E premte, 29.03.2024, 01:04 AM (GMT)

Kulturë

Baki Ymeri: Altri Mondi dhe Tensione sentimentale

E diele, 14.12.2008, 01:48 PM


Baki Ymeri
Botime të reja bukureshtare

Altri Mondi dhe Tensione sentimentale

Nga Baki Ymeri

Pas vëllimeve Ishulli i pavdekësisë,  Bukuria e Bukurive dhe Vullkani i durimit, në vigjilje të Ditës së Flamurit e panë dritën e botimit në Bukuresht edhe dy vëllime me vlera antologjike  autorësh shqiptarë e të huaj. Fjala është për antologjitë Altri Mondi (me 16 autorë: Ismail Kadare, Visar Zhiti, Vitore Stefa Leka, Engjëll Koliqi, Ilire Zajmi, Bardh Frangu, Kozeta Zylo, Ndue Hila, Julia Gjika, Rexhep Shahu, Mardena Kelmendi etj., si dhe antologjia Tensione sentimentale me 13 autorë: Azem Shkreli, Drita Braho, Vlashi Fili, Fatime Kulli, Marjeta Ismailati, Zeqir Gërvalla, Elda Kokoneshi, Ismail Iljasi etj. Parathënia, poezitë dhe bibliografitë prezantohen në gjuhën shqipe dhe gjuhën rumune, ndërsa disa edhe në atë italiane. Atë që bënte Bukureshti dikurë, rilindësit e tij mundohen ta bëjnë sot. Është hera e parë kur ndërmerret një inisiativë e këtillë në universin shpirtëror të kombit shqiptar, edhepse një antologji të ngjashme (Moral yjesh), me autorë shqiptarë e të huaj, e ka prezantuar për herë të parë akad. Rexhep Ismajli në Prishtinë (1979).

Ideator dhe nismëtar për realizimin e një misioni të këtillë është Mardena Kelmendi, ndërsa konsultentë: Thanas Gjika, Vitore Leka dhe Engjëll Koliqi. Këto vepra kanë një rëndësi specifike për afirmimin e shpirtit shqiptar në gjuhë të huaja, si dhe për mikpritjen e autorëve të huaj në gjuhën shqipe. Librat dalin nën përkujdesjen e Shoqatës së Gruas Italo/Shqiptare Camminiamo Insieme (Ecim së Bashku) në Triestë, dhe redaksisë së revistës Albanezul/Shqiptari në Bukuresht. Në vepër defilojnë emra të njohur e të panjohur, poetë të rinj e të vjetër, shqiptarë, italianë, brazilianë, rumunë, etj. Misioni i antologjive është më se fisnik: afirmimi i vlerave shqiptare e të huaja në epokën e globalizmit, prezantimi i disa autorëve të harruar nga do kuaj interneti me biografi të ndotur. Duke deshifruar bibliografinë e autorëve, konstatojmë në disa raste se më i rëndësishëm është karakteri sa sa talenti. Në këtë kontekst, vlerën e antologjive përkatëse e shton edhe parathënia brilante e Visar Zhitit, të cilën e prezantojmë në tërësi.


FTESA E NJË ANTOLOGJIE

(Teksa shpërndahemi, vendtakim kemi poezinë)

Nga Visar Zhiti

Dëshira për t’u marrë me poezi është e hershme, aq sa ç’është i hershëm dhe njeriu, madje dhe ikja e tij në kërkim të vendeve të tjera, mbase në fund të fundit është kërkimi i poezisë së vetvetes, i thelbit, zbulim i së bukurës. Nëse përsëritet shpesh thënia e Dostojevkit se e bukura do ta shpëtojë botën, mua më pëlqen të shtoj se poezia është ajo që na shpëton ne nga kotësia dhe zvetënimi i gjërave dhe na jep emocionin e duhur, aftësinë për t’u mrekulluar. Këto po sillja nëpër mend, kur më thanë se shoqata e gruas italo-shqiptare në Trieste Ecim së bashku (Camminamo insieme) dhe revista Albanezul (Shqiptari) në Bukuresht,  kanë marrë nismën të botojnë disa antologji të poezisë së shqiptarëve në mërgim, dhe jo vetëm aq, po çdo autor mund të marrë me vete në antologji dhe një tjetër autor nga vendi ku ka bujtur. Ide interesante kjo e Kryetares së shoqatës në fjalë, po thosha dhe kur më kërkuan që parathënien të mund ta shkruaja unë, m’u përzien befas në kokë fjalët Antologji, Grua, Shqiptar, Ballkan, Itali, Xhejm Xhojsi në Trieste, që mblidhte fjalë shqip, Diasporë, Naim Frashëri që botonte në Bukuresht, Ecje, Bashkë, shoqatat e shkrimtarëve shqiptarë në Greqi, SHBA, etj., libri në makinë, pas xhamit dhe gati thashë me zë se Njeriu, kur udhëton, e ka më të lehtë të këndojë.

Shqiptarët janë në një udhëtim të madh. Të paduruar tani që Europa të vijë sa më parë tek ata, një pjesë kanë iku ta gjejnë ata sa më parë Europën.. Nuk është fjala thjesht për kontinentin e vjetër, se trualli i shqiptarëve në Europë është, i patjetërsueshëm aty, por nënkuptohet dhe metafora e Europës së qytetërimit dhe mirëqenies, e vlerave dhe e viryteve, e thënë hapur, e Poezisë. Që kapton dhe në kontinentet e tjera, në Amerikë, po dhe në Azi e Afrikë, edhe në Australi, ku kudo kanë mbërritur shqiptarët. Dhe, siç thamë, udhëtimin e tyre edhe ata e shoqërojnë me këngë.

Bij të gadishullit më poetik, me fqinjë grekërit, prej të cilëve kanë marrë shumë, ku besoj, se s’kanë dhënë më pak, me sllavët e Jugut, që ndajnë dhe me ta mite dhe legjenda të përbashkëta, me rumunët, që i lidh një bashkëpunim brilant rilindas, shqiptarët, tashmë në dy shtete, në Shqipërinë e lashtë dhe në Kosovë, në Republikën më të re në botë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi, me një diasporë më të madhe se veten, duke patur përballë dhe Italinë, porta e Europës për ta, duan të jenë dhe janë copëz e kulturës së përbashkët të njerëzimit, ku më e rëndësishme se multikulturalizmi është bërë interkultura, të përfshirë dhe ata në këtë lëvizje, ku duan të shpalosin veten, duan të marrin botë, por edhe të japin. Dëshmi është qoftë dhe një antologji e tyrja.

Vërtet, ç’është një antologji, çdo të thotë?  Si fjalë, dihet, rrjedh nga greqishtja, ànthos - lule dhe légein – mbledh ose zgjedh. Që latinët përdornin dhe kompozitën florilegium – tufë lulesh, sinonim i së cilës është  dhe fjala miscellus, që ka dhe kuptimin e ushqimeve të përziera. Poezia kështu që herët po barazohej me ushqimin. Ndërkaq më pëlqen të shtoj se latinët, sipas ndonjë botimi etimologjik, ashtu siç i thoshin sabaia birrës ilirike, i thoshin dhe përmbledhjes së poezive. Edhe paraardhësit tënë, pra, Ilirët, me gjuhën dhe zejet e tyre, kanë ndikuar tek të tjerët, janë përzierë dhe kanë bashkëpunuar me popuj. Po, po, edhe në fushën poezisë si në atë të luftës. 

Një antologji tekefundit u rrekërka qysh në gjenezë që të bashkojë sa më shumë, nëse është e mundur: tufën e luleve dhe të emrave, aromën - edhe të fjalëve, tryezën me ushqime të shijshme, por dhe me metafora, dehjen me pije dhe me ndjenja, si në një të kremte të përbashkët thërret të tjerë në heshtje, lexues edhe përtej kufijve, bën miq, etj, etj. Gjatë një bisede në Torino me poetin rumun Marin Soresku, (që e botova dhe si parathënie të antologjisë së poezive të tij në gjuhën shqipe), ndër të tjera e pyeta se cila do të ishte porosia e tij për popujt e Ballkanit, të gërryer nga konfliktet dhe luftrat? - Të lexojnë poezi, - më ndërpreu ai.

Antologjitë e njëri-tjetrit e kryejnë më së miri këtë mision. Ato janë përmbledhjet poetike të popujve. Prandaj kriteret për të hartuar një antologji janë nga më ndryshmet, nga më befasueset, kritere kohe dhe hapësire, kontinetale dhe epokash, etnish dhe gjuhësh, drejtimesh letare, etj, etj. Ka antologji dhe të kritereve tematike, vetëm me poezi dashurie ose me poezi për punën, për të rënët, krishtlindjet, me poezi për ujrat, për gurët, kuajt, vuajtjen, etj, etj. Ka të tjera  me poezi vetëm të grave, të shkollarëve, ashtu siç po botohen në vendin tim antologji me shkrime të të burgosurve, që besoj janë dukuri dhe e vendeve të tjera që kanë dalë nga diktaturat. Sepse poezia mbi të gjitha është liri, mrekulli e saj.

Po antologjia që kemi ndër duar ç’kriter ka? Ajo sikur do të na tregojë që një punë e tillë mund të jetë e kujdo, mjafton dëshira. Pastaj sikur na fton që jo vetëm ta pranojmë tjetrin, por edhe ta bëjmë mik. Se, kur shpërndahemi, është poezia piktakimi më i bukur. Që ta shvleftësojmë nocionin i huaj dhe Kullën e Babilonit. Pra, e thënë shkurt, kjo është një antologji miqsh, që merr përsipër ta shpallë atë, duke krijuar tensione sentimentale, ku harresat dhe mungesat duhen pranuar dhe falur. Është si një trokitje e beftë në derë, ku pritet esklamacioni i thjeshtë dhe i gëzueshëm: - O, mireserdhe! - Kush je? - Një si ti! - Nga vjen? -  Nga vendi i poezisë...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora