E premte, 19.04.2024, 11:14 AM (GMT+1)

Editorial

Albert Vataj: Rrëzimi i një busti dhe pamundësia e ndërtimit të një shprese

E diele, 20.02.2022, 08:55 PM


Rrëzimi i një busti dhe pamundësia e ndërtimit të një shprese

Nga Albert Vataj

Cili prej atyre që ishte atë 20 shkurt të vitit 1991 nuk shpresoi se rrëzimi i bustit të diktatorit komunist, Enver Hoxha do të shënonte fillimin e ndërtimit të një shprese. Të gjithë u përfshinë prej entuziazmit të asaj fitoreje të vogël, që mjerisht mbeti e tillë atëditë e sot, pa mundur të shndërrohej në një pikë kthese, një fitore e dinjitetshme, tek e cila do të plekste rrënjët ëndrra jonë e madhe.

Histeria e asaj dite, dëliri i asaj arritje të 30 viteve më parë, dukej se do t'i jepte fund një herë e përgjithmonë terrorit diktatorial, por edhe fantazia më e shpenguar e mendjes më të errët, nuk do të besonte se shembja e asaj shtatoreje i çeli mundësinë; që çdo shesh dhe çdo shpresë, çdo ëndërr dhe çdo ardhmëri, do t'i jepej një gjallimi të përdhunshëm nën peshën e zhgënjimit, zemërthyerjes dhe shpresëhumbjes.

Gabuam kur besuam se diktaturat gërmushnin kërcënues pushtetin e tyre të mizortë vetëm prej shprehjes hijerëndë të disa masivëve të metaltë dhe fantazmash përfytyruese. Gabuam dhe e pësuam më keq se çdo gabim tjetër që na thirri në besim. Sot ata që dje ishin zemra e zemëratës antikomuniste, pulsi i atij ritmi të kijametshëm e përmbysës, janë plaga lënguese e një pendese, pendesës për atë që ata bënë, pendesës për atë që ata dot nuk e përfunduan.

Tani që nuk kemi të tjerë buste për të rrëzuar, na mbetet të shtrijmë përdhe guximin tonë, atë kurajë që na yshti në atë çmenduri të pashoqe të kacafyteshim me diktaturën, e për të besuar rrejshëm se një diktaturë mund të rrëzohet kaq lehtë sa një bust.

Po, ne kemi nevojë të rrëzojmë bustin brenda vetes, atë bust që na ka zënë diellin, na ka verbuar sytë, na ka çjerrë vullnetet, bustin e mënjanimit prej të drejtës për të kontribuar të gjithë, që të ndërtojmë një të sotme, për të cilën nuk do të na vijë turp të themi se ne ishim gurthemelët e saj.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora