Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Ambasadori i 'Pushtetit të Butë'

| E diele, 27.03.2022, 09:28 PM |


AMBASADORI I “PUSHTETIT TË BUTË”

Me rastin e promovimit të librit Ambasadori i Pushtetit të Butë, e autorit Mal Berisha, ish-Ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar

Nga Frank Shkreli

Është kënaqësi që gjëndem përsëri në Qëndër të Federatës Pan-Shqiptare Vatra – themeluar nga dy prej penave më të ndritura të letrave shqip, Peshkop Fan Nolit dhe Faik Konicës, ambasadorit të Shqipërisë në Washington nga 1926-1939.

Sa i përshtatëshëm dhe me vend është fakti që jemi mbledhur sot këtu  për të nderuar një ambasador tjetër të Shqipërisë të periudhës post-komuniste, Ambasadorin Mal Berishën me promovimine veprës së tij më të fundit, “Ambasador i Pushtetit të Butë”  --  një pasqyrim i veçant i jetës dhe veprimtarisë së tij diplomatike shumë vjeçare në shërbim të interesave të Shqipërisë, por edhe të Kosovës, pasi siç shprehet edhe ai vet, kur thotë i Shqipërisë, nënkuptohet edhe Kosova si pjesë e saj e pa ndarë.

Fjalët e mia modeste sonte për veprën e Ambasadorit Berisha nuk janë një recension bona fide -- per se -- pasi versioni PDF më pak ditë më parë, në prak të një vizite disa ditëshe në Washington nga ku sa po jam këthyer. Por jam këtu, i nderuar dhe i privilegjuar, për të përshëndetur mikun tonë Mal Berishën për veprën voluminoze, një pasqyrim i përvojave të tija diplomatike disa vjeçare.  Por, bëra ç’mos të isha sonte këtu -- në kryeqëndër të Federatës Pan-Shqiptare Vatra të shqiptarëve të Amerikës dhe të mbarë Kombit për tu njohur më mirë me veprën më të fundit, për të nënvijuar, nga ana ime, respektin që kam Ambasadorin Mal Berisha si njeri, si shqiptar dhe si diplomat gjatë viteve në shërbim të Shqipërisë dhe të Kombit shqiptar.

Libri i Z. Berisha mund të jetë i pari i këtij lloji me titullin “Pushteti i Butë”, por jam i bindur se në historinë shqiptare ka pasur figura atdhetare që e kanë ushtruar këtë llojë “pushteti të butë”, për realizimin e objektivave rë tyre. Ky muaj shënon përvjetorin e vrasjes së Luigj Gurakuqit (2 Mars 1925), përvjetorin e vdekjes së Fan Nolit (13 Mars, 1965) dhe përvjetorin e lindjes së Faik Konicës. Fan Noli në elegjinë e tij kushtuar Luigj Gurakuqit pas vrasjes së tij e quan patriotin shkodran, “gojë mjaltë e zemër hekur”.  Ndërsa fjalimi i Fan Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë bëri aq bujë në botën e atëhershme evropiane sa që gazeta amerikane Nju Jork Tajms e kishte cilësuar si një fjalim piktoresk me fjalë bindëse.  Ndërsa në kohët moderne, kush më mirë se Dr Ibrahim Rugova personifikon fjalët “pushtet i butë”, “gojë mjaltë” por edhe bindës, në diplomacinë e tij për lirinë dhe pavarësinë që gëzon sot Kosova. Mënyra se si Dr. Rugova siguroi mbështetjen e botës dhe ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës ishte ndoshta mënyra më e përsosur për një entitet të okupuar, që nuk ishte shtet, as nuk kishte ushtri as polici e ekonomi jo se jo – për të projektuar para botës vlerat, kulturën dhe përvojën e rëndë por krenare të historisë së shqiptarëve në trojet e veta – ishte diçka vërtetë e mrekullueshme dhe fatlume për Kosovën dhe për shqiptarët. Në mungesë të pushteteve të tjera, përveç mbështetjes së fortë të popullit të Kosovës,  “Pushteti i butë”, për Rugovën ishte ushtrimi i këtij pushteti në veprim! Ishte ndoshta shembulli më i mirë i përdorimit të “pushtetit të butë”, moral dhe njerëzor, në historinë e shqiptarëve dhe më gjërë.

Shumica e njerëzve mund ta konsiderojnë detyrën e ambasadorit, në shërbim të interesave të vendit të vet, si një profesion me shumë prestigj dhe shumë ambasadorë, qofshin ata shqiptarë ose të vendeve të tjera, e përqafojnë atë detyrë, si një nder dhe privilegj të madh t’i shërbesh Kombit tënd në një vend të huaj, “një jete të tërë në shërbim të pakursyer ndaj vendit tonë”, siç shprehet autori.  Edhe është e tillë, por nuk është gjithmonë e lehtë, sidomos për familjet e diplomatëve. Veçanërisht, për ambasadorët shqiptarë. Nuk e di si ishte jeta e ambasadorëve shqiptarë në kohën e komunizmit, por në periudhën e demokracisë, e di se nuk ishte dhe nuk është as sot edhe aq e lehtë, sidomos nga pikëpamja ekonomike.

Prandaj, përdorimi i “pushtetit të butë” mund të ishte edhe e vetmja mënyrë për Ambasadorin Berisha dhe të tjerë si ai, për të shprehur talentet, energjinë dhe emocionet, në shërbim të Atdheut.

Ambasadori Mal Berisha ishte, pra, njëri prej atyre ambasadorëve shqiptarë që gjatë karrierës së tij diplomatike ka kontribuar me punë të mëdha dhe të vogëla, por të vyera, duke përdorur “pushtetin e butë” dhe “gojën e embël”, për të projektuar interesat e vendit që përfaqësonte në botën e huaj.

Ambasadori Berisha, karrierën diplomatike e filloi, i ardhur nga një botë kulturore e artistike gjë që bëri të mundur që Ambasadori i ri të kishte mundësi – siç thotë edhe vet, të “ndërthurte përvojën e mëparshme me punën e diplomatit”.  Siç duket, kështu lindi “diplomacia kulturore” dhe libri me titull: “Ambasadori i Pushtetit të Butë”.   Ashtu si edhe veprat e tjera të autorit, libri i fundit, “Ambasador i Pushtetit të Butë”, është me një rëndësi të veçantë, për historinë, por sidomos për diplomacinë shqiptare është një kontribut i shënueshëm. Një libër i çmueshëm, sidomos për nga dëshmitë personale për një periudhë plot lëvizje e ngjarje të rëndësishme diplomatike për Shqipërinë dhe Kosovën.

Dikush mund të pyet, more ç’është kjo frazë “pushtet i butë” dhe nga e ka origjinën. “Babai”, si të thuash i kësaj fraze, është akademiku amerikan Joseph Nye Jr., i cili ishte i pari që paraqiti këtë koncept të “pushtetit të butë”, në vitin 1990. Z. Nye e përcaktoi “pushtetin e butë”, si një mundësi për të siguruar atë që dëshiron nepërmjet një diplomacie të butë dhe jo nepërmjet kërcënimeve dhe ultimatumeve. Profesor Nye ka thenë se “pushteti i butë” mund të zhvillohet nepërmjet marrëdhënieve me aleatët, ndihmës ekonomike dhe shkëmbimeve kulturore. Ai ka thënë  se përdorimi i diplomacisë kulturore ose “pushtetit të butë” do të rezultonte në një opinion publik më të favorshëm për vendin që përdor këtë koncept të marrëdhënieve edhe në zhvillimin e politikës së jashtme. Është pra një mënyrë për të influencuar ngjarjet duke e bindur kundërshtarin për qëndrimin tënd, pa pasur nevojë të përdoret fuqia ushtarake ose sanksionet ekonomike – sidomos kur është fjala për një shtet të vogël siç është Shqipëria.  “Pushteti i butë”, sipas Prof. Nye, është edhe më i rëndësishëm sot për arsye të globalizmit dhe revolucionit në fushën informatike.  Por, për një vend të vogël si Shqipëria -- pa një forcë të konsiderueshme ushtarake ose financiare për t’i imponuar dikujt vullnetin e saj -- “pushteti i butë”, mund të jetë mënyra më efektive për zhvillimin e diplomacisë. Ky, është pra edhe thelbi i librit prej 500 faqesh i Mal Berishës ku ai e shpjegon më së miri këtë koncept të diplomacisë kulturore.

Joseph Nye e ka përkufizuar pushtetin e butë si "aftësinë për të siguruar atë që dëshiron nëpërmjet diplomacisë dhe jo nëpërmjet shtërngimit ose  shantazheve". Ai ka theksuar gjithashtu se fuqia e butë "mund të zhvillohet nëpërmjet marrëdhënieve me aleatët, ndihmës ekonomike dhe shkëmbimeve kulturore". Ai ka argumentuar se përdorimi i “pushtetit të butë” në politikën ndërkombëtare, do të rezultojë në "një opinion publik më të favorshëm dhe besueshmëri jashtë vendit", për shtetin që e përdorë atë. Besoj se ky është edhe përfundimi në të cilin ka ardhur Mal Berisha, bazuar në përvojën e tij diplomatike të përshkruar në librin e tij, Ambasadori i “Pushtetit të Butë”, një libër për tu lexuar edhe nga diplomatët e rinjë shqiptarë, si një manual udhëzues i zhvillimit të diplomacisë kulturore në të ardhmen.

“I dërguar i jashtëzakonshëm dhe ministër fuqiplotë...është një titull i padëmshëm por nuk përputhet fare me realitetin. Në ditët tona, të dërguarit nuk gëzojnë fuqi të plota. ata duhet të kërkojnë udhëzime  për çdo rast, shkurt ata nuk janë fuqi plotë; megjithse ndonjëherë , duke qenë njerëz,  qëllon të jenë të jashtëzakonshëm”. (Thënje e Faik Konicës, cituar në librin e kolegut tim nga vitet tona në Zërin e Amerikës, Ilir Ikonomi).

Miku i ynë Ambasador Mal Berisha (ashtu si të gjithë ambasadorët kudo në botë) mund mos të ketë qenë fuqiplotë, siç thotë edhe Konica, por qëllon të ketë qenë i jashtzakonshëm, si ushtrues i pushtetit të butë në shërbim të Atdheut të vet dhe si përfaqësues i denjë i diplomacisë kulturore të shqiptarëve.

Me këtë vepër, Ambasadori Mal Berisha kryen një detyrë ndaj vetvetes por edhe kundrejt shumë kolegëve të tij diplomatë aktualë dhe ish-diplomatë shqiptarë – kryesisht  i shtyrë -- siç shkruan edhe ish-Ministri i Punëve të Jashtme, të Shqipërisë,  Z. Besnik Mustafaj -- “nga dëshira për të pohuar se, (Ambasador Mal Berisha), duke i shërbyer Shqipërisë, ka arritur të ketë edhe për veten e tij një jetë të bukur me gjithë andrallat e saj, gjë që i shkon një burri të realizuar”.  Një burri malësor që i ka hije, do të thosha unë!  Urimet e mia i nderuar Z. Ambasador Berisha!