E shtune, 20.04.2024, 01:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Mariza Ikonomi: “Dua të dashuroj si herën e parë”

E diele, 14.12.2008, 01:44 AM


Mariza Ikonomi
Nga Neritana Kraja

Melankolike dhe ritmike. Ja si ka zgjedhur të prezantohet këngëtarja Mariza Ikonomi në këtë sezon vere. Dy klipe për dy këngë të reja, që në fakt i përkasin projektit më të fundit muzikore. Jemi mësuar ta shohim si vajzë të brishtë, por kësaj rradhe ajo do të na tregojë se di të jetë edhe impulsive, rebele, pasionante, joshëse dhe plot energji. Veç të tjerash se është në kërkim të dashurisë që prej vitesh i mungon. 

Suksesi në jetë asnjëherë nuk është i rastësishëm. Vetëm një talent dhe pasion i madh e mban në këmbë atë. Mariza Ikonomi, vajza që në moshën 11 vjeçare këndoi përkrah të rriturve në festivalin më të rëndësishëm të vendit për kohën, tani është shndërruar në një ndër ikonat e muzikës së lehtë shqiptare. Është 25 vjeç dhe ka një formim të shkëlqyer profesional.
Kurrë nuk i është dashur të përdorë armë të tjera, veç muzikës dhe zërit që zoti i ka bërë dhuratë, për tu bërë dikushi në skenën shqiptare të muzikës. Dhe për këtë ndihet mjaft krenare. Të njëjtën gjë vazhdon të bëjë edhe sot. Sepse muzika nuk njeh kompromis.
Këngëtarja në këtë intervistë, flet për projektin e ri artistik dhe njëkohësisht nuk heziton të ndriçojë pjesë të shkuara të lidhjes së saj të gjatë të një dashurie që sot nuk e ka më. Ndërkohë që shpreson që emocioni i vjetër të rikthehet sa më shpejt me një lidhje të re që mezi e pret.        

Me çfarë planesh artistike ju ka gjetur ky sezoni i verës?

Me shumë plane, jam në mbyllje të albumit tim, vetëm një këngë më ka ngelur që shpresoj ta mbaroj sa më shpejt. Përveç kësaj jam duke përgatitur edhe dy klipe, njëri prej të cilëve është mbyllur tashmë. Njëri është me ritme verore, ndërsa tjetëri është më melankolik. Kështu që publiku mund të zgjedhë kë të dojë sipas preferencave. Jam shumë optimiste për muzikën që përmban ky album, pasi janë marrë shumë këngë popullore dhe janë gërshetuar me këngë të tipit xhaz, buda bar, etj.

Mund ta përcaktojmë si risi në tregun muzikor shqiptar?

Unë shpresoj shumë, sepse vërtet mendoj se është diçka e re. Kemi dëgjuar deri tani muzikën popullore, por që përpunohet zakonisht në të njëjtin stil. Kurse ky album është i ndryshëm. Ato që kanë pasur mundësi ta dëgjojnë më përpara, e kanë vlerësuar dhe shpresoj ta vlerësojë edhe publiku, me të dalë në treg. Albumi do të dalë në fund të gushtit, ndërkohë po presim gjithashtu të dalin sa më shpejt edhe klipet. Sidomos klipi i parë, pasi është shumë veror.

Me këngën ritmike do shohim një pjesë së Marizës që nuk e kishim njohur, apo kjo bëhet për t’i shkuar për shtat shijeve të publikut?

Nuk mund të them se jam vetëm melankolike. Vërtet që më shkojnë shumë baladat dhe këtë e pranoj, por përshtatem shumë edhe në zhanre të ndryshme muzikore. Kam mbaruar një shkollë për muzikë klasike, ku kam marrë bazat e muzikës, di të këndoj si muzikën klasike, ashtu edhe muzikën rock, bluz, xhaz, etj. Është e vërtetë se e ndiej veten mire tek melankolikja dhe e pranoj se deri në një farë mase jam melankolike. Por nuk mund të them se jam 100 për qind e tillë. Sa jam melankolike jam edhe impulsive.  

Mariza kompozitore, e kemi njohur këtë pjesë tuajën. Do të ketë kësaj rradhe kompozime tuajat albumi?

Në fakt me pianon që kam në shtëpi kam bërë 6- 7 këngë të miat, që akoma nuk i kam hedhur në studio. Por në këtë album të gjitha krijimet janë të bëra nga Adi Hila. Janë këngë të marra, siç e thashë nga muzika popullore qytetare e jugut, dhe kështu që përveç zërit dhe emocionit, nuk kam pjesë tjetër në këtë album. Motra ime ka pak ndërhyrje tek tekstet. Sigurisht që i kam dhënë këtij albumi shumë nga vetja.

Sa përmendët pianon që keni në dhomë, ndërkohë që keni një kompozim mjaft të bukur tuajin si “Piano e vjetër”. Ç’është pianoja për ju?

Gjithçka, është shumë e çuditshme ndjesia që kam kur i bie pianos. Më fut në një botë komplet tjetër dhe më bën t’i harroj të gjitha. Besoj se vërtete kam lindur me muzikën, kam lindur me tingullin, me pianon.

E vështirë të bashkëpunosh me një motër poete?

Ka të mirat dhe të këqiat e veta. Ashtu siç të njeh motra nuk të njeh asnjë persona tjetër. Ti je mjaft e lirë me të, ajo njeh botën tënde dhe tekstin di ta shkrijë mjaft mirë. E keqja është se ngaqë e njeh jaft mirë, duhen bërë ca compromise si përshëmbull për të gjetur oraret e përbashkëta kur dëshirojmë të dyja të merremi me këngët. Sepse secila ka qejfin dhe angazhimet e veta. Por ka edhe një të mirë tjetër. Tek tekstet e motrës sime, gjithmonë ka detaje që unë i kam përjetuar. Ajo më njeh mjaft mirë.

Përse nuk shfaqeni shpesh në ekranet shqiptare me klipe?

Këtu është bërë një kaos muzikor që tashmë e dinë të gjithë, ndaj nuk dua të flas më shumë për të. Shpesh mendoj se është shumë më mirë të distancohesh nga ky treg. Është zgjedhja ime të mos bëj albume si të tjerët, një herë në tre muaj. Por me kalimin e kohës besoj se gjërat do të zënë vendin e tyre.

Po për pushimet keni pasur kohë?

Ah…, mezi prita të mbaroj albumin, klipet dhe menjëherë shkova në Spanjë. Aty isha me shoqërinë time. E prita me padurim sepse ka qenë një periudhë intensive pune. Gjatë gjithë kohës ka qenë vetëm punë, punë, punë….Eshtë shumë bukur që në sezonin veror të këndosh nëpër plazhe, por sidoqë të jetë pasi merr kënaqësinë e publikut, ke nevojë edhe të pushosh.

Si është të këndosh për publikun?

Është bukur, por ka diçka… Mua më pëlqen muzika popullore, por vërej se sa do që ti këndon këngë të stileve të ndryshme, shqiptarët janë të etur për muzikën popullore. Nëse do ta fitosh publikun shqiptar, duhet të këndosh populloren. Unë të paktën mundohem të këndoj muzikë popullore qytetare.

Ti vetë shkon në lokale ku këndohet muzikë Live?

Unë e adhuroj ditët e ngrohta. Nuk më shqetëson vapa. Çfarë s’më pëlqen është boshatisja e rrugëve, por meqë unë jam gjithë kohës në punë, koha më kalon shpejt dhe nuk kam kohë ta vuaj një gjë të tillë. Shpesh mbrëmjeve frekuentoj lokalet e natës, por jo ato që luajnë muzikë “live”. Ngaqë jam vetë gjatë gjithë kohës që këndoj, këto lokale nuk më tërheqin. Pastaj në çdo lokal është bërë i njëjti repertor i muzikës “live”, kështu që preferoj muzikën që luhet nga “DJ”.

Çfarë do të bëheshin nëse nuk do bëheshit këngëtare?

Unë e adhuroj kërcimin. Nëse nuk do të isha bërë këngëtare mesiguri do të isha bërë balerinë, por kam qenë jashtëzakonsisht e shëndodhë e vogël dhe s’më futën për balet. Pastaj e panë që kisha vesh për muzikë dhe që atëherë u mora me muzikën. Sidomos pëlqeja baletin klasik. Asaj kohe askush nuk e mendonte se do të  hollohesha.

Dikur, fëmijë, kënduant në duet në skenën e festivalit “Telefonatë zemrash”, ndërkohë që sot jeni protagoniste e saj. Si ka ndryshuar për Marizën përceptimi për skenën me vitet?

Kur kam prekur skenën e artistëve të mëdhenj, kam qenë 11 vjeç dhe kjo për mua ishte shumë. Isha fëmijë dhe nuk e kuptoja se çfarë ndodhte. Atëherë më pëlqente kur thonin  “Ja, Mariza Ikonomi!”. Ndërsa tani dua të fshihem….

Shqetësoheni duke qenë në qendër të vëmëndjes?

Sigurisht, sepse njeriu nuk është gjithmonë në humorin e duhur, ndërsa njerëzit e shikojnë dhe komentojnë çdo grimasë tënden. Dikur e kam pasur shumë problem, ndërsa sot nuk e kam më, qoftë edhe kur dal me shapka, pasi ashtu ndihem më mirë. Nëse unë ndihem rehat me veten time, nuk e vras mëndjen nëse më pa dikush, ose jo. Nuk e vras më mëndjen se çfarë kam veshur dhe me kë isha. Një periudhë kohe, po. Më ka munduar fakti që isha person publik.

Para disa kohësh keni dalë nga një lidhje e gjatë dashurie. Eshtë zëvëndësuar ky person në zemrën e Marizës?

Të them të drejtën ajo lidhje ka qenë diçka shumë e bukur, në një kohë shumë të bukur. Një lidhje shumë e gjatë që nisi kur unë isha 17 vjeç. Si të gjitha lidhjet që zgjasin, janë të bukura, janë gjëra që nuk i ke përjetuar asnjëherë. Por çdo gjë është me kohë. Mbase akoma nuk ka ardhur koha që unë të gjej një person që ta dashuroj dhe ta përjetoj prap atë periudhë. Nejriu rritet dhe shumë gjëra i shikon ndryshe, nuk i shikon më me atë syrin e parë.

Mbase duke u rritur njeriu nuk mund të provojë të njëjtin emocion në të njëjtën formë të dashurisë së parë….

Jo, unë mendoj se kur njeriu dashuron, është gjithmonë e njëjta gjë, por që kjo do momentin e vet që të ndodhë. Mesa duket koha për mua nuk ka ardhur akoma. Unë nuk e di se kur do të vijë, por sinqerisht do të ishte shumë bukur sikur të dashuroja. Do të doja shumë që dikush të vinte në jetën time, që ta dashuroja siç kam dashuruar për herë të parë.

Me ish të dashurin keni ngelur miq?

…kemi ngelur…!

Ndiheni bosh në këtë periudhë?

Jo, ndihem shumë mirë. Kam shumë miq që më bëjnë të ndihem mirë, pavarësisht se nuk ndihem e dashuruar.

Si e mendon mashkullin që do të doje ta dashuroje?

Sa herë e kam menduar më ka dalë ndryshe. Mjafton një mashkull që të ndihem mirë. Nuk është se duhet të ketë këtë, apo atë. Femra nganjëherë, vërtet që e mendon mashkullin e vet ideal, por që pastaj kupton se i ngjit dikush tjetër, të cilin nuk e ka menduar ndonjëherë. Do më pëlqente mbështetja dhe përkushtimi që do të kishte ndaj meje. Më pëlqen edhe të ketë humor, që të më bëjë të qesh.

Çfarë ju bën të lumtur?

Fakti që ekzistoj, që zgjohem në mëngjes dhe shoh qiellin, fakti që kam muzikën që më magjeps, familjen time dhe njerëzit që dua më shumë, më bën të lumtur.

E ëndërroni martesën?

E kam menduar shpesh herë, madje e di se si do ta kem fustanin. Dikush më ka thënë se “martesa është një ndër gabimet më të bukura që njeriu duhet ta provojë”. Kështu që edhe unë dua ta provoj këtë lloj gabimi të bukur.

Kur mendoni se është mosha ideale e martesë për ju?

Kur njeriu do diçka, nuk ka moshë. Mund të ejsh 30 dhe nuk ndihesh gati, sikurse mund të ejsh 16 dhe të dëshirosh shumë të martohesh. Për veten mendoj se rreth moshës 27 vjeç. Është momenti për një lidhje serioze dhe një ndryshim rrënjësor në jetë.

Po fëmijët?

I adhuroj. Por në mungesë të tyre kam marrë një qen, me të cilin argëtohem pa masë. Emrin e ka Koko. Dalim bashkë shëtitje. Kafsha bëhet si pjesë e familejs prandaj edhe bisedojmë bashkë.

I besoni sekrete?

Sekrete? Po qeni dihet se është besnik. E kujt më mirë se atij t’i besosh sekretet!….

Cila është aventura më e çmendur që keni bërë në jetë?

Kam ndenjur në një ishull për rreth dy javë, ku nuk shkelte këmbë njeriu. Ishim gjithsejt gjashtë persona. Diçka fantastike. Si Robinson Cruzo me ca shokë nga prapa(qesh)……një eksperiencë jashtë Shqipërisë shumë e bukur.

Cilat janë gjërat më të vyera që mbani në garderobë?

Orët më pëlqejnë shumë, unazat e mëdha, varëset dhe syzet.

Cilët do të doni të falenderoni për çfarë keni arritur?

Talentin ma ka dhënë Zoti, ndërsa për shtysën do falenderoja familjen time. Sigurisht pa harruar gjyshin dhe gjyshen. Se nganjëherë ato të flasin dhe të duket se të mërzisin me moral, por në një moment të caktuar, kur i shikon gjërat, kupton se gjithmonë del parashikimi i tyre. Prandaj thua: “Paskan pasur të drejtë!”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora