E premte, 19.04.2024, 07:07 AM (GMT+1)

Kulturë » Zhiti

Visar Zhiti: Ata erdhën me ariun në krye

E diele, 10.04.2022, 07:22 PM


ATA ERDHËN ME ARIUN NË KRYE…

-pjesë nga romani i porsa përfunduar-

Nga Visar Zhiti

(Ka studime që romët dhe ciganët i shohin si i njëjti popull, gjithsesi janë të mrekullueshëm…)

Në ditën Botërore të tyre.

Me tre skica nga miku im,

piktori i njohur Gjergj Kola.

NDOSHTA ESTRADA E PARË:

Porta kryesore e shtëpisë tonë ishte e hapur, ashtu e mbanim shpesh, kur ia behën ata. Ariu në krye, mbase pashë atë të parin, kryearixhiu me nja dy gra me def, me qenin, një kalë, ku kishin ngarkuar çadrën e ca thasë e në fund një vajzë e hollë, me sytë si bajame, i shkëlqenin, o Zot si fosfori, kisha parë në pyll drunj fosforeshentë, që të trembin natën, xhindi. Ajo i kishte flokët e gjata deri te vithet, gjinjtë e vegjël si dy mollë të pa bëra, por mos i këpusni, na bërtiste babai, prisni dhe ca, por ç’të prisnim, ashtu na haheshin, aguridhe, e gjunjët e saj të brishtë, me fustanin me xhepa e ngjyra shumë, e zbathur. Më pa. Ndjeva një si të ngjethur.

Dhanë shfaqje në oborrin tonë në mesditë, kishte dritë dielli me bollëk, u ranë defeve si diej të vegjël në duart e tyre plot ringla-xhingla, kërcyen me delikatesë të çthurur, ariu ngrihej në këmbë me zinxhirin të lidhur prej hunde, i thoshin “kërce!” në gjuhën e tyre dhe ai kërcente i plogët, sa gjynah. Vajza këndoi në fund me plot hare, lëkundte trupin si një lis i hollë nga era më dukej, vallëzonte lehtë, plloçat poshtë këmbëve të saj do jenë ngrohur e do jenë plasaritur nga qejfi.

S’kisha dëgjuar ndonjëherë kështu. Estrada e parë që po shihja në jetë, e gjallë. E mrekullueshme. Po e shikonim të gjithë. Në poltronët në mes ishin ulur babai me nënën, ajo vërtet sikur mbretëronte me kapelën me fjongo në prehër. Përreth tyre ishin më të mëdhenjtë, xhaxhallarë e graria, vëllezërit e fëmijët dhe unë në këmbë, që shikoja gojë-hapur vajzën që këndoi.

Babai u dha ciganëve drekë, hëngrëm së bashku, u tha që të rrinin, të çlodheshin sa të donin dhe u liroi konak, atë më të mirin e miqve.

Kur u bë qetësi e madhe, po dremitnin të gjithë, unë dola, desha të shoh ariun, e kishin lidhur pas arrës, kishte kashtë ku mund të shtriqej. Ariu m’u duk aktor i shkëlqyer, megjithëse atëherë, besoj, nuk e dija fjalën aktor. Në të vërtetë kisha dalë se mos shikoja vajzën cigane. Bukuroshe. Si në përralla! S’kisha parë si ajo. Ma ato buzë të kuqe si qershitë.

Frynte puhiza e grykës në portën e madhe. E mbylla që të bëja ca zhurmë, të merrej vesh që unë isha aty. Dhe vërtet nga dera anësore e kullës doli ajo.

- Të pashë nga dritarja, - më tha, - e dija që do të shikoja.

- Edhe unë, doja... - thashë dhe e ndjeva që u skuqa, se më vërshoi gjaku në fytyrë. Ajo buzëqeshi. As nëna ime nuk buzëqeshte ashtu aq ëmbël. Më me dhimbsuri po.

- Ku mund të vemi, - foli dhe më kapi prej dore.

- Te plevica dimërore, aty s’vjen njeri tani.

Dhe ashtu bëmë. Derën prej thuprash e sigurova me një hu, që dhe nëse do vinte ndonjë të na kërkonte, do të kishim kohë të dilnim nga dritarja pas, te veriçkat e drejt e në përrua. Të paktën vetëm unë. Dhe përmes shkurreve kthehesha.

- Si të quajnë ty? – më pyeti me zërin e ngrohtë si një zog. Ishim ulur pranë barit të thatë.

- He-hek...uran…

- E përdorim dhe ne, - më tha.

- Po ty si të quajnë?

- Lejla.

- Si kënga jote, - thashë.

- I kupton të gjitha, - ma ktheu, - nuk je dhe aq i vogël...

- Mbase, por kam dëgjuar që toka është e rrumbullakët dhe rrotullohet, këtë s’e kuptoj.

- E ç’e do, - m’u afrua Lejlaja dhe më pëshpëriti. Si i zbardhëllyen dhëmbët! Si bajamet, kur ua heq atë cipën...

– Dëgjo, - iu lëngëzua zëri asaj, -

...........................................................

Do vijmë prapë, sa të jemi këtu, - më tha, - po ti mos i thuaj njeriu. Se s’na lënë të takohemi... Më puth! Dhe po dal unë e para, që të mos kuptohet...

Kur ikën ciganët, u trishtova shumë. Lejlaja e ktheu një herë kokën para se të humbnin monopatit teposhtë. Përgjithmonë.

Që të mos mërzitesha, vëllai i madh i tha babait që të më gjente një ari. S’fola. Ai kështu deshi të na ngacmojë të dyve. Shkova te plevica pas, po nuk qava. Do ta kërkoja Lejlanë.

Dhe po mendoja se si mund ta befasoja atë, do ta mbuloja fytyrën me gjethe apo do vija brirë dreri, do t’i thosha që s’jam unë...

Gjergj Kola - “Portreti i atij…”

Gjergj Kola -“Valle prej ere”

Gjergj Kola - “Pylli nga ikën''



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora