Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bedri Islami: “Përjetësia e dyfishtë“, Fehmiu dhe Xheva - një jetë e jashtëzakonshme (XII)

| E diele, 14.12.2008, 03:38 PM |


Jehona e pasrënies

Edhe pasrënia e tyre ishte po ashtu diçka mes reales dhe irreales, mes të përjetshmes dhe të përditshmes. Ishte diçka që  qëndronte pezull dhe sado fjalë që mund të gjeje, përsëri ishte e vetëdijshme se nuk mund të gjeje asgjë. Lajmi ende nuk  kishte ardhur, kishte mbetur si peng i fjalës së pathënë, kumt që nuk do të donte të shpërndahej. Kishte mbetur pezull, si  një varësi e tejskajshme, rreth së cilës nuk mund të duket e as të zhduket asgjë.

Në mëngjesin e herët të 23 shtatorit 1998 më thirri në telefon Ali Ahmeti, i cili ndodhej në Tiranë. "Si je bacalok, më  tha”. Abazi (Ali Ahmeti) më ka thirrur gjithmonë "bacalok”, ashtu si edhe tani dhe nuk e di pse ka mbetur kështu, por  gjithnjë më ka pëlqyer që kur flisja me të, të më thirrte bacalok, pasi kjo i shkon natyrës së tij të qetë dhe të  kujdesshme.

Iu përgjigja se isha mirë dhe e pyeta se si po shkonin punët. Ai përgatiste atëherë ngjarjet që erdhën më vonë në trojet  shqiptare në Maqedoni, por njëkohësisht ishte i caktuar edhe për ndihmë konkrete ndaj Zonës Operative të Dukagjinit dhe kjo  me një kërkesë të veçantë të komandantit të zonës, Ramush Haradinajt. Në fillimin e qershorit 1998, Ramushi më dërgoi një  letër, ku kërkonte nga unë, si drejtues i Organizatës, që të emëroheshin Aliu dhe një grup shokësh pranë shërbimit  logjistik të zonës që komandonte.

Kur desha ta pyes edhe për diçka tjetër, Aliu më ndërpreu butërisht dhe më tha:

"Ka ndodhur diçka e rëndë bacalok, por duhet të mbahemi”.

“Ç’ka ndodhur?”, e pyeta dhe heshta, sepse Aliu është zakonisht njeri i përmbajtur.

"Fehmiu është vra. Është vra dje, në Drenicë është vra”, fliste duke u përmbajtur dhe unë e dija se Ali Ahmeti kishte qenë  miku më i afërt i tij prej më shumë se 14 viteve.

"Nuk është e vërtetë, i thashë, nuk është e mundur”, dhe diçka e rëndë u mblodh tek unë. Thashë se nuk është e vërtetë, se  kurrë nuk e kam menduar se Fehmiu mund të vritej. Kur po bëhesha gati të pyesja për Xhevën, ai vazhdoi:

"Është edhe më keq bacalok", fliste i përmbajtur Ali Ahmeti, por zëri po e tradhtonte. Nuk kishte nevojë të fliste më  tepër, gjithçka ishte e qartë. “Është vra edhe Xheva. Bashkë janë vra, në të njëjtin vend”.

"Nuk është e mundur, përsërisja, nuk është e vërtetë. Lidhuni edhe një herë me Drenicën. Bisedo me Ilaz Kodrën. Takoje  Ramizin dhe verifikoje”.

Nuk doja të pranoja vdekjen e tyre. Askush nuk donte ta pranonte.

"Ramizi është këtu bacalok", shtoi Aliu. "Por ngushëllime për shokët dhe duhet të mbahemi. Dikush do të vritet e në luftë  më të mirët vriten".

Në telefon doli Ramizi. "A është vërtetë Ramiz?”, e pyeta, pa i thënë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë nuk është e  vërtetë, se përsëri nuk mund ta besoja.

"Po bacë, është e vërtetë. Janë vra dje, janë vra në një pikë afër fshatit, të dy janë vra”.

Zëri i Ramizit ishte më i përmbajtur, por dhimbja e tij ishte e jashtëzakonshme. Ata kishin qenë miq dhe shokë, por edhe  bashkëluftëtarë.

"A ke biseduar me Drenicën?”, pyeta edhe një herë, se nuk doja që nuk doja ta besoja.

"Po bacë, fola me prindërit, i lajmërova, janë vra së bashku me dy të tjerë. Një çikë, që quhet Fatime Hetemi, është nga  Shala e Bajgorës dhe një djalë, student nga Prishtina, më thanë se quhet Shefqet Zeka. Lufta i ka këto, kemi qenë të  përgatitur bacë, por puna nuk ndalet, vazhdon”.

"Si janë prindërit?”, e pyeta edhe një herë. Ramizi më tregoi se ata po mbahen dhe se nana e Fehmiut kishte thënë se "po  nuk u ligshtuat ju, nuk ligshtohem as unë; e po u ligshtuat ju, atëherë ligshtohem edhe unë”.

Pas tre ditëve unë fola vetë në telefon me bacën Tush dhe e gjithë ajo që dëgjova më bindi edhe një herë, se Fehmi  Lladrovci kishte lindur dhe ishte rritur në një truall trimash dhe e gjithë ajo që ndodhi nuk kishte se si të ndodhte  ndryshe.

Si e përjetuan ngjarjen në Drenicë, prindërit e Fehmiut

Isha matur disa herë ta pyes bacën Tush për atë moment të vështirë, ndoshta më të vështirin në jetën e tyre. Nuk kisha  mundur. Si mund ta pyesësh tjetrin se ku ishe, çfarë ndjeve ku mësove lajmin, kush e tha këtë lajm. Asnjë prind nuk mund të  pyetet kaq lehtë.

Një mbrëmje, kur rrinim në shtëpinë e tyre në Shkabë, bisedonim për jetën e Fehmiut, ai vetë, krejt natyrshëm, më tregoi se  si kishte ndodhur. Për fat që bisedën e shënova ashtu si u tha asaj nate, e po ashtu po e sjell:

Baca Tush:

" ...Kah ora një e gjysëm dy, kanë fillue disa ushtarë të rinj me ardhë. Janë tërheqë prej lufte, megjithëse lufta hala  vazhdonte. Isha aty, u dëgjoshin disa fjalë se është vra Fatimja. Pyesja se ku po shkoni, çfarë ka ndodhë, por më thonin se  nuk e dinin. Kah e vona, shumë kah e vona, serbët kanë dalë në maja. Shkoi ora nëntë e mbrëmjes dhe po baheshim gati me  shkue, se serbët mund të vinin edhe në katund. Pyeta disa ushtarë, a dini gja për Fehën. Disa më thanë se nuk e dinë, disa  se kanë kanë prej Dobrashefcit. Nuk isha kërrkund. Kam shkue kah ora dy-tre e natës në një vend, kemi pushue pak dhe kam pa  disa ushtarë. I dëgjoja se thonin diçka, por nuk e dija. E kam ditë se është e pamundur se Feha me e lëshue pozicionin,  veçse në është vra.

Para se me dalë drita, filloi ofensiva serbe me hi nëpër fshat, nëpër lugun e Beranit. Ne ishim në mal. Atë ditë kemi  ndjejë gjithë ditën aty, në mbrëmje, më datë 23, i them hallës: Hallë, Feha është vra. (Në shtëpi, nënën e Fehmiut e quajnë  të gjithë "hallë” – shënim i autorit.)

Halla më tha se ku po e din ti, ku e more vesh ti. Më bërtiti. I thashë se nuk këtu gja. Njerëzit e dinin se Feha është  vra, por nuk më tregoshin. Më datë 24 kam dalë prej asaj ane dhe thërras Ramizin në telefon. I tham, Ramiz a ka ndonjë  send, bre? Më thotë, po babë. Çka ka? po e pyes. Më thotë se Feha dhe Xheva janë vra. Më thotë se bani gajret. Pak jam  mërzitë. Më thotë Ramizi, qëndroni. Ju qëndroni, i thashë, se ne do të qëndrojmë. Hallën e përcolla tek një vend tjetër. I  thashë se baba e ka ditë. Ramizi atëherë ka lajmërue edhe tek halla, i ka thënë se Feha dhe Xheva janë vra, mos u mërzitni.  Halla i ka thënë, mos u mërzitni ju. E ka ditë nana. Më ka pas thënë në Abri, nanë, kam ardhë me vdekë për vend tem.

Feha ka qenë i qetë. Edhe me vdekë, thoshte, po vdes për vend tem, mos u ligshtoni. Atëherë çikat, kur e kanë mësue, kanë  fillue me qa. Halla u ka bërtitë: pushoni e mos ua ndiej zanin. Kërrkush nuk ka me qa. Atëherë i ka thënë Ramizit,  "qëndroni ju, do të qëndrojmë edhe ne”.

Më datën 25 kam dalë prapë në Gradicë dhe kam folë prapë me Ramizin. "Babë, më thotë, me e gjetë se ku është Sami Lushtaku.  Thuaj se gjallë a vdekë, duhet me i prue trupat e Fehës, Xhevës dhe Fatimes tek shtëpia. Kishin shkue katër ditë. Jan vra  ditën e martë, më datën 22 shtator, kishte shkue 23-ta, pastaj 24-ta, kishte ardhë data 25 shtator. Tash po vinte dita e  pestë.

Ndërkohë ka ardhë Sami Lushtaku përnjëherë aty ku isha. Erdhi në Gradec. Ka ardhë me Ilaz Kodrën, me Nuredin Lushtakun e  shumë shokë të tjerë. Edhe biseduam. Ka qenë pasdite, ora gjashtë. I them se Ramizi më ka thënë, se ja i gjallë, ja i  vdekur, merr kë të duash dhe duhet me i sjellë trupat në shtëpi. "Hajr qoftë”, më ka thënë Sami Lushtaku. Sonte e kryejmë  këtë punë. Ose i ke në shtëpi sonte, ose nuk jemi as na". I kam thënë se po vij edhe unë, por nuk kanë pranue. Shkijet  ishin tërheqë nja dy orë pa shkue këta, por nuk e dinim. Ka qenë edhe djali i vëllait, Meti. Janë shkue dhe i kanë tërheqë  trupat. Xheva ka qenë e dëmtuar shumë. Fatimja ka pasë vetëm një plumb, në ballë, Shefqet Zeka ishte po ashtu.

Ka qenë vështirë me i varrosë. Nuk ka pasë njerëz. Njerëzit i kishin lëshue shtëpitë krejt. Mërzia ime më e madhe ka qenë  tek trupat, se mos i djegin, i çartin, se po m’i humbin, po i kallin. Se mërzi se u vranë për Kosovën nuk kam pasë. Varret  i ka hapë një komshi i yni, e falenderoj shumë se ka qenë kohë e vështirë. Veç kam shkue tek ai, Abdush i kam thënë, se me  cilët e ban e qysh e ban, nuk më duhet gjë. I kam treguar vendin dhe i kam thënë se këtu duhet të hapen pesë varre. Kur i  kam varrue, atëherë nuk kam pasë më mërzi.

Të nesermen që është vra Feha, është djegë edhe shtëpia jonë. Disa shtëpi janë djegë në fillim, por më 23 shtator, e gjithë  lagjja jonë ka qenë e djegun. Nuk ka pasë se çfarë me djegë ma.

Fatimja ka ndejë tre muaj në shtëpinë tonë. Ajo ka ardhë një javë a dy pas ardhjes së Fehës dhe të Xhevës. Ka ardhë prej  Likocit. Tanë kohën ka ndjejë në shtëpi tek na, derisa janë vra. Kam dalë për punë, kanë ardhë në gjysmë të natës e kanë  shkue para sabahut, si e kanë pasë punën, por këtu e kanë pasë vendin. Fatimja ishte gjithë kohën me Xhevën. Më shumë se të  gjithë vinte Ilazi, Sami Lushtaku, gjithëherë kanë ardhë. Ilaz Kodrën e kam njohë qysh herët, e kam njohë si shok të  Ramizit, edhe Ilazin, edhe Sami Lushtakun, edhe Nuron. Edhe Hashim Thaçin e kam njohë kështu. Adem Jashari vinte  gjithëkohë. Kur kanë qenë djemtë jashtë, nuk e kam pritë se do të vinte aq shpesh. Nuk e kam pritë bile se do të vinte,  ishte ilegal. Ka pasë ardhë edhe kur ishte Ramizi këtu, por më shpesh kur ikën djemtë.

Gjatë kohës së lëvizjes dhe të ilegalitetit krah të djathtë Feha ka pasë Ali Ahmetin, por në kohë të luftës, krah të  djathtë ka pasë Bekim Berishën, AB-në. Jo se flas unë, por kjo dihet prej të gjithëve, e kanë pa njerëzit, janë dëshmitarë,  e kanë pa se kush është AB-ja, kush është Feha, e kam dashtë shumë AB-në. Sa herë e ka thye kufirin, sa armët i ka sjellë,  çfarë punësh të mira ka bërë me Bedri Shalën. Veç kush nuk e ka njohë ose nuk e ka dashtë, nuk e ka ditë se sa burrë i  fortë është AB-ja. E kena pasë djalë shtëpie AB-në. Isha krenar me gjithë ata njerëz, shokë të djemve, edhe të ilegales,  edhe të luftës, si Iliri, Zahiri, Rasim Kiçina, se për Jasharët nuk kam se çka të them. Jasharët janë maja, unë e ndjej  veten ndaj Jasharëve si kërrkushi. Djem si Jasharët nuk i vijnë kësaj toke.

Sa ishte gjallë Feha më thoshte se në vritem, nuk dua grumbull njerëzish, nuk dua njerëz shumë, sepse kur ka shumë njerëz,  vjen armiku dhe nuk dihet se çka bahet. As të pame e as send mos ban. Në mund të më varrosësh, më ka thënë, mirë. Kur e  varrosa, më zuni shpirti qetë.

Sami Lushtaku:

"Fillimisht dëgjuam se është plagosë, por nuk e besonim se është vra. Edhe plagosja na dukej shumë. Folëm me Ramizin në  telefon, na tha se "duhet t'i merrni trupat, me i sjellë trupat në shtëpi, njëlloj si me i pa të gjallë”. Morëm vendim me  shkue dhe me i sjellë. Kishin kalue tri ditë luftë. Kam kërkue që të mos vijë Nura me Fadil Kodrën, sepse nuk e dinim se ku  po shkojmë, a ishin aty forcat serbe a jo. Kemi shkue tek vendi i ngjarjes, tek istikami, gjetëm trupat, kishim droje se  mos ishte vendi i minuar. Fehmiu dukej si i gjallë. Kishte dy plumba në shpatull. Plumbi i parë e kishte plagosur rëndë,  plumbi i dytë e ka keqësuar gjendjen. E ka marrë në të njëjtën kohë me Xhevën.

Ka qenë moment shumë prekës kur i kemi nxjerrë shokët që nuk ishin më, me të cilët ke punuar sa vite, që i ke dashur dhe u  ke besuar. Kemi qenë të mërzitur, por edhe e kishim kryer amanetin e shokut tonë, i kishim sjellë trupat. Kemi menduar se  mund të vriteshim, ishim të gjithë gati me vdekë.

Fehmiu thoshte pak kohë para 22 shtatorit se nuk është problem lufta në Kosovë. Krejt lufta do të bëhet rreth Mitrovicës.  Ne kemi me qenë të lirë, por në Mitrovicë ka me qenë luftë tjetër. Atëherë nuk e kemi besuar shumë, por ai e kishte ditur  saktësisht. I tillë burrë ka qenë”.

Kjo ndodhi në ditën e pestë të pasrënies. Kohë lufte, kohë vrasjesh dhe masakrash. Ata shkuan të prehen në kodrinën buzë  luginës, krejt afër vendit ku kishin hedhur shtat. Më pas, në atë luginë, familja e Fehmiut, ngriti varrezat e gjithë të  rënëve, në një vend të vetëm, për të mos e ndarë përjetësisht Fehmi Lladrovcin nga ushtarët e tij, nga ata që e ndoqën  besnikërisht deri në fund dhe u flijuan së bashku me të.

Disa ditë më pas doli komunikata për vrasjen e tyre. Çuditërisht nuk jepej asgjë më shumë, se u vranë edhe Fehmi e Xhevë  Lladrovci, në mesin e një liste të gjatë, me të rënët e asaj periudhe. Kishin kaluar tetë ditë, në fakt ishte komandanti i  parë i një brigade që u vra në ballin e luftës e kjo ishte humbja më e rëndë e UÇK-së, pas rënies së Jasharëve. Megjithatë,  në atë komunikatë nuk mund të mësoje asgjë më shumë, se sa një kornizim i thjeshtë, sikur të ishte vrarë një luftëtar i  zakonshëm, i cili nuk kishte veçse pak ditë që ishte i rreshtuar në luftën çlirimtare.

Jam ndjerë i befasuar asaj dite, si unë, edhe shumë të tjerë. Nuk e di përse ka ndodhur një gjë e tillë. Do të doja të  justifikoja çdo gjë me ofensivën e jashtëzakonshme serbe të atyre ditëve, kur vendoset emri i komandantit në mesin e  ushtarëve dhe nuk do të kisha dashur të mendoj se atavizmi primitiv kishte ngelur edhe pas rënies së tij.

Në fund të fundit, edhe ata që do të kishin menduar, qoftë edhe për një çast, se ai ishte kthyer në Kosovë për t'u bërë një  "shef” lufte, mund të ishin të qetë. Ai e kishte bërë fakt të kryer atë që i kishte thënë nënës së tij, "kam ardhur të vdes  për Kosovën”.