E premte, 19.04.2024, 12:20 AM (GMT+1)

Kulturë

Elton Ndrecaj

E diele, 26.02.2006, 10:50 PM


Aktori shqiptar Elton Ndrecaj tregon idetë e tij në fushën e kinematografisë

"Unë shkodrani në Hollivud"

Projektet, një film shqiptar me VIP-a dhe një videoklip

Anila Mema

Elton Ndrecaj

Shpesh e quan veten me fat. Por krahas fatit, vjen puna. Eshtë Elton Ndrecaj, djalosh shkodran, që njihet në skenat botërore si model, kërcimtar dhe aktor.
Tregon se ka punuar shumë, aq sa shpesh i është dashur të përballet me vështirësi të pazakonta. Udhëtimi i tij nga Shqipëria drejt Italisë 13 vite më parë, i ka hapur shumë dyer të lakmueshme. Aty u ingranua dhe u bë i njohur si model. Pas tij, stacioni i ri ishte Kalifornia. Fati aty e ndoqi edhe më shumë. Aty arriti të thyejë shumë bërryla për të rendur drejt Hollivudit. Në fakt, për të tashmë gjithçka është "via libera". Karriera e tij artistike nis në kinematografi vite më parë me filmin "Black & Blue", "Mob Scene", "No rules", "Medium","Ventriloquist", "Living the Dream", "The Gun", "Partners", "Herbie fully loaded" dhe "Untold stories from E.R". Projekti i fundit ka qenë pjesëmarrja në një reklamë televizive për makina, e cila është cilësuar si më e mira ndër pesëdhjetë reklama. Gjithashtu kjo reklamë është më e klikuara edhe në adresa të ndryshme të internetit. Në një intervistë të dhënë për gazetën "Panorama" Ndrecaj tregon pjesëmarrjen e tij në "Borla" dhe projektet e reja, për të cilat ka kohë që mendon.

Pjesëmarrja juaj në reklamën "Borla" është pritur shumë mirë si në shfaqjet e saj në ekranet e televizioneve, ashtu dhe në adresat e ndryshme të internetit. Si u bëtë pjesë e këtij projekti?
Me anën e menaxherit tim, Rob Ciçone, m'u ofrua një rol karakteri, tek një reklamë e rëndësishme jo vetëm në nivelin e televizioneve amerikane, por edhe nëpër të gjitha linjat ndërkombëtare të internetit. Quhet "Borla" dhe është një lloj marmite universale, që përdoret në përgjithësi tek makinat sportive. Për këtë reklamë kam punuar shumë dhe mendoj se kam dhënë maksimumin tim. Këtë e them bazuar në reagimin e regjisorit tim Chris Lombardo, i cili mbeti shumë i kënaqur me punën time, gjë që e ka shprehur edhe në një intervistë dhënë për gazetën e përditshme kaliforniane "Los Angeles Times". Por gjithashtu mund të them se kjo ka qenë një nga reklamat më të suksesshme të kësaj periudhe, bazuar në publikimin nëpërmjet adresave të ndryshme në internet. Deri tani është cilësuar reklama më e mirë mes pesëdhjetë të tjerave. Kjo për mua është e rëndësishme, ashtu sikurse edhe çdo kritikë tjetër karshi meje, për vetë faktin se nëpërmjet tyre po më hapen dyer të reja drejt karrierës sime dhe çdo ditë e më shumë po njihem pozitivisht me figura të reja të kinematografisë amerikane. Kjo për mua nuk është pak.

Cili ka qenë roli juaj i fundit në film para këtij projekti?
Sapo doli në kinematë amerikane filmi "Herbie Fully Loaded", në të cilin unë kam një rol të mirë. Dua të them se është pritur mjaft mirë, duke parë shitjen e biletave dhe shkrimet që kanë shkruar për të. Unë kam marrë gjithashtu shumë telefonata nga miq dhe të afërm për këtë film, të cilët më uronin për pjesëmarrjen time në të. Dua të them "Herbie Fully Loaded" është një nga filmat më të shtrenjtë të Walt Disney Productions.

Cilat janë projektet që po ndërmerrni këto kohë?
Tashmë jam në pritje të disa kontratave të reja që po i negocion menaxheri im, Rob Ciçone. Ende nuk mund të flas për gjëra konkrete, pasi nuk më pëlqen të shprehem paraprakisht, por dua të theksoj se këtë sezon jam me të vërtetë shumë i dhënë pas punës. Megjithatë mund të them se, kohët e fundit ditët e rëndësishme kanë qenë të shumta për mua. Kam pasur takime të tëra për shumë plane në ditët në vazhdim. Sapo kemi planifikuar dhe po firmosim kontratat me investitorë për një buxhet prej rreth 3,5 milionë dollarësh për filmin e parë me metrazh të gjatë të kunatit tim, Leom. Eshtë një histori thriller që titullohet "Last wish", skenarin e të cilit e ka realizuar vetë Leomi, i cili është edhe shkrimtar. Sponsorizuesit janë kalifornianë. Ata e kanë pëlqyer dhe pritur mirë skenarin, ndërsa tashmë po përgatitemi për të përzgjedhur kastin e aktorëve. Pretendojmë të marrim të paktën një karakter të listës "A", që do të thotë një aktore ndër më të njohurat jo vetëm në Amerikë, por edhe në kinematë botërore. Vazhdojnë negociatat dhe kemi kontakte të ndryshme çdo ditë me agjentë dhe menaxherë që përfaqësojnë klasin më të lartë të artistëve amerikanë.

Dy shqiptarë që synojnë Hollivudin. Në ç'fazë të punës jeni tani?
Deri tani janë bërë përzgjedhjet e para, ku regjisor do të jetë Dish Dog, kameraman i filmit Rezident Evil dhe fituesi i AWARD Robert Kubilos. Sharon Stone dhe Penelope Cruz janë pjesë e kastës së aktorëve në këtë projekt, me të cilat kemi rënë dakord vetëm pak ditë më parë në një nga lokalet me famë të Hollivudit. Ditët e ardhshme do të kemi takime të tjera në lidhje me projektin me agjentë, menaxherë dhe me aktorë të njohur si Cameron Diaz, Salma Hayek, Jennifer Aniston, Sandra Bullock, etj.

Cilët janë miqtë me të cilët shoqërohet Eltoni?
Miku im më i ngushtë është Romeo Antonio, një figurë mjaft e njohur në historinë e artit të muzikës amerikane. Ai është 48 herë fitues i çmimeve të ndryshme dhe me mban 5 çmime Grammys. Këtë vit investimet e tij tek gjashtë filma arrijnë shifrën e mbi 100 milionë dollarësh. Së bashku kemi nisur një bashkëpunim kohët e fundit, ku unë jam asistent producent, pranë Antonios, i cili prej dy vitesh punon si producent në fushën e filmit, krahas producentit të muzikës. Ai gjithashtu ka realizuar tekstet e shumë këngëve të njohura si "Gennie in the bottle", kënduar nga Christina Aguliera, këngës "I will survive" kënduar prej grupit të njohur Destiny Child ose këngës tjetër të njohur "Sexy" , "Motherfucker" kënduar nga Prince dhe aktualisht po punon si producent në filmin e quajtur "Vergins", ku marrin pjesë edhe këngëtarët e aktorët e njohur Eminem, Enrique Inglesias, Usher, Beyonce dhe Samuel Jackson.

 

Duke bere regjine e nje klipi
Së bashku me Romeo Antonion është duke përfunduar një videoklip me këngëtarë dhe aktorë të njohur si Gary Dourdan, protagonisti i telenovelës me famë botërore "CSI", dhe me këngëtarin e famshëm, një nga themeluesit e muzikës Rap amerikan, të grupit DMS. Ndërsa pak kohë më parë, të gjithë së bashku morëm pjesë në koncertin shumë të njohur të quajtur "LIVE 8" në Toronto të Kanadasë.

Te punosh me dhe per VIP-a
Elton Ndrecaj ka lindur në Shkodër. Vite më parë ka punuar si model në pasarelat italiane për të famshmit Giorgio Armani, Dolce & Gabbana, Gianfranco Ferre dhe Calvin Klein. Ka pasur fatin të punojë përkrah Natalia Estradës, Xhixhi Sabanit, Brixhild Nilsonit, Valentina Persias, Françeska Pirit, Elisabeta Ferraçinit, apo dhe të famshmes Deni Mendez. Ai tregon se është i vetmi shqiptar që nuk mundi ta ndjente asnjëherë diferencimin apo dhe mosvlerësimin.

Nje rol prane "John Gotit"
Fillimisht, një agjent i FBI-së, pastaj pjesëtar i një familjeje të madhe mafioze në Amerikë. Më tej, një gangster, një djalë kryeneç që provon funde të hidhura. Aktori shqiptar në Amerikë, Elton Ndrecaj, ka xhiruar një film me regjisorin e njohur amerikan, Robert Rundle, realizues i filmit të njohur "Hyper Space". Aktori shqiptar luan në këtë film të titulluar "Force majore", dy role, krahas aktorëve të zëshëm si Pamela Anderson, Gery Busey apo aktori John Fiore, që luan te "Soprano".

Panorama 05/08/2005

Elton Ndrecaj mes famës dhe krenarisë

Gentian Minga - Shqip

Gjithçka filloi kur, si pjesa më e madhe e të rinjve të asaj kohe, Eltoni vendos të emigrojë në Itali në kërkim të një jete më të mirë… Dhe në fakt, nuk i shkoi aspak keq djalit nga Shkodra, i cili përtej Adriatikut nuk do të gjente vetëm një jetë më të mirë, por suksesin dhe famën.
Sapo të hynte në botën e modës, do të sfilonte për stilistët më të njohur në Itali, ku veçojmë Dolce&Gabanën dhe Calvin Klein. “Bota e modës ka qenë e mrekullueshme! Hyra në këtë ambient me të dyja këmbët: Punoja si model, kurse nga ana tjetër, krijova lidhje të rëndësishme me njërëz me potencë në fusha të ndryshme. Ajo e modelit, ishte një punë që më pëlqente jashtë mase, ndaj ato kohë i kujtoj me nostalgji” - shprehet Ndrecaj. Po atëherë, çfarë e bëri shkodranin të shkëputej nga moda kur ndihej mirë me të?! “Kisha projekte më ambicioze brenda vetes, dhe puna si model më hapi dyert për të realizuar ëndrrën time më të madhe: Hollivudin” - thekson Eltoni… Ai e nis suksesin në kinematografi, fillimisht në Itali ku interpreton përkrah emrave të njohur të kinemasë italiane si: Brigid Nilsen, Valentina Persia apo Natalia Estrada. Punën si aktor ai e eksporton në Amerikë, ku deri tani ka realizuar disa filma. Projekti më i fundit i Ndrecajt, është filmi “Last Wish”, me skenarist kunatin e tij, Leom. Janë firmosur kontratat me investitorët e filmit, që janë sponsora kalifornianë dhe buxheti i ka arritur në rreth 3,5 milion dollarë. Gjithashtu, pritet që Eltoni të interpretojë përkrah Sharon Stoun dhe Robert de Niros, dy emrave Gjigant të kinematografisë botërore…
Sa e ndieni afër apo larg veten tuaj nga Shqipëria dhe sa të afërt apo të largët ndiheni me vendin ku jetoni?
- Të përcaktoj gjeografikisht largësinë me Shqipërinë, është e thjeshtë… Jam disa mijëra kilometra ose orë fluturimi larg. Gjithsesi, nuk e ndiej shumë këtë largësi, sepse kam komunikime të vazhdueshme me fansat, gazetarët dhe rrjetin e shqiptarëve që jetojnë në Amerikë apo kudo tjetër nëpër Botë. Kjo më bën të kujtohem gjithnjë për Shqipërinë! Kurse në Amerikë, Kaliforni apo Los Anxheles ndihem pjesë e një marrëveshjeje: Jam i huaj, por s’ndihem i tillë, sepse çdo ditë njoh miq dhe njerëz të rinjë… Lidhjet me ta forcohen gjithmonë e më shumë dhe me tërë këto njohje dhe njerëz të ngrohtë, më duket sikur Los Anxhelesi është një qytet i Shqipërisë.

Kontakti me Shqipërinë: I qëndrueshëm apo për t’u harruar?
- Shpresoj që do të jetë i qëndrueshëm! Këtë do t‘ia kërkojë gjithnjë vetes. Njeriu kurrë nuk duhet të harrojë se nga vjen. Nëse harron të shkuarën, nuk vlen as për të ardhmen! Ky është një parim të cilin ia kam ushqyer vetes, edhe për faktin se ishte Shqipëria ajo që më ngjalli etjet e para, që më mbrujti ëndrrat. Aty në fund të fundit, rrita edhe shtatin, u edukova dhe u arsimova. Kulturën që kam marrë në vendin tim, as e kam harruar dhe as e kam ndryshuar. Kushedi!... Mbase vetëm e kam zgjeruar më tepër, fal vëzhgimit dhe njohjes së kulturave të ndryshme të Botës.

Cila është gjëja që nuk keni mundur ta gjeni atje, por që nuk e keni pasur kurrë as në Shqipëri?
- Ka shumë gjëra, të cilat lidhen direkt me fakte dhe karaktere. Njeriu ëndërron dhe pretendon shumë, kërkesat e tij shkojnë përherë në rritje... Sa më shumë e njeh jetën, aq më tepër kërkon prej saj! Ky është parimi i çdokujt që dëshiron të përparojë në jetë. Është e vështirë të gjesh nëse diçka të mungon. Është më e vështirë akoma ta kërkosh dhe gati e pamundur ta gjesh kur e di se kurrë nuk do të arrish ta kesh… Gjithnjë njeriut i mungon diçka, nuk ndihet kurrë plotësisht i realizuar! Sado që të përparojë, sado që të njohë… Personalisht, ende s’kam arritur ta gjejë se çfarë më mungon në momente të caktuara. Kur kam qenë në Shqipëri më kanë munguar shumë gjëra, për këtë arsye kam qenë gjithnjë në kërkim. E njëjta gjë ndodh edhe këtu: Jam ende në kërkim!

Cila është ajo gjë që nuk e keni pasur në Shqipëri, por atje e keni gjetur?
- Nëse do të më duhej të kërkoja tek vetja atë gjë që më ka munguar, jam i sigurt se do të kishte qenë diçka që ka lidhje me të tjerë persona. Nëse kalojmë në anën profesionale të gjërave, mund të them se larg vendit tim kam zbuluar aftësi dhe pasione të reja, të cilat nuk i njihja më parë. Dikur në Shkodrën time, as që e mendoja se në një të ardhme do të isha në gjendje të realizoja një pjesë të mirë të ëndrrave dhe projekteve ambicioze që kam pasur… Po ja që në fakt, gjërat shkuan mirë dhe tani po punoj që t‘i perfeksionojë edhe më arritjet e mia! Talenti lind me njeriun, kjo është e ditur tashmë! Ndoshta në Shqipëri më ka munguar mundësia. Mundësia për të mbërritur aty ku jam sot.

Do të merreshit me kinema dhe sfilata, po të jetonit ende në Shqipëri?
- Arti jeton tek artisti gjithë jetës, pavarësisht vendit ku ai ekziston! Është diçka që ka të bëjë me pasionin e njeriut, me talentin dhe mënyrën se si i përkushtohet ai artit. Sigurisht që edhe në Shqipëri do t‘i isha përkushtuar artit të kinemasë dhe sfilatave, sepse kjo ka qenë gjithnjë ëndrra ime. Natyrshëm e kam të pamundur të përcaktojë një të kaluar apo një të ardhme timen në Shqipëri, në lidhje me artin. Jeta të çon nëpër disa rrugë me të cilat duhet të pajtohesh. Në këtë mënyrë, do të kesh mundësinë të dish çfarë mund të bësh me veten, kush ke qenë, kush je dhe kush dëshiron të jesh. Është një sfidë që ka lidhje vetëm me personalitetin e njeriut, jo me vendin ku ai ndodhet. Ne të kaluarën dhe të ardhmen tonë e quajmë rëndom fat, në një kohë që jeta na provon të kundërtën: Ka shumë gjëra që duhet t‘i bashkërendosh për të ndërtuar jetën tënde dhe për ta quajtur veten me fat ose jo. Mendimet dhe paragjykimet, vendosmëria dhe përsosmëria, talenti dhe pasioni, vullneti dhe lidhjet shoqërore janë vendimtare në jetët tona. Mbase në Shqipëri, në ambientin ku do të isha rritur, me siguri nuk do të kisha arritur kurrë këtu ku jam sot.
Cili është gjykimi yt për karrierën tënde të deritanishme, publikun shqiptar dhe atë të huaj?
- Të gjykosh karrierën s’mund të them se është një sfidë. Asnjëherë nuk do të arrij të nxjerrë përfundime të plota për këtë pjesë të jetës sime. E kam të vështirë të paragjykojë të ardhmen, megjithatë, po punoj shumë dhe shpresoj që të arrijë lartësi të reja… Kështu, do të kem mundësinë të ngrihem më lart edhe në sytë e publikut shqiptar, i cili dita-ditës po i vlerëson përpjekjet e mia. Me publikun e huaj, ndodh e njëjta gjë. Kjo sepse të gjithë sot kanë dëshirë të shohin fytyra të reja në faqet e gazetave, revistave apo ekraneve televizive…

Publiku... Si është ai ku ti jeton krahasuar me të këtushmin?
- Parimi i publikut është i njëjti, kudo që të jesh: Ai thotë Bëhu interesant për syrin tim, ndërsa unë do të të vëzhgoj me vëmendje! Mendoj se si atje në Shqipëri, si këtu në Amerikë gjithçka varet nga interesimi që ngjall te publiku. Gjithçka varet nga ajo çfarë i ofron atij! Gjithnjë përpiqem të gjejë mundësi të reja dhe të jem sa më dinjitoz… Paraqitjet e mia në ekran po lenë përshtypje të mira gjithandej. Kjo më kënaq, por nga ana tjetër më bën të kërkojë më tepër nga vetja. Më nxit të gjejë sa më shumë të reja interesante në personalitetin dhe temperamentin tim artistik, detaje të cilat mund t‘ia dhurojë pastaj publikut shqiptar dhe atij të huaj.

Cili është roli (luajtur prej jush) që e keni më për zemër dhe që ju lidh më shumë me Shqipërinë?
- Të kërkosh dhe të gjesh se cilat prej roleve i përshtaten më shumë jetës shqiptare, është paksa e vështirë. Filmi ku kam interpretuar, “The Gun” është më i përshtatshmi për këtë temë... Aty luaj rolin e një keqbërësi, i cili në fund ndahet nga kjo jetë në rrethana jo fort njerëzore. Mbase është momenti t`i kërkojë rinisë shqiptare që të gjejë mënyra të tjera argëtimi. Jeta është tepër e bukur dhe nëse di të kërkosh mund t`i gjesh kënaqësitë që të fal.

Cili është tipari pozitiv më i spikatur i shqiptarëve dhe cili është ai tipar apo mentalitet, nga i cili duhet hequr dorë?
- Mendoj se tipari më pozitiv është shpirtbardhësia dhe mikpritja, gjë të cilën nuk arrin ta gjesh thuajse në asnjë vend tjetër të Botës. Të paktën jo në vendet që kam pasur rastin të vizitojë! Mendoj se duhet hequr dorë nga disa mentalitete të cilat e largojnë popullin tonë nga kultura botërore dhe e zgjerojnë hendekun mes nesh dhe vendeve të tjera të qytetëruara dhe të zhvilluara.

Cili është projekti që keni aktualisht në dorë dhe që po përpiqeni me çdo kusht ta realizoni aty ku jetoni dhe punoni?
- Njëri nga projektet më të rëndësishme dhe që pres të jap fryte, është “LAST WISH” (Amaneti i fundit). Aty kam një rol tepër të rëndësishëm, ndaj po kujdesem personalisht për pjesën time në këtë project. Interpretoj të dashurin e protagonistes! Nga ana tjetër, vazhdon të punohet mbi përzgjedhjen e aktorëve të një filmi ku për rolin kryesor është marrë fjala e divës së Hollivudit, Sharon Stoun. Pres gjithashtu që në fillim të pranverës 2006 të fillojnë xhirimet e filmit “Grief” ku interpretoj rolin e një mafiozi italian përkrah aktorëve të mirënjohur Robert De Niro, Xho Mantenja dhe Rej Liota. Producent ekzekutiv në këtë film është miku im, Romeo Antonio.

A do ta sillni këtë projekt edhe në Shqipëri?
- Bën pjesë në planet e mia më të afërta! Do të isha i lumtur nëse populli shqiptar do të krenohej me mua, sikurse ndodh të krenohet me shumë shqiptarë të suksesshëm nëpër Botë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora