Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Milan Shuflaj - Thuajuni zotërinjve tuaj të largohen nga Kosova

| E diele, 20.02.2022, 07:55 PM |


Blerim Latifi:

"Thuajuni zotërinjve tuaj të largohen nga ai vend (Kosova), sepse ai vend as nuk ishte e as nuk do të jetë i tyre"

Në janar të vitit 1931 albanologu i famshëm kroat Milan Shuflaj kishte arritur në Tiranë. Qeveria shqiptare e kishte ngarkuar me projektin e shkrimit të historisë së shqiptarëve, projekt i cili parashihej të përfshinte emra të njohur ndërkombëtarë të historiografisë. Shuflaj e elaboroi projektin në një seancë të veçantë të Parlamentit Shqiptar. Agjentët e fshehtë të Serbisë në Tiranë nuk vonuan ta informojnë qeverinë në Beograd dhe kjo nuk humbi kohë për ta marrë vendimin kriminal: duhet vrarë Shuflaj që të ndalohej projekti i tij! Vrasësit u nisën drejt Zagrebit. Në shkurt Shuflaj la Tiranën dhe u kthye në Zagreb. Në hyrje të banesës ai u ndesh me vrasësit. Në konfrontimin verbal që ndodhi fillimisht, Shuflaj u tha atyre: "Thuajuni zotërinjve tuaj të largohen nga ai vend (Kosova), sepse ai vend as nuk ishte e as nuk do të jetë i tyre". Vrasësit e Beogradit e qëlluan me mjete të forta dhe të nesërmen Shuflaj vdiq në spital nga plagët. Vrasja e tij shkaktoi indinjatë të madhe në qarqet shkencore europiane. Në mesin e atyre që protestuan ishte edhe fizikanti më i madh i shek XX, Albert Ajnshtajn. Ato vite Serbia po punonte intensivisht në planet për shpërnguljen e të gjithë shqiptarëve të Kosovës në Turqi dhe, në këtë kontekst, zëri i Shuflajt përbënte një pengesë serioze për këto plane në rrafshin ndërkombëtar.

Një pengesë serioze, sepse, siç dihet prej kohësh, që të zhdukësh një popull, duhet më parë të zhdukësh të vërtetën e tij.

_______

Datat e mëdha në kalendarin filozofik

Kur Van der Piku bashkë ne gruan e tij u kthye nga mesha, trokiti në derën e dhomës të qeraxhiut të tyre. Asnjë zë nuk u dëgjua nga brenda. Mbase qeraxhiu ishte duke fjetur. Më vonë trokiti përsëri dhe prapë asnjë reagim. Atëherë i zoti i shtëpisë e hapi derën dhe me të hyrë e pa se ku qëndronte arsyeja e heshtjes. Qeraxhiu i tij kishte vdekur. Në tokë i kishin rënë fletët në të cilat po shkruante kapitullin mbi demokracinë të Traktatit Politik. Ai quhej Baruh Spinioza, njëri prej etërve themelues të Iluminizmit Europian dhe, padyshim, njëri prej mendimtarëve më të mëdhenj në historinë intelektuale të njerëzimit.

Ishte vetëm 44 vjeç. I leçitur nga komuniteti i tij hebre për shkak të mendimeve të tij kritike për religjionin, Spinoza e kaloi jetën e tij në varfëri dhe vetmi, por asnjëherë nuk pranoi që të hiqe dorë nga liria e tij e mendimit. Madje edhe atëherë kur iu bë atentat nga një fanatik fetar.

Ai nuk pranonte asgjë, e cila mund t'ia cenonte lirinë e mendimit dhe të arsyetimit logjik. Nuk pranonte dhurata nga tregtarët e pasur të Amsterdamit, sepse e tmerronte frika nga korruptimi i shpirtit. Për të njëjtën arsye ai e refuzoi pensionin e Luigjit te XIV dhe ofertën për të drejtuar katedrën e filozofisë në Heidelberg. Kur ofertuesi i tha se "të garantojmë lirinë e mendimit, me bindjen se ke mirësinë të mos e sulmoni fenë zyrtare të shtetit", përgjigjja e Spinozës ishte e tillë : "Vlera e propozimit tuaj është mjaft e shtuar në sytë e mi, nga liria e të filozofuarit e bashkangjitur me të...Por, unë nuk e di se në cilët kufij të saktë kjo liri për të filozofuar duhet të kufizohet, që të mos duket se po interferohet në fenë zyrtare të Principatës".

Me fjalë të tjera: arsyes dhe kërkimit të së vërtetës nuk mund t'i vendosen kufij.

Që të mbronte lirinë e tij të mendimit dhe të mos e shiste atë, Spinoza prodhonte thjerrza të syzeve, të cilat i shiste për të fituar bukën e gojës dhe blerë libra. Kjo punë, sipas disa biografëve të tij, edhe ia shkurtoi jetën, sepse pluhuri i liruar nga përpunimi i xhamit duket t'ia ketë helmuar mushkritë.

Vepra që la pas u bë themel i mendimit iluminist, ndërsa qëndrimi i tij jetësor model i intelektualit modern. Vetë Hegeli shkroi për të: Për të qenë filozofë, duhet të jemi spinozianë.

Sot idetë politike të Spinozës jetojnë në kushtetutat e shteteve demokratike, duke filluar nga kushtetuta amerikane.

Në veprën e tij Traktati Teologjiko-Politik, padyshim një nga veprat më të mira të krejt filozofisë politike, Spinoza shkruan për shtetin: "Qëllimi final i shtetit nuk është sundimi i njerëzve, as imponimi i kufizimeve përmes frikës, por çlirimi i çdo njeriu nga frika, në mënyrë që ai të jetojë dhe të veprojë në siguri të plotë, pa padrejtësi, për të dhe për të tjerët. Përsëris, qëllimi final i shtetit nuk është që qeniet e arsyeshme t'i bëj kafshë të shëmtuara ose makina, por është: të mundësojë që trupat dhe mendjet e tyre të funksionojnë në siguri. Shteti duhet t'u mundësojë që njerëzit ta jetojnë dhe ta ushtrojnë lirinë e arsyes, në mënyrë që ata të mos i harxhojnë forcat e tyre në urrejtje, në zemërim e mashtrim, as të veprojnë me ligësi ndaj njëri tjetrit. Në këtë mënyrë, realisht, qëllimi për të cilin duhet të ekzistojë shteti, është vetë LIRIA".

Ne sot jetojmë në shoqëri të lira, falë heroizmit intelektual të njerëzve të tillë si Spinoza. Dhe ne duhet të mësojmë vazhdimisht nga idetë e shembulli i tyre, për t'i bërë sa më të forta themelet e këtyre shoqërive.

_______

Me siguri shumë nga ju e keni pa një video të Adem Jasharit duke i pritur bashkëluftëtarët në kullën e tij. Në hyrje ai ua merr armët dhe i vendosë tutje në një kënd të odës. Kjo sjellje reflekton një normë të vjetër tradicionale: kur mblidhen njerëzit në një tubim, aheng apo çkado qoftë tjetër, armët duhet mbajtur larg. Ato nuk duhet të jenë pjesë as ndejës, as e lojës e gëzimit. Sepse arma e shndërruar në lodër sjell kob. Sepse, siç thotë ajo proverba e vjetër, njëherë në vit pushkën ta mbush dreqi. Sot kjo traditë e kujdesit me armën nuk ekziston. Prandaj edhe po ndodhin vazhdimisht raste tragjike si kjo e mbrëmshmja e vrasjes së policit nga kolegu i tij.

_______

500 vjet nën despotizmin otoman.

29 vjet nën tiraninë e Karaxhorxheviçëve.

4 vjet nën tutelen e Duçes e Fyhrerit.

45 vjet nën totalitarizmin komunist jugosllav.

10 vjet nën fashizmin postkomunist serb.

23 vjet të lirë.

Dhe veç 14 vjet shtet i pavarur.

Kjo është historia jonë.

Ne ende nuk jemi mësuar me lirinë, prandaj e abuzojmë aq lehtë dhe nuk dimë se si të kujdesimi për të.

Kemi humbur aq kohë, e kemi mbetur aq prapa, saqë tash jemi të padurueshëm, nuk na pritet më, duam brenda natës t'i rregullojmë të gjitha dhe kështu rrezikojmë t'i prishim edhe ato që tanimë janë rregulluar.

_______

54.8 për qind e të anketuarve në një sondazh paskan deklaruar se janë të gatshëm të largohen nga Kosova.

Si mund të shpjegohet kjo përqindje kaq e madhe?

Pesimizmi ekonomik sigurisht është ndër arsyet e para.

Rënia e optimizmit politik, besimit jorealist se brenda një kohe të shkurtër do të gjenden rrugët dhe njerëzit që do t'u japin zgjidhje krejt problemeve tona, është një arsye tjetër.

Dhe një e tretë që mendoj se e bën shumë të fortë dëshirën për emigrim, është izolimi i vendit. Sepse sa më i madh është izolimi dhe getoizimi i një vendi, aq më e madhe bëhet nevoja e njerëzve të tij për të dalë jashtë, për të emigruar.

_______

Fati i keq i Ukrainës qenka parathënë në vetë emrin e saj. Emri Ukrainë, i prejardhur nga polonishtja, e paska kuptimin "tokë kufitare". Një tokë ku gjatë historisë, shumë herë, janë ndeshur fuqitë e Lindjes me ato të Perëndimit. Siç po ndodhë saktësisht edhe sot.

Të jetosh në zona kufitare midis civilizimeve është barrë e rëndë, sepse je i pari që të bien mbi kurriz pasojat e tensioneve që herë pas here lindin midis civilizimeve.

Një fat të tillë e kemi përjetuar edhe vetë ne shqiptarët gjatë gjithë historisë. Bile është njëlloj mrekullie se si ia kemi dalë të mos zhdukemi krejtësisht, si pasojë e përplasjeve të civilizimeve që, si për dreq, vazhdimisht ndodhin këtu pari.