Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Rrethi i të çmendurve

| E hene, 14.03.2022, 08:55 PM |


Blerim Latifi:

Pothuajse të gjithë e prisnin se pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, edhe Ballkani do të trazohej. Në fakt po ndodhë e kundërta : në qetësi Ballkani po e shijon borën e fundit të dimrit.

Si shpjegohet kjo qetësi?

Mendoj se mes disa faktorëve është në pyetje edhe faktori i pritjes. Të gjithë po e shikojnë dhe po e presin epilogun e luftës në Ukrainë. Dhe natyrisht në pritje secili duke i bërë llogaritë e veta.

Nëse Rusia del e fituar nga kjo luftë, atëherë ne do të shohim se si çetnikët e të gjitha vendeve, në Serbi, Bosnje, Mal të Zi dhe Kosovë, do të marrin zemër për të ngritur krye. Protestat e tyre në Beograd, Bosnje, Mal të Zi dhe mbushja e mureve në veriun e Kosovës me simbolin e agresionit rus në Ukrainë, janë paralajmërim i këtij zhvillimi.

Nëse Rusia del e turpëruar nga kjo luftë, Beogradi do të vrapojë për t’u rreshtuar me fituesit, por pa hequr dorë nga ambiciet e tij shoviniste.

Vuçiqi po ndjek dyfytyrësinë e dikurshme të Titos, i cili, si në rastin e invazionit sovjetik në Hungari (1956) dhe në rastin e shtypjes së Pranverës së Pragës ( 1968), luante lojë të dyfishtë midis dënimit dhe mbështetjes për Moskën.

Perëndimi e toleronte këtë lojë të Titos.

A do ta bëj këtë edhe me Vuçiqin?

Mbetet për t'u parë.

____________

Sot kur e gjithë bota po flet për diktaturën e Putinit, duhet ta kujtojmë mësimin më të madh dhe më të vlefshëm mbi pushtetin që na e ka dhënë liberalizmi:

-         Mos e lejoni përqëndrimin e gjithë pushtetit në duart e një njeriu apo pak njerëzve, sepse sa më i madh përqëndimi i pushtetit aq më i madh është kërcënimi i lirisë prej tij.

- Dikush që ka gjithë pushtetin në duart e tij, një ditë do të ngrihet e do të thotë se bota duhet të sillet sipas vullnetit të tij.

- Dikush që e ka gjithë pushtetin në duart e tij, botën e shikon si një laborator të mendjes së tij dhe banorët e saj si vegla të këtij laboratori.

-         Prandaj shpërndajeni pushtetin në sa më shumë qendra!

-         Sa më i ndarë pushteti, aq më i vogël kërcënimi i tij për lirinë!

-          Ndajeni shtetin nga religjioni!

-         Ndajeni pushtetin ekzekutiv nga pushteti legjislativ dhe pushtetin gjyqësor nga dy të parët!

-         Luftoni për liri të shprehjes dhe media të lira!

-         Sepse diktaturat dhe tiranitë lindin sa herë shkatërrohen këto ndarje.

Rroftë liberalizmi!

____________

Çdo të diel në Top Channel jepet një emision i cili quhet "Rrethi katror". Ne fakt do duhej të quhej Rrethi i të çmendurve. Për gati një orë publiku shqiptar ekspozohet përballë broçkullave konspirative, të cilat janë për mendjen njësoj si ushqimi i helmuar për lukthin.

Sonte njëri prej të çmendurve të këtij emisioni kishte shkalluar fare. Ja nisi me Hitlerin. Tha: Hitleri ka bërë parashikime gjeniale për kohën tonë. Vazhdoi duke e quajtur Zelenskin "vegël të Illuminatit" -kësaj fantzamës kryesore të budallenjve të teorive konspirative. Pastaj vazhdoi duke e përshkruar luftën në Ukrainë me terma të "Protokollit të Pleqve të Sionit"- teksti themelor i antisemitizmit modern, të cilin Hitleri e kishte përdorur për të arsyetuar Holokaustin, shfarosjen e 6 milionë hebrenjve. Më tutje tha se mediat perëndimore po gënjejnë për viktimat e sulmit rus në Ukrainë dhe se Putinin s'ka kush që ta ndalë në qëllimet e tij

Pra, fund e krye një diskurs antisemit, fashist, e prorus.

Ne kemi qejf t'i përmendim mediat serbe kur shpërndajnë propagandë të kësaj natyre, e nuk e shohim se diçka të ngjashme e bëjnë vetë mediat shqiptare.

Dallimi është se këtu antisemitët dhe prorusët shpesh vënë maskën e budallenjve.

____________

Një pjesë e madhe e tregtarëve në Kosovë kanë bërë kapital përmes formave nga më të ndryshmet të paligjshmërisë, duke bashkëpunu me politikanë e zyrtarë të korruptuar, me struktura të krimit të organizuar, duke importuar produkte me afat të skaduar, duke shitur produkte me marka të falsifikuara, e dhjetëra forma abuzimesh të tjera. Prej një kaste të tillë matrapazësh nuk duhet të befasohemi kur në një situatë të tillë si kjo që po e kalojmë, bëjnë spekulime me çmimet e produkteve themelore të konsumit ditor. Sepse ai që rritet përmes paligjshmërisë vetëm përmes saj jeton. Sepse, siç ka thënë dikush, njëherë kriminel, gjithmonë kriminel.

E keqja shkon edhe më tej kur krejt ky spekulim i ndyrë me çmimet, justifikohet me krizën dhe ligjet e tregut, për të vazhduar me pafuqinë e shtetit për të vepruar.

Ky vend po vuan për njerëz që i dalin zot, njësoj siç vuan toka për ujin në ditët e vapës së madhe.Kaq.

____________

Ministri rus i mbrojtjes, njeriu më i besuar i Putinit, Sergei Shoigu paska thënë se janë 16 mijë vullnetarë muslimanë në Lindjen e Mesme që kanë shprehur gatishmërinë t'u bashkohen forcave ruse në Ukrainë.

Ja pra, ra ky mort i Ukrainës dhe po e shohim se kush me kënd është.

Hapni sytë shqiptarë e mos u shkoni pas atyre që në emër të fesë duan t'u përfshijnë në plane afatgjate kundër lirisë tuaj, kundër atdheut tuaj!

Kuptohet kjo vlenë për të manipuluarit e pavetëdijshëm, e jo për ata që tanimë veç e kanë shitur shpirtin tek armiqtë e kombit shqiptar.

____________

Vendi që i ka dhënë njerëzimit njërën nga vlerat më themelore politike, idenë e sundimit të ligjit, dhe shembullin më të mirë të demokracisë parlamentare në botë, Britania e Madhe, edhe sot po kryeson në angazhimin konkret për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.

Ishte Britania e Madhe që, nën lidershipin e legjendarit Winston Churchill, e nisi e vetme luftën kundër nazizmit, në një kohë kur e gjithë Europa ishte e pushtuar prej tij, Franca ishte gjunjëzuar, Stalini kishte bërë paktin e mossulmimit ne Hitlerin, ndërsa SHBA- të hezitonin të përfshiheshin në luftë.

Ishte po Britania e Madhe që për 45 vjet me rradhë qëndroi në krye të frontit global kundër komunizmit dhe sot, kryeministri i saj, Boris Johnson, nuk heziton fare t'ia thotë hapur Putinit se po ndjek rrugën e dikurshme të Millosheviqit, në një kohë kur Franca e Gjermania vazhdojnë t'u bijnë telefonave në Kremlin për të lutur tiranin e tij që të ndalet.

Kështu, sikurse dje, edhe sot, fati i botës së lirë vazhdon të qëndroj mbi shpatullat e Aleancës Britaniko-Amerikane.

____________

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, paska thanë në Beograd se duhet kundërshtuar njëzëri ideja e ndryshimit të kufijve me forcë. Sigurisht ky është mesazh për kokat ekstremiste në Beograd që po fërkojnë duart për një skenar eventual të Ukrainës në Kosovë e Bosnje. Në rregull, por shtrohet pyetja: a është ne gjendje Gjermania ta ndalojë një skenar të tillë, nëse veç vjen puna deri aty?  Dyshoj shumë në një përgjegje pozitive në këtë pyetje.

Rroftë Amerika, se sa për Gjermaninë e Francën moti i kish dalë flaka Ballkanit perëndimor.

Rroftë Amerika, e bashkë me të edhe Britania e Madhe, se pa to sot NATO do të ishte thjesht një tigër prej letre.

____________

Sot paska filluar një goditje e madhe e krimit të organizuar në Policinë e Kosovës. Mbi 40 zyrtarë policorë, përfshi komandantë të pikave doganore, qenkan prangosur. Aksioni qenka duke vazhduar.

Ne mund ta kritikojmë qeverinë e Kurtit për shumë gjëra që i ka bërë keq gjatë një viti, por njëkohësisht duhet t'ia njohim meritën se në luftën kundër krimit të organizuar brenda dhe jashtë strukturave shtetërore, është duke bërë një punë që se ka bërë asnjë qeveri më parë.

Kush e vjedh shtetin duhet me përfundu në Dyz dhe Dubravë! S'ka formulë tjetër nëse duam që përnjëmend me pasë shtet.

____________

Në mitologjinë antike Pani ishte zoti i egërsisë. Kur lindi ishte aq i shëmtuar, saqë të gjithë zotat e tjerë ikën të tmerruar prej tij. Nga ky mit na vjen fjala panik, e cila shenjon një frikë të madhe që i mbërthen të gjithë përnjëherë. Ja si ky paniku i çmimeve që na mbërtheu këto ditë.

Në shqip fjala greke "pan" ka trajtën "tan", tanësi, tërësi, gjithësi, gjë që shihet se është fort e afërt me fjalën greke. Ashtu siç janë edhe fjalët shqipe "ikë" dhe "frikë" me fjalën greke "ikon".

Helenocentristët do të thoshin se shqipja i ka huazur këto fjalë nga greqishtja. Albanocentristët do të thoshin të kundërtën: greqishtja i ka marrë nga shqipja.

Të dy këto pikëpamje e kanë të vështirë konfirmimin. Ajo që mund të konfirmohet është afërsia e të dy gjuhëve që nga kohët homerike, gjë që na tregon se protoshqiptarët dhe protogrekët ishin këndej pari shumë kohë para të tjerëve. Kjo nuk është pak për një popull, i cili ende ka probleme serioze me fqinjët e tij të pangopur me territore dhe të pashëruar nga psikozat e supremacisë.

____________

Edi Rama i paska kërku grurë Vuçiqit. Vuçiqi qenka përgjigjur: Nuk do t'i lëmë fqinjët të uritur!

Çfarë poshtërimi!

Sa ndjenjë e keqe me pa Shqipninë n'këtë pozicion!

Poshtë Ballkani i Hapur!