E enjte, 28.03.2024, 05:19 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Bedri Islami: “Përjetësia e dyfishtë“, Fehmiu dhe Xheva - një jetë e jashtëzakonshme (XIII)

E hene, 15.12.2008, 02:02 PM


Të gjithë e mbajnë mend se ku ishin ose se çfarë po bënin kur mësuan për vrasjen e Fehmiut dhe të Xhevës. Tek të gjithë  është ngulitur ai moment dhe, në një luftë si ajo që ishte në Kosovë, nuk është e zakonshme.

Do të doja të sillja disa nga këto përjetime:

Hashim Thaçi:

"Ato ditë kam qenë vazhdimisht në mesin e ushtarëve të brigadës 113 të Drenicës. Me ditë të tëra kemi qëndruar në  territorin që sulmohej nga makineria e rëndë serbe. Në këto rrethana e kemi marrë lajmin për rënien e tij vërtet heroike.  Lajmin për rënien e Fehmiut e kemi marrë të gjithë me dhimbje të madhe dhe pikëllim, por edhe me krenari të rrallë. Rënia e  Fehmi Lladrovcit kishte domethënie të madhe për luftën, për ne, bashkëluftëtarët e tij. Ai ra në ballë të frontit, duke  qëndruar si burrat dhe luftëtarët e devotshëm për lirinë e Kosovës. Emri i Fehmi Lladrovcit hyn në radhën e emrave më të  shquar të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të historisë sonë të re. Fehmi Lladrovci hyn në radhën e  komandantëve që i bën nder luftës sonë të drejtë, duke e përjetësuar emrin e tij në mesin e njerëzve më të shquar të  kombit...”

Sulejman Selimi:

Lajmin për vrasjen e komandant Fehmi Lladrovcit e kemi marrë vesh të nesërmen, më 23 shtator, përmes "Gurit”, që arriti të  lidhej me "Shkabën" tjetër, që e mbante Sabit Lladrovci, i cili njoftonte se "Shkaba" (Fehmi Lladrovci) ka rënë heroikisht  bashkë me të afërmen e vet të pandashme”. Rënien e Fehmi Lladrovcit e përjetuam tepër rëndë. Në jetën time si ushtar i UÇK -së nuk jam ndjerë asnjëherë më keq se atë ditë kur nuk kishim mundësi t'i shkojmë në ndihmë Brigadës 114, gjegjësisht  komandant Fehmi Lladrovcit. Të kesh fatin të kesh një komandant si e pati Brigada 114, do të thotë fat për luftën  çlirimtare, sepse ai nga brumi i ushtarëve arriti të krijojë një frymë të pathyeshme...

Idriz Hysenaj:

Kur kam dëgjuar për rënien e tij ka qenë momenti më i rëndë. Isha në malet e Berishës dhe nga biseda e shokëve, duke folur  me shifra, po e kuptoja se kush është vra. Atëherë edhe mund të fshihej se nuk është vra, por vetë rënia e pozicioneve në  duar të armikut jepte të kuptonte se është vrarë. Sepse i gjallë Fehmiu nuk i jepte pozicionet. 30 vjet ka pritë Kosova me  i ardhë një djalë si Fehmi Lladrovci. Ka ra biseda në Shtabin e Përgjithshëm se kush mund ta zëvendësojë. U kam thënë se  nuk mund ta zëvendësojë askush. Unë e njoh mirë, tash 15 vite, ai ka pasë autoritetin që e ka krijue me dekada të tëra, i  ka njerëzit që e duan dhe e respektojnë, të këqinjtë i frikësohen dhe pa e pasë një figurë të tillë, askush nuk mund ta  bëjë. Pas vrasjes së tij e zëvendësoi Ilaz Kodra, por figura e Fehmiut mbeti gjithnjë...”

Rrahim Bytyqi:

"Isha në veriun e Gjermanisë kur mësova për rënien e tij. Është nga përjetimet më të rënda humbja e tij. Kur e kemi marrë  lajmin, na është sjellë toka, humbja ka qenë e jashtëzakonshme...”

Xhelal Canziba:

"Isha në burg kur Fehmiu u kthye në luftë në Kosovë. Familja më sillte përshëndetjet e tij. Ishim më shumë se 240 të  burgosur dhe kthimi i tij na ka rritë moralin shumë. Prej Dubrave na dërguan në Nish. Kur është vrarë Fehmiu dhe Xheva, më  kanë thirrë prapë në hetuesi dhe më kanë thënë se Fehmiun e vramë, Xhevën e vramë, Hazirin e morëm, çka po don tash? Donin  të na thyenin edhe me vrasjen e tij. Thonin se "e vramë ujkun e luftës, na ka luftue në Kroaci, na ka luftue gjithkund”.  Mirëpo ndodhi ndryshe: u rrit urrejta dhe u forcuan edhe të dobtit për t'i marrë hakun një ditë...”.

Nuhi Ahmeti:

"Fatkeqësisht lajmi i hidhur vjen shumë shpejt. Atë ditë, 22 shtator, lajmin e kam marrë vesh nga ora 16 e 30 minuta. Kam  dëgjuar njëherë se është vrarë Feha dhe se Xheva është e plagosur rëndë, por dyshohet se edhe Xheva ka rënë. Në Grand Hotel  po atë ditë është mbajtur konferencë shtypi, ku pranojnë se kanë vrarë njërin nga udhëheqësit e luftës. E pranojnë edhe se  doktor Hafir Shalën e kanë arrestuar. Për rënien e Fehmiut kanë shkruar shumë gjatë edhe gazetat serbe, si "Politika” apo  "Veçernije”... Lajmet zyrtare serbe në internet kanë shkruar për betejën e Llapushnikut se "terroristët shqiptarë janë të  udhëhequr nga Fehmi Lladrovci, i cili është terrorist i njohur, që udhëheq terroristët shqiptarë në Llapushnik”. Të gjitha  gazetat serbe kanë shkruar gjerësisht dhe me shumë të dhëna për vrasjen e Fehmiut dhe jetën e tij, ku ka luftuar, ku ka  qenë në Gospiq, cili ka prirë, etj...”

Mensur Kasumi:

"Lajmi ishte shumë i rëndë. Fehmiu kishte lindë për me vdekë për Kosovën. Zoti e kishte krijue për me vdekë për Kosovën.  Ndodhi diçka që nuk ndodh në ushtritë e tjera. Rënia e komandantit Fehmi Lladrovci rriti energjitë e të tjerëve. Ishte  shembull i madh,vështirë se lindin burra si Fehmi Lladrovci...”.

Rexhep Selimi:

"Lajmin për vrasjen e Fehmiut dhe të Xhevës e kam marrë vesh atë ditë që janë vra. Ka qenë 22 shtatori, e martë, ditë e  dielltë. Kam qenë në Abri të Epërme, kemi qenë të rrethuar, sulmet serbe kanë qenë nga të gjitha anët. Luftimet më të  ashpra kanë qenë në brigadën 114. E kemi përcjellë luftën, kishim një pikë strategjike, “Guri 3”, nga ku kemi pyetur. Në  një moment kam marrë një shenjë se kemi humbje. Kam pyetur me forcë se çfarë të rejash kemi. Më është thënë se kemi humbje  të mëdha. Pyeta për numrin, por më thanë se nuk është punë numrash. Më thanë se “Shkaba”, si e kemi quajtur bacën Fehë dhe  bashkëluftëtari i tij më i ngushtë, që nënkuptonte Xhevën, kanë rënë heroikisht. Kam pasur afër vetes vëllain e Xhevës,  Kushtrimin, kemi mbetë të gjithë pa folë. E pabesueshme ka qenë, lufta i merr më të mirët, e dinim, por ishte e rëndë.  Pastaj është interesuar Mujë Krasniqi se si po shkojnë luftimet. I them se duhet të takohemi dhe ta them nga afër se si  është gjendja. Kam shkuar ashtu luginës, përmes luftës, jam takuar me të dhe i kam thënë se Feha është vrarë bashkë me  Xhevën. Muja nuk e ka pranue vdekjen e tyre. Nuk ka folë, ka pasë veç dhimbje, veç ka thirrë një herë, ka lëshuar një  britmë, ka mobilizuar njësitë e veta dhe prej defensivës ka kaluar në ofensivë. Ka kaluar në sulm. Qëllimi i tij ishte të  hakmerret për bacën Fehë.

(Mujë Krasniqi ishte njëri nga djemtë gjithë virtyte dhe vlera të Kosovës. Dikur nxënës i Xhevës, më pas bashkëluftëtar, ai  spikaste në afërsinë me Fehmiun, në mirëdashjen dhe respektin e tij. Qe njëri nga të shumtët, por nga më të veçantët. Më  vonë, duke folur për këtë ngjarje, Mehmet Lladrovci, Meti, më tregoi se "asaj dite Muja ishte i plagosur. I ka mobilizuar  ushtarët dhe i ka sulmuar dy herë forcat serbe. Më është dukur se me çdo kusht po dëshiron edhe ai me u vra, duke u munduar  t’ia nxjerrë hakun, sa më shumë, bacës Fehë dhe Xhevës – shënim i autorit.)

Për ditë e kemi ndjerë mungesën e bacës Fehë. Kemi pasë luftime më të mëdha, rënie të tjera, secili nga shokët që binin  kishin peshën e dhimbjen e vet, por njerëz si Feha dhe Xheva kishin peshën më të rëndë...”.

Sabri Kiçmari :

"Do të udhëtoja nga Gjeneva (Zvicër) për në Vjenë (Austri), shkoja për të marrë pjesë në një tubim të bashkatdhetarëve në  Austri. Deri sa prisja në rend për të nxjerrë biletën, në stacionin e trenit të Gjenevës,më thirri në telefon Agush Buja :  " Bëju i fortë se Fehmiu është vrarë!" - ma dha mndatën. Shtanga në vend. Mbeta me telefon në dorë dhe si pa frymë. Nuk jam  i sigurtë sa gjatë qëndrova ashtu i shtangur.E di vetëm se rradha a qytetarëve, që priste pas meje, në stacionin e trenit  të Gjenevës, atë ditë shtatori të vitit 1998, më shikonte dhe priste, me qetësinë që i karakterizon zvicerianët, deri sa të  zgjohesha nga mankthi i mandatës : " Bëju i fortë se Fehmiu është vrarë"! Dhe unë nuk dëshiroja të zgjohesha nga ankthi i  mandatës. Kishte rënë për liri".

Për disa ditë me radhë qielli i Kosovës ishte i rënduar nga tymrat e flakëve, ndërsa toka e Kosovës ishte e përgjakur. Mes  tymrave të luftës dhe përgjakjes kishte ndodhur një ndër epopetë e ndritura të qëndresës.

Asgjë nuk ishte e humbur. Ata i shërbyen Kosovës, edhe me jetën, edhe me rënien e tyre. Ishte një shërbesë e pafund,  rrjedhë logjike e gjithçkaje që kishte ndodhur deri atëherë. Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe: ata nuk ishin dy  njerëz që ende nuk e kishin bërë emrin e tyre. Ishin dy nga korifejtë e lirisë së një kombi, dhe duke qenë të tillë, ata  morën ato përmasa që kombi ua jep bijve të vet të zgjedhur.

Ishte një rënie e harruar? Askush, për asnjë çast, nuk e ka menduar. Në të kundërtën, ishte një nga ato rënie që ka në vete  farën e ngritjes së ardhshme. Është e vërtetë se pas kësaj ofensive të jashtëzakonshme dhe tragjikisht të përgjakshme, pas  rënies së Fehmi dhe Xheva Lladrovcit, filluan rishtas fjalët se u thyen djemtë e luftës, dikujt edhe i vinte keq, dikush  tjetër priste rastin të "bëhej më i fortë nga ofensiva serbe”.

Drenica, djemtë e luftës në Drenicë, nuk e ndjenë kështu. Ata vendosën të marrin hakun e tij dhe të dëshmorëve të tjerë, të  të martirizuarëve. Në shenjë hakmarrjeje u bënë katër aksione. Të gjithë drejtuesit morën pjesë, u sulmuan pozicionet serbe  në katër drejtime dhe filloi kështu preludi i mësymjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte një prelud i lavdishëm, që  solli një përfundim historik.

Në brigadën 114 nisi për herë të parë dhënia e betimit. Ishte hera e parë që Brigada, e cila mori emrin e prijësit të saj  të parë “Fehmi Lladrovci”, tashmë e drejtuar nga një figurë e denjë historike, Ilaz Kodra, rreshtohej. U gjend dita e  duhur: 28 Nëntori, dita e Flamurit dhe e Pavarësisë. U vendos që në këtë ditë, denjësisht, të bëhej betimi i ushtarit dhe  ceremonia. Ideja e shtabit të Zonës Operative të Drenicës ishte që të fillojë ceremonia e betimit pikërisht në këtë  brigadë, në nderimin e Njeriut që ishte betuar një herë për lirinë e Kosovës dhe kurrë nuk ishte thyer dhe as nuk kishte  hequr dorë. U vendos të bëhej e gjithë kjo ceremoni pikërisht aty ku ishin prehur Fehmiu, Xheva dhe shokët e tjerë të rënë  në luftë. Si një nderim për gjakun që ishte derdhur, për jetët që ishin ndërprerë, si vazhdë e mëtejshme e amanetit. Dhe  amanetin nuk e tret toka.

Ishin të gjitha këto që bënë ringritjen e moralit. Ishte ajo që kishte dashur më shumë baca Fehë, morali i njerëzve. Shumë  shpejt, pas ofensivës së shtatorit, në Zonën Operative të Drenicës pati më shumë se 5 mijë luftëtarë, por mund të kishte  edhe më shumë se aq, edhe dyfishi i tyre, nëse do të kishte armë. Një mungesë e përhershme në Drenicë. Ndërkohë, përtej  Drenicës, njerëzit filluan të jetojnë si duke qenë në Drenicë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora