E premte, 19.04.2024, 07:30 PM (GMT+1)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: E di një histori trishtuese nga baba im

E merkure, 09.03.2022, 08:57 PM


Blerim Latifi:

E di një histori trishtuese nga baba im. Në moshën dhjetë vjeçare ai i kishte parë me sytë e tij se si komunistët me forcë ua kishin marrë grurin në hambar dhe miellin në magje. Tito ishte prishur me Stalinin dhe ky i kishte vënë embargo drithi Jugosllavisë. Të gjitha shtetet tjera satelite të Moskës kishin vepruar njëjtë. Në përballje me krizën, Tito kishte urdhëruar që fshatarëve t’u merreshin rezervat e grurit. Natyrisht, nuk ishte fjala vetëm për rezervat, por për krejt drithin që fshatarët mezi e siguronin nga toka e tyre.

Baba e tregon bisedën e nanës së tij me milicin, i cili e kishte marrë fshesën për ta mbledhur të gjithë miellin në magje. - Mos ma merr krejt, se nuk kam çka me ju dhanë thmive më hangër, i ishte drejtuar ajo milicit. Ai ia kishte kthyer : - Shkoni hani dushk n’zabel, se ka boll!

Ato ditë të tmerrshme njerëzit i kishin quajtur “kohë e qesatllakut”, do të thotë kohë e mjerimit, e mungesës së madhe të grurit dhe artikujve të tjerë ushqimorë.

Ajo kohë kishte lënë gjurmë traumatike tek baba im dhe ai tërë jetën nuk ka arritur të çlirohet nga trauma e mungesës së miellit në magje. Këtë traumë ai e përballonte duke e punuar tokën cep më cep dhe kur ne talleshim më të duke i thënë se pse e mundon veten duke mbjellur tokën, kur ma lirë ta qet me ble të gatshme bukën, ai e përsëriste të njëjtën përgjigje : Nuk e keni jetu ju kohën e qesatllakut.

Sot Kosova rrezikon të futet sërish në një krizë të madhe të mungesës së grurit dhe përsëri për shkak të një ngjarje që lidhet me Rusinë.

Kosova ka sipërfaqe të mëdha të tokës së punueshme, por pjesa më e madhe e saj është djerrë, sepse bujqësia na duket një veprimtari e kotë ekonomike. Jemi mësuar të importojmë gjithçka dhe të kalojmë jetën duke u marrë me thashethemnajën e përditshme politike. Derisa shoqëritë e tjera përpunojnë vazhdimisht strategji proaktive për t’u përballur me rreziqet e një bote në kaos, ne vegjetojmë në mentalitetin e shoqërisë reaktive, e cila reagon vetëm pasi të ketë ndodhur katastrofa.

_________

E kishim parë me sy krejt tragjedinë e zhvilluar poshtë në lagjen Jashari dhe prapë se prapë të gjithë e besonim vetëm një gjë: Ademi është gjallë dhe ka me dalë nga rrethimi. Njësoj si ata heronjtë e legjendave dhe këngëve të vjetra epike, që në çastet e fundit triumfojnë mbi vdekjen. Por shpresat tona u rrënuan kur një kusheri i yni erdhi dhe na tregoi se televizioni i Beogradit e kishte dhënë lajmin se Ademi u vra. I kishte treguar dikush nga Skënderaj, që i kishte parë lajmet. Ne nuk merrnim asnjë lajm, sepse rryma ishte nderpre prej tri ditësh dhe në Prekaz nuk hynte pothuajse askush. Dhimbja na pushtoi të gjithëve. Një dhimbje të cilën gjuha e ka vështirë ta përshkruaj.Disave u dolën lotët. Ajo ka qenë nata ma e trishtuar e jetës time. Më dukej se me vdekjen e Adem Jasharit u shua shkëndija e sapo ndezur e lirisë. Më dukej se po na përsëritej historia kur me vdekjen e prijësit merrte fund edhe kryengritja dhe në horizontin e të ardhmes shtrihej vetëm terri i robërisë.

Por historia kishte ruajtur një fat tjetër për brezin tonë: rezistenca e pashembullt e familjes Jashari dhe rënia e Adem Jasharit e ngriti në këmbë gjithë kombin shqiptar. Rruga e lirisë ishte hapur dhe kthim pas më nuk do të kishte.

_________

Kuvendi i Lezhës, të cilin e përkujtojmë sot, i ka tiparet e shembullit të sotëm që po i jep botës Ukraina, në krye me presidentin e saj Zelenskyy.

Edhe asokohe Skënderbeu me princat e tjerë shqiptarë  në Lezhë vendosën të mos i nënshtroheshin agresionit të fuqisë më të madhe ushtarake të kohës.

Si Zelenskyy sot, asokohe qëndresa e shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu mahniti botën.

Kanë kaluar shekujt dhe kujtesa për të vazhdon të frymëzoj njerëzit që besojnë se nga ëndrra për liri kurrë nuk duhet hequr dorë, edhe atëherë kur përballë ke një fuqi tiranike, shumë herë më të madhe.

_________

Fati i keq i filozofisë në Rusi

Pse në tekstet standarte të historisë së filozofisë mungon rëndom kapitulli mbi filozofinë ruse?

Sepse kjo filozofi nuk ekziston. Ekziston letërsia ruse, në të cilën mund të gjejmë shumë ide e mendime filozofike, por jo edhe filozofia si fushë e konsoliduar studimi e krijimtarie intelektuale, siç njihet në Perëndim.

Frederick Coplestone, në librin e tij prej dhjetë vëllimesh për historine e filozofisë, njërin vëllim ia kushton filozofisë ruse. Kur e shohim përmbajtjen e këtij vëllimi, e kuptojmë varfërinë e madhe të mendimit filozofik në kulturën ruse. Edhe ata pak autorë që mund të konsiderohen filozofë, kryesisht janë ose epigonë dhe komentatorë të filozofisë perëndimore, ose mendimtarë mistiko-religjiozë.

Pse ka ndodhur një gjë e tillë?

Pse nuk ka pasur zhvillim të filozofisë në Rusi?

Pse Rusia kurrë nuk ka pasur mendimtarë të kalibrit të Dekartit, Spinozës, Hobsit, Rusoit, Volterit, Kantit, Hegelit, Niçes, Hajdegerit, Sartrit, Fukosë?

Sepse, siç thotë Hegeli, filozofia mund të shfaqet dhe të lulëzojë vetëm në botën e institucioneve të lira. Filozofia nuk mund të zhvillohet në kushtet e despotizmit politik dhe intelektual. Dhe historia e Rusisë ka qenë e dominuar pandërprerë nga ky despotizëm i dyfishtë: pushteti absolut i carëve mbi institucionet politike dhe pushteti absolut i Kishës ortodokse mbi jetën shpirtërore të shoqërisë ruse.

Pas marrjes së pushtetit nga bolshevikët me 1917, këto dy pushtete u shkrinë në autoritetin e gjithëfuqishëm të Partisë Komuniste Sovjetike, e cila e mori rolin e dikurshëm të Kishës Ortodokse Ruse në ushtrimin e hegjemonisë kulturore e intelektuale mbi shoqërinë ruse. Stalini ishte njëkohësisht cari dhe papa, sundimtari absolut i njerëzve dhe bariu i shpirtrave të tyre. Ai e mori marksizmin kritik të Perëndimit dhe e shndërroi në religjionin zyrtar të shtetit, kritika e të cilit nuk tolerohej. Derisa Kisha ortodokse dikur mëkatarët e saj i dërgonte në ferrin e botës tjetër, kisha marksiste e Stalinit mëkatarët, tani të kualifikuar si devijantë nga vija e partisë, i dërgonte në ferrin e kësaj bote, të vendosur në Gullagun e Siberisë.

Rënia e komunizmit, më në fund, krijoi kushtet për një zhvillim të lirë të mendimit filozofik në Rusi, por konsolidimi i shpejtë i autokracisë së Putinit i shkatërroi këto kushte. Sot një intelektual rus mund ta kritikojë regjimin autokratik të Putinit vetëm nëse ai vendosë të jetojë jashtë Rusisë. Brenda saj atij i lejohet vetëm të filozofuarit që nuk e cenon autoritetin e Putinit dhe natyrën e regjimit të tij.

Kështu varfëria e  filozofisë në Rusi është njëra nga dëshmitë më të mëdha të dështimit të demokracisë në shoqërinë ruse përgjatë gjithë modernitetit.

_________

Erdogani e paska pritur me nderimet më të mëdha në Ankara Presidentin e Izraelit. Çka ndryshoi puna tash? Ku mbeti çështja palestineze?

A ju kujtohet kur na bënte presion për ambasadën tonë në Jerusalem?

A ju kujtohet çfarë fushate të tmerrshme antisemite patën bërë këtu adhuruesit e verbërt të Erdoganit?

Çka nëse ne do të hiqnim dorë nga ambasada në Jerusalem dhe rrjedhimisht edhe nga njohja e Izraelit?

Do ta kishim një njohje më pak nga njëri prej shteteve më të rëndësishme në botë dhe, sigurisht, Erdogani nuk do të merzitej fare për këtë punë. Sepse, në fund të fundit, ai i ndjek interesat nacionale të Turqisë dhe jo tonat. Por, nëse këtu ka injorantë që mendojnë se ai brengoset për ne, pse të mos i shfrytëzojë të tillët në situata të caktuara kur i hyjnë në punë. Sidomos kur nuk i duhet shumë mund për t’i përdorur.

_________

Nuk e di pse po e bëjnë të madhe kët' pretendimin e Putinit se mercenarë nga Shqipëria e Kosova po luftojnë në Ukrainë. Jam fort i bindur se ky pretendim është thjesht manovër propagandistike që bëhet për t'i nxitur të reagojnë përkrahësit e Rusisë në Serbi, Kosovë e Bosnje, që kryesisht janë ekstremistë serbë, të cilët mbrëmë i pamë duke demonstruar rrugëve të Beogradit në mbështetje të agresionit rus në Ukrainë.

Por hajde të supozojmë se ka shqiptarë që janë duke luftuar në Ukrainë!

Nëse ka të atillë që po luftojnë kundër pushtuesve rusë, kjo na bën nderë, sepse lufta në Ukrainë është luftë mbrojtëse e një shteti demokratik kundër agresionit të një shteti diktatorial, i cili gjeopolitikisht është antishqiptar.

Nëse ka xhihadistë shqipfolës,  zyra e Putinit duhet ta dijë se ata nuk janë në Ukrainë për të luftuar kundër tij, por përkrah tij, në formacionet e Kadirovit.

Xhihadistët dhe Putinin i ka bashku dhe i bashkon urrejtja për Perëndimin, prandaj nuk ka sens të mendohet se ata u janë bashku forcave properëndimore kundër Putinit.

Nuk ka sens, sepse dihet fare mirë se vahabizmi dhe salafizmi në trevat shqiptare nxitet e sponsorizohet nga shërbimet ruse e serbe të inteligjencës, tash e 20 vjet me rradhë.

_________

Ku janë mendimtarët e të majtës që nuk po u ndihet zëri për Ukrainën? Ku janë Noam Chomsky, Alain Badiou, Slavoj Zhizhek, Regis Debray?

Këta dhe shumë të tjerë, 24 orë në ditë, gjatë gjithë vitit, rrijnë duke e sha demokracinë perëndimore, NATO-n, kapitalizmin perëndimor, për të na bindur se burimi i të keqës është në Perëndim e jo gjetiu.

Pse po heshtin për agresionin rus mbi një shtet demokratik? Çfarë po presin?

Mbase shkaku se krejt filozofia e tyre e mllefit ndaj liberalizmit perëndimor, tani e ka humbur çdo vlerë.

Mbase janë duke përpunu argumente të reja që edhe për agresioni rus në Ukrainë t'i fajësojnë demokracitë perëndimore.Kush mund ta dijë?

Sidoqoftë na mbetet t'i presim "margaritarët" e tyre. Ose thënë më mirë: të mos i presim hiç! Edhe ashtu qysh moti ka shterru burimi majtist i ideve të vlefshme.

_________

Pak orë para se të pinte helmin e ekzekutimit me vdekje, Sokrati kërkoi t'i sillnin një mjeshtër muzike që ta mësonte t'i binte kitharës( vegël muzikore antike). Kur njëri nga miqtë e tij e pyeti Sokratin se çfarë kuptimi ka të mësosh t'i biesh kitharës pasi pas pak orësh do të vdesësh, Sokrati ia ktheu: Sepse më pëlqen të mësoj.

Me këtë Sokrati donte që nxënësve e miqve të tij t'u linte mesazhin e fundit të filozofisë së tij: Të mësuarit është diçka që duhet të na shoqëroj gjatë gjithë jetës.

Sot të mësuarit gjatë gjithë jetës është shndërruar në nevojë të domosdoshme në shoqëritë e zhvilluara, në detyrim që lindë nga dinamika marramendëse ndryshimit teknologjik. Thënë ndryshe: sot për të mos qenë analfabet, të duhet të mësosh gjatë gjithë jetës.

_________

E lëshoi ushtrinë në Ukrainë për t'i treguar botës se Rusia është kthyer, se është superfuqi, se është e papërballueshme, se nuk pyet për askënd dhe të gjithë duhet t'ia kenë frikën.

Pas 10 ditë luftimesh e qendrese heroike të ukrainasve, sot Putinit si ka mbetur tjetër veçse të luftojë për të shpëtuar fytyrën e superfuqisë së tij. Kjo do ta zhys në barbari edhe më të mëdha, të cilat në fund do t'ia sugurojnë një vend meritor në katalogun historik të diktatorëve më të ndyrë që ka njohur njerëzimi.

Të lashtët na kanë lënë shumë mësime që vazhdojnë të konfirmohen si të vërteta. Njërën prej tyre e kemi nga Pirroja i Epirit: Mund t'i fitosh të gjitha betejat dhe në fund të humbësh luftën!

_________

Lvivi është qytet në Ukrainën perëndimore. Para 150 vitesh kur ai ishte pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze, ushtria e saj kisht ndërtuar një rrjet të madh tunelesh poshtë qytetit. Kuptohet për arsye ushtarake. Pastaj, më vonë, këto tunele ishin braktisur e harruar. Tash qytetarët e Lvivit qenkan mobilizuar për t'i rihapur këto tunele me qëllim që t'i kthejnë në vendstrehimore.

Kjo më kujton diçka nga ditët e luftës sonë: rifunksionalizimin e mullinjve me ujë, i cili pat ndodhur në shumë fshatra të Kosovës, ku nuk depërtonin dot furnizimet me miell gjatë kohës së luftimeve.

Kështu ndodhë që krejt papritur na hyjnë në punë disa gjëra për të cilat mendojmë se janë thjesht relikte të së kaluarës që nuk do të kthehet kurrë më.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Blerim Latifi: Bashkimi Europian rritej ekonomikisht e politikisht, ndërsa ushtritë shiheshin me përçmim! Blerim Latifi: A e dëgjuat atë hoxhën që mallkonte rezistencën e Ukrainës dhe i thurte elozhe agresionit rus? Blerim Latifi: Rezistenca e fortë e ukrainasve, na e kujton një fakt themelor të luftërave për liri Blerim Latifi: Sot nuk është një ditë e randë veç për Ukrainën Blerim Latifi: Ekziston një lloj skizofrenie kulturore në historinë e Rusisë Blerim Latifi: Gjeniu gjerman që nxori shqipen nga pluhuri i harresës Blerim Latifi: Milan Shuflaj - Thuajuni zotërinjve tuaj të largohen nga Kosova Blerim Latifi: Liria e Kosovës ka qenë e do të mbetet kuq e zi Blerim Latifi: Ne mbijetuam, triumfuam mbi të keqen, mbi gjenocidin Blerim Latifi: Lufta e Dytë Botërore ishte qërim hesapesh midis fuqive të mëdha Blerim Latifi: Përvjetori i fillimit të Konferencës së Rambujesë Blerim Latifi: Ligji i lashtë i Lekës kishte bërë mrekulli në mes të ferrit nazist Blerim Latifi: Putini po ndjek të njëjtën rrugë si Hitleri Blerim Latifi: Edhe njëherë për Rugovën dhe vendin e lënë bosh prej tij Blerim Latifi: Sot Rusia është një shtet i pastër autokratik Blerim Latifi: As në tokë, as në qiell Blerim Latifi: Ditëlindja e Intelektualit Blerim Latifi: Çfarë e lidhë Reformacionin protestant me fillimet e shkrimit të gjuhës shqipe? Blerim Latifi: Komunistët, falsifikatorë të paskrupullt të historisë Blerim Latifi: Puna e pakryer e lirisë

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora