E marte, 16.04.2024, 08:51 AM (GMT+1)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Elbasani i Normales apo Normalja e Elbasanit

E shtune, 02.04.2022, 07:35 PM


ELBASANI I NORMALES  APO NORMALJA E ELBASANIT

(Roland Gjini: “ELBASANI, personalitete, ngjarje e dukuri historike”, Albas, 2022)

Nga Adil FETAHU

Kohë më parë  doli nga shtypi libri i autorit Roland Gjini, me titullin e dhënë këtu brenda kllapave. Pas Parathënies (fq.7-19), autori ka shtjelluar “Pak histori për Elbasanin” (fq.10-37)  ndërsa tekstin tjetër e ka ndarë në katër pjesë: 1) “Disa figura dhe personalitete të Elbasanit”; 2) “Njgjarje, dukuri dhe zhvillime historike”; 3) ”Normalja e Elbasanit”, dhe 4) “Intervista për televizionin kombëtar “Top-channel”. Në dhjetë faqet e fundit (245-255) ka regjistruar bibliografinë e shfrytëuar për librin e punuar.

Pjesa e parë e librit përmbanë biografitë e 12 personalieteve më të shquara të Elbasanit. Listës së personaliteteve më të shquara u prinë Lef Nosi, për të vazhduar me të tjerët: Taq Buda, Ahmet Hastopalli, Jovan Dimtresku, Qamil Musa Hahifeza, Shyqyri Demiri Sulçebeu, Vasil Andoni, Osman Deraci, Sulë Harri, Aleks Buda, Mentar Belegu, Bardhyl Graceni.

Në pjesën e dytë të librit (fq.114 – 191), autori si historian që është, ka shtjelluar tema të ndryshme nga historia e Elbasanit, por edhe më gjërë. Në këtë pjesë autori ka shtejlluar këto tema:  “Lëvizja unite në trevën e Elbasanit”;  “Përpjekjet për krijimin e një kishe shqiptare”; “Bashkëpunimi ndërfetar në Elbasan dhe pavarësia”; “Konsolidimi i shtetit shqiptar dhe çështja e krijimit të institucioneve fetare”; “Kongresi i Elbasanit, kongres i shkollës shqipe”; “Klubet kulturore dhe patriotike të fillim shekullit XX”; “Kryengritja e Shqipërisë së Mesme e viteve 1914-1915”; “Rezonimi i jetës politike në trevën e Elbasanit në vitet 1920 – 1923”; “Elbasani dhe Lufta e Dytë Botërore”; “14 dhjetori – datë historike për Elbasanin dhe demokracinë”.

Në pjesën e tretë (fq.192 – 225), janë trajtuar aspekte të ndryshme të historisë së Shkollës Normale të Elbasanit, prej theelimit të saj (1909), deri në shndërrimin në Institut Pedagogjik dhe rritjen në Universitet (“Aleksandër Xhuvani”).

Pjesa e katërt e librit  (fq.226 – 244), përmbanë intervistat që i ka dhënë autori Televizionit “Top Çhannel” për tema të dhe personalitete të ndryshme.

Libri i prof.dr.Roland Gjinit, ELBASANI…,mund të cilësohet si libër shkencor, sepse është punuar nga një historian me kompetencë profesionale e shkencore; mund të cilësohet si monografi, sepse I kushtohet historisë së qytetit, personaliteteve dhe institucioneve të Elbasanit;  mund të cilësohet si publicistikë, sepse materialet që përmbanë libri, janë punime të autorit të  botuara më heret në buletine, revista shkencore, profesionale e kulturore, në Enciklopedinë e Elbasanit, apo janë kumtesa të paraqitura në sesione, konferenca e simpoziume me rastin e pçrvjetorëve të ndryshëm.

Në librin e tij, Elbasani…, autori ka shtjelluar tema nga historia, personalitete dhe institucione të Elbasanit, të cilat deri më tash ose nuk janë studjuar e publikuar fare, ose janë trajtuar në mënyrë jo të plotë. Natyrisht kjo nuk vlenë për Normalen e Elbasanit, si institucion arsimor më i rëndësishëm në trevat shqiptare, sepse për atë Shkollë emërmadhe janë shkruar e botuar shumë studime e monografi, në mënyrë shumë më të thellë e më të plotë se që i ka lejuar hapësira autorit në këtë klibër.

Në Parathëniet e librit autori përmendë edhe shumë e shumë kronikanë, historian, etnografë, studjues  e udhëpërshkrues të njohur, të vendit dhe të huaj, të cilët kanë dhënë ndihmesa e kontribute për  njohjen e historisë së Elbasanit. Për punimn e këtij libri për historinë e Elbasanit,  autori ka shfrytëzuar edhe materialet e përgatitura për Encipklopedinë e Elbasanit, si dhe tema të doktorateve të utorëve të ndryshëm, të cilat kishin të bënin me historinë, personalitetet ose institucionet e Elbasanit.

Elbasani si qytet, është kërthiza në mesin e Shqipërisë, ka histori të gjatë mbi 2000 vjeçare, që gjatë kohës është njohur me emra të ndryshëm: “Mancio”, “Skampius”, “Skampi”, “Valmini”,”Neokastra”.   Emri Elbasan shfaqet në shekullin XV, që lidhet me rindërtimin e Kalasë (viti 1466) nga Sulltan Mehmeti i Dytë, e që  “Eli-Basan” përkthyer  në shqip nënkupton “Vura dorë”, “vend që sundova”. Skampi-Elbasani ndodhej në kryeqëzimin e rrugëve very-jug, lindje-perëndim, prandaj ishte vend i rëndësishëm kalimi dhe stacionimi urbano-civil dhe ushtarak, që pas ndërtimit të rrugës via “Egnatia”, lidhte Romën me Konstantinopojën. Për shkak të rëndësisë që kishte, në shekullin IV, në kohën e Perandorit me origjinë ilire, Dioklecianit, u ndërtua Kalaja, me qëllim të stacionimit të legjionit ushtarak romak.  Si kryeqëzim i rrugëve dhe qendër e rëndësishme që ishte, nëpër Skampin kaluan edhe shumë dyndnje e ushtri barbare ostrogote e sllavo-bullgare (shek.VII), të cilat e shkatërruan qytetin sa që i humbi edhe emri. Rindërtimi i qytetit (Kalasë) dhe shndërrimi i qytetit si qëndër të rëndësishme e kulturore u bë në shekullin XV-XVII, pas invadimit të Perandorisë Osmane. Elbasani  u bë qendër e rëndësishme  kombëtare politike, kulturore, arsimore shqiptare në kohën e Rilindjes Kombëtare e edhe në kohën e Pavarësisë. Bile, para se të shpallej Pavrësia në Vlorë, Elbasani më 25 nëntor 1912 ngriti Flamurin Kombëtar dhe shpalli pavarësinë dhe po atë ditë 35 firmëtarë të Elbasanit, myslimanë e të krishterë, nënshrkuan një akt që ia dërguan Ismail Qemalit në Vlorë.

Elbasani ka luajtur rol të rëndësishëm edhe në periudhën pas Pavarësisë së Shqipërisë, gjatë periudhës 1913-1919, edhe pas Luftës së Parë e deri në Luftën e Dytë Botërore. Natyrisht, ka pasur figura të shquara patriotike, si Aqif –pashë Biçakçiu  (Elbasanin), por edhe figurë jo denjë, si Haxhi Qamili me rebelët e tij ekstremistë.

Ndër ngjarje interesante, por që njihet më pak në opinion, e që u zhvilluan në Shpat të Elbasanit është Lëvizja Uniate, që ishte një lëvizje e kishës katolike bizantine, në të cilën besimtarët e krishterë që praktikonin ritet si ortodoksë, donin të  ishin të lidhur me Vatikanin. Kjo Lëvizje u  hap dhe zhvillua në pjesën e dytë të shekullit XIX, që synonte njëfar bashkimi të kishës lindore me atë perëndimore. Qëllimi i kësaj Lëvizjeje ishte çlirimi nga skllavëria fetare  dhe shpirtëroe prej Patrikanës së Stambollit dhe prej priftërve grekë, të cilët fenë e shfrytëzonin për qëllime shoviniste. Rolin udhëheqës në këtë Lëvizje e pati Papa (Ati) Jorgi Theohari.  Lëvizja unite kishte karakter politik dhe kombëtar, sepse kërkonte shkëputjen nga tutela e Patrikanës së Stambollit, predikimin në kishë dhe mësimin në shkolla në gjuhën shqipe. Në një letër dërguar fuqive të mëdha në Stambill, shkruanë: “Duke qenë shqiptarë dhe në qendër të Shqipërisë, ne nuk kuptojmë as greqishtën, as bullgrishten dhe as një gjuhë tjetër dhe nuk mund të shkollohemi veçse në gjuhën shqipe”. Kështu, unitarizmi iu bashkua programit politik të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, prandaj kundër kësaj Lëvizje ishin agresive edhe Patrikana dhe kisha greke edhe Porta e Lartë.  Lëvizja unite mori përkrahje dhe zhvillim gjatë okupimit Italian (1939-1943), sa që krijoi lidhjet me uniatët arbëreshë të Italisë. Por, kjo lëvizje mori fund me kapitullimin e Italisë (1943).

Libri për Elbasanin shtjellon edhe çështjen e shpalljes së autoqefalisë së kishës ortodokse shqiptare, në vitin 1929, me patriotin at Visarion Xhuvanin në krye të kësaj kishe. Bënë fjalë për bashkëpunimin ndërfetar, tolerancën dhe harmoninë fetare shqiptare, të cilën e kanë lavdëduar si shembullin më të mirë në botë papa Gjon Pali II, gjatë vizitës në Shqipëri (1993) dhe papa Françesku (2014).

Në Librin “Elbasani…”do të gjeni materiale interesate nga fusha e arsimit dhe kulturës: materiale për Kongresin e Elbasanit, klubet kulturore dhe patriotike, kryengritjet e viteve 1914-1915; grupimet (partite) politike dhe zgjedhjet parlamentare (1920-1923); Elbasani në Luftën e Dytë Botërore, demonstratat antifashiste, Lëvizjen Komuniste, Ballin Kombëtar, njësitet partizane e deri te çlirimi i Elbasanit, më 11 nënor 1944. Në luftën antifashiste mbi 300 elbasanas kanë dhënë jetën; vetëm nga normalistët knaë rënë 70 dëshmorë. Po Elbasani me protestën e 14 dhjetorit 1990, i dha kontribut edhe në rrëzimin e komunizmit.

Normalja e Elbasanit, apo Elbasani i Normales!

Për shumicën e intelektualëve shqiptarë, jo vetëm në Shqipëri por gjithandej ku jetojnë e veprojnë, kur përmendet Elbasani – menjëherë iu shkon mendja te Normalja, sikur që kur përmendet Normalja – menjëherë e dijnë se është fjala për  qytetin e Elbasanit.

Normalja e Elbasanit ishte institucioni kryesor arsimor për shqiptarët kudo që ishin, prej themelimit të saj 1909. Punoi e veproi 111 vjet, deri sa u shua, me vendim te Ministrisë së Arsimit dhe u shndërrua në gjimnaz, i cili shërben si shkollë ushtrimore për kryerjën e praktikës  pedagogjike të studentëve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. Shikuar nga ky aspekt, Universiteti  është vazhdues i drejtpërdrejt i  Normales emërmadhe të Elbasanit,  se edhe Normalja edhe Universiteti janë institucione të të njëjtës natyrë, duke ruajtur të njëjtat funksione e tradita dhe  duke zbatuar të njëjtat detyra.

Normalja e Elbasanit u “lind”, u rrit dhe kontribuoi në një mjedis  të emancipuar patriotik, intelektual dhe arsimdashës. Ambienti i tillë krijoi parakushtet për themelimin e Normales, që filloi punën më 1 dhjetor1909, vetëm dy muaj pas mbajtjes së Kongresit të Elbasanit. Puna e Normales u përvijua nëpër kohë, kushte e rrethana të veçanta të realietit shqiptar. Disa herë u mbyll dhe u rihap, për shkak të Luftës Ballkanike, Luftës së Parë dhe asaj të Dytë Botërore. Madje ka pasur përpjekje të transferohej prej Elbasanit në ndonjë qytet tjetër, kurse gjatë Luftës së Parë Botërore kishte ide të transferohej për ta vazhduar punën në Zvicër! Por, falë këmbënguljes së intelektualëve elbasanas, Normalja mbeti aty ku u lind dhe u rrit, prej ku rekrutoi  më se 15000 mësues të kualifikuar e të zellshëm për të gjitha trojet shqiptare.

Trupi arsimor, i mësuesve të Normales, ishin intelektualët më të njohur nga të gjitha trojet shqiptare, të cilët ishin shkolluar në universitetet dhe shkollat e larta në Perëndim, prej nga e sollën dijën dhe përvojën e përparuar. Normalen e drejtuan personalitete të njohura kombëtare: Luigj Gurakuqi nga Shkodra, Sotir Peci nga Korça,  Aleksandër Xhuvani nga Elbasani, Qamil Bala nga Gjilani, Bajo Topulli nga Gjirokastra,  Ahmet Gashi nga Prishtina, Salih Çeka nga Çamëria, etj.

Mësimdhënësit e Nomales dhanë kontribut të veçantë në hartimin dhe zbatimin e plan-programeve mësimore dhe librave shkollore, dokumentacionit dhe  literaturës didaktike, jo vetëm për Normalen e tyre, por për të gjitha shkollat shqipe.

Në kohën e diktaturës komuniste, duke devijuar nga praktika pedagogjike dhe programi tradicional mësimor, Normales iu imponua regjimi ideologjik i mësimit në tre komponente: mësim – punë prodhuese – edukim ushtarak.

Për të gjitha këto e të tjera dhe për historinë, ngjarjet, personalitetet e shquara dhe institucionet e Elbasanit, më detajisht e më gjërësisht do të informoheni poqese e lexoni librin e prof.dr.Roland Gjinit: ELBASANI, personalitete, ngjarje e dukuri historike.

Konsiderojmë se për temat e shtjelluara në këtë libër do t’iu shkonin mirë  po të ikustroheshin me disa fotografi, qoftë të qytetit, të Kalasë, të Shkollës Normale, të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”,  si dhe të disa personaliteteve më të shquara.

Gjithashtu, mendojmë se në elitën e personaliteve të shquara të Elbasanit, është dashur të përfshihet Mehmet Gjevori, elbasanas, i cili në vitin 1941 erdhi ne Kosovë me kontigjentin e parë të 350 mësuesve nga Shqipëria, prej të cilëve 200 kanë qenë normalista të Normales së Elbasanit, për të punuar në shkollat shqipe. Mehmet  Gjevori për një kohë të gjatë ishte kryeinspektor i shkollave shqipe në Kosovë, hartoi Abetaren e parë për shkollat shiqipe në ish-Jugollavi, si dhe disa tekste tjera shkollore, pastaj punoi redaktor i botimeve të “Rilindjes” në Prishtinë. Aq më tepër, që Mehmet Gjevori ishte edhe “qytetar nderi” i Elbasanit, kurse në Kosovë ishte personaliteti më i nderuar i fushës së arsimit.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora