E enjte, 18.04.2024, 05:44 PM (GMT+1)

Kulturë

Donika Mustafaj: Dorëheqjen e Besnikut si ministër e mora vesh në majë të Oroshit

E diele, 14.12.2008, 01:01 PM


Flet, pedagogia, regjisorja, skenaristja e filmave dokumentarë Donika Mustafaj

Dorëheqjen e Besnikut si ministër e mora vesh në majë të Oroshit

Nga Albert Zholi
 
Prej pak vitesh ka gjetur vetveten në realizimin e filmave dokumentarë. Një profesion artistik që e ka mbushur me piksynime dhe ideale për të ardhmen. Me një familje dhe martesë të suksesshme, gruaja që ka studiuar për filozofi duket se ka gjetur të mesmen e artë mes bashkëshortes, të qenit nënë dhe karrierës. Duke i dhënë secilës prioritetin maksimal në kohën e duhur. Për të arritur atë ekuilibër që pak gra në jetën e tyre munden ta realizojnë.

Keni formuar fytyrën tuaj nëpërmjet filmave dokumentarë. Filmat që keni realizuar deri më sot a kanë gjetur dëshirën e brendshme tuajën për t’u përcjellë siç duhet tek spektatori?

Sapo kam realizuar premierën e dokumentarit tim të tretë, të quajtur “Ustai i fundit”. Një dokumentar i realizuar mbi enigmën nëse flitet apo jo për ustain e fundit në Shqipëri, enigmë që zgjidhet vetëm në fund të dokumentarit. Bëhet fjalë për mjeshtrin e klarinetës, Laver Bariun dhe në dokumentar jam vetë skenariste, regjizore dhe rrëfyese. Një film i realizuar me grupin tim të xhirimit që përbëhet nga kameramani Arjan Kamberi, operatori i zërit Bardhyl Xhani, dhe montazhieri Gjergj Pano. Premierën e këtij dokumentari e realizuam në Përmet e mund të themi se jemi mirëpritur shumë në atë qytet dhe dokumentari u duartrokit gjatë gjithë kohës nga qytetarët dhe dashamirësit e këtij zhanri. U ndjeva tërësisht e kënaqur sepse me thënë të drejtën jam lodhur shumë, sepse ka qenë një punë shumë voluminoze. Nuk ishte e lehtë të punoje me Laverin, një artist ku janë të ngjizura fort dhe virtytet dhe veset. Të dyja të ndërthurura me tepri. Ai ishte dhe përmetari i butë, por dhe ai i egri. I thyeshmi, por dhe i pathyeshmi. Në disa raste ai më vinte në pozitë të vështirë se ndërronim rolet dhe shumë herë më bënte për të qeshur. Edhe në montazh nuk ishte e lehtë, sepse kuptohet që ai është një zotëri mbi 80 vjeç, që kujtesa i krijon kapriçot e veta, por mendoj se ia arrita qëllimit.

Duke e krahasuar me filmat e mëparshëm dokumentarë çfarë mund të dallosh tek “Ustai i fundit”?

Filmi im i parë quhet “Jetë pezull” dhe i përkushtohet gjakmarrjes. Ka qenë një dokumentar që nuk ka trajtuar kanunin klasik, por jam ndalur tek falja. Sepse unë mendoj se nuk ekziston më kanuni klasik, s’ka më rregulla dhe mund të vritet lehtësisht si gruaja dhe fëmija. Unë aty jam ndalur tek falja, duke ju drejtuar njerëzve me një mesazh që duhet të falin sepse vrasja kthehet në zinxhir. Ajo sjell përsëri vrasjen. Në realizimin e këtij dokumentari pata vështirësi sepse njerëzit prapa kamerave më thoshin gjithçka, ndërsa para tyre, asgjë. E vërteta ishte prapa kamerave. Duke mos dashur që atyre njerëzve t’u bëja keq, atëherë lashë atë që deklaronin para kamerave duke mbyllur dokumentarin me pyetjen: A e kam shkelur kodin tim të gazetarit? Ndoshta…!
Ndonëse nuk thashë të vërtetat ashtu siç ishin, problemi doli, njerëzit i thanë problemet e tyre, pse kishte ndodhur ngujimi, çfarë pasojash kishte për ta në ngujim, se çfarë vuanin fëmijët në kullat e ngujimit, shumë herë pa frekuentuar shkollën. Dhanë fakte shumë tronditëse, por nuk guxonin të nxirrnin emrat se kush i kishte vrarë, sepse kishin frikë pasojat dhe kjo është normale. Jetojmë në Shqipëri. Megjithatë dokumentari pati një sens të ndryshëm nga gjithë ato që janë bërë mbi gjakmarrjen sepse të gjithë kapen tek ana dramatike e gjërave pa u ndalur tek falja. 
 
Ju keni mbaruar për filozofi, keni dhënë sociologji dhe tashmë merreni me dokumentarë . Ku e ndjeni veten më mirë?

Kam dhënë dorëheqjen nga fakulteti duke qenë se nuk i përballoja dot dhe dokumentarët dhe leksionet. Zgjodha filmin dokumentues dhe besoj dhe shpresoj që të bëjë një rrugë të gjatë në këtë fushë.

Është një profesion që të bën të jesh larg familjes?

Megjithëse kam qenë larg familjes me xhirime kam gjetur mënyra të ndryshme për të mos i munguar njerëzve të mi. Familja më përkrah në të gjitha aspektet. Si bashkëshorti dhe fëmijët më përkrahin sepse unë po bëj diçka që më pëlqen. Nëse prej mungesës sime do të hanë një supë apo një sanduiç për ta nuk është ndonjë sakrificë e madhe përkundrejt faktit se shohin nënën e tyre plot pasion, energji dhe forcë nga puna që bën.

Po Besniku nuk bëhet xheloz për Donikën e tij që largohet kaq ditë nga familja, me një staf meshkujsh, duke shëtitur rrugëve të atdheut?

Nuk mendoj se Besniku është i tillë. Xhelozia ekiston tek çdokush, por im shoq ka besim tek unë, tek dashuria ime, dhe njëkohësisht respekton atë që bëj unë, ashtu siç unë respektoj atë që bën ai. Natyrisht që dhe ai largohet nga shtëpia, dhe ai ka shkuar në rezidencat e shkrimtarëve me muaj të tërë dhe unë kam ndenjur me muaj të tërë në shtëpi. Më ka munguar dhe mua shumë. Por nuk jemi egoistë, as unë dhe as ai. Ne nuk i kemi ndërtuar marrëdhëniet në mënyrë të tillë. Përderisa ai ka ikur për një qëllim, ose unë kam dalë nga shtëpia për një qëllim që më shërben mua dhe familjes në tërësi nuk ka vend për xhelozi dhe dyshime. Mendoj se duhet respektuar partneri dhe me pasionet që ka.

Kjo do të thotë se ju nuk jeni bërë xheloze asnjëherë?

Nuk jam tip xheloze. Duhet të më japësh një shkak për t’u bërë e tillë. Deri më tani nuk kam pasur shkak. Të tjerët ndoshta dinë ndonjë gjë. Por unë i lutem Zotit që unë të mos di gjë.
Duke iu kthyer kohës së mëparëshme, periudhës shqiptare të viteve ‘90-të. Bashkëshorti juaj,

Besniku vendosi të merrte pjesë në lëvizjen demokratike. Kanë qenë për ju çaste dramatike, duke menduar që në ato kohë të rrezikshme mund të fluturonte dhe koka?

-Mua më kujtohet kur Besniku dha një intervistë për “Zërin e Amerikës”. Ishte i pari që foli për këtë rrjet televiziv. Atëherë luhej me burgun dhe koka ishte në rrezik. Aty kam pasur pak frikë. Besniku është shumë kurajoz, i guximshëm. Pata shumë frikë për familjen time. Ato ditë nuk flija gjumë, rrija gjithë kohën në ballkon duke pritur tim shoq dhe gjithçka më shkonte në mendje. E thashë më sipër se Besniku ishte shkrimtar dhe ndonjëherë ato janë si fëmijët, nuk e përfillin rrezikun. Mbaj mend që djali im i madh ishte një ditë në ballkon dhe policia që po zihej me turmën. Tim biri iu ndërrua sistemi i vlerave, sepse pa policat duke rrahur njerëzit dhe më ka thënë me qindra herë se ajo pamje i ka ndërruar mendimin për njerëzit e ligjit. Aty dhe tek unë si nënë filloi ndërrimi i vlerave. Mendoi se për Besnikun futja në politikë ishte një mision. Edhe kur unë i kam thënë: “Ç’neh, ti shkrimtar të futesh në politikë!” Ai më është përgjigjur se kur një vend rrezikohet një shkrimtar e ka për detyrë t’i shërbejë vendit të tij. Ai nuk duhet të bëjë sehir.

Besniku ka hedhur gjithashtu kandidaturën për PD-në e Tiranës. Lufta është shumë e ashpër, sepse janë formuar dhe klane sipas shtypit. Ju a besoni në fitoren e tij . A ndjeni ndonjë shqetësim në këtë situatë të vështirë politike?

Shqetësime nuk ndjej fare. Dhe jam shumë komode, sepse Besniku nuk flet kurrë në shtëpi për problemet e politikës. Na ka mbajtur mua dhe dy fëmijët larg politikës, sepse politika këtu në Shqipëri është shumë e egër dhe ai në momentin që mbyll derën e shtëpisë i lë prapa të gjitha dhe brenda shtëpisë kthehet në tjetër Besnik. Ne qeshim, flasim, këndojmë, flasim për problemet e fëmijve dhe politika nuk hapet si bisedë në shtëpinë tonë. Ashtu si dhe problemet që kam unë tek puna nuk i diskutoj me të. Ne mendojmë se familja është familje dhe kërkon përkushtimin e vet. Problemet që vijnë nga ana profesionale, zgjedhjet që bën ai në jetë i takojnë atij. Ai i ka marrë përsipër dhe duhet t’i zgjidhë. Çdo vendim që ai merr unë e pranoj dhe jam dakord, përderisa kam vendosur të jetojë me atë njeri dhe i krijoj të gjitha kushtet. Ndoshta nuk dal në shesh e i bëj fushatë. Por unë bëj fushatën time, duke e pritur ngrohtë, duke i krijuar qetësi, nuk i krijoj tensione. Përpiqem t’i krijoj një klimë sa më të ngrohtë shumë të nevojshme për një politikan. Një politikan ka nevojë për një familje stabël, për një grua që të mos e mërzisë me tensione. Nga ana tjetër besoj dhe jam e bindur që Besniku do të fitojë. Unë besoj sepse ka demokratë ku ai mbështetet shumë dhe që e dinë shumë mirë se kush është ai.

Thuhet se kandidatura e tij do të përqafohet dhe nga disa konservatorë…

Besniku është futur në një garë. Nuk besoj se ai është i kapur shumë pas rezultatit. Është normal që kur një njeri futet në garë kërkon fitoren. Ne kemi bërë biseda dhe me miq të tjerë dhe Besnikut i dhimbset shumë Partia Demokratike, gjendja që ishte dhe është. Ju e keni parë që sa lëvizi ai, lëvizën të gjitha strukturat e Partisë Demokratike. Për Besnikun ka rëndësi që PD-ja të lëvizë, të bëjë diçka, të fitojë zgjedhjet. Fundja-fundit u zgjodh apo jo, nuk ka rëndësi. E rëndësishme për të është demokracia, vota e lirë, zgjedhja e drejtë e demokratëve. Në situata të tilla dhe nëse do humbiste nuk do i vinte aspak keq sepse ai nuk synon kurrë pushtetin.

Fëmijët tuaj a janë të angazhuar me politikë?

Djali i vogël e ndjek shumë të atin dhe është shumë i angazhuar. Ndërsa djali i madh merret me avokati. I vogli që nga Parisi i jep mendime dhe ka patur raste që parashikimet e tij kanë dalë. I vogli e ka pasion politikën. Ai po mbaron për avokati po mendoj se rruga e tij do jetë politika.

Politika shqiptare ia ka lënë gjithë hapësirat e nevojshme femrës shqiptare?

Nuk mendoj se politika ia ka lënë të gjitha hapësirat për vetë faktin që është vënë kuota 30 % gra. Por unë jam dhe për mendimin që gruaja shqiptare duhet të luftojë vetë. Unë nuk do të pranoja kurrë të më ofronin një vend vetëm për kuotë. Gruaja duhet të luftojë vetë dhe të fitojë. Jemi në Shqipëri dhe ndaj saj ka shumë pengesa, por mendoj se dhe mbështetja e burrave dhe mentaliteti shqiptar më duket se ka ndryshuar. Duhet që gratë të përballen.

Në gjithë këto vite ka ndonjë peng?

Faktikisht e kam pasur më përpara, por jo tani. Unë kam mbaruar filozofi jashtë dëshirës time. E kam bërë shkollën pa qejf. Sepse filozofia nuk ishte zanat. Deri sa fillova dokumentarët e kisha peng që nuk kisha zanat. Sot jam në fushën e gazetarisë, bëj dokumentarë dhe shpresoj dhe uroj të bëj akoma më shumë. Tani ndjehem e realizuar.

Në këndvështrimin tuaj kush është problemi kryesor i politikës shqiptare?

Nuk ka rregulla loje. Nuk më pëlqen shumë politika dhe mendoj se për gratë politika është shumë e egër. Gruaja si qenie sensibël e ka të vështirë.

Keni menduar ndonjëherë të kandidoni për deputete?

Jo. Kurrë! Deri tani nuk më ka vajtur mendja. Mua më pëlqen arti dhe mendoj se aty dua të arrihem. Ka shumë raste që Besniku flet në një stacion televiziv ndërkohë që unë shoh një film. 

Dorëheqja e Besnikut si Ministër i Jashtëm

Lajmin e dorëheqjes së Besnikut e kam marrë në majë të Oroshit. Isha me xhirimet e dokumentarit. Jo se nuk e dija. Ai e kishte diskutuar me mua dhe me djalin duke na thënë se kishte vendosur që të jepte dorëheqjen. Ne jemi një familje që respektojmë shumë punën dhe tjetrin. Kur na e tha, djali i foli i pari dhe mbaj mend që kanë qenë këto fjalë: “Babi nëse e ke menduar kështu ne të mbështesim. Ti je babi im si të jesh ministër, deputet apo jo. Unë e respektoj vendimin tënd”. Dhe unë i kam thënë pak a shumë të njëjtat gjëra. Besniku kur merr përsipër diçka ose merr një vendim do të thotë se ai ka menduar aq shumë, e ka peshuar atë vendim me miliona herë. Ai nuk merr kurrë vendime të çastit. Ai analizon gjithçka duke menduar në raport me veten, shoqërinë, miqtë, familjen, me PD-në. Të them të drejtën më erdhi shumë keq, sepse ai po punonte me gjithë shpirt. Kishte ngritur të gjitha strukturat, grupet dhe punonte deri vonë, nuk linte gjë t’i kalonte. Unë e kam shoqëruar disa herë: në Tokio, Kinë, Korenë e Jugut dhe kam parë pasionin me të cilin ai mbronte Kosovën, Shqipërinë. Shpesh kur unë shoh se çfarë bëhet në Shqipëri dhe kam ato brejtjet e ndërgjegjes për gjithë këtë luftë idealiste ai gjithnjë më përgjigjet se ia vlen të bëhet luftë për të ardhmen e Shqipërisë. Një e ardhme më e mirë do të thotë një e ardhme dhe për fëmijët tanë, dy djemtë njëri prej të cilëve ka mbaruar Juridikun dhe tjetri gjithashtu, të cilët sipas tij kur të rriten do i kërkojnë llogari se çfarë ka bërë ai për të ardhmen e tyre, çfarë kontributi ka dhënë realisht. Pra për të ka shumë arsye që ia vlen të luftohet. Duke parë përkushtimin e tij, përgatitjet, të them të drejtën më erdhi shumë keq. Por, e prita qetësisht. 

Marrëdhëniet me familjen Berisha

Dhe më parë me zonjën Berisha nuk është se kam pasur ndonjë miqësi të veçantë. Kemi pasur ndonjë përshëndetje dhe zakonisht jemi parë në ndonjë takim ose në recepsione. Nuk është se zonja Berisha dhe unë futemi tek ato gra që ishim shumë të lidhura se burrat tanë ishin në qeveri. Përshëndeteshim me njëra-tjetrën me telefonata, takime pune. Jemi takuar njëherë më pas në aeroport, jemi përshëndetur, kemi pirë diçka. Kemi folur shumë përzemërsisht, kemi folur për shumë gjëra. Dorëheqja e Besnikut nuk ndryshoi asgjë në marrëdhënien tonë me zonjën Berisha dhe as me zotin Sali. Çdo njeri ka pikëpamjet e veta. Njëherë jam takuar me Argitën, jemi përshëndetur, si gjithmonë. 

Karriera nga filozofia tek filmat dokumentarë

Mendoj se unë jam në një moshë që kam fituar eksperiencën e duhur dhe filozofia të ndihmon në këtë drejtim. Ka shumë gazetarë që më kanë pyetur nëse është e rastësishme fytja ime tek filmat dokumentarë. Unë mendoj se pak gjëra në jetë janë rastësi. Për mua nuk mendoj se ndodhi kështu. Duheshin paraqitur disa tema tek televizioni shqiptar dhe unë paraqita temën e gjakmarrjes. Në atë kohë pati disa vrasje dhe duke qenë se për disa kohë kam qenë pedagoge sociologjie tek Fakulteti i Mjekësisë më bëri që gjithë këtë eksperiencë të grumbulluar ta shfrytëzoja për një gjë të tillë. Eksperienca ishte dhe gjeti momentin që shpërtheu. Që kur kam qenë e vogël më ka pëlqyer shumë kinemaja. Kam parë shumë filma artistikë, ndërkohë që dokumentarë shqiptarë njihja shumë pak. Fillimisht e nisa si reportazh dhe më pas kur hasa probleme kaq të mëdha mendova ta bëja një dokumentar. Nuk ishte e lehtë sepse të shkosh në mal dhe të futesh në një shtëpi të ngujuarish nuk është dhe aq e kollajshme. Por emocionet ishin shumë të mëdha. Ishte dokumentari i parë, që u prit shumë mirë dhe nga mediat. Të gjitha gazetat shkruan. Mendoj se kam futur diçka të re tek dokumentari duke dalë nga ai tradicionali. Mendoj se dokumentarët e mi janë treguese të drejta të historive shqiptare. 

Birësimi i Deboras

Ne kemi bërë një adoptim në distancë, për një vajzë që quhet Debora. Për herë të parë e bëmë publike, kur prezantuam familjen tonë për 50- vjetorin e lindjes së Besnikut dhe 25 vjetorin e martesës. Nuk do donim që ta nxirrnim në publik. Por menduam që meqë doli gjithë familja të mos e përjashtonim dhe Deborën. Por nuk do bëhet një shfaqje publike. Kemi bërë një birësim në distancë, duke qenë se ishte një vajzë e braktisur. Iu dha Besnikut e drejta për t’i vënë emrin fëmijës, bashkë me disa personalitete të tjerë. E biseduam bashkë dhe menduam të merrnim një vajzë sepse vajzat e kanë jetën më të vështirë, ndërkohë që djali çan vetë. Ne do e ndjekim Deborën sa të mundemi. Pastaj të shohim çdo sjellë koha. Është një vajzë shumë e mirë dhe e bukur. Me kalimin e kohës do shohim si do rrjedhin gjërat. 

Sa e lidhur jeni me librin?

-Jam shumë e lidhur me librin. Që kur kam qenë e vogël e deri më sot nuk më ka kaluar një ditë pa lexuar libra. Më pëlqejnë më tepër esetë. Romanet rozë nuk më tërheqin fare. Për momentin po lexoj librin e Artan Fugës. Nuk bëj një përzgjedhje të librave.

Përveç librit?

-Merrem me guzhinën që e kam pasion. Në shtëpinë time nuk kanë munguar kurrë gatimet. Nuk i kam servirur kurrë familjes sime sanduiçe apo pica. Unë gatuaj guzhinë të vendeve të ndryshme. Ndonjëherë indiane, kineze, franceze, shqiptare. Fëmijët ngaqë kanë kaluar pjesën më të madhe në Francë e pëlqejnë shumë guzhinën francee, që është e lehtë dhe bëhet shpejt.

Keni ndonjë idhull të preferuar në Shqipëri?

-Si model nuk kam. Por më pëlqen shumë Julia Roberts. Në shumë raste model kam vjehrrën time. Është një grua shumë ambicioze, një grua që kurrë nuk e thotë fjalën e fundit në fillim, shtë një grua që di çfarë flet, di si flet dhe si trajton. Për mua ajo grua është një artiste. Besoj se Besniku asaj i ka ngjarë. Si politikane më pëlqen Thetçeri. Nuk ndjek një model të vetëm. Kryesisht bëj një amalgamë modelesh. 
 
Kapni disa probleme sociale në tematikën e filmave tuaj. Parë më gjerë cilat janë problemet e shoqërisë shqiptare sipas jush?

-Le të kapim rininë. Ajo po përballet me vlera të ndryshme. Mbas viteve 90-të vlerat tradicinale janë zëvëndësuar me vlera të reja. Po a janë vërtet vlera? Rinisë shqiptarë në pjesën më të madhe po u servirim vlera të rreme, modele si Big Brother. Është normale që rinia ato do ndjekë. Kjo gjë është problematike. Unë mendoj se një pjesë e grave janë të zëna me punë dhe duke qenë se nuk janë gjithë kohën me fëmijën, pa dyshim që ai do formohet vetë. Unë jam një nënë shumë e lumtur. Unë i kam parë fëmijët e mi çdo ditë duke u rritur, duke i shoqëruar nga lindja deri në moshën 18 vjeçe. Unë i kam formuar personalitetin. Kur do ktheheshim nga Franca ishin shumë njerëz që na thanë t’i linim fëmijët tek ata, por për mua dhe Besnikun ishte e pamundur. Aty ku do rrija unë do rrinin dhe ata. Sepse është shumë e rëndësishme që fëmijët të rrinë pranë prindërve, që i formojnë
personalitetin. Fëmijët janë ardhmja. Njoh shoqet miat që bëjnë dy punë. Kush do e formojë personalitetin e fëmijëve të tyre.

Kush janë problemet e emigrantëve në këndvështrimin tuaj?

-Sapo erdha në programin e satelitit unë ngula këmbë që emigrantët të njihnin historinë e Shqipërisë. Ato nuk e njohin historinë. Mendoj se është e rëndësishme që ato ta njohin. Para dy vjetësh paraqita një projekt që quhej “Dafina”, dhe ishte një emision që tregonte se çfarë kishin dhënë emigrantët shqiptarë në çdo vend ku kanë qenë dhe çfarë kanë pritur. Qëllimi ishte që të ishin krenarë për vendin e tyre sepse shqiptarët në emigracion janë dalluar gjithnjë për talentin tyre. Kështu e mendoj unë. Por këtë infomacion duhet t’ia japim ne. Ai emision nuk u bë për arsye fondesh. Ata kanë atje çfarë u duhen, kanë një rrogë, një ekonomi, por u mungon ajo pjesa tjetër që duhet t’ua japim ne. Faktikisht bëhet shumë pak për emigracionin.

Keni ndonjë shoqe politikane?

-Shoqe të mirëfillta jo. Kam shoqe që janë ingranuar në politikë. Shoqe është gjë e madhe.

Ç’është shoqëria për ty?

-Shoqe është ajo që unë mendoj edhe pasi ka mbaruar orari zyrtar. Një njeri që më jep mendim të sinqertë të mbushur me përjetime të vërteta për një punë që bëj unë, për një gëzim që kam unë.

Si lexuese e rregullt a mendoni se sot shqiptarët në atdhe kanë respekt për konceptin punë?

-Kam qenë e ftuar në një debat për uniformat shkollore. Mendimi ishte që unë jam për uniformë sepse vetë uniforma të imponon punë , respekt, autoritet. Po të shohim njerëzit nga pamja e jashtme mendon se nuk ka respekt për punën. Nuk jam as për idetë që shprehen njerëzit se punojnë aq sa marrin rrogën. 

Ç’është gazetaria për jua. A e kryen funksionin e saj. A është e njëanshme, e politizuar. Ne gazetarët në përgjithësi janë të vërtetë në lajm apo ndikohen nga drejtuesit dhe politika?

Unë nuk marr përsipër të analizoj gjithë gazetarinë shqiptare. Nisem vetëm nga përjetimet e mia. Mendoj se influencohen. Është normale që ka dhe gazetarë që s’janë profesionistë. Marrin përsipër të bëjnë komente kur nuk janë profesionistë. Më ka ndodhur me dokumentarin tim, kur një gazetare pa dokumentarin dhe më pas shkruajti diçka krejt ndryshe nga të tjerët. Filmi kishte shkuar dhe në Itali. Sigurisht që nuk doja vetëm lavdërime por dhe kritika. Dhe kur e kontaktova për të kuptuar se çfarë nuk shkonte, ajo më tha: “Për mua vetëm dokument nuk ishte”. Nuk e di se ç’dokument donte ajo më tepër kur aty ishin njerëzit e ngujuar në shtëpi që flisnin që tregonin. Ajo vetëm dokument kishte me tepri. Në shumë raste gazetarët marrin përsipër të shkruajnë dhe të komentojnë, por ne na mungojnë gazetarët profesionistë që dinë të analizojnë një pjesë teatri, një dokumentar. Çfarë solla unë të re. Kur analizon një punë duhet parë se çfarë solli risi. Mendoj se për gazetarinë ka shumë për të bërë.

Mendoni se televizionet shqiptare janë të standarteve shqiptare dhe përcjellin ato mesazhe që i duhen me të vërtetë rinisë dhe shoqërisë shqiptare?

-Them se ka shumë punë për të bërë. Disa herë bëj debate me kolegët e mi. Ne jemi një television publik, dhe si i tillë ai ka një bosht që duhet të ndiqet. Ka një qëllim. Një program të caktuar sepse i drejtohesh publikut. Shohim shpesh tema dhe reportazhe që nuk kanë fare lidhje me këtë. Kalojnë shpeshherë në punë si televizionet private. Ne kemi emigracionin jashtë, që duhet t’i përgjigjesh. Aty ka gazetarë që duhet shfrytëzuar. A ke mundësi t’i përgjigjesh. Është ana financiare që mungon. Kjo duhet parë. Me sa shihet dhe ato vetë nuk janë të ndara. Nuk mund të bësh emisione për ta pa pasur financime.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora