E premte, 29.03.2024, 01:47 PM (GMT)

Kulturë

Muhamet D. Rogova: Një jetë e tërë në përpjekje drejt idealeve të larta kombëtare

E diele, 03.04.2022, 03:44 PM


Brahim Avdyli (djathtas) me Muhamet D. Rogovën, në një ditë vere, në Gjakovë, pas taskimit tonë në Hotel Pashtrik

NJË JETË E TËRË NË PËRPJEKJE DREJTË IDEALEVE TË LARTA KOMBËTARE

- Recension i interpretimit të prozës magjike të autorit

“-Energjia kozmike na mbronë me platformën e vet pozitive

nga të gjitha të ligat që na vishen e prore na ndjekin.

Hemisfera e tokës është e vogël për ATE që e identifikojmë

me Zotin e Madh. Ndërsa energjinë negative e lidhim me

Kryedemonin, në brendësi të Tokës. Te dy energjitë kozmike,

njëra pro nesh e tjera poshtë neve, së bashku e përbëjnë

centrifugën magnetike të Globit…“

Brahim (Ibish) Avdyli

Nga Muhamet D. Rogova

Brahim Avdyli, si poet, prozator apo romancier, dramaturg, dhe intelektual, që është marrë edhe me shumë punime shkencore, tani na vjen me një prozë (tregime dhe novela) të jetës së rëndë nën përpjekjet e ish-jugosllavisë për ta shkombëtarizuar, burgosur, vrarë apo dhunuar të tërë Kosovën, tani Republika e Kosovës, apo shumica e prozave me nota autobiografike, autori e quan me titullin “FLATRAT E JETËS”. Jeta na ishte e tillë, por nën flatrat magjike, të cilën autori e quan “tregime dhe novela”. Në realitet është një roman, kryesisht me proza të përmbajtjes së mirëfilltë e autobiografike.

Këtë vepër të prozave, unë po e quaj një roman, autori e ndanë në dhjetë tregime të veçanta, por që të gjitha këto tregime kanë edhe karakter autobiografik, përmes të cilave autori na paraqet jetën e tij që nga periudha e fëmijërisë së hershme e deri në periudhën e jetës, plot me trazira, të cilat autori i kalon herë në atdhé e herë në tretdhe, ashtu si e quan botën e perëndimit, ku kishte shkuar për të punuar e jetuar, por edhe për të luftuar për çështjen kombëtare. Këtë libër autori e fillon me një novelë (me nota autobiografike) të cilin e titullon artistikisht “PËRPËLITJE PËR TA ZËNË DRAMËN E FËMIJËRISË”. Këtë novelë autori e ndanë në shtatë pjesë, të cilat i titullon “përpëlitje...”, me emër e me numër, “e para” e deri te “e fundit”, pjesa e shtatë, “misticizmi i fjalëve”, që paraqesin përpjekjet e jashtëzakonshme të autorit për të mbijetuar, por edhe për të arritur shkallën e përsosmërisë njerëzore dhe intelektuale. Në secilën prej këtyre pjesëve autori i paraqet ngjarjet nga fëmijëria e tij dhe aventurat të cilat i kishte kaluar në atë pjesë të jetës dhe të rritës së tij. Paraqet mënyrën e jetesën në fshatin ku kishte lindur dhe ku ishte rritur. Përshkruarn dëshirat dhe ëndërrat e tij si fëmijë që ishte. Shiqonte qiellin dhe ëndërronte lartësitë. Kishte dëshirë të fluturonte lart në qiell por i mungopnin krahët, flatrat. Shpesh dilte në një pyll me plepa të gjatë e të bardhë (Mështekne), me degë të holla e mjaft delikate. Kishte dëshirë që të ngjitej në maje të këtyre plepave, sado që babai i tij e këshillonte që të mos ngjitej atje lartë, sepse ka rrezik që të rrëzohej nga ata plepa dhe të vritej apo të gjymtohej. Por dëshira për t’u ngjitur lartë e tundonte jashtë mase dhe pa i përfillur këshillat e të tjerëve, vazhdonte të ngjitej. Duke e lakuar majen e plepit, lshohej poshtë dhe binte në këmbë. Kjo i jepte guxim për ta vazhduar përpjekjen e tij për t’u ngjitur në maje të këtyre plepave. Në një rast u këput pjesa e epërme e trugut dhe u rrëzua poshtë me te dhe e goditi në kokë, derisa e kaploi gjaku dhe u desht që ta dërgonin në spital për ta shëruar.

Në fakt, këto përpëlitje nuk iu ndanë tërë jetën, por në forma të ndryshme. Përpëlitjet e tij në jetë, vazhduan jo vetëm në periudhëm e fëmijërisë por gjatë tërë jetës nuk iu ndanë asnjëherë dhe janë plotë me mendime filozofike dhe jetësore. Prej kësaj novele autori na mëson ato që janë me karakter folozofik e mistik, por na mëson edhe gjëra që duhet t’i mbajmë më mend, për prejardhjen e njerëzve në këtë botë, e cila quhet “bota e përkohshme” dhe prej kah jemi.

Autori i përshkruan edhe rregullat që i kishte vendosur babai në shtëpinë e tyre. Ai i porosiste edhe anëtarët e tjerë të familjes, që gjithmonë ta mbajnë derën e oborrit të mbyllur me shul e me çelës. Sidomos kjo derë ishte e mbyllur për njerëz të qeverisë si policë, pylltarë, tagrambledhes apo edhe për agallarë, sepse ai ligjet në familjen e tij i vendoste vetë dhe nuk donte që të kishte punë me njerëz të qeverisë. Ai përafërsisht thoshte:

“Unë nuk i bie në qafë askujtë dhe nuk dua që dikush të më bie mua në qafë.”

Këto janë rregulla filozofike-mistike e jetësore, që ta luftojmë ne kurdoherë të ligën e të shiturën. P.sh., edhe me ironi e sarkazmë, në tregimet “Përrallë e bukur mbi reformat” dhe tregimin “Mbi majat e artit”, të cilat, sikurse e tërë vepra janë të pasuruara me fusnota, që u nevojiten edhe nxënësve, por edhe me shkëputje nga vepra e veçantë e tij autobiografike. Nëse nuk mësojmë nëpër to, na kalojnë pa i vërejtur dhe pa i ditur.

Jo të gjithë njerëzit e fshatit ishin të tillë. Një fqinji i tyre, Nezir Delia, një familje që gëzonte një mirëqenie të lartë, në shtëpinë e tij e pret një misionar qeveritar që kishte ardhur nga Beogradi, Vojo Popoviqin, me të cilin kishte zhvilluar biseda të gjata dhe pas këtyre bisedave, Vojo ia dhuron një pushkë automatike Nezirit, me të cilën ai krekosej edhe nëpër fshat. Kështu të gjithë njerëzit që gëzonin autoritet dhe rreth tyre tuboheshin shumë njerëz, gjithësesi qeveria përmes njerëzve të vet, përpiqej t’i bënte për vete dhe këta të ishin në shërbim të qeverisë. Kështu veprohej, sipas autorit, edhe me klerikë të ndryshëm, me shehlerë apo hoxhallarë, duke e bërë për vete këtë kategori njerëzish, që qeveria përpiqej që ta mbante në kontroll tërë popullësinë. Babai i tij udhëhiqej prej një parimi jetësor dhe familjar, si bir i denjë i familjes së vet të vrarë në luftërat kombëtare. Ndër të tjera, sa më largë duhet që të qëndroje prej njerëzve të tillë, mund të hante një kafshatë bukë i qetë në punën e vet dhe prandaj thoshte:

“Më mirë bukë e kripë me nderë se mjaltë pa nderë.”

Të gjitha përvojat që na duhet t’i dimë i gjëjmë në këtë vepër. Më e mira na është novela e gjatë “Hijenat e dhunës/Një ngjarje që na lë pa fjalë”, e cila është një novelë ekzemplare letrare dhe e mirëfilltë, e cila nuk ka asnjë notë autobiografike, sikurse tregimi i fundit, “Antiteza e heshtjes”, të cilat na lënë me gojë hapur, si sa i përket të dhënave të vështira të jetës sonë, në të dy anët e dy shteteve tona, si e para në Kosovë, nën dhunën serbo-jugo-sllave, por edhe e fundit, në Shqipëri, për të demantuar politikën antikombëtare.

Në tregimin e mëposhtëm, me titull “Hijenat e dhunës”, autori paraqet tmerret e dhunës që kishte përjetuar populli ynë prej aparatit shtetëror të dhunës sllave që ushtronte mbi popullin e pafajshëm dhe njerëzit e ndershëm që përpiqeshin të jetonin me djersen dhe punën e tyre në mënyrë të ndershme. Kështu i kishte ndodhur Besnik Ramë Shkurtit, i cili ishte martuar me një grua shumë të bukur, Luljeta Ukë Keqmalin, me të cilën i kishin lindur dy fëmijë të bukur si drita, që do të bëhen luftëtarë të denjë të UÇK-së. Njerëzit e qeverisë ia kishin vënë syrin kësaj gruaje të bukur dhe për t’i realizuar qëllimet e tyre të ulta. Besnikun e dërgojnë në ushtrinë jugosllave dhe atje e vrasin në mënyre barbare. E sjellin në fshat të mbyllur hermetikisht në një arkivol, duke e lënë të vetme gruan e tij të re e të bukur.

Njerëzit e qeverisë përpiqen për t’i ardhur rrotull asaj femre të bukur, por ajo qëndron në mënyrë stoike, derisa më në fund në mënyrë të dhunshme e rrëmbejnë nga shtëpija e saj për ta dënuar e poshtëruar. Kjo është një histori e dhimbshme jo vetëm e kësaj familje, por edhe të shumë familjeve shqiptare, me dhunën që e kanë përjetuar nga qeveritarët jugoslav.

Të gjitha tregimet e novelat e kësaj vepre e përshkruajnë jetën tonë si komb, i ndarë si pjesë të një kombi në të dy shtetet diferente, që prej fëmijërisë e deri te tregimi i fundit, në të cilat na bie në sy vija e një realizmi magjik, të përshkruara me mendime të mira filozofike dhe jetësore, të përjetuara me ndjenja të vërteta. Duke i përshkruar ngjarjet dhe rrjedhën e jetës në fshatin dhe familjen e tyre, që të dukeshin herë si nëpër ëndërra e herë si nëpër përralla, duke jetuar në një ambient edhe me plot bestytni, ishte e pamundur që njeriu e sidomos fëmijtë, të mos ndikohen prej tyre. Në prapavijë na shtrohen vendet ku jetonin. Ai ishte i mbushur me plotë mistere, që mbjellnin frikën në shpirtrat e njomë të këtyre fëmijëve. Sidomos kur shkonin andej nga varret. P.sh. atje kishte shumë gjarpinjë, sidomos te lisi i vjetër, që e kishte një zgavër. Ndër to, e kishte vendin e saj bolla me flokë të bardha. Bollat i lidhnin njerëzit, i rrahnin me bishtin e tyre si me shkop prej gome të policisë. E fusnin kokën e tyre nën sqetullat e njerëzve dhe iu hanin mushkëritë duke iu shkaktuar një vdekje të lemeritshme.

Në këtë formë, në novelën e parë, bollat bëheshin aleate me shtrigat dhe kulshedrat për ta mbajtur përherë popullin në ankth. Kishte edhe njerëz, sidomos gra plaka, sikurse e përshkruan autori plakën Lidili, me sy jeshil, djali i të cilës paraqitej edhe në varre i mbuluar me një çarshaf të bardhë, që dukej si lugat, i ngritur nga varri dhe e ndiqte pas këtë djalë të vogël duke lëshuar britma. Shtriga plakë Ledili lëshonte ndër ëndërra edhe zjarr nga goja sikurse kulshedrat e përrallave dhe i ndiqte njerëzit për t’i ngrënë, duke i tmerruar. Prej tmerrit që e kishte përjetuar nga ajo plakë ugurzezë, për çdo natë i vinte në ëndërr, duke e ndjekur dhe duke lëshuar flakë nga goja dhe nga tmerri, e djali lëshonte ulurima të tmerrshme dhe e gjithë familja ngritej në këmbë për ta qetësuar, por pa dobi.

Nga kjo e keqe vetëm Baba Jahë, një mistik që nuk e pranonin në rrethin e tyre as shehlerët e as hoxhallarët, e uli në prehër, dhe i tregoi se si duhet të shpëtojë prej asaj plake, që ishte shtrigë. Baba Jahë e mësoi si duhet djaloshin si autorë të kthyer në fëmijëri, që kur ta ndiqte, t’ia mbyllte derën dhe t’ia shtërngonte kokën me derë. Ajo plakë-shtrigë që nxierrte flakë nga goja, pasi ia shtërngoj kokën me derë, sipas porosisë së Babës Jahë, e la fuqia dhe i doli fytyra e saj e vërtetë e veshur si një grua fshatare.

Në këtë pjesë të librit përshkruhet edhe lufta në mes të mirës dhe të keqës, një luftë që ka vazhduar dhe vazhdon përherë në shoqërinë njerëzore. Ata që luftonin kundër së keqës, ishin dragonjët, mashkuj të lindur me fuqi mbinatyrore, të cilët luftonin përherë kundër kulshedrave që nxirrnin flake nga goja. Ndonjëherë ata i gjuanin kulshedrat me rrufé dhe i mbytnin. Bubullimat i simbolizojnë femrat e prishura. Kjo është një mitologji shqiptare, e cila edhe shpjegohet në këtë formë, për herë të parë në botë. Madje, edhe shkencore. Në ato raste shpërndaheshin retë e zeza dhe toka ndriqohej nga rrezet e diellit.

Jo pak e mistershme na paraqitet edhe jeta dhe bëmat e Babës Ukë, një mistik i vërtetë që kalonte përmes mureve të larta prej guri, si një shpirt dhe që tregohej për te. Në të vërtetë, ai kishte shkuar në burgun e Idrizovës, pa u hetuar prej askujt, dhe e kishte nxjerrë një shqiptar të njohur prej burgut, të cilin e kishte dërguar në Gjermani dhe ai na e kishte thënë të vërtetën. Përshkrimi i këtyre mistereve i japin këtij libri karakterin e një proze magjike.

Çdo tregim është i plotësuar me fusnota dhe i përcjellë nga shkëputje të autobiografisë. Këtu mund të llogaritet tregimi “Jeta e këputur në mes”, i botuar këtu në versionin e shkurtuar nga Kryeredaktori i revistës së LSHK-së “METAFORA”, nga i ndjeri Abdyl Kadolli, duke na e përshkruar “jetën e këputur në mes” të së miturës së pronarit të restorantit në të cilën punonte autori, në shenjë të përkrahjes së poetit kosovar, me të cilin e kalonte tërë kohën e lirë dhe shkëputet demostrativisht nga jeta e saj, për të dhënë një mesazh. Këtu na vjen kulmi i misticizmit dhe alegoria simbolike.

Në tregimin autobiografik me titull “Katrahura e dhembjes” autori i paraqet vuajtjet e mëdha që kishte kaluar në vendin e tij por duke u përpjekur për t’i shpëtuar intrigave të shumta dhe përndjekjes qeveritare, kalon nga atdheu në tretdhe, pra në shtetin e Zvicrës, për të bërë një jetë më të qetë por edhe për t’u marrë me çështjen kombëtare. As aty nuk e lënë të qetë, jo njerëzit e huaj por edhe bashkëvendasit e tij, si Rezil Aga, një dervish që autori i quan dervish-çervish, që ishin njerëz të shitur dhe punonin për UDB-në dhe ia kishin grabitur edhe rrogat e tij prej punëdhënësit, madje kishin thurrur një seri intrigash kundër tij, gjithashtu duke i bërë edhe magji për t’ia ngatrruar jetën dhe për t’ia bërë ferr. Autori nuk kishte besim as te shiitët e as te sunitët për të cilët thotë se të gjithë këta janë njerëz të shitur, që nuk iu intereson as populli e as atdheu, por vetëm përpiqen që të zhvasin sa më shumë, duke kaluar një jetë të shthurrur nëpër kafene, duke pirë alkohol dhe duke shitur pallavra. Për të gjitha vuajtjet që kishte përjetuar autori i akuzon këta njerëz që me magjitë e tyre ia kishin bërë jetën ferr.

Autorin nuk e lënë të qetë as pjesëtarët të partive të ndryshme duke u përpjekur për ta futur nën ombrellën e tyre dhe për të punuar për interes të tyre siç ishin Hekuran Albani dhe Besnik Halimi, në tregimin “Kur thërret Atdheu”. Ata nuk ishin aspak njerëz të sinqertë dhe nuk iu kishin besën për të punuar për ta.

Besnik Halimi me guxim iu thotë:

“Asnjë parti nuk po ia mbanë krahun aspiratave të popullit, Hekuran! Të gjithë ia kanë me dredhi popullit të vet! Sikur janë marrë vesh me njëri-tjetrin për ta polarizuar  e për ta ndarë masën, në mënyrë që ajo të mos bashkohet në ndonjë formë tjetër, më energjike, kundër pushtuesve!”

Kështu autori e kishte humbur besimin te këta njerëz me shumë fytyra, që më tepër punonin për interest e tyre se sa për çështjen kombëtare e për ta bashkuar ate.

Në këtë kuptim vijnë edhe tregimet e mbushura plot me të dhëna realiste dhe postrealiste, “Klithjet e Alpeve nëpër kohë” dhe “Një mik i jashtëzakonshëm”. Duhet ta marrësh parasysh një linjë të veçantë, që i lidhë të gjitha këto tregime. Prozat magjike e filozofike të autorit na duken si një roman me thekse autobiografike dhe magjike, pra si një prozë magjiko-filozofike, që është e para si i tillë.

Unë i bëra provat e para të interpretimit të kësaj vepre, më disa tregime e novela mjaft të gjata, që duken si roman, edhe pse autori nuk e thotë këtë gjë. Kualifikimi i tyre shihet kësisojit, i shkruar me një gjuhë të rrjedhshme dhe duke i shpalosur vale-valë problemet e ndryshme që ka kaluar populli ynë në ato periudha shumë të errta. Kjo ka një vlerë të veçantë për t’i parë dhe vlerësuar ato situata nëpër të cilat ka kaluar populli ynë. Personazhet që janë paraqitur në këtë roman janë me karaktere nga më të ndryshmet dhe përmes tyre paraqitet lufta dhe përpjekja në mes të mires dhe së keqës.

Kështu përherë shoqëria njerëzore ka kaluar përmes këtyre rrugëve. Prandaj kurrë nuk është qetësuar dhe vazhdon të mbetet e tillë. Lexuesi përmes shkrimit dhe personazheve të këtij romani mund të mësojë shumëçka nga jeta apo jeta më e përgatitur për t’iu bërë ballë vështirësive që i sjell jeta.

Ne po i kthehemi thënies së autorit tonë, në fillin të këtij punimi. E kam shënuar në një bisedë me te, në Gjakovë. Ajo e shprehë vetë një shprehje domethënëse dhe mistike. Autorit i dëshirojmë suksese të mëtutjeshme për shkrimin e botimin e veprave të tjera.

Gjakovë, 25.02.2022

Isuf Bajrami, Prof. Dr. Astrit Memia, Muhamet D. Rogova dhe Brahim Avdyli, në Tiranë



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora