E shtune, 20.04.2024, 07:47 AM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Imzot Frano Gjini

E merkure, 09.03.2022, 08:40 PM


Pjesa Nr. 9. Zamak i Flamurit…

IMZOT FRANO GJINI

“Unë nuk do ta ndajë kurrë grigjën t’eme nga Selia Shenjtë!” - Imzot Frano Gjini

Nga Fritz RADOVANI

Në vitin 1945, në fundin e muejt maj, mbas largimit të dhunshem nga Shqipnia të Delegatit Apostolik të Vatikanit Imzot Leone G. B. Nigris, prej qeverisë komuniste të Tiranës së vitit 1944, Selia Shenjtë e emnoi tek ne: Imz. Frano GJININ, Regjent’ i Delegacionit Apostolik të Vatikanit.

Asht kenë i pari Shqiptar që emnohet në këtë detyrë të naltë në shtetin Shqiptar, ç’ prej thëmelimit të tij.

Me datën 20 nandor 1945 i vjen zyrtarisht edhe emnimi nga Vatikani. Dokumenti i ardhun nëpërmjet të Ambasadës Italiane i dorëzohet nga At Giovani Fausti S.J., që atëherë ishte me detyrë në Tiranë.

Qeveria komuniste e Tiranës nuk e njeh asnjëherë këtë detyrë dhe as, nuk do me dijtë per Regjentin e porsa emnuem.

Imz. Frano Gjini asht lé në Shkodër në vitin 1886 nga prindët Pjetër (Tuke) e Drande Gjini. Ishte nga një familje e vjetër qytetare. Shkollën fillore dhe gjimnazin e ka përfundue ndër Etnit Jezuitë të vendlindjës, ndërsa ato të naltat teologjike i ka krye në Propaganda Fide, në Romë, ku edhe u shugurue Meshtar në vitin 1908. Vjen në atdhe dhe emnohët sekretar i Argjipeshkvit të Durrësit, tue krye edhe shërbimet fetare në fshatin e Delbinishtit. Shkon për 18 muej në qytetin e Durrësit dhe rikthehët prap në Delbinisht deri në vitin 1914. Emnohët famullitar i Dërvenit në Fushë-Krujë, për dy vjet dhe më 14 nandor 1919 emnohët prap në Durrës deri në vitin 1924. Prej Durrësit shkon në Kurbin deri në vitin 1928.

Prej Kurbinit emnohet në Perlat të Kthellës së Mirditës. Në vitin 1930 Shugurohet Ipeshkëv i Durrësit, kohë në të cilën administronte edhe Vlonën. Mbas dy vjetësh, në vitin 1932 asht Abat i Mirditës, me seli në Orosh. Në vitin 1944 asht edhe administrator i Lezhës.

Që në moshën e re bije në sy përvujtnia dhe matunia e Tij, gja që e miqëson me Imzot Luigj Bumçin, Imz. Vinçenc Prennushin, Imz. Jul Bonattin, At Pjeter Meshkallën, At Pashko Gjadrin, Don Shtjefën Kurtin etj. Imz. Frano Gjini, asht e vertetë se njihej me të gjithë pa perjashtim, po edhe konsultohej me ta. Ai ishte edhe bashkëpunëtor besnik për të gjitha problemet fetare të krahinave që administronte. Mbas emnimit si Regjent kërkon nga Vatikani zëvendsimin e Tij, mbasi sheh vështirësitë e mëdha që i dalin nga qeveria komuniste e Tiranës. Ishte nandori i 1945, kur e kërkon këtë gja nga Vatikani, po Vatikani nuk ia miraton kërkesën.

Asht muej janar të 1946 kur Imz. Gjini përsëritë kërkesën gojarisht me anë të At Filipe Kjeja, italian, që shkon për Itali, njëkohësisht njofton Vatikanin për reformat komuniste që po zbatoheshin këtu, si: Mbyllja e shkollave fetare, shtetizimet e pronave të Kishave, per reprazaljet dhe arrestimet, pushkatimet e klerikëve të pafaj, qendrimin e shtetit ma diktatorial ndaj të gjitha familjeve të klerikve katolik etj.

Në muejn shkurt 1946 i poston një letër Nuncit Apostolik të Vatikanit në Francë, (mbasi Shqipnia nuk kishte atëherë lidhje postare me Italinë) ku, kërkonte skjarime për çështje të ndërpreme fetare me Vatikanin dhe kerkon me dijtë si do të lidhet me ata. Në muejn maj të 1946 flitej nga radio Vatikani se në Shqipni, do të vinte një amerikan i deleguem i Vatikanit për me asistue këtu, por kjo nuk ngjau, gja e cila dha me kuptue se komunistëve shqiptarë po u lejohej dorë e lirë me veprue edhe ndaj Fesë, ashtu si ndër të gjitha çështjet tjera shtetnore.

Imzot Gjini asht ndër të parët që kuptoi kjartë qëndrimin e Amerikës, Anglisë dhe Italisë. Ai porsa u emnue zyrtarisht në detyren e re si Delegat i Vatikanit në nandor të 1945, kërkoi të paraqitej tek Enver Hoxha, aso kohe kryetar i qeverisë së Tiranës, por kërkesa e tij nuk u pranue nga diktatori. Kishe me thanë se Imzot Gjinin nuk e kishte marrë malli me pa surratin e Ever Hoxhës, por si dukët donte me matë pulsin e tij për të ardhmën. Ai kishte qëllim me këtë kërkesë që të bisedonte për mbylljen e shkollave fetare, për lirinë e fjalës dhe të shtypit, si dhe për disa nga masat tjera ekonomike që qeveria kishte ndërmarrë kundrejt Kishës Katolike tek na në Shqipni.

Ishte e kuptueshme se gjithmonë masat ekonomike në sistemin komunist paralajmërojnë masat politike. Kryesisht takimi u kërkue nga Imzot Gjini, sepse Ai, nuk mund të qëndronte indiferent ndaj vëprimeve zyrtare që po kryente qeveria komuniste kundër Klerit, inteligjencës dhe katolikëve në veçansi, në të gjitha krahinat deri thellë në zonat malore të Mirditës. Ishte një situatë shumë e randueme dhe pa asnjë shpresë lehtësimi e gjendjes nga shteti diktatorial.

Imz. Gjini vazhdonte me kambngulje me kerkue takim me Everin. Në këtë takim Imzot Gjini kërkonte edhe praninë e Imzot Vinçenc Prennushit, si Argjipeshkëv i Durrësit e i Tiranës, Imz. Gjergj Volaj, At Mati Prennushit, si Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë. Ishte mueji  dhjetor 1945 kur u ba kërkesa zyrtare për takim, por prap nuk u realizue se gjoja, sa kishin përfundue zgjedhjet e dhjetorit.

Në mars të 1946-ës, në qelën e Tiranës që administronte Don Shtjefën Kurti, u mblodhën prap të gjithë përsonat e sipërpërmendun ku, përveç tyne ishte edhe At Pjeter Meshkalla. Aty u vendos që t’i shkruhet një letër qeverisë dhe t’i dorëzohej nga Don Shtjefen Kurti.

Letra u përpilue nga At Pjeter Meshkalla me sugjerimet dhe pëlqimin e të gjithëve që ndodheshin aty, mbasi ata përfaqësonin vullnetin e klerit në përgjithësi. Një kopje u vëndos t’i jepet Misionit Anglez ose Amerikan, me vue në dijeni Vatikanin, mbasi përfundimisht ishin ndërpre lidhjet e korrespondencat nga Shqipnia. Dërgimi i kësaj letre në Vatikan kishte për qëllim që të vihej në dijeni Selia Shenjte se Kleri katolik Shqiptar nuk i ndërpret lidhjet me Vatikanin, dhe se kjo çështje asht vetëm një kërkesë kambëngulëse per shkëputje e qeverisë komuniste të Tiranës, e kryesueme nga diktatori Ever Hoxha, i cili tashti kishte dalë hapas nder fjalimet e veta. Letra nuk u dërgue me dorë mbasi një jezuit italian që shkonte ato ditë atje kishte frikë me e marrë letrën, se mos e kontrollojnë dhe i pezullojnë nisjën për Itali. Ai mori përsipër me i shpjegue Vatikanit gojarisht përmbajtjën e letrës si dhe kërkesën e Imzot Gjinit për zëvendsimin e Tij, mbasi Ai nuk njihët nga qeveria e Tiranës dhe as nuk kishte asnjë mundësi me ushtrue detyren në Tiranë. Flitët, se letrat deri vonë i ka pasë të ruejtuna Don Lec Sahatçija që kryente edhe punën e sekretarit të Imzot Gjinit, por e vërteta nuk dihet se ku kanë përfundue ato letra. Asht edhe një mendim tjetër se mund të jenë zhdukë me vdekjen e Don Mark Xhanit në hetuesi, tue mos pasë ma mundësi me u dijtë ku mund të jenë mëshehë prej Tij. Letra asht shkrue mbasi këte fakt e pranon edhe At Pjeter Meshkalla, por fatin e saj nuk e di as Ai.

Takimin me Misionet e hueja e mori përsipër Imzot Vinçenc Prennushi, i cili u takue me Z. Hudgson në Misionin Anglez dhe i paraqiti me gojë gjithë përmbajtjën e letrës me prezencën e Don Shtjefën Kurtit, i cili fliste shumë mirë frengjishtën dhe merrej vesht kjartësisht me të huejtë. Ai u tregue shumë pesimist mbasi sidukët, ishte koha kur marrëdhanjët e qeverisë me anglezët ishin në ftohje, të paktën në dukje.

Kam përshtypjen, se, klerikët komunikonin me të huejt vetëm gojarisht mbasi nuk duhet ti kenë besue as atyne me dhanë e me marrë letra, gjithmonë një punë me rrezik.

Në vitin 1946 Imzot Frano Gjini bante edhe ndonjë rrugë nga Mirdita, mbasi nuk kishte mundësi zëvendsimi me ipeshkëv tjetër në atë zonë. Sigurisht, Ai atje kishte kalue kohë të gjatë ndër ata male.

Koha ishte shumë e vështirë në të gjitha anët dhe sa vinte e randohej edhe ma shumë me arrestime tjera dhe pushkatime të vazhdueshme.

Malët ishin mbushë me të arratisun që nuk e pushonin përpjekjen për liri nga komunistët nën drejtimin e Mark Gjomarkut. I vëllai i Markut, Lleshi (edhe ky, oficer akademist ishte në mal), që thirrej Lleshi i zi.

Lleshi i ban një kërkesë Imzot Gjinit, tue i krijue mundësinë me u largue nga Shqipnia me anën e një avioni anglez që sillte ndihma për çetat e malëve, mbasi ishte hapë fjala se Imz. Gjini, mund të arrestohej shpejt.

Imzot Frano Gjini, Ju përgjegj: “Unë edhe po iku, po kujt t’ia la besimtarët e Shen’ Lleshdrit? - Kjo punë nuk bahet kurrë prej meje!”. Kështu Ju pre rruga. Sigurisht, kjo temë as nuk u hap ma prej tyne.

Përgjegja e shkurtë, e shpejt dhe e saktë tregon Shpirtin e klerikut të vërtetë që asht gati me u flijue por jo, me lanë popullin pa drejtues të Fesë në atë kohë aq të mnerëshme.

Kështu vepruen edhe shumë priftën të tjerë që edhe ata, jo vetem nuk u arratisën por pranuen Kalvarin e pafund.

Ai, jo vetëm, qëndroi në Atdhe, por punoi me përkushtim dhe i vendosun në detyrën e naltë dhe të randë që iu ngarkue. Përgjegjësia e madhe e Tij vrehët në vëprimet e matuna dhe të pagabueshme që kryen pa hezitue.

Imzot Gjini duhet vue në dukje se jo vetem e njifte mirë sistemin barbar komunist po, edhe dinte të vepronte pa e atakue ate.

Sa merr detyrën e Delegatit, Ai asht i vetëdijshëm se asht para një lufte të përgjakshme të shpallun nga komunistët terrorista. Kërkesat e Hoxhës, Shehut dhe të Xoxës me klerikët e Shkodrës dhe të Tiranës, që në ditët e para të janarit 1945, për bashkpunim dhe shkëputje nga Vatikani, loja e Sejfulla Maleshovës, gjoja për formimin e një partie “demokristjane” për zgjedhjet e dhjetorit të 1945, nxjerrja jashtë e Delegatit Apostolik Nigris, më 5 maj 1945 dhe, mos njohja e Regjentit të ri nga qeveria diktatoriale e Hoxhës, tue mos pranue takimin e kërkuem nga Imzot Gjini, eleminimi i deputetëve të dhjetorit me pikëpamje jokomuniste, formimi i qeverisë me prioritet filosllav jugosllav dhe rus, miqësia e madhe me druzhe Titon, formimet e grupeve dhe organizatave gjoja antikomuniste me njerëz të pafajshëm, pushkatimet e njëmbasnjëshme, konfiskimet e pronave etj. etj. e detyrojnë Imzot Gjinin, me ndërmarrë hapin ma të rëndësishëm që i pret mundësinë qeverisë me akuzue klerin katolik, me urdhën të vet Ai: “Mos implikimi i çdo kleriku, kushdo kjoftë, me asnjë çështje politike pra, ndalimin e plotë të marrjës me politikë të Klerikve Katolik Shqiptar. Urdhni i Imzot Gjinit asht i padiskutueshëm dhe i pakundërshtueshëm per të gjithë pa asnjë perjashtim.” (Kopja e letres asht e ruejtun në Arkivin e Shtetit Tiranë).

Promemoria e lëshueme për këtë qëllim me datën 25 nandor 1944 nga Imzot Frano Gjini, mbasi aso kohe Delegati Nigris ndodhej në Itali, asht dokumenti ma i saktë që tregon mendjen e hollë dhe largpamësinë e Tij për kohën që po vinte nga vendosja e diktaturës komuniste në Shqipni.

Këto cilësi të Imzot Gjinit të forcueme me karakterin burrnor e trim, inteligjent dhe Burr’ i dijtun ndoshta, ishin arësyet që Vatikani e zgjodhi atë për Regjent, në atë grup ipeshkvijsh që kishte atëherë Shqipnia, një vend i vogël me njërëz me të vërtetë të mëdhaj e guximtarë trima.

Qëndrimi i haptë dhe burrnor i Imzot Gjinit tashti nuk i përkiste vetëm Mirditës, por ishte qëndrimi i mbarë Katolikëve Shqiptarë tue fillue nga Shkodra, në Vlonë e Korçë, e ku kishte kjoftë edhe vetëm një Shqiptar besimtar katolik. Ai tashti ishte edhe Burri ma trim në radhët klerit mbasi e dinte mirë se me çfarë komunistësh barbar kishte punë, se edhe e njihte mirë mënyrën e sjelljes së tyne të pashpirtë me klerin Shqiptar.

Ai ishte i vetëdishëm për rrugën e rrezikshme por edhe të pakëthyeshme në të cilën për fat të mirë, e solli koha. Ai i ruhët dhanjes shkak, por nuk i frigohet kërcënimit. Ai njeh mirë mënyrat komuniste të dredhisë dhe pabesisë prandej, edhe punoi me mendje të freskët dhe të mprehtë për ruejtjen e pastër të Fesë, ndër kushtet ma të vështira të krejt Lindjës, ku komunizmi, nuk ishte thjeshtë një grup njerëzish të paditun e kriminelë. Ai ishte përballë atyne bishave komuniste të mnershëm, fanatikë dhe vegla të shovenistëve sllavë e aziatikë, që historia do t’i cilësojnë si kafshët ma të egra të komunizmit ndërkombëtar antinjerzor të mbarë globit.., njëditë, ndonse kjo ditë nuk dukej e largët.

Ai dinte dhe njihte mirë fillimisht praktikën që po ndiqej prej tyne me liritë thëmelore të qytetarëve, tue përfshi të drejtën me jetue dhe me shprehë lirisht mendimet individuale ose të përgjithshme, madje, dhe të drejtat kryesore: Jeta e njeriut dhe paprekshmënia e saj, që po shkeleshin çdo çast tue torturue dhe vra çdo besimtar i thirrun “kundërshtar”, vetëm pse BESONTE NË ZOTIN.

Pikërisht, ata agjenta të sigurimit, që hypën në pushtet tue mashtrue popullin “pa dallim feje, krahine dhe ideje” dhe që, do të mbetën në histori si regjimi ma përdhunues e gjakatar i shekullit XX.

Imzot Frano Gjini asht pa asnjë mëdyshje një nga klerikët katolikë që deri në çastet e fundit të jetës, vetëm kryen detyrën ndaj Atdheut dhe Fesë.

Asht arrestue me datën 16 Nandor 1946 tek ndertesa e Delegatit perballë Argjipeshkvisë së Shkodres, i shtrimë nga një smundje siç e shpjegonte i Ndjeri Jak Fistani, infermjer që u ndodh me shiring në dorë per me i ba një ingjeksion, kur forcat e sigurimit shkuene me arrestue Imz. Gjinin, dhe nuk e lejuene infermjerin me i ba as mjekimin.

E kam shkrue edhe në librin “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare”, sesi, kur ndodhej i lidhun ndër degët e ullinjëve të hetuesisë (tek shtëpia e Çiurçisë), gjeti rasën dhe i bani me shenj një të lidhunit tjetër, që po jepte shpirt dhe, ashtu si ishte i varun, lujti kokën në shenj të Kryqit, për me e zgjidhë nga fajet e kësaj jetë atë Martir që, mbas pak minutash u gjet para Gjyqit të mbramë. Por, që me siguri ka pa Fëtyrën e Zotit.”

Imzot Frano Gjini asht Ai klerik që me pranga ndër duer thërret në bankën e të akuzuemve kur po i jepej vëndimi “me vdekje”: “Jeni të zgjidhun Vëllazën, të gjithë shka jeni dënue këtu me vdekje, qëndroni si burrat se asht lavdi me vdekë për Fé të Jezu Krishtit!” Dhe bishat e terbueme të sigurimit vrastar e tërhoqën zvarrë nga mensa ku po bahej gjyqi në fillimin e Janarit 1948.

Asht e vertetë që Imzot Frano Gjinin nuk e pau kush përveç shokëve të Tij, që shkuen të lidhun bashkë kambësh e duersh në Zallin e Kirit, më 11 mars 1948, po, dokumentat sot flasin per kete Burrë Trim të paperkulun.

***

Asht Dosja nr. 1302/II - A, viti 1948, që flet kjartë dhe haptas (Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë), asht kjo Dosje pra, dokumenti ma i saktë që tregon se kush ishte Ky, Imzot Frano Pjetër Gjini?

Nga zhvillimi i gjyqit në mensen e Kuvendit Fretenve (i kthyem në burg), në Janrin e vitit 1948, mbas hetuesisë e torturave nga nandori 1946:

I pandehuri Monsinjor Frano Gjini tha: Dëshmia e Preng Lezajt asht falso se nuk është e vërtetë. Nuk është e vërtetë edhe ajo e Padër Gurashit që ti kem thënë unë me ba sabotime në punëtori, por vetëm i kam thënë se pse punojnë të dielat që janë ditë feste. Për Demokristjanën nuk dij gjë për té, as për program as që kam qenë pjestar i sajë. Sa për ndihmën e luftës N.Çl., është e vërtetë se nuk kam ndihmue, se kam pasë mbi krye Gjon Markagjonin. Mbas shlirimit kam strehue dhe ushqyer tre batalione ushtarë të luftës N.Çl., përveç, ekipeve të ndryshme.

Nuk kuptoj kërkesën e prokurorit, sikurse unë paskam kenë krejt organizator kunder pushtetit!?

Sa për Don Sahatçinë që thotë për mue, ky thotë kot. Katundarin e kam mallkuar në bazë të Statutit Kishtar se kishte marrë tokën e Kishës dhe kur është bërë ligja nuk kam folë por i kam denoncuar të gjitha, edhe ullinjtë. Nuk kam sabotuar Pushtetin.

Gjykata deklaroi këtë:

NË EMËR TË POPULLIT SHQIPTAR:

Këshilli i Gjykatës Ushtarake të Zonës Ushtarake të Shkodrës i formuar me:

Kryetar Kapiten i I-rë  Misto Bllaci,

Anëtar    N/Toger Anastas Koroveshi,

Anëtar  N/Toger Xhemal Bejtja,Duke qenë gati Prokurori, Kapiten Namik Qemali dhe Sekretari, Shaban Qamil Dautaj.

Në audiencën publike me datën 8 janar 1948, ka dhënë këtë:

V E N D I M

Në çështjen penale të rregjistruar nën Nr. 17 të Radhorit Themelor për vitin 1948, kundra:

1. Monsinjor Frano Pjetër Gjini, dënohet me vdekje me pushkatim.

***

Në dosjen Imzot Frano Gjinit që ndodhët në Arkivin e Ministrisë së Mrendshme në Tiranë (viti 1998), asht vëtem kërkesa e Imzot Frano Gjinit, që i ka dërgue  Gjykatës së Naltë në Tiranë (e shkrueme prej dorës së Tij), të cilën po e shkruej të plotë pa asnjë mangësi ashtu si mbas origjinalit, si edhe vëndimin e Gjykatës së Naltë Ushtarake të Tiranës komuniste:

V. F . L. P.

Të Ndertit Gjygjit të Naltë Ushtarak       Tiranë

Un i nënshkruemi Mons. Frano Gjini, Regjent’i Delegacionit Apostolik në Shqipni, kam nderën të njoftoj atë P. T. Gjykatë të Naltë se e ndiej për detyrë të Shejtë të kundërshtoj vendimin e Gjygjit Ushtarak të Shkodrës dhanë më 8-I-1948, me kenë se ky vendim asht dhanë në bazë të akt-akuzës lshue prej Prokurorit Ushtarak të Z. U. të Shkodrës me  daten

2 – I -1948, e cila, si asht formulue nuk asht konform me të vërtetën për sa i përket personit t’im:

Se nuk kam punue për ardhjen e fashizmit italian në Shqipni,

Se nuk kam kenë spijue i imperializmit nazi-fashist,

Se s’kam punue për fashistizimin e vendit;

Se nuk ia kam dhanë kurr aderimin tem okupacionit italjan me përjashtim të nji telegrami dërgue mbas 22 ditësh nga okupacioni italjan, bashkë me Kolegët të tjerë t’ Episkopatit, i cili telegram nuk ka tjetër kuptim veç të nji formaliteti konvenience, të detyruem nga fataliteti historik të ngjarjeve të kohës të pregatituna prej tjerve; po si kanë veprue të gjith përfaqsuesit e entëve civile, ushtarake e fetare të vendit t’onë;

Se nuk kam shue ndjesit patriotike nacjonale të popullit;

Se nuk kam vue kurrnji pengesë serioze për liminimin e Lëvizjës N.Çl.

Se nuk kam ndihmue n’asnji mënyrë Qeverit Quislinge;

Se nuk kam ndihmue kurrkend për të pengue resistencën e popullit kundra okupatorit, prandej as formacjonin e bashibuzukve kundra L.N.Çl.

Se mbas çlirimit nuk kam organizue, marrë pjesë, a kryesue ndonji grup politik antipopullorë, me qëllim për të përmysë Pushtetin me vjolencë; as nuk kam ngarkue ndonji person klerik a civil për të më përfaqsue ndër grupe të tilla, në se kanë eksistue;

Se nuk i kam drejtue kurr memorandume çëdo karakteri imperialistave të huej;

11) Se nuk kam pasë kurrnji përpjekje as me ilegal, as me reakcjonin e mrendshëm e të jashtëm.

Prandej në lidhje me sa sipri e ndiej për detyrë ndërgjegje kombtare, shoqnore, profesionare ti kërkoj në bazë të drejtsisë prej asajë të Ndertës Gjykatë rishikimin e gjygjit, prishjen e vendimit të tij e njoftjen e pafajsis s’eme.

N’uzdajë se kërkesa e eme ka m’u pranue, nënshkruhem me nderime,

Shkodër, 10-I-1948                      +Frano M-a  Gjini

Regjent’i Delegacjonit Apostolik në Shqipni

?Nr.88/I                                            Tiranë, 24 shkurt 1948.

Ministrisë Mbrojtjes Kombëtare

Për t’ia përcjellë Presidiumit Kuvendit Popullor

Refuzuar.

Kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake

Major Niko Çeta d.v.

Për këto arësye kjo Gjykatë është e mendimit që të mos i akordohet asnjë konçesion faljeje ose lehtësimi në dënimin e tij.

===================================

Shënimi i em FR: Kjo shkresë u dërgue bashkë me dorëshkrimin e Imzot Frano Gjinit në Presidiumin e Kuvendit Popullor, sigurisht, duhet të kenë pasë edhe arësyet e refuzimit, por në dosje nuk janë.

***

Lexoni: Pse u zgjodh Regjent’i Delegacionit Apostolik në Shqipni?

Çfarë qëndrimit mbajti Imz. Frano Gjini në torturat e mnershme që provoi për 16 muej mbi trupin e Tij? Cili ishte faji i Tij? Kush e akuzoi  dhe pse? Aty do të gjeni edhe shkakun: Cila ishte arësyeja që e pushkatoi terroristi barbar Ever Hoxha?

Dhe, do të bindeni se arësyeja e vetme asht vetem kjo që do të lexoni këtu: IMZOT FRANO PJETËR GJINI, ishte Atdhetar i flaktë dhe Klerik Katolik Shqiptar i vertetë. Ai ishte Atdhetar besnik dhe i perkushtuem! Ai ishte një Klerik i formuem me pikpamje demokratike Europjane Perëndimore.

Ai ishte Ai Burrë fisnik, që nuk pranoi asnjëherë me u ba agjent i sigurimit të shtetit komunist vrastar e gjakatarë. Pra, nuk pranoi me u shkëputë kurr nga Kisha Katolike Shqiptare, nga Papa i Shenjtë dhe Vatikani, dhe me u lidhë me Lindjen shoveniste sllave dhe aziatike komuniste e bolshevike të diktatorit antinjerzor Josif Stalin, barbar i popujve aiatikë dhe europjan.

Ishte plotsisht i pafajshem e asht pushkatue vetem se u emnue Rregjent i  Delegacionit Apostolik të Vatikanit në Shqipninë komuniste në 1945.

Imzot Frano GJINI asht Trim dhe i bindun  se Gjaku i Panjolla i Tij, do të derdhet në Themelet e forta dhe të palëkunduna të Katoliçizmit shekullor të Tokës së Bekueme Shqiptare të Gjergj Kastriotit.

Kujtimi i Imzot Frano Gjinit asht i perjetshem per Popullin Shqiptar.

Melbourne, 9 Mars 2022.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora