E enjte, 08.12.2022, 12:28 AM (GMT)

Mendime » Fetahu

Adil Fetahu: Nga historiku i Fakultetit Juridik të Prishtinës

E shtune, 19.02.2022, 09:55 PM


NGA HISTORKU I FAKULTETIT JURIDIK TË PRISHTINËS

Shkruan: Adil FETAHU

Fakulteti Juridik i Prishtinës është themeluar dhe ka filluar punën në vitin 1961. Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë, më 23 qershor 1961, në bazë të propozimit të Këshillit Ekzekutiv të Republikës, miratoi Ligjin, të quajtur: Zakon o osnivanju Pravno-ekonomskog fakulteta u Pristini (Ligji mbi themelimin e Fakultetit Juridik-Ekonomik në Prishtinë). Ja, përmbajtja e atij Ligji  (përkthimi im në gjuhën shqipe):

Neni 1

Themelohet Fakulteti Juridik-Ekonomik në Prishtinë (në tekstin e mëtejshëm: fakulteti).

Neni 2

Fakuleti është institucion i pavarur, me cilësi të personit juridik.

Neni 3

Fakulteti është në përbërje të Universitetit të Beogradit.

Neni 4

Detyrë e Fakuletit është të përgatisë ekspertë të fushës së shkencave juridie dhe ekonomike dhe të realizojë të drejta dhe detyrime tjera të caktuara me Ligjin e Përgjithshëm mbi Fakultetet dhe Universietet.

Neni 5

Fakulteti organizohet dhe punon  sipas dispozitave të Ligjit të Përgjithshëm mbi Fakuletet dhe Universietet, statutit të vet dhe sipas dispozitave tjera me të cilat rregullohet organizimi dhe puna e Fakultetit.

Atorizohet Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Serbisë që deri sa të miratohet Statuti i Fakultetit, t’i emërojë anëtarët e Pleqësisë së Fakultetit.

Neni 6

Fakulteti financohet sipas mënyrës së caktuar me Ligjin Themelor mbi financimin e shkollave.

Neni 7

Fillimin e punës së Fakultetit do ta caktojë Pleqësia e Universitetit të Beogradit.

Neni 8

Zgjedhjën e parë të mësimdhënësve të Fakutetit, më së  voni deri më 30 shtator 1961, do ta bëjë Komisioni Amë, të cilin do ta formojë Pleqësia e Universitetit të Beogradit.

(…)

Në bazë të përgatitjeve siç ishte përcaktuar me Ligjin mbi themelimin, Fakulteti filloi punën më 7 tetor 1961, në objektet e ish-kazermave të ushtrisë. Para se të hapej Fakulteti, ka ekzistuar Shkolla e Lartë Juridike-Administrative, e cila ka punuar në objektin e Gjimnazit të Prishtinës, por deri atëherë në Kosovë kishte gjithësejt 166 juristë, të cilët punonin në organet e administratës, të judikaturës dhe të shërbimeve të ndryshme shoqërore ose në ndërmarrjet e pakta ekonomike.

Deri në  në mbarit të vitit shkollor 1970/71, Fakulteti ishte institucion i përbashkët si fakultet juridik-ekonomik, ku mësimi zhvillohej në të dy drejtimet: në shkencat juridike dhe ato ekonomike. Në kuadër të Fakultetit ishte themeluar dhe punonte Qendra për të Drejtën Humanitare, Qendra për Administratën Publike dhe Enti për Kërkime Shoqërore-Ekonomike.

Dekani i parë, në tri vitet shkollore (1961/62; 1962/63 dhe 1963/64) ishte  Prof.dr.Jovica Paternogiq, ndërsa  prodekan ishte Dr Mark Krasniqi,

Gjenerata e parë e studentëve  në drejtimin juridik (viti shkollor 1961/62, kishte 290 studentë të regjistruar, prej të cilëve 63 të rregullt dhe 227 me korespodencë. Mësimi i të gjitha lëndëve mbahej në gjuhën serbokroate, prandaj në orët e mësimit ishin bashkë: shqiptarë, serbë, malazezë, boshnjakë etj.

Pesë vitet e para shkollore, mësimi  është zhvilluar vetëm në gjuhën serbokroate dhe atë e mbanin 7 (shtatë) mësimdhënës e asistentë të rregullt e disa bashkëpunëtorë të jashtëm. Prej nëntorit të vitit 1966 nisi të mbahet mësimi në gjuhën shqipe në tri lëndë, ndërsa mësimi shqip nga të gjitha lëndët ka nisur prej vitit shkollor 1970/71.

Në vitin 1971 u ndërtua objekti i ri, me amfiteatra e salla mësimi-leximi dhe salla për mbledhje, për të dy fakultetet, respektivisht  për të dy drejtimet. Më vonë është ndërtuar edhe aneksi, për kabinetet e mësimdhënësve. Kur u krye edhe aneksi, Fakulteti kishte në dispozicion mbi 6000 metra katrore hapësirë pune. Me që u krijuan kushtet, Pleqësia e Fakultetit mori vendim për ndarjen e dy njësive të Fakultetit, në dy fakultete të pavarura: në Fakultetin Juridik dhe në Fakultetin Ekonomik. Kryetar i Pleeqësisë asokohe ishte Mr.Zejnullah Gruda. Vendimi i Pleqësisë u verifikua në refendumin e mbajtur më 6 janar 1971. Kështu, prej 1 tetorit 1971, filluan punën të dy fakultetet, si institucione të pavarura të shkollimit të lartë. Dekani i parë pas pavarësimit të Fakultetit Juridik ishte Dr Syrja Pupovci.

Me themelimin e Fakultetit Juridik të pavarur, prej vitit shkollor 1971/72 u suprimua Shkolla e Lartë Juridike-Administrative, respektivisht shkollimi juridik i shkallëzuar në dy shkallë. Deri me suprimimin e saj, kanë dalë 754 juristë me shkollë të lartë juridike, dyvjeçare.

Pas pavarësimit, Fakuteti Juridik miratoi Statutin dhe rregulloret e veta autonome, krijoi organet dhe  bëri riorganizimin e drejtimeve të studimeve. Programin mësimor e përcaktonin organet e Fakultetit, duke marrë parasysh përvojat e fakulteteve tjera dhe nevojat e Kosovës. Bile, një vit shkollor, krahas drejtimit të përgjithshëm juridik u hap edhe drejtimi gazetar-diplomatik, por ai drejtim u mbyll pas një viti. U pavarësua Instituti për Kërkime Shoqërore-Ekonomike, që u shndërrua në Institut Ekonomik. Në Fakultetin Juridik funksiononte Qendra për Studime Humanitare, Biblioteka me një fond solid të librave dhe revistave shkencore e profesionale, kryesisht donacione nga fakultetet dhe institutet e ndryshme të qendrave tjera të Jugosllavisë.

Prej vitit shkollor 1974/75, në Fakultetin Juridik filluan  edhe studimet postdiplomike, me kohëzgjatje dyvjeçare. Regjistrimi i kandidatëve në këto studimeve bëhej çdo të dytin vit shkollor. Por, kriteret dhe praktika për arritjen e shkallës akademike të magjistrit të shkencave juridike ishin mjaft të larta, ashtu që prej vitit shkollor 1974/75 deri në vitin 1985/86 (11 vjet), titullin e magjistrit në këtë Fakultet e kanë arritur vetëm 13 kandidatë!

Edhe sa ishte Fakulteti i përbashkët Juridik-Ekonomik, edhe në vazhdimin si fakultet i pavarur, vështirë arrihej deri te diploma e juristit të diplomuar. Për ta ilustruar këtë konstatim, shihni të dhënat në vazhdim. Në gjeneratën e parë (1961/62) të studentëve në drejtimin juridik ishin regjistruar 290 studentë të rregullt dhe asi me korespodencë: 95 shqiptarë, 181 serbë dhe 14 të tjerë, ndërsa prej asaj gjenerate në vitin 1964, arritën  të diplomojnë gjithsejt 28 studentë, prej të cilëve vetëm 2 ishin shqiptarë: Sylejman Dalladaku dhe Aziz Murati.

Në gjeneratën e dytë e të diplomuarëve në vitin 1965, ishin 50 kandidatë, prej të cilëve vetëm 6 shqiptarë: Enver Rexhepi, Kurtesh Salihu, Lam Përgjegjaj, Adem Berisha,  Esat Stavileci dhe Hamdi Vraniqi.

Nga 63 të diplomuar në itin 1966, vetëm 15 ishin shqiptarë: Lutfi Hapçiu, Bajram Sefaj, Ahmet Berani, Emin Kolshi, Faik Brestovci, Hasim Loshi, Murtezan Fiqi, Orhan Basha, Ibrahim Zajmi, Hysen Firza, Kapllan Baruti, Jusuf Gorani, Azem Bislimi, Zenun Avdija dhe Asllan Baruti.(Kapllani dhe Asllan Baruti ishin vëllezër, të diplomuar në të njëjtën gjeeratë).

Në vitin 1967, prej 59 të diplomuarëve, 26 ishin shqiptarë:

Sylë Maxharraj, Riza Loci, Zait Xhemajli, Shemsedin Mula, Shaban Sadiku, Ndue Selmani, Avni Këpuska, Qamil Thaçi, Rrahim Cakiqi, Emin Novobërda, Kemal Kaçaniku, Rezak Shala, Nebih Gashi, Hilmi Ismajli, Ragip Halili, Bajram Maraj, Zeqë Shehu, Ejup Sahiti, Fazli Balaj, Habib Arifi, Ismet Salihu, Adem Ajvazi, Hilmi Hana, Sherif Rexhepi, Veseli Abazi, dhe Sejfedin Hoxha.

Në vitin 1968, prej 72 të diplomuarëve, 23 ishin shqiptarë: Shani Morina, Ismet Këndusi, Azem Hajdini, Mustafë Isa, Vesel Latifi, Zaim Isrefi, Selman Selmani, Ali Zeka, Ibrahim Zhuri, Hamdi Shehu, Halim Sylejmani, Lirije Binishi, Azem Vllahiu, Fehmi Baftiu, Ruzhdi Kozmaçi, Nekibe Kolica, Rifat Zylfijaj, Ilaz Spahiu, Xhemajli Sokoli,  Jakup Gurmani, Zef Delhysa, Jahë Xhemjali dhe Ymer Veseli.

Tek prej vitit 1969, numri i shqiptarëve të diplomuar nisë të barazohet apo ta tejkalojë numrin e të diplomuarëv në gjuhën serbe (serbë, malazezë, boshnjakë etj). Kështu, në viti 1969, që i bie të jet gjenerata e gjashtë, nga 72 të diplomuarë, 39 ishin shqiptarë e 33 të tjerë; në vitin 1970 ishte numri i barabartë i të diplomuarëve në të dy gjuhët mësimore; 118 të diplomuar, prej tyre 59 në gjuhën shqipe dhe 59 në atë serbokroate. Në vitin 1971 prej 145 të diplomuarëve, 73 ishin shqiptarë e 72 të tjerë.  Për 25 vjetë të punës së Fakultetit Juridik (edhe si drejtim i veçantë në Fakultetin e përbashkët Juridik-Ekonomik, edhe si Fakultet i pavarur Juridik), diplomën e juristit të diplomuar e kanë marrë 2668 shqiptarë dhe 2133 serbë, malazezë, boshnjakë e tjerë të cilët i kanë ndjekur msimet në gjuhën serbokroate. Kjo strukturë e numrit të të diplomuarëve  ishte larg proporcionit të strukturës së popullsisë së Kosovës. Por politika serbe ka qenë e tillë, që sa më shumë serbë e malazezë të dalin me diplomë fakulteti, të zënë vende pune dhe të mbetën të jetojnë e krijojnë familje në Kosovë, edhe asi të ardhur prej jashtë Kosove, me qëllim të rritjes së strukturës etnike serbe në popullsinë e Kosovës.

Në 25 vjetët e para shkollore, prej  themelimit (1961/62 deri më 1986/87), Fakuletin e kanë udhëhequr këta dekanë: Prof.dr.Jovica Patërnogiq (1961/62 deri 1965/66); Dr Mark Krasniqi (1966/67 – 1967/68);  Dr.Bozhidar Jovanoviq (1968/69, deri në muajin mars 1970); Dr.Syrja Pupovci (prej 11 mars 1l970 dhe 1970/71); Dr Zdrvko Zdravkoviq (197l/72 dhe 1972/73); Dr.Hajredin Hoxha (1973/74 dhe 1974/75); Dr.Petar Stanishiq (1975/76); Dr.Dragolub Moraçiq (1976/77); Dr.Abedin Feroviq (1977/78); Mr.Ragip Halili (1978/79); Dr.Branisllav Markoviq (1979/80 dhe 1980/81); Dr.Kurtesh Salihu (1981/82 dhe 1982/83); Dr.Habib Hashani (1983/84 dhe 1984/85); dhe Dr.Millorad Markoviq (1985/86 dhe 1986/87). Prodekanë në vite të ndryshme shkollore, kanë qenë: Dr.Mark Krasniqi, Arsenije Gashiq, Dr.Mlladen Sretenoviq, dr.Bozhidar Jovanoviq, dr.Gazmend Zajmi, mr.Zharko Bullatovq, mr.Fuat Rizvanolli, mr.Esat Stavileci, dr.Abedin Feroviq, mr. Lubisha Nikolliq,  Dragolub Moraçiq, Rifat Osmani, Hamdi Vraniqi, mr. Ragip Halili, dr.Branisllav Markoviq, mr.Hysen Zherka, dr.Ismet Salihu, dr.Tomisllav Vinsh, Hava Bujupi, Fadil Rexhepi, mr.Ejup Sahiti dhe Bashkim Rrahmani. Disa emra të njëjtë përsëritën në postin e dekanit apo të prodekanit, për shkak se në vite të ndryshme shkollore kanë qenë në pozitat për të cilat janë zgjedhur. Sekretarë të Fakutetit kanë qenë: Lutfi Hapçiu, Jellica Kajtazi, Mirosllav Gligorijeviq, Ali Berisha dhe Hilë Gojani.

Këto ishin të dhëna për historikun e Fakultetit Juridik të Prishtiës, për 25 vjetët e para të punës. Fakulteti ka vazhduar punën në objektet e veta deri në vitin 1990, kur në krye të Universitetit të Prishtinës erdhi rektori i dhunshëm, famëkeqi Radivoje Papoviqi, kur studetët e mësimdhënësit shqiptarë u përjashtuan prej objekteve të veta dhe u detyruan ta vazhdojnë punën nëpër shtëpitë private, deri me çlirimin e Kosovës. Tek prej vitit shkollor 1999/2000, studentët, mësidhënësit dhe punëtorët e tjerë u kthyen dhe vazhduan punën në objektet e tyre.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora