E premte, 29.03.2024, 12:27 AM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Një vit frikë

E merkure, 30.03.2022, 06:25 PM


NJË VIT FRIKË

(Monodramë, përkushtuar poetit Qerim Arifi me të cilin një vit e ndamë dhomën, në Prishtinë)

NGA KALOSH ÇELIKU

Qerim Arifi u lind në Preshevë, më 22 shkurt 1946. Shkollimin fillor e kreu në Preshevë, kurse shkollën Normale dhe Fakultetin Filozofik (Dega e gjuhës angleze), në Universitetin e Prishtinës.

Ka punuar në arsim, por pjesën më të madhe të punës së vet e ka bërë si gazetar në revistën “Zëri i rinisë” në Prishtinë. Me poezi ka filluar të merret që nga rinia e hershme. Është marrë edhe me përkthime. Punimet e tij janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja. Është i përfaqësuar në shumë antologji dhe libra me biografi të shkrimtarëve.

Vdiq në Strugë dhe u varros në Prishtinë në vitin 1990.

Tituj të veprave:

“Kujtime” - 1970

“Nokturno” - 1983

“Mbyllur në urnë” - 1987

“Fatamorganë” - 1984

“Rekuiem për kalanë”- Preshevë, 1988

Përkthime

“Katër kuartetet” e Eliotit

Ngjarja zhvillohet në një dhomë me libra, në Prishtinë.

Skena

Dhomë me libra. Dy shtretër hekuri, një tavolinë, një makinë shkrimi, një gramafon dhe disa disqe të muzikës së vendit dhe asaj botërore. Një shtamë me verë të kuqe dhe dy gota. Në mure dy-tri piktura dhe një fotografi. Në një qosh edhe një dollap me tesha. Shkrimtari hyn në dhomë me çantën krahut. E ndez dritën dhe e hedh çantën mbi tavolinë. Nëpër duar i kalon disa disçe long-plej gramafoni, derisa e gjen atë të Rolling Stones: ”Enxhi”. E lëshon diskun. Sytë i fërkon me dorë… Kokës i bie me grushta… E heq setrën e lëkurës dhe e varë në varëse, pas dere. Papritmas i bien në sy dy gota qelqi në dy xhepat e setres së teksasit të mikut të tij të ndjerë poet. Shpejt e shpejt e mbyll derën e dollapit. Ashtu i thelluar në mendime ulet në tavolinën e punës. E merr shtamën me verë të kuqe dhe e mbush gotën. Pi. E ndez llambën e tavolinës dhe fillon të shkruajë me makinë. Në derë dëgjohet një trokitje. Heshtje. Përsëri një trokitje. Ngadalë, çohet dhe e hap derën. papritmas hyn një hije e cila ulet në shtrat. Reflektori ngadalë e ndriçon fytyrën e hijes - xhenaze).

Njëzet vjet kaluan për t’u kthyer përsëri në këtë dhomë të errët. Në mesin tuaj plot mëkate… Mjerim… Bërllok… Asgjë s’paskëshit bërë për kaq vjet. Asgjë. Vetëm se, paskëshit rënë në gjumë edhe më të thellë. E keni bërë “Shypni” me çifteli. E keni shaluar “Kalin e Trojës” nëpër “Bit-Pazar”. Populli i vetëm jemi që i këndojmë besës… Trimërisë… E vrasim armikun nëpër këngë… E këndej shumë pak kemi besë… Nuk jemi trima… Katër vjet me radhë kemi qenë masha shqiptare… Kukulla që u janë tërhequr penjtë… Kalorës të arratisur me koka të huaja në qafë.. Tradhtarë… Puthadorë… Kuislingë… Spiunë… E kemi hëngër njëri-tjetrin. (E merr shtamën, dhe e mbush një gotë me verë të kuqe.) Gëzuar! (E ngre gotën.) Vallë, si do të hyni në varr me gjithë mëkate në shpinë! Kush do t’ju gjykojë në natën e parë të varrit?… Kush do t’ju lidhë si qen para dere?… E dini se deri në fyt jeni me mëkate… E dini, me gjithë këtë barrë në shpinë nuk do t’u mbajë as Ura e Xhehenemit, që është sa një qime floku… E dini se do t’ju lëshojë mu në mesin e zjarrit të Xhehenemit… Atëherë, vallë, pse nuk i luteni Allahut për mëkate?! Apo, mendoni se të njëjtën detyrë do ta ushtroni edhe në botën tjetër me lule. O Imzot, si na morët në qafë! E keni shaluar “Kalin e Trojës” me të katra nëpër “Bit-Pazar”… E keni mbushur barkun e tij plot me “patriotë”… I keni hipur në shpinë me shpatën e Skënderbeut... A, ju kujtohet edhe kënga e atyre viteve: “Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola”? A ju kujtohet, edhe: kur, mua një ditë ajo këngë mi ngatrroi trutë në kokë? Shpërtheva. Edhe kryeredaktori im, nëse është Mic Sokol, atëherë unë nuk jam shqiptar… Ju nuk mund të përmbaheshit, u shkulët gazi. Ndonjëri edhe më mori inat. Thatë: e paskan lënë të shkretin… Në mes të ditës fol jerm… Vetmevete… E ne vuajmë për Atdheun… Ne, që ia kemi shtruar me pije e meze deri në agim… Ne, që me këngë, valle e dyluftime nëpër të katër anët e botës i dalim zot Atdheut. Ne, që presim të na çlirojnë të tjerët… Dhe, të vdekurit… Skënderbeu… Bajram Curri… Isë Boletini… Shotë Galica… Kalosh Zajazi… Sulltanë Qafa… Po. Po, zotëri. Kohërat ndryshuan pas disa viteve. E pamë se të gjithë nuk ishim Mic Sokola… E pamë se të gjithë nuk ishim në gjendje të flijohemi për Atdheun… Ikëm kah sytë- këmbët. Vite me radhë ia lëshuam armikut këto troje. E nesër, me siguri, edhe ne do t’ju lëvdohemi fëmijëve. Natën vonë do t?iu tregojmë përralla për t’i vënë në gjumë… Atdheut se si i kemi dalë zot, si jemi rrokur fytas me topin… Këngëtarët popullorë, se si do të na këndojnë me çifteli… E ne të përgjakur nëpër botë me nga dy kobure në brez, do të kthehemi t’i rrafshojmë kufijtë… Muret e Berlinit, që i ndërtuam me dorën tonë nëpër foltore…

O Imzot, çka do të bëjmë nesër me gjithë këta “patriotë”, kur do t’i kthehen në gji Atdheut?!… Vuajtjet e tyre me tryezat plot nëpër kafene… Çajtore… Hotele… E ju, e kaluat edhe një natë. Ndërsa mua,që të nesërmen edhe më me hov m’u shtua ndjekja… Përgjimet… Presionet në punë… Rrugë… Familje… Linçet intelektuale… Fizike… Bisedat informative në polici… Gjysmëanalfabetët të gjithë u avancuan për merita… “Flijime artistike”… Morën banesa… Para… Botuan libra… Udhëtuan nëpër botë… E unë, ende vazhdoja luftën kundër kalorësve të arratisur dhe kulturofagëve në një dhomë të errët në periferi të Qytetit. Përnatë e haja nga pak veten, nga këmbët te koka. Përnatë zgjohesha jerm… Çmendesha… Kacafytesha me librat… Personazhet e Qytetit tim nëpër kabinete… Kolltukë… Redaksi… Përnatë m’i lidhnin duart… Këmbët… Përnatë ma varnin zgjedhën në qafë… Zgjedhën, që ju akoma më detyroni ta mbaj në qafë… Zgjedhën, që unë po u çmenda edhe një herë, do ta bëj copë-copë. Dhe, ashtu i çmendur do të dal nëpër Qytet, te Kodra e varreve: o vraponi të vdekur se më mbytën të gjallët!… E kuptove tashti, pse u ktheva kaq vonë pasmesnate. Malli më mori, o mik. Malli. Erdha ta shoh edhe dhomën tënde me libra. Muret e saj plot rafte. Fotografinë tënde me mjekër. Erdha t?i kujtoj vitet e studimeve në Prishtinë, kur erdhe e më trokite në derë. Vitet, kur më the, se të kishin hedhur në rrugë si qen: pa para, pa banesë. Në një rrugë të atij Qyteti plot baltë të kuqe, kishin vënë edhe pritë. Sipas zakonit të “trimave” të kishin porositur edhe një kafe. E di ti, më the: ne, jemi trima me vëllanë… Njëri-tjetrin… Po të huajit i bëjmë nder, e mbajmë në shpinë… Nëntë plumba, më the, deshën të m’i numëronin në ballë… E si i ri, pa krah, larg familjes, m’u dhimbe, ta hapa derën. Vetëm më vonë, pas disa ditëve, nuk e di pse më hyri frika. Natën vonë rrotullohesha lëmsh nëpër shtrat. Pas mesnate shihja ëndrra të tmerrshme. Bollën me flokë… Nusen me dy shami… Zgjohesha jerm… E hapja dritaren, çirresha nëpër natë… E shaja errësirën… Zogun e keq, që na këndonte mbi çati… Vallë, bashkë me ty erdhën edhe hijet… Xhindet, që gjithë natën e gjatë më shqepnin qytek. Më hidhnin dorë më dorë majë çative… Nën rrezet e hënës bënin dasmë… E merrnin Nusen me dy shami… Atë nusen, që mua natë për natë më dërrmonte qytek… Më hidhte majë plepave dorë më dorë… Më detyronte të bëj dashuri në sy të krushqve, në koçi… E unë ikja, ikja sa mundja nëpër natë… Rrëzohesha… Ngritesha… Turresha me të katra duke bërtitur sa kisha në kokë. Nuk dua të hyj dhëndërr… Nuk e dua Nusen me dy shami… E dua qiellin… E dua hënën… Yjet, që mbi kokë më bëjnë dritë… Arushën e Madhe… Pulën me zogj… Kashtën e Kumtrit… Hi-hihiii… Net pa gjumë… Terr… Ndjekje… Përgjime… Dënime… Varfëri… Djersë.. Ikje… Provokime… Çmenduri… Vonë, vonë më merrte gjumi me këto marrëzira.

Të nesërmen zgjohesha me frikë. Gjithë natën e gjatë nga djersët, qull e kisha bërë shtratin. Gjithë natën e gjatë më kishin rrahur xhindet. Gjithë natën e gjatë më kishin shëtitur mbi çatitë e pallateve. Një natë më hodhën dorë me dorë edhe majë plepave, afër Televizionit. E di, nuk do të më besoni, kur do t?ju them se më kanë ulur edhe në sofrën e tyre mbi çatinë e Radio Prishtinës, afër Filozofikut. E kishin Natën e madhe… Brez për brezi kërcenin çati më çati. Vetëm kurrë, nuk do të harroj natën kur deshën të më hedhin nga kati i tetë i Pallatit të Shtypit “Rilindja”. Atë natë e kishin thirrur edhe Nusen me dy shami. E hiqte vallen me shami të kuqe. Dy xhinde u binin dajreve. Xhindi plak i përdridhte bythët e nxirrte allti. E xhindet plaka na hidhnin sheqera të larmë mbi kokë. E martonin me mua Nusen me dy shami. Në sytë e tyre më detyronin të bënim dashuri. Më kot mundohesha të iki, kërkoja ndihmë. Më merrej goja. Këmbët më ngatërroheshin dhe rrëzohesha në tokë. Tatëpjetë shkallëve. Gojën dikush ma mbyllte me dorë. Më kot përpiqesha t’u shpëtoja duarve të tyre që më kishin kapur si darë. Grushtave, që më shtrydhnin pa mëshirë natë e ditë. I vogël isha unë të bëj dashuri edhe me Nusen me dy shami. I vogël. Nuk mundesha ta tradhtoj dashurinë time V.K. kur më mbyllën në urnë. Shëtitjet me të buzë Liqenit Ohërit. Puthjet e zjarrta nën rrezet e hënës mbi Poradec. Bisedat e gjata në breg. Lasgushin, që e kishte ndjekur qiellit një bukuroshe me aeroplan. Poezinë. Vargjet që i shkrujta gjithë natën në spital: “Unë… nuk jam i mbyllur në urnë,/ unë gjendem në fytin e saj,/ as nuk mund të hyj - as nuk mund të dal.” Frikë e kam prehrin e Nuses me dy shami… Frikë… Kraharorin e saj të ndezur… Flokët e gjata… Vithet e hasdisura, që më tmerronin në errësirë…Gjithë natën e gjatë më rrihte Nusja me dy shami. Gjithë natën e gjatë më detyronte të bëj dashuri, me të në shtrat. M’i këpuste pullat e këmishës, m’i hudhte nëpër dhomë. M’i shpërthente pantallonat dhe m’i flukte në fund të shtratit… Brekët… Ma merrte gjuhën në gojë, fundin e barkut… E unë gjithë natën e gjatë lahesha në djersë. E kisha frikë. Frikë kisha se do të vdes në gjumë. Xhindet e saj pasi do të ma lanin xhenazen, do të më ngarkonin në një qerre me dy rrota. Varrin do të ma bënin mes kontinierëve të bërllokut, mbi kodër. Atje, ku kërkojnë ushqim qentë e macet endacake. Mes atij bërlloku, kur do t’i fusnin kokat e do të nxirrnin ndonjë asht timin, do të iknin nga sytë këmbët. O na bëni udhë të ikim për në Qytet! Eshtrat e këtij të marri na turren përmbrapa këmbëve. Sa munden na mëshojnë në kokë. Ikni mbyllni portat! Dritaret. Rrezik është eshtrat e këtij të çmenduri të të hyjnë në oborr… Shtëpi… Dhomë… Shtrat…

Vetëm, të nesërmen kur zgjohesha e shihja se ende marr frymë. Ende jam gjallë. Po këtu, sa përfundonte një vuajtje, niste një tjetër edhe më e mundimshme. Tinëz m’i ndërsenin qentë në rrugë. E ju e dini sa të rrezikshëm janë qentë, kur të turren pas shpine vetëm për një asht. Më kot mundohesh t’u ikësh, t’u hedhësh një copë buke… Mishi… Ashti që e kanë lëpirë e ka bërë të veten… I ka tërbuar… Nuk ke rrugë tjetër përveçse të ikësh, të mbyllesh në dhomën tënde me libra. Veten t’ua dorëzosh personazheve të librave… Territ që të mban në grusht… Ja, ku e keni. Merreni. Bëni çka të doni me të majë plepave… Lisave… Çative… Vështirë e pata ta ruaj deri më tani nga qentë. Edhe më vështirë e kam ta nxjerr në rrugë, mes kalorësve të arratisur mos fshihet ndonjë “patriot?. E hedh gurin dhe e fsheh dorën. Tinëz pas çdo porte m’i ndërsen qentë me gisht. E ata si besnikë të zotërive të tyre që janë, nuk kanë mëshirë, të shqyejnë copë-copë. Nuk kërkojnë shumë, vetëm një asht dhe ata e kryejnë punën. Vetëm kot strukesh mes këtyre grushtave. Edhe këtu të mundon errësira matanë dritareve. Lehja e qenve nëpër natë… Kënga e Zogut të keq… Dhe çudi, mu atëherë, kur ngrihesh më këmbë, do të rrëfesh grushta, hapet dera hyn Nusja me dy shami. Në dorë e ka një shami të kuqe. E mbi kokë një kurorë me lule. Në të dy anët e brezit ka lidhur edhe nga një shami. E ti e di historinë e shamive… Shenjat që ua dërgojmë ne të vdekurit, juve të gjallëve. Rrugën tonë që e nisëm ta vazhdoni nëpër shkretëtirë. Vdekja të mos u gjejë në shtrat. Përndryshe, e pat puna juaj mes këtij bërlloku. Njeri të gjallë nuk do të ketë t’ju shpjerë te varrezat, t’jua këndojë tallkinin. E sa për ne të vdekurit, nuk na bëhet vonë, i kemi shtëpitë. Fare nuk e çajmë kokën për ju që ende nuk u del gjumi. Dyluftimet e juaja nëpër foltore, që nuk na lënë rehat edhe në varre. E dini pse them kështu? Jo, ë? Ju na i shitët edhe varret. Nderin që i dolëm zot nëpër shekuj. Po. Ju na e shitët edhe gjakun… Gratë… Fëmijët… Turp! Ende keni sy e faqe të vini te ne, në mesin e varrezave. Kokën ta mbuloni me dhé. Dy gurë, njërin te këmbët, tjetrin te koka… Po, kush do të jetë ai që do t’jua hapë derën?! Kokëulur t’ua shtrijë dorën. Bukën t’jua shtrojë në sofër… Askush. E dini pse? Se do t’u dënoj Allahu. Natë e ditë do t?ju djegë me zjarr të Xhehenemit. O shërbëtorët e mi besnikë, pse nuk e dëgjuat Muhamedin a.s. kur e tha në Kuran: se pa Vatan nuk ka imam! Pse e shitët Vatanin?! E ndatë me kufij copë-copë. Ja përse do të digjeni në Xhehenem. Veten do ta lidhni pas dere, si qen. E kuptuat tani se u ka mashtruar Nusja me dy shami. Tinëz pse ua ka falur nga një buzëqeshje. Dorën, pse ua ka zgjatur që t’ju shpjerë në mes të luleve. Vetëm ju i dini goditjet e saj në shtrat. Dashurinë që keni pasur me të deri në kupë të qiellit… Dhembjet… Piskamën… Fitoret… Mundohesh t’u ikësh përqafimeve të saj plot epshe… Përkdheljeve… Rrokullisjeve nëpër shtrat… Frymëmarrjeve… Vetëm tash është vonë. Vonë. Nusja me dy shami u ka në grusht. Në brezin e saj me rreze, fshihet vdekja. E merr veten, i përvesh duart. Me një të rënë do ta qesësh në tokë. Njëherë e përgjithmonë do t’u shpëtosh grushtave të saj, që të shtrydhin natë e ditë si djathin. Po kot. Vdekja gjithmonë të troket në dritare. E dëgjon? (Ngrihet nga shtrati dhe e afron veshin te xhami.) Kosën e ka në dorë. Kokën e zgjat, lutet t’ia hapim derën, dritaren. Ankohet se ka të ftohtë. E ka humbur rrugën… Shtëpinë… E ti që je strukur në mesin e librave, mundohesh ta ngrohësh pak shpirtin. E merr me të mirë… I thua: prit edhe pak sa të dalë drita!…

Drita del përsëri të nesërmen. Dielli lind mbi majat e Çelevjollcës. E diku larg dëgjohet një këngë. Edhe një krismë. Edhe një këngë. Vonë, shumë vonë e merr veten dhe e hudh edhe njëherë në mesin e librave. Mes atyre faqeve, rreshtave do të bësh një sy gjumë. Mes atyre faqeve kërkon një ëndërr… Mes atyre faqeve e gjen një nuse. Mes atyre faqeve rrokesh fytas me vdekjen. E mashtrove kësaj rradhe, ia mbylle dritaren. Derën, po, ç’dobi? Pas ditës vjen përsëri nata… Kënga e Zogut të keq mbi çati… Dasma e xhindeve… Trokitjet në dritare… Buzëqeshjet matanë xhamave… Dashuria nëpër errësirë… Po, deri kur?!…Vitet ikin njëri pas tjetrit, e ti ende je i mbyllur në dhomë, në mesin e librave. E ke ngritur lart lapsin në dorë. Mes atyre faqeve e kërkon rrugën… Nusen… Qentë t’i kanë ndërsyer pas shpine. E shkop nuk ke në dorë. Veten e heq zvarrë mes librave… Në një faqe të kanë vënë edhe pusi. Nuk e di cila është ajo faqe. Tekefundit, unë nuk mundem të të jap edhe ndihmë. E di se jam i vdekur qe disa vjet. E di edhe se kush më vrau-dashuria… Ja, se pse dashuria është e barabartë me vdekjen. E kuptove tashti pse për çdo natë tek unë vinte Nusja me dy shami… E kupton tani pse edhe gjithë natën e gjatë bënim dashuri… E prisnim diellin në shtrat…E di se, të gjitha i ke në kokë… Në zemër… E di se, për çdo natë i shfleton librat e mi me poezi. E kërkon një varg, vargun që më vrau një ditë me shi, mbi kodër afër Qytetit. E di se mes atyre vargjeve e kërkon edhe dashurinë time V.K. Bukurinë me të cilën u mbylla në urnë. Valët e liqenit, që zgjoheshin në lumin Drini Zi. E mbi urë dy duar, kokë më kokë që zhyteshin e dilnin mbi ujë. Një barkë që ikte nëpër furtunë. Poradeci që s’ka gjumë. E këtu tashti më kujtohet edhe një Urë. A të kujtohet takimi i papritur pas disa vjetëve mbi Urën e Gurit në Shkup? Atëherë, kur unë e hoqa një barrë. Plot pas tre viteve, unë të kërkoja falje: për plot një vit jete me frikë. E di edhe si erdha deri te ky zbulim. Unë që plot një vit pata frikë, pas largimit tënd më thirrën për një bisedë informative në polici… Mik, më beso, më pyetën për ty me cilin fle mbi libra… Verën, a e pi ende me shtamë… Miqtë me të cilët takohesh në çarshi… Nusen e cilit e rrokullis në errësirë… Natën, a çmendesh shpesh në shtrat. Mik, edhe sonte kam frikë…

Nuk beson?! O Imzot! Hesht! (Jashtë dëgjohen të lehurat e qenve.) Imzot, lehin qentë!… Vjenë Nusja me dy shami… Unë ika… Ika… Ikaaa… Shpëtova… Sonte siç duket me ty do të bëj dashuri… (Dritat ndizen në skenë. Vetëton… Shti rrufeja… Vetëton… Përsëri shti rrufeja… Muzikë e tmerrshme… Ofkëllima nëpër errësirë… Thirrje…)

Fund

Shkup, 1994



(Vota: 17 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora