Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Masiela Lusha, aktorja bamirëse

| E diele, 14.12.2008, 12:54 AM |


Masiela Lusha
Nga Gentian Minga

Shqiptarja me famë ndërkombëtare, Masiela Lusha, që dikur tërhoqi vëmendjen e publikut amerikan në serialin “Geroge Lopez Show”, sot rikthehet me një tjetër sukses, duke bërë për vetë mijëra shqiptarë anembanë. Interpretimi origjinal në “Koha e kometës” të regjisorit Fatmir Koçi jo vetëm i ka shtuar dozat e suksesit të aktores, por i ka zgjuar dëshirën për të ndihmuar fëmijët në nevojë përmes fondacionit të ngritur “Masiela Lusha children of the world”. Vajza pasionante që me dëshirë dhe interes kërkon të plotësohet artistikisht, jo vetëm duke aktruar e shkruar që në moshë të re, por duke “hedhur” një sy edhe mbi fëmijët e braktisur e në nevojë.

Masiela Lusha ka lindur në Tiranë, në 23 tetor 1985 dhe kur ishte vetëm pesë vjeçe familja e saj lë përfundimisht Shqipërinë. Ka jetuar në Budapest (Hungari) dhe Vjenë (Austri), derisa në moshën 7-vjeçare vendoset përgjithmonë në Miçigan, ku ende jeton sot e kësaj dite me mamanë e saj. Roli i Karmen Lopezit për pesë sezone rresht në serialin e famshëm amerikan “George Lopez”, që është transmetuar në televizionin ABC gjatë vitit 2002, e bëri atë tejet të famshme për publikun amerikan. Masiela shquhet dhe si skenariste, madje librin e parë ajo e ka shkruar që në moshën 12 vjeçe dhe në dy gjuhë. “Të shkruaj një libër për mua ka qenë siç është për një fëmijë t`i hipi biçikletës”, është shprehur ajo. Kjo bëri që të fitonte titullin “Autorja më e re në botë”. Masiela e dizenjoi vetë edhe kopertinën e librit, duke mrekulluar Amerikën me talentin e saj. Po ato kohë, ajo u rendit në pesë talentet e poezisë amerikane. Përveç poezive, Lusha shkruan dhe skenare filmash, histori të shkurtra, kurse novela e saj e parë mban titullin “Besa”.
Roli i Agnesës në filmin “Koha e kometës”, i regjisorit Fatmir Koçi, e afroi atë më tepër me publikun shqiptar. Masiela ndihet shumë e lumtur që rigjeti rrënjët. Xhirimet e filmit janë realizuar në Shqipëri dhe Maqedoni, ku aktorja gjeti frymëzimin për të hapur fondacionin e saj të quajtur “Masiela Lusha Children of the World”, i cili u vjen në ndihmë fëmijëve të rrugës. Në rolin e Agnesës, Masiela vjen si një murgeshë katolike e cila bie në dashuri me myslimanin rebel, Shestanin. “Koha e Kometës” na sjell konfliktet politike dhe përplasjet kulturore përmes eksperiencës së dy të rinjve.


Ju interpretoni për herë të parë një rol në Shqipëri. Kishit ndonjë informacion për kinematografinë shqiptare përpara kësaj?

S`kam pasur eksperienca të mëparshme në kinemanë shqiptare... Mua më pëlqen shumë të shikoj filma të huaj, sepse çdo vend ka një mënyrë të ndryshme për të shprehur vetveten, gjë që të magjeps, të mrekullon dhe është veçanërisht e bukur. Kinematografia e secilit vend ka mënyrat dhe tonet e veta, kështu që është interesante ta ndjekësh... Unë mezi prisja të përthithja talentin e gjithë atyre aktorëve që më rrethonin gjatë xhirimeve të “Koha e kometës”. Aktorët ishin në mënyrë të pabesueshme profesionalë, të pasionuar dhe u habita se sa të ngjashëm ishin ata në karakter me miqtë e mi aktorë në Los Anxhelos.

Megjithatë kinemaja amerikane ndryshon katërcipërisht nga ajo shqiptare. Ishte e thjeshtë të përshtateshit me një mentalitet të ri të punuari?

Edhe unë kisha dyshimet e mia në këtë pikë, megjithatë kalimi nga stili hollivudian i të aktruarit të një mënyrë tipike shqiptare ishte i thjeshtë dhe aspak i sforcuar. Ishte vërtet diçka organike dhe e natyrshme, aq sa për herë të parë në jetën time pata ndjesinë se çdo person me të cilin lidha miqësi në sheshin e xhirimit në Shqipëri gjatë atyre dy muajve të qëndrimit tim aty, ishte një i afërm imi, një kushëri, pjesë e familjes. U ndjeva rehat, sepse isha në shtëpinë time.

Njihnit ndonjë aktor të famshëm shqiptar përpara se të vinit në Tiranë? Çfarë ju kanë treguar prindërit tuaj rreth filmave, artit apo kulturës shqiptare, në përgjithësi?

Përmes shembujve, ime më gjithmonë më ka treguar për ndjenjat e forta të mirësisë dhe ndershmërinë në “brumin” shqiptar; respekti për artin, poezinë dhe emrin e mirë. E gjithë jeta ime ka qenë në njëfarë kuptimi një mësim i madh i asaj se çfarë do të thotë të jesh “shqiptar i vërtetë”, gjë për të cilën unë jam mirënjohëse dhe e nderuar. Ndihem e privilegjuar që i përkas një komuniteti me vlera, siç është ai shqiptar. Megjithatë, deri ditën e parë të xhirimeve unë s`kisha asnjë ide rreth aktorëve shqiptarë apo filmave ku kishin interpretuar. Por meqenëse kultura e tyre është njëkohësisht kultura ime, e ngulitur në bërthamë, atëherë nuk ishte e nevojshme t`i hyja studimeve dhe kërkimeve... Thjesht, unë fillova të jetoj mes tyre dhe brenda javës u ndjeva sikur të kisha lindur në kinematografinë shqiptare.

Ismail Kadare është autori i romanit “Prilli i thyer”, prej nga është përshtatur dhe skenari i filmit “Koha e kometës”. Kishit dëgjuar për Kadarenë më përpara?

Kam lexuar disa nga punët e tij të përkthyera në anglisht dhe, të them të drejtën, e kam admiruar imagjinatën e gjallë në detajet e tij, si dhe talentin e aftësinë që Kadareja shfaq si shkrimtar. Kisha shumë dëshirë që ta takoja personalisht këtë shkrimtar, që nga momenti kur unë u shndërrova në një adhuruese të punës së tij. Fatmir Koçi, producenti ynë, e pyeti Ismailin nëse ishte i lumtur me interpretimin që i kisha bërë rolit të Agnesës dhe zoti Kadare u kthye nga unë, buzëqeshi dhe tha “po”, duke tundur lehtë kokën. Ky ka qenë komplimenti më i bukur që kam marrë ndonjëherë nga një shkrimtar, të cilin unë e adhuroj.

Pra, ju keni lexuar shkrime të Ismail Kadaresë..... Mund të më përmendni ndonjë që ju ka mbetur veçanërisht në mendje?

Po, kam lexuar librin e tij të përkthyer në anglisht, “Doruntina” por s`mund të filloj të jap gjykimet e mia, sepse gjatë përkthimit “zëri” dhe origjinaliteti i Kadaresë janë cenuar. Mua më pëlqen shumë të lexoj libra në gjuhën origjinale, mundësi që më është dhënë, pasi unë kam jetuar në vende të ndryshme dhe i flas disa gjuhë. Shijoj vetëm letërsinë autentike dhe jo atë të përkthyer, sepse vetëm kështu mund të kuptoj thelbin e autorit dhe të rrok kuptimin e saktë të asaj që ka shkruar. Një vepër e përkthyer do ketë brenda vetes domosdoshmërisht interpretimet e përkthyesit, gjë që e cungon pjesën. Shqipja është një gjuhë kaq e bukur dhe e butë, me të gjithë filozofinë e vetë poetike dhe figurat letrare, në një kohë që anglishtja është më tepër e përmbledhur dhe praktike, gjë e cila është po aq e mirë. Ka shumë fjalë dhe shprehi të cilat s`mund të përkthehen nga shqipja në anglisht dhe për fat të keq, duke pasur parasysh faktin se Kadareja është një shkrimtar i mrekullueshëm, nuk besoj se ndonjë përkthyes amerikan do mund ta transmetonte plotësisht thelbin e detajet e veprës. Qëllimi im është t`i lexoj librat e Kadaresë në shqip. Vetëm atëherë mund të gjej fjalët e duhura për t`iu përgjigjur pyetjes suaj.

Përveçse shkruani dhe aktroni, ju keni themeluar një fondacionin tuaj... Na tregoni diçka më tepër rreth kësaj.

Është detyra jonë që t`u japim diçka atyre që janë më me pak fat se sa ne; kjo nuk është një e drejtë, privilegj apo një tekë dhe për fat të mirë jetojmë në një botë ku mirëqenia sociale shoqërohet nga lufta për mbijetesë. Unë e krijova këtë fondacion për t`iu përgjigjur thirrjes dhe prirjes që kam brenda vetes për të ndihmuar botën tonë që të ketë një ndikim te brezat që vijnë. Fondacioni “Masiela Lusha Children of the World” është ideuar për të ndihmuar nënat dhe fëmijët e tyre që të gjejnë një shtëpi, rroba të pastra, ushqim të ngrohtë dhe të kenë ndihmën e asistentëve socialë për të rigjetur vendin e tyre në këtë jetë. Do të jenë pikërisht këta asistentë socialë, të ashtuquajtur “trajnerët e jetës”, që do t`i ndihmojnë këta njerëz që të zbulojnë sërish ëndrrat dhe pasionet e tyre, duke i ndihmuar fëmijët e tyre që të gjejnë një drejtim, i cili do mund të kënaq dëshirat e tyre artistike, muzikore e shumë të tjera.

Kur e ndjetë këtë thirrje brenda vetes për të ndihmuar këta njerëz në nevojë?

Kur po xhiroja filmin “Koha e kometës” në Maqedoni. Fëmijët pa strehë, pellgjeve të ndotura i gjeje kudo dhe si një soditës i thjeshtë. Zemra ime u bë copa, sepse m`u duk se këtyre fëmijëve u ishte hequr e drejta për të pasur gjërat më të nevojshme në këtë jetë, siç janë ushqimi, të veshurit, një strehë dhe dashuria. Unë ndava me duart e mia dy të rinj të pastrehë, teksa po u shkulnim flokët dhe rrobat nga trupi dy vajzave të tjera në mes të rrugës, lypsare edhe ato. Njerëzit ecnin pranë tyre, por askush s`u dha një çast ngrohtësie e përkujdesjeje. Unë lëmova butësisht flokët e këtyre vajzave të reja, ua vesha sërish rrobat dhe m`u copëtua zemra, sepse ndjeva se unë s`mund të bëja asgjë për to. Pikërisht në atë moment u zotova se do t`i ndihmoja këta fëmijë... Ky fondacion do të hapë strehë kudo nëpër botë, duke filluar që nga Amerika dhe duke vazhduar në Lindje. Fondacioni do të hapë të tilla qendra në shumë qytete të Europës dhe Azisë. Unë dua që këta fëmijë ta kuptojnë se çfarë do të thotë të kesh një vend në këtë botë dhe se sa të bukur që janë ata në të vërtetë. Dua që ata të jenë të stimuluar që ta ndihmojnë botën një ditë; dua që ta mësojnë këtë vlerë!

“Koha e kometës” flet për luftën dhe dashurinë, një binom i famshëm kinematografik ky. Dashuria dhe lufta janë e kundërta e njëra-tjetrës... Çfarë mendoni për shprehjen: “Bëni dashuri dhe jo luftë”?

Vetëm një fije e hollë e ndan luftën nga dashuria dhe ndonjëherë s`ka fije fare (qesh), sepse emocionet tona më të forta si qenie të gjalla mbizotërojnë në këto dy forma të të shprehurit. Unë besoj se në film, fakti që Shestani po kërkonte luftë dhe gjeti dashurinë, s`është gjë tjetër veçse një filozofi rreth asaj se si njerëzit sfidojnë dhe interpretojnë pasionet e tyre dhe se sa thjeshtë dikush mund të kapërcejë në një ndjenjë tjetër, sepse që të dyja, lufta apo dashuria, lindja apo vdekja, janë lehtësisht të shkëmbyeshme me njëra-tjetrën dhe të dyja këto ndjenja mund të zotërojnë shpirtin për të dhënë pas kësaj jetë ose vdekje.

R. Shqip