E shtune, 20.04.2024, 02:18 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Hamdi Hysuka: Është bukur kur jemi bashkë

E hene, 21.03.2022, 09:06 PM


Është bukur kur jemi bashkë

Përvjetori i dhjetë i Ditës së Miqësisë së Gazetarëve Shqiptarë

Nga Hamdi Hysuka

Ishte shkurti i vitit 2012 kur Unioni i Gazetarëve të Elbasanit, drejtuar nga z. Besim Dybeli, mendoi për veprimtari të përbashkët me Unionin e Gazetarëve Shqiptarë, i cili festonte 5-vjetorin e krijimit. Kryetari i Unionit, z. Aleksandër Çipa dha miratim. U tha, u bë dhe takimi u pagëzua “Dita e miqësisë”. Qëllimi ishte njohja dhe miqësia mes gazetarësh, shkëmbimi i përvojës me kolegë brenda e jashtë kufinjve shtetrorë. Veprimtaria e parë në Elbasan u zhvillua, me pjesëmarrjen e rreth njëqind e pesëdhjetë gazetarëve. Shoqata “Ress Egnatia”, me president z. Xhimi Vila, afroi mbështetje financiare.

Bashkëpunimi mes komunitetit të gazetarëve shqiptarë vazhdoi vit pas viti në qytete të ndryshme në Shqipëri, në Republikën e Malit të Zi, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në Shkup, në Preshevë e Bujanoc. Përvjetori i dhjetë u organizua më 25 shkurt 2022 në Prishtinë e Mitrovicë, me rastin 14-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës. Pjesë e këtij përvjetori u bënë gazetarët Ahmet Zani, Aulona Menalla, Bardhi Quku, Bardhok Prendi, Bashkim Shala, Benjamin Brazzel, Besjana Gjermiza, Brixhilda Deda, Elena Marku, Elida Lazi, Elvira Alcani, Emi Kalaja, Engjëllush Serjani, Erget Cenolli, Ergys Kavaja, Fatmir Popja, Gaspër Marku, Genci Demiraj, Gëzim Hashimi, Gëzim Kabashi, Gjon Gjeka, Gjrgji Figuri, Hamdi Hysuka, Irda Bajraktari, Klevi Sinanaj, Manjola Lumani, Marjana Çiku, Martin Marku, Mimoza Sinanaj, Petrit Ibro, Pjetër Gjini, Ramazan Çeka, Rruzhdi Xhediku, Sajmir Mërtiri, Sejmen Gjokoli, Shkurte Elezaj, Sokol Lulgjuraj, Sulejman Gozhina, Taulant Pilavi, Vjollca Kongjoni, Vladimir Muçaj, Xhemil Beharaj...

Veprimtaritë nisën në Prishtinë me promovimin e librit “Hotel Bejruti”, i gazetarit të mirënjohur Nehat Islami, botim i UGSH-së. Sipas kryetarit Çipa, ky libër kthen në vemendjen e publicistikës shqiptare modelin e shkëlqyer të reporterit të luftës, plotëson bibliografinë shqiptare të gazetarisë me disa nga parimet më të rëndësishme të raportimit që tejkalon parametrin lokal dhe rajonal.

Metoda e formave të raportimit të gazetarisë profesionale, dokumentari e telereportazhi, përmes radios, televizionit, në mënyrë të veçantë fjalës së shkruar, është vlerë e shtuar. Nehat Islami, i vetmi gazetar lufte, ndau përvojë të gjatë kohore të raportimeve nga Lindja e Mesme dhe Lindja e Afërt, të cilën në atë peridhë nuk e kishin shumë prej gazetarëve mesdhetarë.

Mes emocioneve të mëdha autori u shpreh se, si korrespondent i gazetës “Rilindja” dhe reporter special, është përpjekur të shkruajë ato që ka parë, pa gabime, jo të lehta e pa rreziqe.

Më pas, presidentja e Kosovës, znj. Vjosa Osmani, priti kryetarin Aleksandër Çipa dhe gazetarët Vedat Memedaliu nga Shkupi, Nexhat Behluli nga Presheva, Nehat Islami i Koovës dhe presidentin e Shoqatës “Ress Egnatia”, Xhimi Vila. Gjatë takimit u bisedua për situatën e medias, gjendjen e gazetarëve shqiptarë në rajon dhe nevojën për shkëmbime përvojash të ndërsjellta.

Në të njejtën ditë u organizua tryeza me temë “Skenat mediatike në kërkim të një tregu mediatik”, ku gazetarët me përvojë Engjëll Seriani, Henrik Mehmeti, Besim Dybeli, Nehat Islami, Ilir Krasniqi, Nexhat Behluli, Vedat Memedaliu, Gjergj Figuri, Vladimir Muçaj etj, sollën përvojën e mediave ku ushtrojnë veprimtaritë dhe sugjeruan mënyra aktivizimi të strukturave përfaqësuese të gazetarëve e grupeve të interesit në fushën mediatike të rajonit.

Sipas programit, veprimtaria rajonale “Ditët e Miqësisë” e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, vazhdoi me dhënien e çertifikatave mirënjohëse kolegëve të shquar të komunitetit të gazetarëve, sakrifikantë të përditshmërisë mediatike: Bahri Cani, reporter dhe moderator i njohur i radiotelevizionit, gazetar i "Deutsche Welle" në shqip; Gëzim Kabashi, i cili vlerat njerëzore nuk i shkëput nga cilësia e përhershme e solidaritetit dhe kontributit miqësor me kolegë në çdo hapësirë; Ardita Sakiqi, e mediave shqip në Luginën e Preshevës, mbrojtëse e identitetit kombëtar e profesional, vlerë dhe referencë për solidaritet e qëndresë.

Behare Bajraktari, reportere profili në mbrojtje të mjedisit; Sejmen Gjokoli, veprimtar i shquar i kulturës kombëtare, modeli i reportazhistit kulturor, mik i gazetarëve ndërkombëtarë në mediat kulturologjike.

*   *   *

Me interes pritej udhëtimi drejt qytetit verior të Mitrovicës së personaliteteve të njohura Isa Boletini, Bejtë Selaci, Rexhep Mitrovica, Nexhip Draga, Kadri Bistrica etj, ngaqë shumica jonë e vizitonim për herë të parë. Mikpritës qe RTV “Mitrovica”, ku bashkë me gazetarë të njohur të mediave ndërkombëtare në shqip, u pritëm nga drejtori i medias, publicisti Nexhmedin Spahiu. Informimi për gjendjen në Mitrovicë para, gjatë dhe pas luftës, historiku i medias lokale dhe ndarja e Mitrovicës në Veri e Jug, ngjalli interes të vaçantë. Mitrovica, ish-qyteti më i pasur i Kosovës, është sot më e varfëra e Europës. I tillë u shndërrua pas luftës. Ndër arsyet ishte dhe mbyllja e industrisë së Trepçës, për shkak të rrethanave politike, dhe pse ka përpjekje për shtensionime të situatës, te banorët kuptuam se ka mosbesim. Tensionet midis shqiptarëve e serbëve vazhdojnë. Në anën jugore jetojnë shqiptarë dhe në pjesën veriore serbë, në frikë të njeri-tjetrit. Tani për tani armiku më i madh i tyre është ndarja etnike, papunësia, varfëria, mungesa e perspektivës ekonomike etj. Të rinjtë ndeshen me papunësi dhe,  përveç kurbetit, nuk kanë rrugë tjetër.

Sa kaluam urën mbi Ibër, përpara na u shpalosën flamuj të kuq, blu e të bardhë. Flamuri i Republikës së Kosovës mungonte. Ndërsa në skajin jugor të urës flamuri i madh, i kuq, me stemën kombëtare të Shqipërisë, valvitej krenar.

Para luftës së Kosovës, të vitit 1999, Mitrovica kishte popullsi me 81% shqiptarë e 10% serbë. Siç na treguan bashkëbiseduasit, në vitin 2011 policia e Kosovës mori kontrollin e dy pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, duke shkaktuar zemërim në komunitetin lokal serb. Por fillimin e punimeve për rindërtimin e urës, gusht 2016, serbët e shqiptarët vendas e panë me optimizëm, shenjë që marrëdhëniet midis banorëve të qytetit mund të rregulloheshin. Nga banorët me të cilët patëm rastin të bisedojmë, pranohej fakti që për të bashkuar njerëzit, nga të dyja anët e lumit, duhet vullnet politik.

Në Mitrovicë, fare pranë urës së Ibrit, ka Shtëpi Kulture, me emrin “Rexhep Mitrovica”, ku organizohen aktivitete të shumta kulturore. Vizituam dhe shtëpinë muze të Xhafer Devës, ndër objektet e pakta monumentale të qytetit, e ndërtuar në vitin 1930, objekt i mbrojtur me ligj. Shoqëruesi na tregoi se në rrethana të pa qarta shtëpia është djegur dhe dëmi ka qënë i madh. Pas luftës së dytë botërore tërë pasuria e Xhafer Devës ishte konfiskuar nga pushteti i kohës dhe kishte kaluar në pronësi shoqërore. Por pas konfiskimit, siç na thanë, shtëpia shërbeu për ambulancë e më vonë strehimore për familjet e pastrehë. Xhaferr Deva hero është dallimi më i madh midis Kosovës dhe Shqipërisë është, se ata që këtu përjetohen çlirimtarë, në Shqipëri njihen si bashkëpunëtorë të okupatorit.

Nën shoqërimin e kolegëve vendas u ndalëm në disa prej pikave më të njohura historike të Mitrovicës, ku kaluam çastë të paharruara.

*   *   *

Pjesë e veprimtarisë rajonale “Ditët e Miqësisë” e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë u bë dhe vizita në Kullën e Jasharëve në Prekaz, komuna Skënderaj, ku është ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, pavarësi e demokraci. Këtu, njëzet e katër vite më parë, më 5 mars 1998, ndodhi ngjarja e madhe, që njihet me emrin "Lufta e Prekazit". Pesëdhjetë e gjashtë pjesëtarë të një familjeje, luftëtarë të të gjitha moshave, dhanë jetën për çlirimin dhe kijimin e një shteti të ri, për Republikën e Kosovës. Me të drejtë ajo luftë mori përmasat e një legjende.

Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 okupatori serb u mori jetën pesëdhjetë e pesë njerëzve, njëzet e dy prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Shabani, Ademi, Zahidja, Zarifja, Hidajetja, Valdetja, Igballja, Igballi, Hamzai, Feridja, Selvetja, Afetja, Besimi, Liria, Blerimi, Fatimja, Blerina, Adilja, Fitimi, Kushtrimi... ranë, por s'u shuan. Gjaku i tyre nuk humbet kurrë, emri i tyre nuk harrohet... Sulmit i mbijetoi Bashkimi, djali i Rifatit dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila përjetoi tmerrin e vrasjes së anëtarëve të familjes së saj.

Dhjetë vjet pas asaj beteje, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, Kosova shpalli pavarësinë. Xhevat Imeri, ciceron i Kompleksit Memorial “Adem Jashari”, tregoi se gjatë viteve të pasluftës në Prekaz, te shtëpia e tribunit të lirisë, komandantit legjendar të luftës së shqiptarëve të Kosovës për liri e dinjitet kobëtar, ka patur mijëra e mijëra vizitorë. Libri i përshtypjeve brenda memorialit është pa asnjë faqe bosh.

Në mbyllje të programit të ditëve të miqësisë së gazetarëve shqiptarë, sa kaluam në kthim doganën shqiptaro-shqiptare, si në kor ndjeva brohoritjen: “Jeni gjaku që ndjejmë në vena, jeni fryma që ne gëzojmë”! Dhe tërësisht më “paralizoi” thënia e kryetarit të UGSH-së, z. Çipa: “Sa i paplotë është atdheu duke njohur vetëm Shqipërinë”!

*Anëtar i Unionit të Gazetarëve

Mat, Qarku Dibër.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora