Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Historia 78 vjeçare e një populli të opiumizuar nga politikanët e tij

| E marte, 22.03.2022, 09:00 PM |


Blerim Latifi:

Sot qenkan bërë 30 vjet nga mbajtja e zgjedhjeve të para realisht demokratike në Shqipëri.

Nëse vazhdon zhagitja e deritanishme, është krejt e mundur që faza e tranzicionit në Shqipëri të zgjasë më shumë se vetë periudha komuniste. Mbase edhe më keq, kjo gjendje tranzicioni ka rrezik real të shndërrohet në gjendje të përhershme të Shqipërisë.

Kush i ka fajet për këtë ngecje katastrofale historike?

Sigurisht klasa politike e këtyre tridhjetë vjetëve, e cila duke e absolutizuar luftën për pushtet, i ka vënë në rend të dytë e të tretë, e nganjëherë edhe i ka hequr krejt nga rendi i ditës, interesat e shtetit e të kombit.

Për qëllimet e pushtetit të tij, Enver Hoxha sajoi komunizmin e egër.

Po për qëllimet e pushtetit të tyre, politikanët e tranzicionit postkomunist sajuan kapitalizmin e egër.

Enver Hoxha i dehu shqiptarët me opiumin ideologjik të komunizmit. Këta pas tij me opiumin bimor.

Duke e konsumuar deri në ekstrem opiumin ideologjik, nën sundimin e Enver Hoxhës, shqiptarët ëndërronin të mbrrinin të parët në parajsën komuniste.

Duke e masivizuar deri në ekstrem ekonominë e kanabisit, shqiptarët e tranzicionit ëndërronin të mbrrinin brenda natës në parajsën kapitaliste.

Duke u ngutur të arrinin në parajsën komuniste shqiptarët përfunduan në ferrin komunist.

Duke u ngutur të arrinin brenda natës në parajsën kapitaliste, shqiptarët përfunduan të ngujuar në një tranzionin të pafundëm, me institucione të dobëta politike dhe ekonomi që nuk jep fryte.

Kjo është historia 78 vjeçare e një populli të opiumizuar nga politikanët e tij.

Tranzicioni i vërtetë shqiptar ende nuk ka filluar.

Ai fillon me dhënien fund të kësaj epoke 78 vjeçare.

_________

Që nga fillimi i shekullit të XIX sulltanët osmanë kishin filluar të kuptonin se perandoria e tyre për të mbijetuar duhej me patjetër të reformohej në të gjitha drejtimet. Në fushën e reformave sociale qeveria osmane mori për model kodin civil të Francës. Kështu u hartua një kod civil osman, i cili, mes tjerash, përfshinte edhe dekriminalizimin e homoseksualitetit. Kjo çoi në përhapjen e praktikave të homoseksualitetit në shtresat e pasura të shoqërisë osmane. Ato që ne sot i njohim si "këngë të dylberëve" e kanë zanafillën pikërisht në atë kohë. Ja njëra prej këtyre këngëve, e cila ende sot këndohet dendur nëpër dasma e ahengje anë e kënd Kosovës:

Kalldrëmit po m'shkon si shah,

Ma ke qitë qyrkun mbi krah.

Aman çun pashë perendinë,

Falmja bacës nji sabah!

_________

Këto adresimet që Zelenski po ua bën parlamenteve perëndimore më kujtojnë letrat që Skënderbeu u dërgonte shteteve europiane për t'u kërkuar ndihmë në rezistencën e tij kundër invadimit osman. Njësoj si Zelenskin sot, edhe Skënderbeun e duartrokisin gjithandej Europës, e quanin hero të lavdishëm, mbrojtës të Krishterimit, i madh e i vogël e mbante në gojë, herë pas here i dërgonin edhe ndihma ushtarake, por në fund të ditës atij i duhej të mbështetej vetëm në forcat e veta për t'i ndalur osmanët. Kështu plot 25 vjet.

Urojmë që Zelenski dhe populli i tij të mos e kenë fatin tragjik të Skënderbeut dhe shqiptarëve!

_________

Qeveria e Kosovës i paska dërgu letër asaj të Serbisë: Duhet të bëni kërkesë tek ne për lejimin e zgjedhjeve tuaja në Kosovë!

Qeveria e Serbisë: Nuk u bëjmë kërkesë, sepse kështu do ta njihnim shtetin e Kosovës. Duam t'i mbajmë zgjedhjet në Kosovë pa lejën tuaj!

Qeveria e Kosovës: Pa lejën tonë nuk do t'i mbani!

Qeveria e Serbisë: Ne do t'i mbajmë në Serbi zgjedhjet për qytetarët serbë të Kosovës, e ju nuk u njohim!

Fundi i komunikimit: Bukur shumë! Udha e mbarë u koftë!