E premte, 29.03.2024, 08:03 AM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Ekziston një lloj skizofrenie kulturore në historinë e Rusisë

E merkure, 23.02.2022, 07:33 PM


Blerim Latifi:

Ekziston një lloj skizofrenie kulturore në historinë e Rusisë: derisa në politikë rusët vazhdimisht kanë anuar drejt agresivitetit dhe imperializmit ndaj popujve të tjerë, në fusha tjera, si p.sh.në letërsi, ata vazhdimisht kanë dhënë shembuj të mahnitshëm humanizmi, duke filluar nga Pushkini e deri te Pasternaku. Njeriu thjesht mbetet i mahnitur kur lexon letërsinë e Tolstoit, Gogolit, Turgenievit, Çehovit, Dostojevskit, Berdyaev-it, Jeseninit, Pasternakut, Mandelshtamit, Ahmatovës, Brodskit, e të shumë e shumë të tjerëve.

Fatkeqësisht, në disa raste, disa prej emrave të mëdhenj të literaturës ruse e kanë humbur rrugën humaniste në skizofreninë kulturore ruse. I tillë është rasti i Dostojevskit me pansllavizmin e tij ortodoks dhe i Solzhenjicinit me apologjinë e tij për antiliberalizmin dhe autoritarizmin e Putinit. Gjithsesi Rusia mbetet një shembull i shquar mbi pafuqinë e artit të madh për t'i zbutur instinktet destruktive të politikës.

______

Videoja ku shefi i inteligjencës ruse Sergei Naryshkin dridhet teksa raporton para Putinit, ka bërë xhiron e botës. Sigurisht ato pamje nuk do të dilnin pa lejen e vozhdit të ri të Kremlinit. Duket se përmes tyre Putini done t’i tregonte botës forcën e sundimit të tij absolut mbi aparatin e shtetit rus. Një forcë që dikur e kishte vetëm Stalini.

Ka një ngjarje reale nga koha e Stalinit, e cila na kujtohet kur e shohim Naryshkin-in duke u dridhur para Putinit. Kur shefit të inteligjencës sovjetike, Lavrenti Beria, i dhanë lajmin se Stalini ishte duke dhënë shpirt, ai vrapoi të arrinte i pari tek shtrati i tij, para të gjithë anëtarëve të tjerë të byrosë politike. Kur e pa se tanimë Stalini nuk po merrte as frymë, dhe i bindur se ai tanimë kishte ikur në botën tjetër, Beria nisi ta shante dhe fyente shefin e tij mizor. Papritur çerpiku i Stalinit lëvizi dhe në çast Beria mori pozicionin gatitu të njeriut të bindur në mënyrë absolute.

Në regjimet autokratike bindja është variabël e varur nga frika: niveli i bindjes rritet në proporcion me nivelin e frikës.

______

Nga mosmarrëveshja gjeostrategjike midis Perëndimit dhe Rusisë në vitin 1913 doli Shqipnia Londineze.

Nga mosmarrëveshja gjeostrategjike midis Perëndimit dhe Rusisë në vitet 2007-2008 doli Kosova e pavarur.

Mbase nga mosmarrëveshja e re gjeostrategjike midis Perëndimit dhe Rusisë, që po zë fill me Krizën e Ukrainës, Kosova  e Shqipnia do të bashkohen përfundimisht në një shtet të përbashkët.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora