Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hajmalia që i sjell fat Ilir Shaqirit

| E merkure, 07.09.2005, 12:46 AM |


Balerini shqiptar, protagonist i skenave italiane

Jetëshkrimi:

Emri: Ilir Shaqiri
Datëlindja: 12 prill 1973
Vendlindja: Tiranë
1983 u pranua në Akademinë Kombëtare të Dancit në Tiranë.

Në korrik të vitit 1991, ai u pranua në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe në shtator në të njëjtit vit nisi karrierën e tij si balerin profesionist.

Pas një viti transferohet në Teatrin e Operës në Shkup të Maqedonisë për shkëmbim kulturash të talenteve të reja, ku punoi përreth tetë muaj.

Më pas ai u kthye në Tiranë dhe u kualifikua si balerini i parë i TOB-it

1992, gjatë një turneu në Itali vendosi që të mos kthehej më në Shqipëri

1993 fitoi audicionin në një televizion italian dhe u bë pjesëtar i trupës së baletit të programit “La Corrida” në “Canale 5”

U shkëput nga televizioni për të punuar për pesë vjet në një shkollë baleti në Sicili

Që prej vitit 1999 është një nga protagonistët në trupën e baletit të emisioneve të ndryshme në “Canale 5”

Ilir Shaqiri, edhe pse ka vite që është përfshirë në ëndrrën italiane, ai mban me vete si hajmali një pjesë të Shqipërisë. Është një copë gur nga kisha e Shën Ndoit, që prindërit ia kanë dhuruar për fat. Një fat i përcaktuar që në fëmijëri, i shoqëruar gjithnjë nga pasioni për kërcimin, duke marrë në konsideratë edhe faktin që të dy prindërit e tij ishin dy balerinë shumë të famshëm në Tiranë.

Nisja e një ëndrre
Ishte vetëm pesë vjeç dhe magjepsej tek e shihte, ndërkohë që siç e quan ai “fluturonte” në skenë në majë të gishtave. Ilir Shaqiri ishte gjithmonë pranë nënës së tij dhe shkonte në të gjitha provat që ajo bënte. Çdo ditë merrte pjesë në një skenar të gjallë të një fabule dhe nisi në këtë mënyrë të provonte dëshirën për t’u bërë ai vetë protagonisti. Në një intervistë për një gazetë italiane, ai rrëfen një nga momentet që është ngulitur në memorien e tij. Ishte vetëm tetë vjeç dhe gjendej në Teatrin e Operës dhe Baletit për të asistuar në provat e një spektakli të nënës së tij. Ishin momente shumë të bukura për të, muzika, dritat dhe arti që gjendej në ajër në ato momente. Duhej një djalë i vogël që të hynte në skenë për t’u puthur nga balerina e parë, do me thënë nëna e tij dhe kështu që zgjodhën atë. Kjo për Ilir Shaqirin ishte një eksperiencë shumë emocionuese. Është shprehur midis të tjerash në shumë intervista, se mban mend muzikë të ëmbël dhe drita shumëngjyrëshe që e kanë shoqëruar në çdo hap fëmijërinë e tij, duke i ngjizur kështu pasionin dhe dëshirën për kërcimin. Iu dha rasti për të realizuar ëndrrën e tij vetëm pak muaj pas ditëlindjes së tij të dhjetë. Në korrik të vitit 1983 vendosi të bënte provimin pranues në Akademinë Kombëtare të Dancit në Tiranë. Ai thotë se do ta kujtojë atë ditë si një nga më emocionueset e jetës së tij. U fut në këtë mënyrë, në një nga fazat më të bukura dhe njëkohësisht më të vështira të jetës së tij, për plot tetë vjet duke studiuar pa pushim kërcim klasik, folklorik etj.

Një balerin profesionist
Ai arriti të kërcente në të njëjtën skenë që kishte parë të kërcenin edhe prindërit e tij, në Teatrin e Operës dhe Baletit. Nis kështu rruga e një balerini profesionist me turne në mbarë Evropën. Por në vitin 1992, gjatë një turneu në Itali, ai vendosi të mos kthehej më. Nisi të punonte menjëherë në televizionet italiane si balerin, gjë që stimuloi pasionin e tij për dancin modern. Në moshën 20-vjeçare vendosi të hapte një shkollë në Sicili, në mënyrë që të transmetonte te të tjerët emocionet dhe pasionin që e lidhin me këtë art. Braktisi kështu për disa vjet televizionin dhe u rikthye fuqishëm në vitin 1999, si pjesë e stafit të balerinëve në emisione të famshme italiane si: “Bouna domenica”, “Saranno famosi” dhe “C’e’ posta per te”, ku vazhdon të triumfojë edhe sot.

Bukuri shqiptare

Ata të dy janë cilësuar nga shtypi italian si bukuria shqiptare. Ilir Shaqiri dhe Kledi Kadiu kanë qenë miq që në fëmijëri dhe karriera e tyre ka pasur të njëjtën rrjedhë. Janë sot ndër seks-simbolet më të dashur në Itali midis mijëra adhuruesve që çirren përpara tyre. Midis tyre janë shtuar edhe emra po aq të suksesshëm si balerinët: Anbeta Toromani, Leon Cino dhe Klajdi Selimi. Një brez i tërë balerinësh që po ndriçojnë skenat e Italisë dhe janë protagonistë të shfaqjeve kryesore. Ilir Shaqiri, aktualisht jeton në Romë dhe është i martuar me aktoren italiane, Emanuela Morini. Për herë të parë me bashkëshorten e tij, ai u takua në vitin 1999 në emisionin “La sai l’ultima”, por mohon zërat se kjo ishte dashuri me shikim të parë.