Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adil Fetahu: A do t'i publikojë Maqedonia e Veriut rezultatet e regjistrimit të popullsisë?

| E marte, 15.03.2022, 08:37 PM |


A DO T’I PUBLIKOJË MAQEDONIA E VERIUT REZULTATET E REGJISTRIMIT TË POPULLSISË?

Nga Adil FETAHU

Në “Bota sot”dhe në RKL, më 2 shtator 2021, u botua shkrimi im, me titull: “A do të bëhet regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e Veriut”? Këtë pyetje e shtrova dhe elaborova gjërësisht, dike ditur se në Maqedoni kishin kaluar 19 vjet pa u bërë ndonjë regjistrim i popullsisë. Natyrisht, i elaborova edhe shkaqet (politike) të shmangëjes së këtij procesi.

Dyshimi i shfaqur në shkrimin tim bazohej në faktin, se regjistrimi i popullsisë në atë Republikë ishte caktuar të mbahej prej 1 deri më 20 prill 2021. Mirëpo, me kërkesën dhe kërcënimin e opozitës maqedonase, se do ta bojkotojë  regjistrimin dhe nuk do t’i pranojë rezultatet, ai regjistrim u shty për t’u bërë në shtator të vitit 2021 (prej 5 deri më 30 shtator). Shtyrjën e regjistrimit e bënë kryeministri Zoran Zaev në marrëveshje me kryetarin e partisë opozitare maqedone VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, pa pjesëmarrjen, pa konsultimin dhe pa pëlqimin e asnjë lideri të partive politike shqiptare në atë Republikë.

Shtyrja e afatit të regjistrimit u “arsyetua” me shkakun e rrezikut të përhapjes së  pandemisë së koronavirusit, por arsyeja e vërtetë qëndronte në virusin politik të nacinal-shovinizmit maqedon. Sepse, pala maqedonase ia kishte frikën rezultatit real që do paraqitej nga regjistrimi, ku do kishte rënie të popullsisë maqedone dhe rritje të popullsisë shqiptare. Përkundër antagonizmave në rivalitetin politik midis Zaevit e Mickovskit, kur është në pyetje çështja e raporteve kundër shqiptarëve, ata gjejnë gjuhë të përbashkët.

Frika e palës maqedone se nga regjistrimi i popullsisë mund të dalin rezultate në favor të shqiptarëve e kishte bazën në përqindjet e caktuara për të drejtat e shqiptarëve! Sipas Marrëveshjes së Ohrit (2001), të drejtat dhe liritë e shqiptarëve varen nga përqindja e pjesëmarrjes së tyre në strukturën e popullsisë së përgjithshme në nivel të vendit dhe në nivel të komunave. Në bazë të asaj përqindje, do duhej të kenë të drejtën e përdrimit të gjuhës amtare, punësimit, lirinë e përdorimit të simboleve, në nivel lokal (të komunave) dhe në nivel qendror.

Nga regjistrimi i vitit 2002, përkundër të gjitha malverzimeve me teknikat dh emetodat e regjistrimit dhe të përpunimit të të dhënave, doli se nga 2,1 milion banorë të Maqedonisë, Shqiptarë ishin 25,7%.

Prandaj, rritjes së kësaj përqindjeje të shqiptarëve ia kanë frikën maqedonasit, dhe bëjnë të gjitha përpjekjet ta shtyjnë ose ta manipulojnë procesin e regjistrimit të popullsisë, në mënyrë që rritja e përqindjes së pjesëmarrjes së popullsisë shqiptare të mos ndodhë.

Kjo frikë iu shtua shovinistëve maqedonas iu shtua nga shifrat që vinin nga regjistrimi i diasporaës. Në të vërtetë, në fillim të marsit të vitit 2021 filloi regjistrimi i diaspores, sipas aplikacioneve të qytetarëve (shtetasve) të Maqedonisë në botën e jashtme. Brenda një kohe të shkurtër, nga diaspora ishin regjistruar 204.850  veta, pjesa dërmuese (afro 200.000)shqiptarë, dhe duket se kjo shifër ua shtini frikën zyrtartarëve dhe bëri të shtyhet regjistrimi. Me qenë se regjistrimi u shty, edhepse diaspora mund të aplikonte edhe më tutje për regjistrim, kjo shtyrje bëri që të bie dinamika dhe ineresimi i diasporës për regjistrim.

Megjithatë, regjistrimi i popullsisë në atë Republikë u krye prej 5 deri më 30 shtator 2021. Zyrtarët kompetentë, duke filluar nga kryeministri Zaev deri te drejtori i Entit të Statistikës, Apostol Simovski, kanë thënë se procesi i regjistrimit është kryer me sukses dhe se një numër i vogël, ndoshta jo më shumë se 10 mijë vetë ta kenë bojkotuar regjistrimin.

Ripas rezultateve preliminare të publikuara menjëherë pas regjistrimit, del se janë regjistruar 1.860.000 banorë; 570.000 familjedhe 840.000 banesa. Edhepse rezultatet e regjistrimit të vitit 2021 nuk janë përfundimtare, nga krahasimi me rezultatet zyrtare të vitit 2002, dalin këto shifra:

2002                                     2021

Banorë:      2.022.547                                 1.860.000

Familje:       564.296                                    570.000

Banesa:         698,143                                     840.000

Siç shihet nga krahasimi i të dhënave të regjistrimit të vitit 2002 me këto të vitit 2021, popullsia e përgjithshme e Maqedonisë ka pësuar  një rëni prej 162.547 banorëve. Me qenë se të dhënat nuk janë përpunuar e publikuar akoma, nuk dihen shifrat e sakta të rënies së popullsisë së njënit apo të komunitetit tjetër. Sidoqoftë, maqedonasit trumbetojnë se rënia është te maqedonasit, ndërsa te shqiptarët ka rritje? Dhe këtë e mbështesin në të dhëna të publikuara, se në periudhën 2008 – 2019, popusllsia maqedonase ka pasur  më shumë vdekje se lindje dhe ka pasur rënia për 35.000 banorë maqedonë, ndërsa popullsia shqiptare  në të njëjtën kohë ka pasur rritje për 53000 banorë. Po a është kjo e vërtetë, mbetet të shihet, aq më tepër duke ditur faktin se në tridhjetë vjetët e fundit, mbi 50% të shqiptarëve të Maqedonisë kanë emigruar në shtetet e Perëndimit (Revista: “Shenja”Nr.131, Mars 2022). Shumica prej tyre as nuk mund të regjistrohen, sepse nuk e kanë numrin amë të identifikimit si shtetas të Masqedonisë, madje një shumicë e madhe as që janë të interesuar të regjistrohen, gjë që shkon në favor të politikës zyrtare  të Maqsedonisë, që të ketë sa më pak shqiptarë.

Gazetari serbo-maqsedonas, Dragan Pavlloviqi-Llatash, në një inervistë për TV-1, e pati alarmuar Maqedonin për rrezikun që i kanoset poqese regjistrohet diaspora shqiptare. Sipas tij, regjistrimi i diasporaës e rritë përqindjen e popullsisë shqiptare dhe krijon premisë, kushte dhe obligime që në çdo veprimtari publike të përdoret gjuha shqipe, të rritet numri i punësimit të shqiptarëve, të cilët “do t’i paguajmë ne” dhe së fundi do të shpie në federalizimin e Maqedonisë, thoshte ky gazetar i brumosur me amalgamin e nacionalizmit dhe shovinizmit serbo-maqedon.

Sidoqoftë, procesi i regjistrimit është kryer. Janë regjistruar ata që janë regjistruar. Ka mbetur të përpunohen të dhënat e të komunikohen rezultatet përfundimtare zyrtare.  Sipas Ligjit mbi regjistrimin, rezultatet përfundimtare të regjistrimit duhet të publikohen më së voni brenda gjashtë muajve prej përfundimit të regjistrimit. Drejtori i Entit Shtetëtor të Regjistrimit, Simovski, pati deklaruar se përpunimi i të dhënave do të kryhet më heret dhe se rezultatet do të publikohen në janar të këtij viti (2022), por janari e shkurti dhe gjysma e marsit kaluan e rezultatet nuk u publikuan. Afati i fundit ligjor është me fundin e marsit. A do të publikohen rezultatet, apo akoma “do të zihen e përzihen” të dhënat e regjistrimit në kazanin e politikës maqedonase, për t’i kurdisur sipas nevojës dhe dëshirës së tyre, mbetet të shihet. Nuk përjashtohet mundësia që në këtë regjistrim edhe një numër i madh i qytetarëve të Maqsedonisë të jenë deklaruar si bullgarë, dhe numri i maqedonëve të mbetet si pakicë kombëtare?!