E marte, 16.04.2024, 01:52 PM (GMT+1)

Kulturë

Gjon Keka: Çeta e heronjve, në krye me kryeheroin Gjergj Kastrioti

E marte, 01.03.2022, 08:59 PM


Çeta e heronjve, në krye me kryeheroin Gjergj Kastrioti

(Me rastin e përvjetorit të 578 të Kuvendit të Lezhës)

Nga Gjon Keka

Duke qenë se lufta kundër pushtuesit turk ishte bërë tanimë luftë për jetë dhe vdekje, si për arbërorët dhe popullin e tij ashtu edhe për fisnikët e tij, për t’i përballuar egërsisë së sulltanit dhe gjithë perandorisë së tij, Gjergj Kastrioti e vuri në jetë idenë e bashkimit të fisnorëve me anë të një Kuvendi të përbashkët. Ky kuvend, në fakt nxori në jetë rrënjët e bashkimit jo vetëm të fisnorëve arbërorë, por edhe të simbolikës historike të kuvendit ilir. Po ashtu, ky kuvend në vetvete kishte tri shtylla, mbi të cilat ai do t’i rezistonte kohës së vështirë për shqiptarët, krahas parimeve themeltare të tij dhe të bashkimit të dymbëdhjetë fisnikëve arbërorë:

Shtylla e parë – Fryma e Unitetit (të gjithë e donin lirinë, të gjithë e donin atdheun të bashkuar, të gjithë donin ta hiqnin qafe armikun dhe zinxhirët e saj nga qafa e populli arbëror, të gjithë e donin Arbërinë, si atdheun e tyre në paqe e lulëzim, dhe të gjithë e donin të mirën e përbashkët)

Shtylla e dytë – Udhëheqja vizionare dhe e urtë, në krye të saj e kryezotit, strategut dhe komandantit Gjergj Kastriot Skënderbeu, si i vetmi dhe mbi të cilin do të mbahej gjallë ky kuvend bashkues i fisnorëve arbërorë deri në fund të jetës së tij.

Shtylla e tretë – Arbëria u bë më e shtrenjtë se jeta, pozitat, karriget, pasuria dhe gjithçka tjetër. (Të gjithë hoqën dorë nga rivalitetet dhe pozitat që mbanin dhe u vunë në shërbim të atdheut me të gjitha mjetet, pasurinë dhe veten e tyre, me qëllimin e vetëm që Arbëria të jetojë e lirë, e pavarur dhe bashkuar.)

Në lidhje me këtë, është për t’u përmendur se “legjenda thotë që Serafiku, zbarkoi në Lezhën (Lissus) antike dhe themeloi atje manastirin e parë françeskan në tokën arbërore. Kur zoti i Krujës themeloi Kuvendin e popullit arbëror në Lezhë ( 2.Mars 1444), sundimtarët venecianë të atij qyteti, të Shkodrës dhe Durrësit, morën pjesë në të të emocionuar nga shpallja krenare e atij kuvendi. Si Eugjeni IV, bashkëqytetar i tyre, ashtu edhe françeskanët u treguan bujarë ndaj atij. Frati Andrea – Kryeipeshkvi i Tivarit – shkoi në Romë te Nikolla V, ku më pas dërgoi Frat Andrea da Oliveti në kampin arbëror, si Nuncë apostolik ...”

Lezha, në kuptimin historik të kombit tonë është një vend i shenjtë për ne arbërorët: aty u themelua Kuvendi i Lezhës, po aty gjendet edhe varri i mbretit arbëror e që më pas ky varr u bë frymëzim për ringjalljen e kombit tonë dhe të shumë brezave për lirinë, pavarësinë dhe unitetin arbëror. Lezha ka simbolikën saj domethënëse, sepse, ashtu sikurse Mbreti Gent i mblodhi të gjithë në Lezhë kundër pushtuesve romakë, ashtu edhe mbreti Gjergj Kastrioti mblodhi në Lezhë fisnorët kundër pushtuesve otomanë.

Ky kuvend kishte rëndësi jetike dhe politike e kombëtare të fuqisë së vendit në sfidat e tij në të ardhmen e përbashkët. Zemra e porosisë dhe këshillës së udhëheqësit të urtë e vizionar Gjergj Kastriotit më 2 Mars 1444, ishte kjo: “Fuqitë e Arbërisë u ngjajnë rrëkeve të vogla që rrjedhin në drejtime të ndryshme. Në qoftë se këto rrëke bashkohen, atëherë bëjnë një lumë të madh e të fuqishëm”. Pas formimit të Kuvendit të Lezhës, vendi filloi të realizonte aspiratat e tij bujare dhe krah për krah të dilnin fitimtarë në shumë beteja me armiqtë turq.

Kuvendi i Lezhës u thirr “maius et generale consilium dhe mori mbi supet e saj ta mbrojë jo vetëm veten, Arbërinë, Gadishullin Ilirik, por edhe civilizimin e përbashkët europian. Kryeheroi hynë Gjergj Kastrioti, i cili i printe çetës së heronjve kundër pushtuesit otoman (turk), u bë mburoja, udhëheqësi dhe ideatori i bashkimit jo vetëm të Arbërisë, por edhe i bashkimit të kombeve të Europës. Europa e kishte rastin e bekuar që t’i bashkonte forcat e saj në një kuvend mbarë-europian, të cilin ia kishte dhënë si ide kryezoti ynë arbëror Gjergj Kastrioti, por kombet, princërit, mbretërit e asaj kohe nuk e morën parasysh dhe nuk e shfrytëzuan e as nuk i dolën në ndihëm atij në luftën kundër pushtuesit otoman (turk). Për t’i shprehur më saktë gjithë këto sa thamë, ky kuvend ishte “arritja e parë dhe më e rëndësishme e politikës së Gjergj Kastriotit. Me marrëveshjen e Lezhës, në mars të vitit 1444, për herë të parë në historinë e vendit, princërit e paepur shqiptarë themeluan një ligë dhe bënë një front të përbashkët kundër armikut të tyre”.

Synimet e tij largpamëse Gjergj Kastrioti i bëri realitet në kohën kur e udhëhoqi Arbërinë dhe shfaqi dritën e madhe përpara Europës për shpëtimin e vendit të tij.

Ai ishte besnik i madh i Arbërisë, ai nuk qëndronte në kolltukun e mbretërisë së tij, ai nuk i vendoste ushtarët të parët në front, por veten në ballë të betejave, ai nuk kujdesej shumë për veten e tij dhe pasurinë e rezidencës së tij mbretërore, por për pasurinë e përgjithshme të Arbërisë.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora