E enjte, 18.04.2024, 10:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Elsa Lila: “Princin e kaltër” se mendoj fare

E diele, 14.12.2008, 03:03 PM


Elsa Lila
Flet këngëtarja e mirënjohur, prezantuesja e Festivalit në RTSH, Elsa Lila

“Princin e kaltër” se mendoj fare

Aktrimin e zgjodha unë, kurse kënga më zgjodhi mua

Nga Albert Zholi

Hyrje

Një vajzë e sinqertë, e qeshur, plot gjallëri, tepër e shpenguar, por po kaq dhe punëtore. Këto janë impresionet e para gjatë takimit me këngëtaren e mirënjohur Elsa Lila. Një fytyrë fëminore, gati deri në pafajshmërinë më të padiskutueshme, të bën që të mendosh se kurrë nuk mund të besohet se mbi ato supe të njoma, atë buzëqeshje pranvere, por sfiduese, qëndron një personalitet njerëzor që gjithçka e ka arritur (brenda dhe jashtë atdheut) vetëm dhe vetëm me punën, studimin, kërkesat, këmbënguljen, vullnetin, vizionin e saj, pa asnjë mbështetje të jashtme, pa asnjë nxitje shoqërore apo familjare. Një rrugëtim impresionues, midis reales dhe ëndrrës aq më tepër kur flitet për një vajzë shatshkurtër që dhe pse po jeton vitet e rinisë, duket në moshën e adoleshencës. Veshja e saj më tepër befasuese. Një palë atlete “adidas”, tuta dhe bluzë sportive, një pulovër e thjeshtë, mjaft e
bukur, që në trupin e saj lastar, duken si prerja më perfekte e stilistëve më të mëdhenj të modës. E folura e saj i ngjan për nga sinqeriteti rrëfimeve fëminore që nuk dinë të mbajnë asgjë, por duan ta çojnë deri në fund atë që mendojnë (apo kanë në mendje) pasi kështu ndoshta duken më të lehtësuar. I pëlqejnë udhëtimet, por më shumë skena. Atë nuk e këmben me asgjë. Dhe pse ëndrra fëminore ka qenë aktrimi, tashmë kënga është jeta, apo stina që i jep qetësinë, etjen për jetë, dëshirën për të parë larg, relaksin, freskinë e mendjes, dashuria më e madhe, luksi femëror, piedestali ku energjitë i ka të pashtershme. Kurrë se besoja se brenda Elsës do të gjeja dy Elsa të ndryshme që plotësojnë aq bukur njëra- tjetrën. Në skenë, një Elsë që të mbërthen, të shtang, të befason, serioze, potente, plot krenari, me zë magjepës, që dhe pse trupvogël merr përmasat e Herkulit (për imponimin skenik), në bisedë një qenie e brishtë, që si lule bore, të vjen ndrojë ta prekësh apo bezdisësh se mos “ i bien petalet”. 
 
Elsa, ju këtë vit do të jeni përsëri prezantuese e Festivalit ne Radio-Televizion. Ç’përbën ky hap i dytë në këtë evenimet të madh të këngës shqiptare në jetën tuaj?

Po. Është hera e dytë që unë e provoj këtë eksperiencë. E kam provuar edhe vitin e kaluar së bashku edhe me Pirro Çakon. E deklarova edhe vjet mbas festivalit që në qoftë se do të më ripropozohet ky pozicion do ta paranoja me gjithë dëshirë përsëri. Pata fatin që institucioni i Radio Televizionit shqiptar ma ribesoi edhe këtë vit dhe unë e pranova me kënaqësi sepse vjet realisht unë u argëtova në skenë, pasi ishte një eksperiencë e re që më tha impresione të një natyre tjetër. Në jetën time artistike ishte një risi sepse shpesh në skenë unë kam dalë vetëm si këngëtare. Të prezantoje kishte edhe ajo pjesën e vet emocionale. Ky pozicion meqenëse e pëlqeva vjet e pranova me shumë kënaqësi edhe këtë vit dhe po impenjohem maksimalisht që të prezantohem akoma më denjësisht. Dua ta justifikoj besimin.

Por këtë vit ka një ndryshim, nuk do të jeni përsëri me Pirro Çakon?

Kjo është interesante. Ndoshta ishte e paparashikuar nga askush. Tashmë po punoj brenda vetes që t’i përshtatem karaktereve dhe energjisë së dy partnerëve të rinj që unë kam në krah, pikërisht Jul Dedës dhe Gent Zenelit. Ata janë dy humoristë të njohur dhe unë dua që t’i përshtatem energjisë së tyre, karakterit të tyre brenda rolit tim. Rolet janë të ndara por që përçojnë një format (zgjidhje të re) që publiku të shohë një Festival tjetër. Por drejtuesit menduan që të mos ta prishin harmoninë që kishim vjet dhe të mbanin përsëri të njëtin staf, ku regjisor mbetet Pali Kuke. Pra, Pirro Çako Drejtor artistik dhe unë prezantuese, me disa elementë të rinj,

Pse jua kanë besuar për herë të dytë këtë eveniment kaq të rëndësishëm?

Sepse nga viti i kaluar të gjithë ata që drejtonin këtë Festival mbetën të kënaqur për performancën time.

Në ç’vit ishte festivali në RTSH ku ju morët pjesë ?

Ishte në dhjetor të vitit 1996. Pra ishte hera e parë që unë këndoja në një eveniment dhe zura vend të parë me këngën “Pyes lotin”.
Në vitin 1997 mora përsëri çmim të parë me këngën “Larg urrejtjes”. Dhe kjo rrodhi natyrshëm. Rruga ime tashmë kishte marrë drejtim tjetër, rrugën e bukur të këngës. Aktrimi u largua paksa nga jeta ime. Kënga më rrëmbeu pa kuptuar me forcën e saj të qetësimit të shpirtrave njerëzorë.

Kur u larguat për në Itali?

Në mars të vitit 1997, mbas trazirave në Shqipëri. Unë në atë kohë isha në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” dhe sapo isha bërë e famshme. Në mars, për arsye familjare dhe sigurie të familjes sonë u larguam familjarisht në Itali me një helikopter që u nis nga stadiumi “Qemal Stafa”. U nisëm për pak kohë, për të qëndruar aq sa gjendja të qetësohej, por qëndruam 12 vjet ku vazhdoj ende sot e kësaj dite.

Festivali i “Sanremos”, më i magjishmi, më i bukuri, ëndërr e çdo këngëtari në botë. Si arriti Elsa në jetë në skenën gjigande të këngës botërore?

-Në tetor të vitit 2002, sapo isha transferuar në Romë nga Leçia. Atëherë isha vetëm 21 vjeçe. Kisha shkuar në Romë që të kryeja Universitetin dhe të lidhesha më shumë me muzikën. Në shtator kur më jepet e drejta për të studiuar arkitekturë në Fakultetin e Arkitekturës në Romë pata fatin të lidhesha me një shtëpi diskografike që është shtëpia diskografike më e madhe, jo vetëm në Itali, por edhe në botë “BI Emen Xhi”, që tani është bërë “Sony Bi Emen Xhi”. Shkoj dhe bëj një audicion në studio. Aty fillova lidhjet e para me muzikën, këngën. Audicioni në këtë studio bëri që drejtuesit të më mbështesnin për në Sanremo. Por më parë duhej të konkurroja në një konkurs në “Rai Due”, ku konkurronin 40 të rinj. Ishte viti 2002, kur filluan seleksionimet për vitin 2003. Në “Rai Due” ishte një emision që bënte seleksionimet për Sanremo. Pra çdo të premte bëheshin seleksionimet dhe hiqej nga një personazh. Nga 40 vetë që ishim, unë u futa në 12-tëshe. Duke parë ecurinë e këtij emisioni në “Rai Due” suksesi që pata ishte shumë i madh, mbështetja nga juria ishte e madhe dhe çuditërisht Pipo Paudo u bë (ishte) një nga fansat e mi. Që në puntatën e dytë më tha se unë kam shumë qejf që ti të jesh dhe ti do të jesh pjesëmarrëse në Sanremo. Ai mendoi se unë isha një talent dhe mendoi që të më mbështeste. Duke parë ecurinë e atyre tre muajve ku juria më jepte maksimumin e pikëve pritej që unë të merrja pjesë në Sanremo.

Pas pjesëmarrjes së parë në Sanremo si e ndjetë veten në prezantimin e dytë?

Kaluan katër vjet nga një Sanremo tek tjetri dhe në këto vite isha shumë më e pjekur dhe e gatshme për ta përballuar skenën.

Sa disqe (albume) keni bërë në gjuhën italiane?

Dy disqe.

Si titullohen disqet?

I pari titullohet “Elsa” dhe i dyti “Senso della vita”. Janë shitur të gjithë

Albumi i parë Elsa ja keni dedikuar vetvetes?

Jo, thjeshtë, pa pasur parasysh këtë përcaktim.

A keni menduar për ndonjë album tjetër?

E kam menduar për një në gjuhën shqipe, por po nuk e ndjej veten gati. Asnjëherë nuk nxitohem në aspekte të tilla. Janë evenimente që duan përgjegjësi dhe përgatitje serioze. Albumi nuk është mbrëmje vallëzimi.

Vite të tëra në Itali, keni ndjerë shenja racizmi?

Sigurisht, në fillim e ndjeja shumë, ndërsa tani për opinionin italian nuk jemi shqiptarët e viteve 1990-96. Shqiptarët me punën e tyre me artin e tyre janë paraqitur dinjitoz me kalimin e kohës. Vitet e shkollës së mesme kanë qenë vitet e vështirësisë, ku shenja të tilla i kam ndjerë edhe nga shokët e klasës.

Dy motra, e keni ndjerë mungesën e një vëllai?

Jam shumë e lumtur që kam një motër (dhe nuk e kam ndjerë mungesën e një vëllai) sepse atë e kam motër, shoqe, shok, vëlla. Unë e kam ruajtur vetveten dhe për mendimin tim nuk është vëllai ai që të mbron.

Tani ju jeni pjekur, a mendoni që në Shqipëri do të gjeni terrenin e përshtatshëm si prezantuese programesh apo drejtuese emisionesh?

Unë ngelem vetëm këngëtare dhe nuk e radhis veten si prezantuese, por vetëm si këngëtare. Nuk parapëlqej daljen në çdo kohë në ekrane.

Thatë që keni shumë dëshirë që të luani një rol në film në Shqipëri, po në Itali a ju është ofruar një rast i tillë?

Kam pasur shumë raste. Kam marrë pjesë në disa filma televizivë. Ambientet që frekuentoj më tepër aty, janë ambiente aktorësh, regjizorësh, këngëtarësh. Në Shqipëri kërkoj të gjej ëndrrën e pasionit fëminor.

Nuk do t’ju pengonte realizimi i një filmi fakti se nuk keni mbaruar studimet për aktrim?

Unë mendoj se ka të bëjë shumë regjisori që ti ke në krah. Një regjisor me vlera të jashtëzakonshme arrin të bëjë aktor të talentuar. Regjisori që është i mirë mund të bëjë aktorë dhe atë që nuk është aktor. Unë të gjitha bazat teknike i kam marrë. Ju thashë eksperiencat e mia në Pallatin e Pionerëve. Ato janë ngulitur thellë në subkoshiencën time. Dashuria ime për aktrimin nuk është zbehur kurrë.

Si e mendoni dhe a e keni gjetur princin tuaj të kaltër?

Se mendoj fare. Nuk është në ëndrrat e mia martesa, familja, etj.. Nuk e kam akoma këtë imazh në veten time.

E ndjek modën rregullisht Elsa?

Fare. Nuk ndjek modën e komodidetin. Nuk e kam fiksimin e veshjes.

Shokun më të ngushtë keni cigaren?

Jo. Më të ngushtë kam penën kur shkruaj poezi, kur shkruaj tekste këngësh. Në këto momente cigarja është shumë e afërt vetëm si shoqëruese. Kam shkruar poezi, monologje, por nuk kam ndërmend t’i botoj. Më shplodhin.

Marrëdhëniet me librin?

-Nuk kam kohë shumë të lexoj. Tashmë kohët kanë ndryshuar. Jetojmë epokën moderne të, si celularit, internetit, ku lëvizja, ritmet e jetës janë ndryshe. Aktualisht po lexoj një autor gjerman dhe këtë po e bëj për efekt që të prefeksionoj gjuhën shqipe. Koha ka bërë paksa të vetën.

Gjithë këto ditë a e keni lexuar shtypin shqiptar?

Jo nuk e lexoj fare shtypin sepse shtypi jonë flet vetëm për politikë dhe kronikën e zezë.

A e keni menduar ndonjëherë veten në politikë apo deputete?

Jo! Unë jam artiste dhe artisti nuk mund të merret me politikë (mendimi im). Artisti i përket të gjithëve (mendimi im). Kjo tani për tani.

Kur mërzitet, çfarë bën Elsa?

Var turinjtë dhe mbaj mëri me dikë, apo edhe reagoj. Por më kalon shpejt.

Kur nxehet Elsa…?

Lëre fare. Edhe xhama mund të thyej. Kur më bëhen padrejtësi që as i kam menduar.

Pas Festivalit, ku është drejtimi i Elsës?

Në Madakaskar për pushime. Them të rri 3 javë.

Je e përkëdhelur e fatit?

E para e punës, studimit.
 
Largimi nga aktrimi

Aktrimin e zgjodha unë, kurse kënga më zgjodhi mua. Edhe kënga ndodhi shumë rastësisht. Çdo gjë ka nisur nga Pallati i Pionierëve. Unë isha 14 vjeçe, dhe e detyruar nga shkolla ime, marr pjesë përsëri në konkursin e zërave të rinj. Mësuesja ime e muzikës më dërgoi për muzikë dhe mësuesja e letërsisë më dërgoi për recitim. Kanë qenë mësueset e mia shtysë për këto përvoja jetësore interesante në jetën fëminore. Në konkurrim për këngë, midis 1000 nxënësve mbeten 10 finalistë. Unë mora çmim të parë dhe këndova një këngë të Xhorxhës. Ai që fitonte çmim të parë kishte të drejtën të këndonte në Festivalin e Fëmijëve. Them se kënga më mori mua sepse ishin të tjerët që më morën mua, më shtynë për Festival, pasi unë doja vetëm grupin e dramës. Në festivalin e fëmijëve fitova çmimin e dytë. Këndova këngën e nënës, me tekst të Jorgo Papingjit dhe muzikë të Luan Bakiut.
Publiku më duartrokiti në skenë dhe unë u përlota. Në sallë ishte dhe Valentin Veizi, kompozitor që kishte sjellë djalin e vet të shikonte Festivalin e Fëmijëve. Pas Festivalit pasi më pëlqeu shumë në interpretim filloi të më kërkonte në gjithë Tiranën. Në atë kohë nuk kishte celular dhe pasi më gjen pimë një kafe me babain tim dhe thotë se unë kam dëshirë që ti të marrësh pjesë në festivalin e madh (pra në Festivalin e RTSH-së). Unë atëherë isha katërmbëdhjetë vjeçe e gjysmë. Na prezanton këngën “Pyes lotin”. E shikoj këngën dhe mbas disa muajsh unë këndoj në festivalin e madh.

Mësimet në Sanremo

Që unë të bëj muzikë edhe në vendin ku unë aktualisht jetoj në Itali, që unë të njihem jo vetëm publikun tim, por edhe nga ai italian, mundësinë që unë të bëj disa disqe aty dhe ata të shiten. Që disqet e mia të jenë nëpër dyqanet italiane dhe publiku italian t’i blejë si të një këngëtari vendas dhe kjo është një kënaqësi e madhe. “Sanremo” është një magji.

Bukuria dhe kënga

Unë nuk shquhem për bukuri. Jam një femër normale. Kur më thonë e bukur, qesh. Bukuria shkon e vjen. Në moshën 40 e më shumë vjeç bukuria zbehet. Mosha bën të vetën. Emocioni që të jep bukuria kalon shumë shpejt. Kënga jeton gjithmonë. Ajo është e pavdekshme. Koha e bën atë edhe më të bukur, edhe më interesante edhe më dëgjuar. Kënga është ndjenja më fisnike e shpirtit që mbretëron në hapësirat ndërplanetare si një diell i ngrohtë dhe në stinën më të ftohtë për çdo qenie njerëzore. Pa këngën njeriu do të ishte pa dritaren që flladit mendjen dhe ledhatimin që stimulon dashurinë njerëzore.

Elsa dhe prezantimi

Unë kam prezantuar që e vogël. E kam nisur rrugën time artistike si aktore dhe jo si këngëtare. Isha pjesë e grupit të dramës në Pallatin e Pionierëve këtu në Tiranë, fitova çmimin e dytë në një konkurs recitimi për talentet e reja etj. Recitova “Lypsen e vogël” të Migjenit dhe një pjesë komike, të cilën e sajova vetë një monolog të marrë nga “Tom Sojeri” i Mark Tuenit. Pra juria kërkonte një pjesë tragjike dhe një komike. Atëherë isha 12 vjeç. Pas këtij momenti u regjistrova në kurset e dramës. Juria që na gjykonte në këtë konkurs recitimi ishin mësues të grupit të dramës. Unë fitova çmimin e dytë dhe jo të parë, sepse çmimet e para jepeshin me miq dhe unë nuk kisha miq. Më detyruan që unë të regjistrohesha në kursin e dramës, ku për tre vjet përveç mikrodramave që kemi vënë në skenën e Pallatit të Pionierëve (që tani është bërë kinemaja Millenium), më ra rasti që
unë të prezantoja koncertin e Vitit të Ri për fëmijët (viti 1994). Kanë kaluar 14 vjet dhe unë nuk i kam harruar ato leksione (nëse mund t’i quaj kështu), të cilat më kanë shërbyer shumë. Tashmë kam shumë dëshirë që të luajë edhe një film për kinemanë sepse ngelet një pasion i fshehtë shumë i madh i imi të aktruarit. Ishte eksperienca e atyre viteve dhe e vitit të kaluar në festival që bën që të vij për herë të dytë në skenë si prezantuese, pasi pa to ndoshta nuk do të isha në këtë nivel prezantimi.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora