Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Dervishi: Shoferi Enver Hoxha dhe viti fashist i tij

| E enjte, 17.03.2022, 08:27 PM |


Shoferi Enver Hoxha dhe viti fashist i tij

Nga Kastriot Dervishi

Karabinierët e stacionit të Tiranës, Myrteza Bektashi dhe një italian, proceduan më 7.8.1941, ora 16.00 të quajturin Enver Hoxha, bir i Halilit dhe i Gjylos, vjeç 33, nga Gjirokastra, banues në rrugën “Ciano”, me zeje tregtar sendesh ushqimesh, pasi e zunë duke drejtuar automobilin pa leje qarkullimi.

Për automobilin kishte leje Pilo (emri i të cilit shkruhet herë Filip e herë Spiro) Peristeri. I pyetur nga karabinierët, E.Hoxha deklaroi se po provonte makinën dhe nuk e dinte që duhej leje e shkelte ligjin. Çështja i kaloi prokurorisë. Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, e drejtuar nga Menella Noçka, me vendimin nr.847, datë 25.8.1941, e deklaroi fajtor Enver Hoxhën dhe e dënoi me 100 franga shqiptare gjobë të lehtë. Vendimi iu komunikua të gjobiturit më 10.9.1941. Të nesërmen, E.Hoxha ankimoi gjobën, duke kërkuar pavlefshmërinë e saj. Ai iu drejtua Gjykatës Fillore Tiranës, duke i shkruar se personi përgjegjës për automobilin ishte Filip Periteri, ndërsa ai ishte përkthyesi i tij. U tregua i kujdesshëm i kujdesshëm në shkresë, aq sa vë edhe vitin e 19-të fashist në të. Gjykata rishikoi çështje, por ankuesi nuk u paraqit në gjyq. Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, e drejtuar nga Menella Noçka, me vendimin nr.1130, datë 27.10.1941, la në fuqi pagimin e gjobës. Frangat nuk u paguan sepse nisur nga dekreti nr.284, datë 7.11.1942 për faljet, Gjykata Fillore e Tiranës, me vendimin nr.1130, datë 25.2.1943, e deklaroi të falur të gjobiturin.