan plot 24 ndeshje, shënon 7 gola dhe është truri i skuadrës. Për pak kohë në stolin e rezervave ishin edhe hungarezët Vukowic, Sutori dhe Lazar, por pa luajtur asnjë ndeshje. Të duket si një SK Tiranë danubiane…

Ishte hera e parë në historinë e futbollit shqiptar që një skuadër fitonte titullin stinor me një trajner të huaj, që në këte rast ishte instruktori i FIFA-s, hungarezi Miklos Temesvari.

Më 13 janar 2001 SK Tirana fiton Superkupën e Shqipërisë, duke mundur 1-0 Teutën në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Trajneri Temesvari bëhet trajneri i parë i huaj i Mbasluftës që fiton një trofe: Superkupën e Shqipërisë.

Kur nis periudha e dytë e Kampionatit, SK Tirana e fillon me fitoren 4-0 me Skenderbeun, por humbet 3-2 në një ndeshje të shkëlqyer në Shkodër, rikthehet te 3-0 me Apoloninë, barazon 0-0 në Lushnje, i merr 2-0 kthimin Bylisit të Ballshit dhe shkon te dy herë barazim 0-0 në Lezhë dhe 1-1 me Dinamon. Mandej humbje 0-1 në Berat me Tomorin, Java 21, vetëm 5 javë para mbarimit dhe SK Tirana që humbet kreun duke mbetur 2 pikë mbrapa Vllaznisë mbas një kryesimi prej 19 javësh! Këtu , 14 prill 2001, mbaron aventura e hungarezit të shquar, i cili shkarkohet dhe zëvendësohet nga Shkëlqim Muça

DERVIS HADZIOSMANOVIC është emri i antagonistit i cili qëndron nën flamurin e Vllaznisë së Shkodrës, e cila në 5-6 javët e para kishte qenë deri 8 pikë larg vendit të parë, por e cila rrëmben një nga kampionatet më spektakolarë të saj nën drejtimin e një trajneri të huaj, në të vërtetë “të panjohur”, pa një karrierë të pasur. Ai fiton duelin me instruktorin e FIFA-s, por ajo çka dukej më e rëndësishme ishte se për herë të parë në historinë e Shqipërisë stinën e futbollit e kishte sunduar drejtimi teknik i dy trajnerëve të huaj. Temesvari e lë SK Tiranën në vendin e dytë me 2 pikë nën Vllazninë dhe në fund kjo largësi e vogël nuk ndryshon. Vllaznia e Dervis Hadziosmanovic është kampione me 2 pikë mbi Sportklubin, tash i drejtuar nga Shkëlqim Muça. Shkodra ngrë lart një shtetas të Jugosllavisë, çuditërisht në një çast historik të një përmirësimi të papamë të marrëdhënieve me Republikën e Malit të Zi dhe trajneri Hadziosmanovic shndërrohet në hero sportiv i Qytetit të Veriut. Dukej se Shqipëria sapo kishte fituar modën e trajnerëve të huaj (Hadziosmanovic – kampion), megjithate po kaq e kishte humbur (shkarkimi i Temesvarit – fitues i Superkupës së Shqipërisë).

2. Të panjohur dhe të njohur…

Kur nis stina e re, ajo 2001-2002, aventura e trajnerëve të huaj rinis me italianin e panjohur Tiziano Gori - trajner i Erzenit të Shijakut - si dhe me vazhdimësinë e trajnerit kampion, Hadziosmanovic me Vllazninë.

Këtu ndodh një nga çuditë më të mëdha të futbollit shqiptar që dukej se po kërkonte ndërkombëtarizimin e tij përmes trajnerëve të huaj. Drama befasuese zhvillohet në ate që quhet Stadiumi “Teufik Jashari” të Shijakut, ku Vllaznia e Dervis Hadziosmanovic humbet bujshëm 2-3 me Shkumbinin e italianit Tiziano Gori. Ky është episodi që e bën Vllazninë e Shkodrës ta shndërrojë heroin e saj malazez në askurgjâ. Shkarkim i menjëhershëm i tij dhe Ramazan Ragami e Artan Bushati që marrin drejtimin teknik të Vllaznisë. Malazezi e lë skuadrën shkodrane ende kampione në fuqi, por tash në vendin 7-të, dhe në fund të Kampionatit ajo nuk ngjitet më lart se vend i 5-të.

TIZIANO GORI e lë Erzenin në Javën 10 mbas humbjes 2-0 në Durrës me Teutën në vendin e 11-të, dhe me vazhdimësinë e drejtimit teknik prej trajnerit Xhoxhi Puka, deri në Javën 13, Erzeni nuk lëviz nga vend i 10-të. Kur nis periudha e dytë më 23 shkurt 2002, po aq papritmas, në stolin e drejtimit teknik të Erzenit shfaqet trajneri kampion, malazezi i shkarkuar Dervis Hadziosmanovic, me të cilin skuadra shijakase në fund të Kampionatit zbret në të 12-tin. Dhe në Javën 18, gjithnjë krejt papritmas, shohim që në stolin e drejtimit teknik të Partizanit të Tiranës të ulet italiani i Shijakut, Tiziano Gori! Përtej bixarres (“bizzarro” – me trille), siç thonë italianët, ai zëvendëson Shpëtim Duron mbas humbjes së Partizanit 0-2 me Dinamon. E merr Partizanin në vendin e 3-të dhe në fund ai ia ruan po vendin e 3-të.

Ideja përfundimtare e krejt aventurës 2001-2002 përmbahet thjesht në një histori që ndodhte po për herë të parë dhe të vetme në futbollin shqiptar: dy trajnerë të huaj drejtojnë katër skuadra mbrenda një kampionati: malazezi Dervis Hadziosmanovic (Vllaznia + Erzeni) dhe italiani Tiziano Gori (Erzeni + Partizani)!

Ndërkaq, NIKOLAI ARABOV, një trajner i mirënjohur nga Bullgaria, është për katër javë (14-18) trajner i Flamurtarit të Vlorës. E merr skuadrën vlonjate në vendin e 11-të dhe e lë në të 9-tin. Shkarkohet më 30 mars 2002 mbasi Flamurtari barazon 0-0 me Besëlidhjen në fushën e vet. Ndonëse e merr skuadrën në vendin e 11-të dhe e lë në të 9-tin mbas e pakta tri ndeshjeve të shkëlqyeshme! Padurimi është tipik shqiptar. Në Evropën Jugore të futbollit flitet ndërkaq, se trajnerë të huaj po shkojnë në Shqipëri, pa kuptuar shkarkimet e tyre të rrepta, të pamëshirshme…

Vjen Kampionati 2002-203 dhe Dervis Hadziosmanovic nuk i ndahet Erzenit të Shijakut të cilin e drejton deri në Javën 9, por nuk shkon më tej se vend i 11-të. Edhe Erzeni “i vogël” nuk duron, sidomos humbjen 1-2 me Besën në Shijak. Në fund është një shkallë më poshtë: i 12-ti!

Nuk është kjo aventura e vetme e Kampionatit 2002-2003.

AUREL TICLEANU dhe ENVER HADZIABDIC, i pari rumun dhe i dyti boshnjak, dy emra të shquar ballkanikë marrin rrugë e shpejtë për në Ballkanin e ashtuquajtur Perëndimor ku ndodhet Shqipëria “misterioze”. Ticleanu është një emër i spikatun në drejtimin e klubeve më të mira rumune. Hadziabdic është futbollisti i madh i Jugosllavisë së Titos, i përmenduri i Kampionateve Botërorë të viteve ‘70, universitar i Sarajevës, me një përvojë jo të paktë mbrenda e jashtë Bosnje Herzegovinës si trajner. Ticleanu merr drejtimin e Dinamos, Hadziabdic ate të SK Tiranës. Boshnjaku i madh i mbrojtjes e merr Sportklub Tiranën qysh me fillimin e Javës 1, por e shkarkojnë në të 9-tën, ndonëse SK Tirana është në krye! Ndeshja shkarkuese është humbja 0-2 me Partizanin më 22 nëntor 2002, megjithëse SK Tirana është pra, gjithnjë në krye, por tash me pikë të barabarta me Partizanin: nga 20 secili. Nuk dimë a ka ndonjë rast në historinë e futbollit botëror, që një trajner shkarkohet mbas 9 javëve të para të një kampionati, duke qenë plot 9 herë në krye të Renditjes me skuadrën e tij! Ky është rasti i Enver Hadziabdic-it, pedagogut nga Sarajeva e dhimbëshme, lojtar i dëgjuar i Kupës së Botës deri në duele me më të mirët e Brazilit, një njeri i qetë, njerëzor, i pafjalë, zotni i rangut. Në historinë që shkruaj për Kampionatet e Shqipërisë, Enver Hadziabdic-in e konsideroj Kampion të Shqipërisë edhe ate, përderisa SK Tirana fitoi titullin e këtij Kampionati, çka do të thotë se pa 20 pikët falë drejtimit të tij ky titull, (ai mban firmën e çmueshme të trajnerit Fatmir Frashërit, e paksa edhe të Krenar Alimehmetit, duke u plotësuar një trio trajnerësh) asesi nuk mund të mbërrihej

Aurel Ticelanu e ka fatin disi të ndryshëm. Eshtë trajner i Dinamos nga Java 11, por në 22-tën, 3 maj 2003: është Teuta –Dinamo 2-0 dhe kaq! E lë skuadrën në vendin e 6-të dhe në fund Dinamo zbret një shkallë më poshtë, në të 7-tin. Progresi zero. E zëvendëson Agim Canaj, hija e të cilit do ta ndjekë edhe stinën tjetër.

Kjo ka të bëjë me Kampionatin 2003-2004, kur i shquari i Kluzhit apo i Krajovës, tip trajneri klasik rumun, plot zgjuarsi dhe energjik, pranon KS Lushnjën, me të cilën reziston vetëm 8 javë, sepse më 18 tetor 2003, Java 8, është KS Elbasani – KS Lushnja 4-0 dhe shkarkim i pamshirshëm. Dhe prap e zëvendëson Agim Canaj. Në fund KS Lushnja ngrihet dy shkallë: nga vend i 8-të i Ticleanut në të 6-tin me Agim Canajn, e më mbas me Ilir Gjylën.

Dhe ja, Vllaznia tek kërkon edhe një herë Dervis Hadziosmanovic-in, çka të duket si kthimi në shtëpi i djalit plangprishës. Ai e drejton më së miri plot 28 javë. Pra jo nga Java 1, por nga ajo 2. Këtu kemi të bëjmë me një rast vërtet historik. Vllaznia e fillon Kampionatin me humbjen 4-1 në Tiranë me Partizanin nën drejtimin e atij që deri paradokohe kishte qenë trajner i Kombëtares: mjeshtri Medin Zhega. Po Vllaznia sapo kishte dështuar në Kupën e Evropës dhe për Zhegën nuk ka më vazhdimësi. Malazezi e merr Vllazninë në Javën 2 dhe në të 29-tën e ruan në vendin e 4-t. Bukur! Por mu në të 29-tën, në ndeshjen Vllaznia – Dinamo 2-1, malazezi ka një gjest të papritur revolte, çka shkakton dënimin përmbi një vit nga Kampionati Shqiptar. Ky do të mbesë një nga dënimet më të turpshme të Federatës Shqiptare të Futbollit, në gjithë historinë e saj, që nuk i bën asesi nder vetë historisë së futbollit shqiptar. Për çka jemi të sigurtë se kurrsesi nuk do të kishte ndodhur me një trajner shqiptar, i cili me siguri që do t’i kishte dy-tre miq në FSHF, për të mos u dënuar më tepër se sa dy apo tri javë.

3. Një i Serie A dhe një Kampion i Evropës..

Mirëpo, qé, tek vjen Kampionati 2004-05 dhe në mënyrën më sensacionale, 8 vjet mbas Mario Kempesit, mbërrin në Shqipëri një trajner argjentinas që është po Kampion i Botës, por i vitit 1986! PEDRO PABLO PASCULLI, është emri i tij. Atij i dorëzohet Dinamo e Tiranës, duke filluar nga Java 4, por e lë në të 8-tën mbas humbjes së ndeshjes Dinamo – Teuta 0-1. E lë në vendin e 5-të dhe Faruk Sejdini në fund të stinës e zbret në të 6-tin. Dhe sensacioni që vazhdon. Pasculli, i cili jeton dhe punon si trajner në Itali, rikthehet në Tiranë dhe në Javën 20 merr prap Dinamon në vendin e 4-t, vazhdon deri në të 24-tën kur mbas barazimit 2-2 në Lushnje zëvendësohet nga “i zakonshmi” zëvendësues Agim Canaj, i cili ka për ta ngjitur vetëm një shkallë, në të 3-tën.

Kështu, të lodhur, të shpërbërë, të ngatërruar keqas, plot paqëndrueshmëri, në gjithë këte shpresë për të ndërkombëtarizuar sado pak drejtimin teknik në klubet shqiptare, trajnerët e huaj mbërrijnë te Kampionati 2005-2006 ku çuditërisht do të kemi vitin rekord të pranisë së tyre. Ata do të jenë plot katër.

LUKA BONACIC, trajner i mirënjohur i Kampionatit të Kroacisë, i cili drejton vetëm në Javën 1, Dinamon, barazim 2-2 në Lushnje: sulm, mërzi, befasi dhe “lamtumirë”. Ndërkaq, ishjugosllavi tjetër, ai Dervis Hadziosmanovic, shfaqet për herë të tretë te Vllaznia, por vetëm nga Java 2 deri te e 6-ta dhe 1 tetori 2005 me KS Elbasani – Vllaznia 2-0 mjafton për lamtumirën tjetër të tij nga Vllaznia e Shkodrës, kalimi i tij në kampionatin e sallës dhe këtu është ndalesa e parafundit e tij, sepse do të vijë edhe një herë tjetër. E kishte lënë Vllazninë në vendin e 8-të dhe Hysen Dedja do ta ngrinte vetëm deri në e 6-ta.

Do të kemi dy emra të tjerë të shquar!

LEONARDO MENICHINI. Ky është emri i tij. Për herë të parë në histori vjen në Shqipëri një trajner i Serie A të Italisë. Ngjarja përbën ate që në gazetari quhet “scoop”. Kishte drejtuar disa klube të shquara italiane: Cagliari, Roma, Napoli, Bologna, Brescia, Ancona. Dhe plot 11 javë me Sportklub Tiranën. Por në Javën 11, më 12 nëntor 2005, mbas SK Tirana – Shkumbini 4-4, është fund i botës për “pronarët”e paduruar të klubit të kryeqytetit shqiptar, dhe ata i tregojnë Menichini-t bregun tjetër të Adriatikut. Menichini e lë Sportklubin në vendin e 3-të dhe në fund SK Tirana arrin vendin e 2-të. Nuk na e kishte marrë kurrsesi mendja se mund të silleshin kështu me një trajner të Serie A të Italisë në Kampionatin e Shqipërisë që konsiderohet i shkallës së III për nga niveli. Leonardo Menichini mbetet krejt i habitur, por pa bza lë Sportklub Tiranën dhe Shqipërinë.

Tjetri është IVAN KATILINIC. Do të mbërrinim te rasti i tij vetëm mbas shtatë ditëve. Katalinic ishte trajner i dëgjuar i Kroacisë, i ashtuquajturi “Ivani i tmerrshëm” thjesht për këmbënguljen e tij në punë, por Dinamo e jonë e mban ate vetëm për 10 javë: 12-21, sepse më 28 janar 2006 kemi Partizani – Dinamo 1-0 dhe “i shpejti” Vasil Bici që e zëvendëson, ia arrin që në fund të Kampionatit nga vendi i 4-t i Katalinic-it ta çojë këte Dinamo në të 3-in.

Eshtë Kampionati 2006-2007 në vazhdim. Dhe kësaj rradhe vetëm dy emra, gjithashtu dy emra të shquar:

ULRICH SCHULZE. Eshtë gjermani i Magdeburgut – Kampion i Evropës me klubet më 1971 i cili merr drejtimin e Vllaznisë.

SILVIU DUMITRESCU. Eshtë rumuni i mirënjohur i cili merr Apoloninë e Fierit.

Rezistojnë pak, krejt pak. Gjermani vetëm 11 javë (1-11), ndërsa rumuni edhe më pak: vetëm 5 javë (1-5). Gjermanin e rrëzon ndeshja Teuta – Vllaznia 1-0 e 11 nëntorit 2006, kur ai e lë Vllazninë në vendin e 6-të (më mbas e 3-ta), ndërsa të dytin ndeshja Apolonia – Besa 0-1 e 30 tetorit 2006, kur e lë Apoloninë aty ku është: e 12-ta.

Nuk mund të harrohen as këta. Rrallë ishin parë trajnerë më të shqetësuar për punën. Thuajse nuk iu qeshi buza asnjëherë para kamerave. Gjithnjë duke kërkuar dhe kritikuar, gjithnjë duke trajtuar teknikisht, gjithnjë duke synuar një punë sa më të efektëshme. Por vetëm 11 dhe 5 javë secili. Kështu shkarkimi dukej çuditërisht “i natyrshëm” për secilin.

Të dukej se këtu merrte fund aventura me trajnerët e huaj në Kampionatin Shqiptar…

4. Hadziosmanovic - i vetmi Kampion dhe fitues i Kupës…

Stina 2007-2008 dhuron edhe tri befasi të tjera që shfaqen nën emrat e SILVIU DUMITRESCU (Besa 1-12), SLLAVKO KOVACIC (Flamurtari 14-33) dhe DERVIS HADZIOSMANOVIC (Vllaznia 24-33). Pranë secilit është emri i klubit që ka drejtuar dhe javët e Kampionatit. Befasia e madhe është malazezi Hadziosmanovic: vjen për herë të tretë te Vllaznia, të cilën e kishte bërë Kampione të Shqipërisë më 2001. Krejt tjetër rasti i kroatit Sllavko Kovacic, i cili kishte qenë trajner i dytë i Kombëtares së Shqipërisë së bashku me Otto Baric i sapo dorëhequr!

Aventura e tyre ka një ndryshinm nga të tjerat. Duke përjashtuar Silviu Dumitrecu-n, i cilia mbas Javës 12, humbje e Besës së tij 2-1 në Krujë me Kastriotin (25 nëntor 2007), ndonëse skuadra kavajase ndodhet në vendin e dytë, ai nuk mundet të jetë më trajner i Besës, e cila më mbas, prap do të kishte tre ndërrime trajnerësh, shqiptarë natyrisht.

Fati i dy të tjerëve, është krejt tjetër. Ata e përfundojnë Kampionatin si trajnerë të skuadrave të tyre. Kovacic e merr Flamurtarin në Javën 24 më 22 mars 2008, mbasi në të 23-tën mbas ndeshjes SK Tirana – Flamurtari 1-0 e dorëzon Eqrem Memushi duke e lënë në vendine 8-të, po në atë vend që Flamurtari do ta ruajë deri në fund të Kampionatit.

Dhe rasti tjetër befasues i Dervis Hadziosmanovic, i cili gjithashtu e përfundon Kampionatin me Vllazninë. Malazezi thirret nga Tuzi apo Podgorica si shpëtimtar. Eshtë 8 mars 2008. Shkodër. Stadiumi Kombëtar “Loro Boriçi”: Vllaznia – Teuta 1-2! Lamtumirë e Mirel Josës. Josa e lë Vllazninë në vendin e 6-të, kur Kampionati hyn në epilog të tij, dhe tash Vllazninë nuk ka malazez në botë që ta ndihmojë: Hadziosmanovic nuk e çon më lart se vendi i 7-të. Por ka diçka tjetër. Kupa e Shqipërisë 2008. Më 5 mars Mirel Josa e drejton Vllazninë te një 2-2 plot shpresa me Besën në Kavajë, ndërsa në kthimin e 19 marsit tshmâ spektri i drejtimit është në duart e Hadziosmanovic. Dhe Vllaznia – Besa 5-1. Janë ¼ e fundoreve të Kupës. Në gjysmëfundoret e 9 dhe 23 prillit, Vllaznia arrin rezultatet më të bujshme të saj në histori me Dinamon: 4-0 dhe 3-0. Dervis Hadziosmanovic pushton Shkodrën edhe një herë. Nuk mjafton vetëm kaq. Kur vjen fundorja (finalja) e Elbasanit, 7 maj 2008, malazezi shpalos kryeveprën përfundimtare: Vllaznia – SK Tirana 2-0. Skuadra shkodrane fiton Kupën e Shqipërisë mbas plot 21 vjetëve!

Mjaft! Lamtumirë Dervis Hadziosmanovic! Lamtumirë Vllazni e Shkodrës! Në shekullin XXI ajo kishte marrë vetëm dy trofe: Kampione më 2001 dhe fituese e Kupës së Shqipërisë më 2008. Në të dy rastet me një trajner të huaj: Dervis Hadziosmanovic të Malit të Zi, të shtetit të ri të Evropës, me të cilin Vllaznia e Shkodrës kishte zhvilluar ndeshjet e para ndërkombëtare andej kah vitet ’20 të Shekullit XX!

5. Kroacia “e pafat” në Shqipëri…

Dhe mbërrin stina e re, kjo 2008-09. Zhvillimet shqiptare nën etydin “trajnerë nga Evropa” duket se nuk do të kenë ksenofobi. Qysh në Javën 1, Kampionati Kombëtar i Shqipërisë i cili i takon të jetë i 70-ti, ka tre trajnerë të huaj: të tre kroatë. Emrat janë të mirënjohur; Sllavko Kovacic, Zlatko Dalic, Blaz Sliskovic. Edhe kjo ishte historike. Ishte hera e parë në historinë e Shqipërisë që në krye të klubeve shqiptare vinin tre trajnerë të cilët kishin stërvitur ekipe përfaqësuese. Dhe vinin nga një prej shteteve më futbollistike të botës: Kroacia. Biografia e tyre e shkurtër ishte kjo:

SLLAVKO KOVACIC, 58 vjeç, kroat, isht futbollist i NK Zagreb. Trajner Fortuna Koln, SC Bregenz, Austria NEN 21, madje trajner i dytë i vetë Austrisë së parë, dhe… trajner i dytë i Kombëtares së Shqipërisë.

ZLATKO DALIC, 42 vjeç, kroat i Bosnje Hercegovinës. Ish futbollist i Hajduk, Dinamo Vinkovci, Titograd, Velez Mostar, Varazdin. Trajner i Rijeka, Varteks, deri i Kroacisë NEN 21, madje për pak ditë edhe në këte periudhë dinamas.

BLAŽ SLIŠKOVIC, 49 vjeç, kroat i Bosnje Hercegovinës. Qysh 16 vjeç futbollist i Velez Mostar, Hajduk Split, Olympique Marseille, Lens, Mulhoause, Stade Renais, Pescara, Zrinjski Mostar. Dhe 26 ndeshje dhe 3 gola me Kombëtaren e Jugosllavisë. Trajner i Zrinjksi Mostarl, i Hajduk Split dhe për bukur 4 vjet rresht, 2002-2006, trajner i Bosnje Hercegovinës në 32 ndeshje, 10 fitore, 10 barazime, 12 humbje. Si trajner i saj kshte fituar deri 2-0 me Danimarkën, 1-0 me Norvegjinë, 1-0 me Finlandën, 1-0 me Belgjikën, 1-1 me Francën, 1-1 me Spanjën, 1-1 me Gjermaninë, 0-0 me SerbiMali i Zi!

Kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë në Kampionatin e Shqipërisë: që Kampionati të fillonte me tre trajnerë të huaj, madje nga një shtet i vetëm: Kroacia e tyre – e treta e Botës më 1998! Ishte një nder për Kampionatin e Shqipërisë dhe dukej se kësaj rradhe gjithçka do të ishte serioze. Aq më tepër se fjala ishte për dy skuadra kryeqytetase, SK Tirana e Dinamo të cilat të dyja së bashku kishin fituar plot 39 Kampionate të Shqipërisë.

Mirëpo, pa shndritë mirë dielli, vranësia térruese e ikjeve, ikjeve të njohura…

I pari është Sllavko Kovacic, i cili në të vërtetë vendos një rekord “origjinal”: është i vetmi trajner i huaj, i cili mbyll Kampionatin e mëparshëm dhe fillon të riun po në drejtim të së njëjtës skuadër: Flamurtari i Vlorës. Mirëpo në Javën 9, 1 nëntor 2008, është Flamurtari – Bylis 0-0, skuadra vlonjate e 8-ta dhe ikje e menjëhershme e Sllavko Kovacic, duke u zhdukur prej futbollit shqiptar edhe gjurma e fundit e trajnerit të Kombëtares Otto Baric.

Kur ikën Kovacic, megjithate Kampionatit i mbeste dueli i bukur kroat, ai Dalic - Sliškovic. Për Dalic, punët duket sikur shkojnë qetë e qetë, teksa Dinamo e tij përshkohet midis ndeshjeve të sigurta e të pasigurta, ndonëse duke rënë të shtunën e 13 dhjetorit 2008 në vendin e 4-t me plot 8 pikë larg vendit të parë, larghësi që të bën të mendosh se Kampionia në fuqi e ka dorëzuar titullin qysh sot. Tjetërlloji shfaqet rrugëtimi për Blaž Sliškovic. Ai triumfon në plot 12 javë si kryesues, por duke iu afruar tejet kundërshtarët, mbi tëgjithë Vllaznia e Shkodrës, e cila i merr kryesimin në Javën 13 më 29 nëntor 2008. Madje në të 14-tën, skuadra shkodrane është 4 pikë mbi SK Tiranën! Kur në Javën 8 kishte qenë 6 pikë mbrapa kryeqytetasve! Ndeshjet rënëse të SK Tiranës në 7 javët e fundit cilësohen si dramatike prej shumkuj, sidomos prej atyre që shkruajnë e flasin nëpër TV (me përjashtim të autorit të këtushëm): Shkumbini – SK Tirana 0-0, SK Tirana – Besa 1- 1, KS Elbasani – SK Tirana 1-0, SK Tirana – KS Lushnja 1-0, SK Tirana – Vllaznia 1-1. SK Tirana – Teuta 1-2, Partizani – SK Tirana 2-2. Çka do të thotë

7 ndeshje, 1 fitore, 4 barazime, 2 humbje, golat 6-7. Dhe? Dorëheqje e trajnerit Blaž Sliškovic si e një mbreti që i rrëmbejnë mbas shpine fronin. Mbetet vetëm Zlatko Dalic. Të shohim aftësinë rezistuese të tij. Ndërkaq, në Javën 10, 8 nëntor 2008, Apolonia e Fierit merr në krye të drejtimti teknik boshnjakun ESAT KRASNIK, mbas largimit të Gerti Haxhiu, dhe të shohim se sa do të rezistojë ai që për historinë tonë është trajneri i huaj i 17-të i huaj i Mbasluftës në Shqipëri.

6. Nga 17 trajnerë të huaj –14 të shkarkuar!

Me dy të fundit, Sllavko Kovacic dhe Blaž Sliškovic nga të 16 trajnerët e huaj që punuan në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë, 15 trajnerë prej tyre u flakën tej mbrenda 12 vjetëve (1998-2008) simbas kësaj rradhe:

Miklos TEMESVARI (Hungari); Dervis HADZIOSMANOVIC (Mali i Zi); Tiziano GORI (Itali); Nikolai ARABOV (Bullgari); Aurel TICLEANU (Rumani): Enver HADZIABDIC (Bosnje – Hercegovinë); Pedro Pablo PASCULLI (Argejtninë); Luka BONACIC (Kroaci); Leonardo MENICHINI (Itali); Ivan KATALINIC (Kroaci); Ulrich SCHULZE (Gjermani); Silviu DUMITRESCU (Rumani), ), Sllavko KOVACIC, Blaž SLIŠKOVIC.

Vazhdojnë të rezistojnë Zlatko DALIC, i Dinamos dhe Esat KARISNIK i Apolonisë.

Nëse do t’i përmbledhim këta 15 të pafat sambas numrit të ndeshjeve që kanë drejtuar skuadra në Kampionatine Shqipërisë, na del kjo Renditje e kryesuar prej dervis Hadziosmanovic me 93 ndeshje drejtuese në Kampionatin e Shqipërisë:

Dervis Hadziosmanovic (93 ndeshje), Miklos Temesvari (21), Aurel Ticleanu (20), Sllavko Kovacic (19), Tiziano Gori (18), Silviu Dumitrescu (17), Blaz Sliskovic (14), Pedro Pasculli (11), Leonardo Menichini (11), Ulrich Schulze (11), Ivan Katalinic (10), Enver Hadziabdic (9), Nikolai Arabov (5), Luca Bonacic (1 ndeshje).

Ky bilanci i jetgjatësisë së tyre sportive të trajningut në Shqipëri tregon se me përjashtim të Dervis Hadziosmanovic te Vllaznia, i cili me 93 ndeshjet e tij tregon se ka pasë një jetëgjatësi drejtimi, asnjë tjetër nuk ka mundur të rezistojë në një Kampionat të tanë, të vetëm. Më i afërti është Temesvari me 21 ndeshje. Kësisoji, të gjithë të shkarkuar, të ikur, të dorëhequr, të largur pa mbaruar ciklin e plotë të drejtimit në një garë. Dhe intersant: i vetmi i suksesëshëm mbetet Hadziosmanovic i Vllaznisë: 1 titull të Kampioni dhe 1 Kupë të Shqipërisë me Vllazninë, ndonëse disa prej trajnerëve të tij mund të kishin emër, famë dhe zotësi më të madhe se sa malazezi i repektueshëm. Natyrisht pa harruar dy “të vogla”: hungarezi Temesvari (SK Tirana 2001) dhe kroati Dalic (Dinamo 2008) të cilët fitojnë Superkupën e Shqipërisë, që dihet është një ndeshje e vetme. Pa harruar gjithashtu, që në vend të parë skuadrën e tyre e lanë kur ikën, edhe hungarezi Temesvari (2001), edhe boshnjaku Hadziabdic (2002). Madje ky i fundit, i cili ka 9 ndeshjet e sipërpërmendura, në një farë mënyre mund të përfshihet në librin e trajnerëve kampionë, ndonëse jo mirëfilli. Në kahun tjettër, nuk mund të harrohet as i pari, Mario Kempes, i cili e shndërroi KS Lushnjën përmes vetëm dy ndeshjeve të paharrueshme, duke e çuar në katërshen e Kupës së Shqipërisë mbas një dueli jo me këdo, por mu me Teutën e famshme të Durrësit.

7. Fundi fatal i “librit”

Ata janë shkarkuar apo larguar para kohe pa mëshirë. Siç kuptohet nga historia e sipërtreguar, thuajse asnjeri prej tyre nuk u shkarkua apo u vetlargua në mënyrë bindëse apo në logjikën serioze të futbollit të sotëm. Dhe një padurim i tanë ka shoqëruar punën e këtyre trajnerëve. Një pasion shpesh jashtë çdo caku ka çuar te shkarkimi i shumicës së tyre. Një mikëpritje aspak e traditës shqiptare i ka shoqëruar jo pak ata prej pasqyruesve të Kampionatit Shqiptar, sidomos në TV e shtyp, ndonjëherë për fat të keq, gati gati edhe me një përçmim, madje shpesh edhe me një deformim të biografisë së tyre sportive. Jorrallë dhe me ironi. E tmerrshme sidomos kur kështu janë sjellë ndaj tyre edhe disa prej trajnerëve tonë, çka tregon se jorrallë në futbollin shqiptar mungon kuktura e vërtetë e marrëdhënieve midis kolegësh.

Vështroni rezultatet e tyre të përkohshme dhe do të shihni se nuk ka asgjë të jashtëzakonshme apo tronditëse. Dhe as dështime tronditëse. Përkundrazi. Absolutisht, të paktën asnjeri prej tyre, nuk qe poshtë rezultateve të trajnerëve shqiptarë. Atëherë, përse? Ksenofobi? Pseudokrenari “shqiptare”? Moskuptim? Naivitet? Mosnjohje?

A me të vërtetë, trajningu shqiptar nuk ka nevojë edhe për variante të tjera joshqiptare, kaq i përkryer është? A me të vërtetë, mund të jemi në gjendje të provojmë se një Miklos Temesvari, një Nikolai Arabov, një Aurel Ticleanu, një Enver Hadziabdic, një Pedro Pasculli, një Luka Bonacic, një Ivan Katalinic, një Leonardo Menichini, një Ulrich Schulze, një Silviu Dumitrescu, një Slavko Kovacic, një Blaž Sliškovic nuk janë të aftë dhe të denjë të stërvisin dhe të drejtojnë skuadra shqiptare? Në një kohë që vijnë nga shkolla të tilla si ato hungareze, sllave, rumune, italiane, gjermane, kroate për të cilat dihet se ku ndodhen në krahasim me shkollën shqiptare të trajningut, nëse me të vërtetë ajo ekziston mirëfilli?

Asnjëherë nuk na shkon ndër mend se dijnë më pak disa prej trajnerëve më të shquar shqiptarë dhe se skuadrat shqiptare u dashkan të stërviten vetëm prej trajnerëve të huaj. Jo, jo! Na shkon ndër mend vetëm diçka tjetër: të realizojë edhe Shqipëria përzimjen e trajnerëve të huaj me ata shqiptarë. Ose më qartë: ardhjen edhe të trajnerëve të huaj në skuadrat shqiptare, të cilët duke qenë se vijnë nga shkolla më të përparuara e më me traditë, sjellin diçka më tepër, një përvojë më tepër, një traditë më moderne të futbollit, një koncept tjetër, sidomos në metodat dhe tonusin e stërvitjeve që kërkon futbolli i sotëm.

Eshtë interesant: askush nuk ka mundur t’i kritikojë këta 14 trajnerë për mënyrën e stërvitjes. Përkundrazi. E atëherë? A nuk qëndron mu stërvitja mbi gjithçka tjetër në formimin dhe përgatitjen e futbollistëve në vetë zhvillimin e futbollit të cilësisë së lartë? Eshtë tejet naïve të pranosh se këta trajnerë nuk njohin mendësinë (mentalitetin) e futbollit shqiptar. Po kaq e vështirë qenka njohja e këtij mentaliteti “origjinal” shqiptar i futbollit, kur dihet se sot nuk ka diçka tjetër më universale, më “kozmopolite” se loja e futbollit, ajo që edhe në futbollin e sotëm quhet botërorizim i tij, evropianizimi apo globalizimi i tij, çka i shkon për shtat vetë politikës së sotme panbotërore të futbollit?

Në tanësi periudha që kaloi ishte një dymbëdhjetëvjeçar i dështuar qysh kur i pari qe Mario Kempes, e deri te i fundit që ishte Blaž Sliškovic. Ndonëse i pari nuk iku ngaqë nuk e deshtën. I fundit iku se nuk e deshtën. Në tanësi ata nuk i deshtën, ndonëse ata kanë plot dymbëdhjetë vjet që luftojnë për t’i dashtë Shqipëria.

A me të vërtetë mendoni se, bie fjala, përbërja e skuadrës Sportklub Tirana është kaq e shkëlqyer saqë asaj nuk mund t’iu lejoka që në 7 ndeshjet e rradhës të marrë 1 fitore, 4 barazime, 2 humbje? Nuk mendojmë se jemi tëgabuar. SK Tirana ka një skuadër të mirë, por jo aq të mirë sa të mos i ndodhë që në 7 ndeshje të ketë bilancin 1 fitore, 4 barazime, 2 humbje. Këte besojmë se e dimë mirë. Madje u pa se këte e dinë po kaq mire edhe ai grup i tifozëve të Sportklub Titranës, të cilët në ndeshjen e e saj të së shtunës së 13 dhjetorit, dolën në stadium me një mbishkrim që falenderonin trajnerin Sliskovic: “FALEMINDERIT BAKA!”. Ndërsa ajo që nuk dimë mirë është diçka tjetër: si stërviten, çfarë ngarkese pranojnë lojtarët e saj për të marrë. Këte e di vetëm Blaž Sliškovic, i cili për fat iku me njerëzi, pa na e treguar këte të vërtetë, ndoshta e vërteta më e madhe.

Duke u njohur me përmbledhjen e kësaj historie që treguam, vërejmë se në thelb 14 trajnerët e huaj të përjashtuar nga Shqipëria e futbollit, nuk kanë dështuar. Ajo që ka dështuar është sulmi i paprecedent sidomos i një pjese të mirë të shtypit e televizioneve ndaj trajnerëve të huaj, të cilët gjithnjë para kohe ua paralamëron ikjen, shkarkimin, dorëzimin, largimin. Themi dështim se kjo jehonë frymëmarrëse, joprofesionale, e paditur, naive, nganjëherë madje, edhe keqdashëse, duket sikur synon që Kampionati Shqiptar të mbesë një monokulturë, diçka me vetëm shqiptarë. Si asnjë kampionat tjetër kombëtar në Evropë. Dhe Shqipëria që aq shumë ka nevojë në të gjitha fushate jetës për kulturën universale evropiane, vetëm në futboll nuk paska nevojë për te!

Do të vazhdojmë atëherë me 8 gazeta sportive të përditshme që kanë numër për numër gjysmën e faqeve për problemet e dukuritë entusiazte të futbollit të të tjerëve, do të vazhdojmë me 60 ndeshje të huaja televizive në javë në ekranet shqiptare, me thirrje deri në qiell për ndeshje e gola të të tjerëve, për “supersfida” e ndeshje “fantastike” - përcaktime këto të një fjalori të papamë të një euforie pështjelluese e krejt artificiale, përveç të tjerave aspak e gjuhës shqipe, që nuk kanë asgjë të përbashkët me gazetarinë. Dhe ne që me sa duket, do të vazhdojmë me stadiume të boshatisura e do të gëzohemi se sa vjen e po shtohet numri i interistave, i juventinëve, i milanistëve, i realmadrilenëve, i barcelonistave, i bayernistave, i manchesteristave e liverpulasve. Dhe gjithnjë e më pak I futbolldshësve shqiptarë.

Ky është fundi fatal i “Librit tonë”: “Ad absurdum”: Shqipëria kundër “trajnerit të Evropës”!

G. Tema