Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Feja!

| E marte, 05.04.2022, 09:19 PM |


Blerim Latifi:

Feja konsiderohet nga njerëzit e thjeshtë si e vërtetë, nga të mençurit si iluzion dhe nga sundimtarët si e dobishme, thotë një urti e lashtë romake. Saktësia e kësaj urtie është provuar me mijëra herë e vazhdon edhe sot të provohet. Njerëzit e thjeshtë nuk janë mendimtarë, sepse as nuk kanë kohë e as mundësi të jenë të tillë, kështu që ata mjaftohen me të besuarit në tregime të mira për fatin e tyre. Duhet të kuptohet nevoja e tyre për besim! Sidomos në kohët e krizave ekzistenciale nëpër të cilat kalojnë shoqëritë.

Të mençurit, të cilat e kanë kohën e nevojshme për refleksione logjike, e kuptojnë se shumëçka në këto tregime të bukura nuk i qëndron dot arsyetimit logjik. Prandaj ata mbajnë gjithmonë një distancë kritike me to. Ndërkaq, politikanët fenë e shohin gjithmonë si një instrument të dobishëm për t’i manipuluar ndjenjat e njerëzve të thjeshtë në llogari të pushtetit të tyre, gjëja e vetme që realisht u intereson. Por, kur bie rasti që politikanët të jenë shumë injorantë, atëherë ndodhë një përdorim tjetër: grupet fetare i përdorin ata për qëllimet e tyre. Këtu qëndron edhe arsyeja pse grupet me agjenda fetare gjithmonë investojnë në politikanë të këtij lloji.

_________

Mbi 6000 shqiptarë në Luginë të Preshevës nuk kanë mundur të votojnë në zgjedhjet e djeshme (03-04-22) në Serbi. Adresat e tyre janë pasivizuar dhe fshi nga administrata shtetërore serbe. Kështu spastrimi etnik në Luginë të Preshevës po vazhdon në mënyrë të heshtur, graduale dhe të pandalshme. Akti i fundit i dramës së Toplicës, të nisur me 1876, po luhet tani para syve tanë dhe ne nuk jemi të zotë të bëjmë asgjë, përveçse të bëjmë ndonjë deklaratë, e cila në fund të ditës përfundon në koshin e lajmeve të vjetra. Tirana zyrtare edhe më keq: asnjë deklaratë nuk është në gjendje ta lëshojë. Arsyeja është e qartë: bontoni i Ballkanit të Hapur nuk ia lejon. Kështu, fataliteti i historisë shqiptare që e ka emrin Tkurrje Territoriale, po vazhdon.

_________

Prej mijëra vitesh përsëritet i njëjti ligj: kur një agresor e ndjen se po e humbet luftën, ai bëhet edhe më mizor dhe më barbar në krimet e tij. Këto janë pamjet e rrugëve të qytetit Buça në Ukrainë: gjithandej civilë të masakruar nga pushtuesit rusë, para tërheqjes. Krejt njëjtë si në Kosovë: kur pushtuesit serbë po e ndjenin humbjen e luftës, filluan barbaritë e tyre më të mëdha, në Izbicë, Mejë, Suharekë, Gjakovë, Rezallë, Verboc, gjithandej fshatrave e qyteteve të Kosovës.Donin ta mbysnin në gjak gjithë Kosovën para kapitullimit.

Këto pamje mizore nga Buça na e qartësojnë edhe më shumë arsyen pse kriminelët serbë të luftës e adhurojnë Putinin. Është vëllazëria krimogjene ajo që i bën bashkë.