Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: Madeleine Albright - Gruaja që u shpëtoi tiranive fashisto-komuniste

| E enjte, 24.03.2022, 10:00 PM |


NDËRROI JETË MADELEINE ALBRIGHT – GRUAJA QË U SHPËTOI TIRANIVE FASHISTO-KOMUNISTE

Nga Frank Shkreli

Madeleine Albright, e para femër Sekretare e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), dhe ish-refugjate e tiranive fashisto-komuniste në fund të Luftës së Dytë Botërore –ndërroi jetë të mërkurën nga kanceri në moshën 84-vjeçare. Zonja Albright kishte lindur në ish-Çekosllovaki.

Në njoftimin e familjes, për kalimin në amshim të Zonjës Albright, ajo u cilësua, ndër të tjera, edhe si “kampione e palodhur e demokracisë dhe të drejtave të njeriut.”  Pas njoftimit se Zonja Albright kishte ndërruar jetë, përfaqësues të politikës amerikane dhe botërore reaguan shpejt për vdekjen e gruas së parë në histori në krye të diplomacisë amerikane, e emëruar në atë post nga Presidenti Bill Clinton, në vitin 1996.

Në një deklaratë të përbashkët, çifti Bill dhe Hillary Clinton e cilësuan vdekjen e Zonjës Albright si një humbje të madhe për botën.  Ish Presidenti Clinton dhe Hillary Clinton thanë se ishin, “thellësisht të hidhëruar”, me kalimin në amshim të Zonjës Albright, me të cilën ata kishin një miqësi prej disa dekadash. “Vdekja e Zonjës Madeleine është një humbje e madhe për botën, në një kohë kur kemi më shumë nevojë për mësimet nga jeta e saj, por jemi të vetdijshëm se trashëgimia e saj do të vazhdojë të lulëzojë nepërmjet studentëve të shumtë, të cilëve ajo u ka dhënë mësim në Universitetin Xhorxhtoun. “Me marrjen fund të Luftës së Ftoftë, ndërsa filloi një periudhë e re ndërvartësie globale, Albright qe bërë zëri i Amerikës pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork dhe më vonë ajo u emërua në postin e Sekretarit Amerikan të Shtetit (në administratën e Presidentit Bill Clinton), ku ajo shërbeu me një fuqi e bindje pasionante në mbështetje të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, u shprehën Bill dhe Hillary Clinton në deklaratën e tyre me rastin e vdekjes së bashkpuntores dhe mikes së tyre të ngusht, prej shumë vitesh.

Ndërkaq, Presidenti aktual Joe Biden iu referua origjinës së Zonjës Albright, e cila është lindur në Pragë dhe ka ardhur në Shtetet e Bashkuara si refugjate në vitin 1948 pasi komunistët morën fuqinë në atë vend dhe anë e mbanaë Evropës Qëndrore dhe Lindore. “Ajo ishte një emigrante që u arratis nga persekutimet (nazi-komuniste). Ishte një refugjate që kishte nevojë për strehim të sigurt nga kërcënimet dhe frikësimet. Dhe si shumë të tjerë, para dhe pas saj – ajo ishte krenare se ishte Amerikane”, është shprehur Presidenti Joe Biden. Presidenti Biden shtoi se, “bashkpunimi im me Sekretaren Albright gjatë 1990-ave ishte kulmi i karierës time në Senatin e Shteteve të Bashkuara gjatë mandatit tim në Komisionin e Senatit për Punët e Jashtme...ne ishim bashkpuntorë dhe miqë në punën tonë për të mirëpritur demokracitë e reja të posa çliruara nga komunizmi si anëtare të NATO-s – ashtu edhe në punën tonë për tu ballafaquar me barbarizmat gjenocidale serbe në Ballkan.”

Ndërsa Senatori i Nju Jorkut, Shumer, duke iu referuar jetës së Zonjës Albright si refugjate në Evropën e pas Luftës së dytë Botërore, tha se ajo u arratis, fillimisht, nga “nazizmi dhe (pastaj edhe nga) komunizmi sovjetik”, nënvijoi kryetari i shumicës në Senatin e Shteteve të Bashkuara, Çarles Shumer.  Duke shtuar se, “ajo mishëronte ëndërren amerikane” dhe e cilësoi atë një “vigane e historisë Amerikane”, që ka frymëzuar gratë dhe vajzat, anë e mbanë botës”, ka thenë me këtë rast Senatori i Nju Jorkut, Z.  Chuck Shumer.

Nga refugjate e arratisur nga nazizëm-komunizmit arrijti në maje të diplomacisë botërore. Kreu i pakicës në Senatin amerikan, Senatori republikan, Mitch McConnell, gjithashtu iu referua fëmijërisë së Zonjës Albright si refugjate që u arratis nga tiranitë shtypëse të shekullit të kaluar në Evropë, pasi për fat, ajo “shpëtoi me familjen e saj nga komunizmi sovjetik si vajzë e re, duke arritur nivelet më të larta të shërbimit publik amerikan, “për të drejtuar -- një gjysëm shekulli më vonë – politikën udhëheqëse globale të Amerikës”, është shprehur Kryerepublikani i Senatit amerikan. “Nuk ishte e nevojshme që të ndaje me ‘të, të gjitha pikëpamjet politike për të vlerësuar lidershipin e saj të dedikuar ndaj kombit tonë”, ka shkruar, Senatori McConnell. Sekretarja Albright, sipas Senatorit McConnell, e kuptonte mirë faktin se Shtetet e Bashkuara janë një fuqi botërore me interesa por edhe me përgjegjësi globale”, tha ai. Aspektin e saj të jetës si refugjate e arratisur nga tiranitë nazi-komuniste të shekullit të kaluar në Evropë – dhe arritjet saja në krye të diplomacisë amerikane në fund të shekullit të kaluar, e kanë përmendur shumë personalitete amerikane dhe botërore, me rastin e kalimit të saj në amshim, si një aspekt pozitiv që ka ndihmuar atë punën e saj në mbështetjte të lirisë dhe demokracisë anë e mbanë botës.

Historia e saj familjare si refugjate nga tiranitë nazi-komuniste të shekullit të kaluar në Evropë, është shumë e ngjashme me shumë prej nesh që kemi ardhur  në këtë vend të bekuar për strehim të sigurt nga persekutimet, në kërkim të lirisë dhe demokracisë për veten dhe familjet tona. Ashtu ka ndodhur edhe me familjen e Zonjës Albright.  Babai i saj, një anti-komunist i bindur që nuk mund të pajtohej me komunizmin, kishte vendosur të largohej, në 1948, nga Çekosllovakia për në Shtetet e Bashkuara, ku ai dhe familja e tij, përfshi vajza e vogël Madeleine, kërkuan dhe siguruan strehim politik nga frika se në vendin e tij, babai i saj do të persekutohej nga regjimi komunist për “bindjet e tija të thella në idealet e demokracisë.”

Vet Zonja Albright ka shkruar disa  vite më parë (2016) se, “Shtetësia amerikane ka qenë gjëja më e rëndësishme në jetën time”, duke shtuar se, ashtu si të “gjithë refugjatët e tjerë në këtë vend, edhe unë shpresoja për një jetë në siguri, me dinjitet, e që të kisha mundësi të kontriboja diçka për atdheun tim të ri.”

Fatkeqsisht, Evropa po përballet përsëri me forca gjenocidale, si ato kohës rinore të Madelein Albright në Çeki, të kryesuara nga Rusia putiniste, që duan, pikërisht, të çbejnë arritjet politike dhe diplomatike të ndryshimeve të mëdha post-komuniste në Evropë, lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e vendeve. Evropa, përsëri sot po përballet me miliona refugjatë ukrainas, refugjatë siç ishte edhe vet Madeleine Albright para 8 dekadash e sa. Është vështirë të parashikohet se si do përfundojë agresioni barbar i Rusisë kundër Ukrainës dhe sa krime kundër njerëzimit, dhimbje, vrasje e sa miliona refugjatë – siç Madeleine Albright më 1948 -- do të shkaktojë më në fund ky agresion i paprovokuar kundër një shteti të lirë e demokratik.

Por ajo që mund të bejmë ne sot në këtë ditë të kalimit në amshim të ish-Sekretares së Shtetit Madeleine Albright – sidomos shqiptarët, qofshim ata ish-refugjatë të vendosur në Amerikë e gjetkë për arsye të persekutimeve nazi-komuniste të shekullit të kaluar, qofshin sidomos shqiptarë refugjatë të luftës së fundit gjenocidale kundër shqiptarëve të Kosovës. Të gjithë ne – mund dhe duhet të falënderojmë Zotin që një ish-refugjate nga komunizmi, me origjinë çeke, gjëndej në krye të diplomacisë amerikane në njërën prej periudhave më të vështira të historisë së shqiptarëve: lufta në Kosovë.  Nuk ka asnjë dyshim në mendimin tim se përvoja personale dhe familjare e Zonjës Madeleine Albright, si refugjate e arratisur nga komunizmi sovjetik çek në vitin 1948, të ketë luajtur një rol të jetik në politikën amerikane të 23-viteve më parë, në përpjekjet politike, ekonomike dhe ushtarake për të ndaluar krimet kundër njerzimit në Kosovë nga forcat terroriste të Millosheviqit.  Në një intervistë të ënjtën me CNN, Hillary Clinton vuri në dukje lidershipin e Zonjës Albright, veçanërisht gjatë konfliktit në Kosovë.  Ajo tha se, “Ç’prej fillimit, besoj se Madeleine, më shumë se kushdo tjetër, ishte e bindur se gjëndja e krijuar në Kosovë nga Millosheviqi, përbënte kërcënim ndaj stabilitetit dhe unitetit evropian, si dhe një kërcënim ndaj aleancës transatlantike...por edhe ndaj interesave amerikane”, ka thenë Hillary Clinton për gazetaren Christiana Amanpour në CNN.

Ky fakt është pasqyruar në shumë reagime të ditëve të fundit dhe nga shumë personalitete amerikane dhe botërore– me rastin e kalimit në amshim të Madeleine Albright.  Një ndër udhëheqsit botëror ishte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa osmani e cila u shpreh me këtë rast se “Madeleine Albright na dha shpesë kur shpresë nuk kishim. Ajo u bë zëri dhe arma jonë kur ne nuk kishim as zë, as armë.  Ajo përjetoi dhimbjen e popullit tonë sepse ajo vetë ishte e persekutuar në fëmijëri. Kjo është arsyeja që ajo ishte aq e vendosur që të ndalonte gjenocidin serb të Millosheviqit kundër shqiptarëve të Kosovës.  Albright mbështeti Kosovën deri në fund dhe kjo është arsyeja që populli i Kosovës do ta kujtojë atë për sa të jetë jeta”, ka thënë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën e saj me rastin e kalimit në amshim të ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeliane Albright.

Fati i shqiptarëve!  “Vështirë të ndodhë që një lider ose lidere të jenë aq të përshtatëshëm dhe të përsosur për periudhën që kanë shëbyer”, siç ishte Madeleine Albright për periudhën që ajo ka shërbyer në krye të diplomacisë amerikane, përfshirë kohën e luftës në Kosovë.  Kështu janë shprehur Bill Clinton dhe Hillary Clinton me rastin e kalimit në amshim të ish-refugjatës nga komunizmi sovjetik-çekosllovak dhe nazizmi, e cila pas strehimit të saj prej refugjati politik në Shtetet e Bashkuara, arrijti kulmin e diplomacisë amerikane.

Mirënjohje të përjetëshme Madeleine Albright nga ky ish-refugjat politik shqiptaro-amerikan dhe shumë e shumë të tjerë, si unë në këtë vend të lirë e demokratik – në Amerikën tonë të dashur -- që ashtu siç ishte për ju i “pazëvendësueshëm” për lirinë dhe demokracinë në botë, ashtu vazhdon të jetë edhe për miliona njerëz anë e mbanë botës.