Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ben Andoni: Vrasësit misteriozë shqiptarë me pagesë

| E diele, 14.12.2008, 02:00 PM |


Vrasësit misteriozë shqiptarë me pagesë

Policia ka zbuluar deri tani 11 vrasës me pagesë. Mendohet se janë të porositura edhe 23 vrasjet më të bujshme

Nga Ben Andoni

Të rinj. Të ndryshëm. Të maturuar. Me precedentë penalë dhe që gjenden përmes grupeve të vogla kriminale. Të etur për pasuri të lehtë, që nuk u dhimbet asgjë. Ky është përshkrimi i killersave të rinj shqiptarë. Për Bilbil Memën, ish-funksionarin e lartë të Policisë, ky fenomen njihet dhe objektivi i tyre mbetet ai që del nga rreshti. Ai vazhdon t’i përmbahet faktit që Shqipëria ka nevojë për një amnisti fiskale që të eliminojë këtë plagë. Kurse, nga policia e sotme, në statistika rezulton se grupmosha më e predispozuar mbetet 26-45 vjeç.

Të panjohur
 
Ata nuk i njeh askush. Janë njerëz të zakonshëm, por me cilësi psiko-motore shumë më ndryshe nga të zakonshmit. Janë ata, që tash shqetësojnë gjumin e frikuar të policisë shqiptare. I fundit, këtë javë, u prangos nga policia e kryeqytetit i dyshuar si vrasës me pagesë. Elvis Gurra, i akuzuar për tentativëvrasjen e dy personave më 17 maj të këtij viti, synoi që të vriste dy njerëz. Atentat mafioz u cilësua nga policia, që tashmë i duhet të përcjellë me kujdes në gjykatë të arrestuarin. Njësoj si ai, media e përditshme referon se efektivët e policisë kanë zbuluar deri tani 11 vrasës me pagesë, ndërmjet shumë prej vrasësve në vitet e fundit, ku 23 vrasje të bujshme besohet se janë me pagesë. Vetëm se duket perfeksionimi i killerave nga momenti në moment, ia ka shtuar peshën e vështirësisë policisë. Jo pak herë është shumë e vështirë që të kuptosh se nga dhe si është bërë krimi. Në të njëjtën pistë, njerëz me konflikte të hershme dhe pjesë të hakmarrjeve janë gjetur të vdekur. Dosjet kanë mbetur sërish pa autorë, por me regjistrimin perfekt të vrasjeve të kujdesshme nga duart profesioniste.

Vrasje profesioniste
 
Ende në ditët tona nuk dihet se si është vrarë një nga krerët e Komunitetit Mysliman, Salih Tivari. Kaq i kopsitur ka qenë realizimi i vrasjes, saqë edhe sot e kësaj dite kanë mbetur pas vetëm hamendësime për vrasësit. I ndjeri Arben Pojani, i vrarë një natë të pak viteve më parë, as nuk mundi të debatonte me vrasësin e tij. Perfekt në ekzekutim, vrasësi u largua duke e shtuar numrin e krimeve të pazbuluara në vend. Me të njëjtën shpejtësi, por në kahun e kundërt, media e pasqyroi blic lajmin. Por, më kot. Ndërsa policia në kohë rekord bëri regjistrimet e duhura. I ndjeri Florian Vila u ekzekutua po kaq mjeshtërisht, në derën e shtëpisë së tij. Më 29 mars vrasja e Fatmir Ramës, ose Mirit të Xhikes, ishte po kaq perfekte te Kartodromi, ashtu si në vitin 2005 Vajdin Lame, presidenti i boksit, do të ekzekutohej me një saktësi matematike në ashensorin e tij. Pak vite më parë, ngjarjet e Tropojës konverguan me një sërë ekzekutimesh po kaq mjeshtërore, të bëra me një infrastrukturë moderne. Të gjitha ishin vrasje profesionistësh dhe si vrasje me pagesë. Përsa u përket autorëve të krimeve me pagesë (killerat me pagesë) duhet theksuar se ky fenomen nuk është i përhapur në vendin tonë. Në goditjen e grupeve kriminale në vitet 2004-2008 janë evidentuar si dukuri dhe disa nga këta autorë dhe janë arrestuar e dënuar nga gjykatat tona. Individë të tillë janë evidentuar gjatë hetimit të organizatës kriminale, të quajtur të Bandës së Durrësit, organizatës kriminale të quajtur Banda e Lushnjës etj., - thotë Tonin Vocaj, drejtori i Krimeve të Hapura në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për MAPO. Në fakt, shqiptarët ka kohë që përfliten për këtë fenomen. Kohë më parë, Prokuroria e Antimafies Italiane, në momentin që kanë folur dhe me zyrtarë të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të Krimeve të Rënda, kanë referuar se shqiptarë në Itali janë pjesë e bandave famëkëqija dhe të rekrutuar si vrasës me pagesë. Madje, dyshohej se individë kriminalë shqiptarë ishin të implikuar në grupin e Kamorra-s, u fol atëherë nga ana e burimeve pranë akuzës qendrore. Ne e kemi ditur si fenomen dhe zakonisht në këtë rol rekrutohen njerëz me precedentë. Zakonisht zgjidhen ata që kanë lidhje me drogën, por edhe që kanë cilësi të mira psiko-motorike. E thënë me një metaforë, shenja bie mbi atë që del nga rreshti. Ky fenomen ekziston. Skema dihet: droga, tregu i armëve, klandestinët, monopolet, kur dikush mundohet që t’i dalë fjale pronarit të vërtetë, ekzekutohet. Për mendimin tim, dhe është një mendim që e kam shfaqur dhe herë tjetër, është që: në Shqipëri duhet të ketë një amnisti fiskale, që të njihen pronarët e vërtetë dhe në një farë mënyre që të bjerë maska e shumë pronarëve fiktivë.

Në vend të hamendjeve

Një e përditshme, që citonte burime të pakonfirmuara të policisë, tregonte pak ditë më parë dhe çmimet, që janë sot efikase për eliminimet. Nga 50 mijë deri në 1 milion euro variojnë çmimet e vrasjeve në Ballkan. Specialistët e kriminalistikës në rajon, në bazë të studimeve, kanë pohuar se vrasjet me pagesë me pritë shkojnë në 50 mijë euro. Kurse rritet për ato me eksploziv, atentate me snajper dhe deri te ato të politikanëve, kur kostoja e të cilëve shkon në 1 milion euro. Burime të rezervuara nga policia e shtetit thonë se vitet e fundit vrasjet me pagesë janë të shpeshta, citohet një e përditshme. Skema mbetet e thjeshtë dhe nuk ndryshon shumë në vendet e ndryshme të Ballkanit. Ajo ka të bëjë kryesisht me vrasje biznesmenësh, hakmarrje, konflikte etj. Në këto raste zgjidhet njeriu me pagesë, që zakonisht gjendet nga grupet e vogla kriminale. Në takimin e fshehtë, që rregullohet nga porositësi, ndërmjetësit dhe Killer-i vendosin për modalitetet. Vrasja paguhet duke iu referuar pastaj vështirësisë, mënyrës sesi do të realizohet dhe nga statusi i viktimës së radhës. Për z. Mema, vrasësi është një njeri me cilësi jo të zakonshme psikologjike, me një ekuilibrimet të matur. Si në kanun, gjërat janë gati të precizuara. Plagosja në formë kërcënimi shkon 25000 euro, ndërsa vrasja 150000 euro dhe ka vrasje që shkojnë 30-50000 euro, - është shkruar në të përditshmen “Agon”, që citon burime që nuk duan të identifikohen. Ajo shton se vrasja me lëndë eksplozive plastike shkon në 25-250 mijë euro...Me snajper shkon në 250000 euro..Kurse për ata që ruhen dhe me bodigardë deri 1 milion euro....

Shteti

Mungesa e institucioneve prevenuese që të parandalojë këtë fenomen është e theksuar, ndërsa strukturat e shtetit janë krejt të pafuqishme në këtë situatë, - thotë ish-drejtuesi i lartë Bilbil Mema, që tani është në pension. Në fakt, në të gjitha kohërat policia është munduar që ta minimizojë këtë problem, duket me një synim shumë të qartë për të zbritur frikën e publikut. Por, realiteti është kokëfortë. Veç të dhënave të policisë italiane, më 2004-n ishte shefi i shërbimit sekret gjerman, i cili jepte alarmin se krimi i organizuar shqiptar përbën sot kërcënimin më të madh për Europën. Sipas tij, në atë që u botua te DW, tentakulat e saj janë shtrirë jo vetëm në kontinentin tonë, por edhe në SHBA e deri në Australi. Madje në të njëjtën kohë, në raportin Mafia Ndërkombëtare thuhej se (http:glasgowcreë.tripod.com/ albanian.html: Për të përhapur tregtinë e tyre kriminaliteti shqiptar bën marrëveshje me N'Drageten italiane, Kamorrën, Stidën dhe MAFIA-n si dhe me keqbërësit rusë Solentskai, krimin e organizuar në Poloni, si dhe me organizata kriminale në Nigeri, Kolumbi, Meksikë, Serbi, Britani, Irlandë, Holandë dhe organizatat kriminale kurde. Në fakt, kriminaliteti shqiptar punon me çdo lloj grupi kriminal në të gjithë botën. Por lidhjet e tyre më shqetësuese janë me grupe kriminale nga Serbia dhe Afganistani. Në fakt, policia në vitet e fundit e ka intensifikuar këtë luftë. Ajo që duket se mbetet e pabarabartë është lufta logjistike me krimin. Ndërsa teknologjia avancon dukshëm dhe po kështu dhe krimi, policia është jo gjithmonë në lartësinë e duhur përsa i përket infrastrukturës logjistike të saj. Gjithsesi, për drejtorin Vocaj: Policia e Shtetit ka rritur efektivitetin e punës kundër kriminalitetit në tërësi dhe krimeve të rënda në veçanti, ku një drejtim i rëndësishëm i punës evidentohet nga parandalimi dhe hetimi i vrasjeve kriminale, si edhe arrestimi dhe vënia para drejtësisë i autorëve të tyre. Efektiviteti i punës pasqyrohet në uljen e ndjeshme të numrit të vrasjeve në raport me vitet e mëparshme, në zbulimin e krimeve të vjetra të ndodhura si dhe në arrestimin e autorëve të tyre. Në të gjithë vendin, krahas strukturave të parandalimit të krimit funksionojnë struktura të veçanta për hetimin e vrasjeve. Kjo strukturë ka rritur në mënyrë të ndjeshme efektivitetin e punës së policisë. Vetëm se shumë vrasje të mbetura pa autorë, përveç optimizmit dhe deklaratave të policisë e tregojnë faktin se kjo strukturë në krimin e organizuar është për t’u marrë në konsideratë, ndërsa psikologëve u duhet që t’i shtojnë një fushë studimi tashmë dhe mënyrës se si shqiptarët rekrutohen për killer-a. Të paktën në rastin e pak ditëve më parë, kur një i tillë syresh, Gurra, ishte futur i gjallë në dhé, pasi kishte dashur të vriste njëherësh dy objektivat e tij.

box
Psikologjia e një killer-i shqiptar

Për psikologen Lira Gjika, që është marrë shumë me çështjet e të burgosurve, problemin më të madh dhe pjesën më të ekspozuar ndaj rekrutimit si killera e shikon te të miturit. Adoleshentët dhe të rinjtë janë më të ekspozuarit. Ajo, në fushëpunën e saj, ka kërkuar me insistim që të bëhet një lloj anketimi dhe studimi i fëmijëve që mbarojnë sistemin 8-vjeçar dhe realitetin se ku shkojnë. Sipas saj, janë një kontigjent bajagi i madh që nuk punon dhe ajo hipotezon se janë shumë të hapur për sjellje të këqija. Në shoqëri të keqe pastaj, duke iu shtuar dhe rritja e keqe, pavarësia, elementë që dalin nga familje problematike, ku manifestohen kontradiktat e mëdha të çiftit, sjellin nxitjen e qenieve karakteropate dhe josocialopate. Në këtë hulli, ajo e shikon vendin nga ku del kjo strukturë në krimin shqiptar.
Ndërsa z. Bilbil Mema, ish-funksionar i lartë i policisë, thotë: Ka një fakt të dhunimit teknologjik të njeriut që e kthen atë në gjysmë njeri...Ka një nxitje por jo frenim..të njerëzve që i shikojnë këto. Në këto kushte, tek individë të dobët unë shikoj dhe rrugë se si kriminalizohet. Këtë gjykim e shton disi një nga psikologët më të njohur të kohës sonë, Vitorino Andreoli, që thotë: Njeriu i sotëm ndihet tepër i vetmuar e kjo vetmi krijon një dhimbje të padurueshme, një dramë të rëndë shpirtërore, që mund të kapërcehet vetëm përmes lidhjeve, ndjenjave, takimit me tjetrin: përmes dashurisë...

Box
Shkenca e krimit: killerat

Vrasja me pagesë ndodh kur një kontraktor privat apo qeveritar punëson dikë për të vrarë një person të caktuar apo persona për një shumë të caktuar parash. Vrasësit janë të punësuar për punë të ndryshme. Zakonisht një kontratë e tillë përfshin një sindikatë krimi që i duhet të punësojë një vrasës profesionist dhe që ka termin a hit man (goditësi). Nga ana tjetër, edhe qeveritë dhe individët po ashtu kontraktojnë për të vrarë, megjithëse kjo është pjesë e disa organizatave kryesore që mbahen si të heshtura. Një ekzekutues nuk ka të bëjë fare me konceptin e vrasjes me kontratë, megjithëse një ekzekutues në të vërtetë është thjesht për të vrarë njerëz. Diferenca është që një vrasës me pagesë zakonisht punësohet për të vrarë një person të veçantë, ndërsa ekzekutuesi vret për të ndëshkuar një krim.
Në shumë vende me sisteme gjyqësore, kontrata për të vrarë një person është e padetyrueshme nga ligji (në sensin që klienti nuk mund të padisë për një performancë specifike dhe vrasësi me pagesë nuk mund të padisë për pagesën e tij). Të dy, dhe vrasësi aktual dhe klienti i tij, nuk mund të gjenden fajtorë për vrasje. Kontratat e vrasjes janë shpesh, megjithëse jo gjithmonë, të shoqëruara me krimin e organizuar, kryesisht sepse kriminelët me karrierë ka shumë të ngjarë që t’i njohin vrasësit me pagesë dhe që të besosh se do të punësosh një vrasës të mirë, kjo do të thotë që të pakësosh mundësinë për t’u kapur. Në varësi nga rajonet dhe koha, killers-at zakonisht janë përdorur për t’i bërë të heshtin dëshmitarët kundër kriminelëve apo të eliminojnë kriminelët rivalë apo politikanët që kanë refuzuar të marrin ryshfet (plata o plomo – një frazë spanjolle fjalë për fjalë për monedhë ose plumb). Përdorimi i vrasësve me pagesë anonimë lehtësohet kundër formacioneve dhe vazhdimin e vendetës nga njerëzit e viktimës, që kanë lidhje zakonisht me organizatat kriminale. Vrasësit me pagesë e bëjnë krimin e tyre që të ngjajë si një krim i dukshëm. Ata gjithashtu e bëjnë që vdekja të duket si një vetëvrasje apo edhe një aksident, apo mund të fshehin dhe shkatërrojnë trupin, kështu që nuk është e qartë për autoritetet që viktima është e vdekur, sepse zakonisht ata e kanë zhdukur. Në disa vende, ligji i detyron agjentët që ndonjëherë të pozohen si vrasës me pagesë për të arrestuar njerëz, që pretendojnë t’i punësojnë ata.

Box
Tonin Vocaj, drejtori i Krimeve të Hapura në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit

Nga strukturat e Drejtorisë kundër Krimeve të Rënda në Departamentin për Hetimin e Krimeve gjatë periudhës 3-vjeçare është përqendruar puna në analizën e situatës kriminale të viteve të mëparshme duke u përqendruar në veprimtarinë e organizatave e grupeve kriminale. Gjate tre vjetëve janë goditur e vënë para drejtësisë 28 grupe e organizata kriminale. Janë evidentuar 125 autorë të këtyre grupeve e organizatave kriminale nga të cilët janë 97 të arrestuar, 20 ndiqen me masa kërkimi dhe 8 janë të vrarë. Po ju paraqesim dinamikën e vrasjeve gjatë viteve 2005, 2006, 2007 dhe periudhës janar-nëntor të vitit 2008.
Gjatë vitit 2005 janë evidentuar 131 vrasje dhe janë zbuluar 100 ose 76.3% e tyre.
Nga totali prej 131 vrasjesh të ndodhura gjate vitit 2005, janë implikuar 158 autorë të ndarë sipas grupmoshave:
1. Mosha 14-18 vjeç 7 autorë
2. Mosha 19-26 vjeç 66 autorë
3. Mbi 26 vjeç 85 autorë
4. Femra 15 autore
Gjatë vitit 2006 janë evidentuar 87 vepra penale të vrasjes dhe janë zbuluar 75 ose 86.2% e tyre. Gjatë vitit 2006 janë evidentuar 55 vrasje me paramendim, 25 vrasje të ndodhura në grindje e sipër. Nga totali prej 87 vrasjesh të evidentuara 12 kanë si motiv hakmarrjen, 9 kanë ndodhur për motive pronësie si dhe janë evidentuar 22 vrasje në familje. Nga totali prej 87 vrasjesh të ndodhura gjatë vitit 2006, janë implikuar 77 autorë të ndarë sipas grupmoshave:
1. Deri 18 vjeç 9 autorë
2. Mosha 18-26 vjeç 18 autorë
3. Mosha 26-45 vjeç 36 autorë
4. Mosha mbi 45 vjeç 14 autorë
5. Femra 4 autore
Gjatë vitit 2007 janë evidentuar 103 vepra penale të vrasjes dhe janë zbuluar 93 ose 90.2% e tyre. Gjatë vitit 2007 janë evidentuar 43 vrasje me paramendim, 38 vrasje te ndodhura në grindje e sipër. Nga totali prej 103 vrasjesh të ndodhura gjatë këtij viti 45 janë kryer për motive të dobëta, 9 vrasje janë kryer për motive hakmarrjeje, 8 vrasje për motive pronësie si dhe janë evidentuar 22 vrasje të ndodhura brenda familjes. Nga totali prej 103 vrasjesh të ndodhura gjatë vitit 2007 janë implikuar 117 autorë të ndara sipas grupmoshave:
1. Deri 18 vjeç 12 autorë
2. Mosha 18-26 vjeç 26 autorë
3. Mosha 26-45 vjeç 59 autorë
4. Mosha mbi 45 vjeç 20 autorë
5. Femra 4 autore

Gjatë periudhës janar-nëntor 2008 janë evidentuar 88 vrasje. Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 44 vrasje të kryera për motive të dobëta, 7 vrasje nga pakujdesia, 3 vrasje të kryera për hakmarrje, 3 vrasje të kryera për gjakmarrje, 2 vrasje të kryera për motive pronësie.
Nga totali prej 88 vrasjesh të evidentuar gjatë periudhës janar-nëntor 2008 janë implikuar 86 autorë të ndarë sipas grupmoshave:
1. Deri 18 vjeç 6 autorë
2. Mosha 18-26 vjeç 22 autorë
3. Mosha 26-45 vjeç 39 autorë
4. Mosha mbi 45 vjeç 19 autorë
5. Femra 4 autore
Siç vërehet edhe nga statistikat, mosha që predominon tek autorët e krimit të vrasjes është ajo nga 26 deri në 45 vjeç.

G. Albania