Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Aleksandër Ndoja: Drejt Stublles për Meshën e parë të dom Ambroz Demajt

| E diele, 14.12.2008, 01:21 PM |


Drejt Stublles për Meshën e parë të dom Ambroz Demajt

-Reportazh-

 udhëtosh në drejtim të Kosovës edhe pse ka disa vite që është krejtësisht e lirë, sërish pëson një ndjesi të veçantë. Vëndi është i lire, dhe i njohur nga shumë prej shteteve më të rëndësishme të globit. Kjo i ka motivuar kosovarët që të punojnë intensivisht për rindërtimin e vendit. Në ndryshim me pak vite më parë, në territorin e Kosovës nuk shikon më shtëpi  të rrënuara nga dora kriminale e pushtuesit. Edhe pse politika brënda apo jashtë vëndit tenton të vetëbëhet interesante, duke lakuar disa shprehje si Eulex, Bankymoon, Mitrovica etj, për kosovarët kjo përbën shumë pak problem. Të parët janë prizrenasit që të shfaqen sapo kalon "doganën" mes dy shteteve shqiptare. Në të hyrë të këtij qyteti shikon manat e famshëm, dhe tregun qindra vjeçar të cilin të parët tanë e kanë pasur "të tyrin", deri në përfundim të luftës së dytë botërore. Mijëra tregtarë servirin prodhime të tyre që për hir të vërtetës janë shumë më të lira se në shtetin amë. Kuvendi Komunal i Prizrenit ka vendosur që të zgjerojë, ose më saktë të dyfishojë gjerësinë e rrugës hyrëse në Prizren. Njëri prej banorëve të Prizrenit i cili të thotë se është nip Berati, teksa pret bileta në parkimin e sajuar nga ai vetë, thotë se kjo rrugë që po zgjerohet nuk bën pjesë në segmentin e autostradës që po vijon me shpejtësi nga Rrësheni për në Prishtinë, pasi ajo do të kalojë në krahun tjetër të saj. Ndërsa thotë se po shpreson se ajo pjesë toke që do i marrë rruga do t'i kompensohet, i riu thotë se të gjitha pemët e prera edhe pse janë në tokën e tij nuk mund ti marrë ai, pasi kuvendi komunal i Prizrenit ka vendosur që tu a japë në formë ndihmë për familjet e dëshmorëve.

Ndërsa qyteti është në aktivitet të plotë, i pastër me qarkullim të rregullt dhe me njerëz mjaft të qetë. Vetëm disa shtëpi, në pikat më të larta janë të shkatërruara pasi poseduesit e tyre, disa serbë të përfshirë në krime ndaj shqiptarëve nuk kanë guxuar të kthehen për ti riparuar. Një ndër vëndet e krenarisë së prizrenasve, Shtëpia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, edhe pse u rrënua totalisht nga serbët gjatë luftës, është e rikonstruktuar totalisht, dhe vizitohet pothuajsë nga të gjithë ata që hyjnë në këtë qytet.

 Drejt Stublles për një ceremoni fetare.

 Për të mbërritur në këtë fshat të duhen rreth tre orë udhëtim të pa ndërprerë nga Prizreni. Rruga përshkon disa qytete si Ferizaj, Viti etj. Grupi ynë përbëhet nga Kryetari i Këshillit Bashkiak z. Nikolin Kaçorri, sekretari i këtij këshilli, z. Martin Bushpepa, këshilltarët Pjetër Pjetri e Gjovalin Jaku, Drejtori i Bujqësisë z. Preng Kaçorri, këngëtarët Fran Preçi e Kastriot Kola etj. Ndërsa me mjete të tjera ishin drejtuar drejt Stublles, Kryetari i Bashkiseë z. Gjon Dedaj dhe një grup intelektualësh të Rrëshit, si mjekët Zef Prenga, Simon Kalaj, Gjok Filopati, drejtuese shoqatash Marie Biba e Dava Gjoka, bisznesmë Bardhok Jushi etj. Po ashtu drejt këtij fshati udhëtonin edhe një grup besimtarësh nën drejtimin e Ipeshkëvit të Dioqezës së Rrëshenit imzot Cristoforo Palmieri.  Ftesa ishte nga Dom Ambroz Demaj, i cili vetëm një javë më parë, në një ceremoni madhështore e organizuar nga Dioqeza e Rrëshenit, mori titullin e Meshtarit për të shërbyer përgjithnjë në këtë dioqezë.

 Stubella oaz i katolicizmit në Kosovë

 Rruga nga Vitia për në Stubell nuk është më shumë se nëntë km. Edhe pse është një rrugë fshati, ajo është e asfaltuar dhe e mirmbajtur. Ajo gjarpëron në një luginë të ashpër, me malore të forta dhe mes lisash të pa asnjë shenjë prerje apo djegie. Diku një tabelë të lajmëron së ke hyrë në këtë fshat përmes njërës prej portave të saj. Edhe pse fshati është në një faqe mali, pamja që shpaloset është krejtësisht mahnitëse.   

Banorët e këtij fshati që gjëndet shumë pranë kufirit me Maqedoninë në krahun perëndimor, dhe me Serbinë në krahun tjetër, janë shumë punëtorë dhe të qyteruar. Kjo dallohet qartazi në numrin e madh të vilave dhe në përpjekjen e tyre për të jetuar një jetë sa më të civilizuar. Pikërisht për këtë duket se kanë zgjedhur që të jetojnë në menyrë të krishterë.

Në fakt kjo është gjëja e parë që konstaton, të jetuarit në mënyrë të KRISHTERË. Banorët këtu janë shumë të lidhur me njëri tjetërin. Duket se problemet mes tyre nuk egzistojnë. Toka e shumtë nuk është e rrethuar me gardhe. Vilat e tyre janë me oborre të përbashkëta. Një solidaritet i madh mes tyre duket në punët e përbashkëta, në ndërtimin me kontribut vullnetar të rrugëve, Kishës dhe objekteve të tjera social-kulturore. Çdo banesë në mënyrën me fine tregon identitetin e saj kristjan. Diku ne nje qoshe, apo në vënde të dukshme mund të dallosh, ikona shenjtorësh, kryqe apo shenjë të tjera të krishtera. Të rinjtë dhe të rejat janë në shumicë, dhe të gjithë një pjesë të kohës e kalojnë në kishë. Famulltari i fshatit thotë se nuk ka njeri që mungon në Kishë. Akush nuk kalon pa të përshëndetur dhe pikërisht për këtë në Stubell e ndjen veheten si në shtëpinë tënde. Vëndasit të afrohen duke u miqësuar shumë shpejt me ta. Për ta, i krishteri nuk është asapk i huaj, dhe pse vjen nga një zonë shumë e largët. Me mirë këtë e kanë kuptuar ushtarët e KFOR-it të cilët çdo të dilë "pushtojnë" oborrin e Kishës. Edhe pse të rracave të ndryshme, për banorët ata janë engjujt mbrojtës të tyre. Aleksandri, një banor i Stubllës, thotë se ushtarët e KFORIT janë miqtë e këtij fshati. Vizitojnë shpesh kishën dhe lokalet tona. Asnjëherë nuk përbëjnë shqetësim për banorët, madje prej shumë kohësh nuk kanë bërë asnjë kontroll në fshat, pasi e dinë se ne jemi besimtarë të Kisha, dhe pikërisht për këtë ata e dinë se Kisha nuk të lejon të bësh prapësi.  

 Pak Histori nga ky fshat.

 Të gërmosh ne histori mëson dhe ngjarje të trishtuara. Pikërisht për këtë të vjen në ndihmë edhe gazetari i njohur nga Ferizaj Demush Zefi, i cili të thotë se, ushqej respektim më të madh për këta banorë dhe historinë e fshatit. Gazetari Zefi thotë se "tashmë është e ditur nga të gjithë se Stublla është një fshat që ka përjetuar trauma të mëdha,  vetem pse kane qenë katolikë dhe nuk e kane lënë fenë. Pikërisht për këtë famëkeqi Maliq Gjinoll Beu, edhe pse ishte nga Gjilani, në bashkëpunim me pushtuesin turk, pati rrëmbyer 1000 burra të këtij fshati dhe i pati dërguar fillimisht në Greqi e më pas me anë të anijeve i pati dërguar në Stamboll. Këta burra të këtij fshati vetëm se nuk pranuan ndërrimin e fesë, u masakruan duke i mbytur në kënetat e Anadollit dhe vetëm me ndërhyrjen e Francës dhe Italisë u bë i mundur kthimi në fshat i 79 të mbeturve. Por krimet e turqve bënë që ata të ishin të sëmurë dhe me trauma". Pikërisht kjo histori dhe rezistenca për shumë shekuj i bën këta banorë mjaft krenarë dhe të kujdesshmë në mbrojtjen e identitetit të tyre.

Por ata krenohen se patrioti i shquar Ndre Mjeda ka qene mësues dhe i ka edukuar gjeneratat e këtij fshati. Ndërsa është edhe fshati i cili ka nxjerre nje numër të madh meshtarësh dhe motrash. Ndër emrat më të njohur janë  Dom Lush dhe Nue Gjergji, Marjan dhe Fatmir Demaj, etj.

Stublla është njëra ndër fshatrat më të mëdha, e vendosur në rrafshnaltat e harkut të Maleve të Karadakut. Për Stubllën dhe rolin e sajë në shumë fusha, si në aspektin e arsimit-shkollimit, si në ruajtjen e kombësisë në ato vise, si në qëndresen e saj përballë hordhive historike të vërsulura në këtë popullatë, dhe, së fundi, edhe për ruajtejn e krishtërimit, është shruar shumë edhe nga historianët shqiptarë dhe nga të huaj. Ata përherë Stubllën përmendin me respekt e admirim të jashtëzakonshëm, kur kemi parasysh një vend të vogël e kodrinoro-malor të kësaj hapsire.

 Nëse Kisha e fshatit Stubell e ndërtuar në fund të viteve 80 me kontributin e vetë banorëve është në qëndër të fshatit, në një vënd të dukshëm nga të gjitha banesat, rruga e shtruar më së miri të çon në banesat e fisit Demaj. Grupi ynë ndalet pikësëpari në vilën e z. Kol Demaj. Edhe pse grupi ynë ishte në numër të konsiderueshëm, bujaria e kësaj dere dhe përmasat e saj mund të zhvlerësonte çdo problem. Si ai edhe bashkëshortja e tij Rexhina, prindër të dom Ambrozit, por edhe shumë të tjerë të afërm, të presin me respektin më të madh duke të falenderuar për ardhjen nga Mirdita në ceremoninë e meshës së parë, të djalit tyre. Më pas biseda rrjedh lirshëm për situatën në dy vëndet, dhe sejcila palë interesohet deri në detaje, për shëndetin, situata e ndryshme deri edhe për mënyrën e jetesës, besimit fetar etj. Më pas darka bujare ofrohet me përkujdejen më të madhe, aq sa çdo njëri prej nesh e ndjen veten si në shtëpinë e tij.

Më tej vizita vijon në banesën katërkatëshe të xhaxhait të dom Ambrozit, Gjergj Demaj. Gjergji thotë se në këtë vilë banojnë afërsisht 20 anëtarë të familjes, por gjithësesi shumica e tyre punojnë dhe jetojnë në Gjermani, Zvicër, Suedi etj. Kjo vilë shërben vetëm për muajin e gushtit, kur të gjithë pjestarët e familjes i kthehen vendlindjes, dhe mënyra e konceptimit të banesë është ndërtuar në mënyrë të tillë që të gjithë të jetojnë sëbashku, dhe gjithësejcili të këtë dhomën e tij të gjumit, për vete dhe fëmijët. Vila është ndërtuar vitet e fundit nga specialistët dhe punëtorët e fshatit. Pastërtia dhe kultura e familjes shfaqet në çdo pëllëmbë të saj, ndonëse dhomat e shumta dhe të kompletuara, mbahen nga dy vajza të familjes. Si kjo vilë janë dhe rreth katërqint të tilla në këtë fshat, dhe askund nuk të kap syri banesa të vjetra apo një katëshe. Kjo tregon se ky fshat jeton në mënyrë të pa varuar, me resurse që vijnë kryesisht nga emigracioni, por edhe nga prodhimet bujqësore dhe blegtorale, pasi toka këtu është me shumicë dhe mjaft pjellore, ndonëse problem i vetëm mbetet uji për vaditje.

 Ceremonia.

 Është ora 10. 30 e ditës së dielë kur oborri i banesës së Kol Demajt, është mbushur plot e përplot me njerëz. Ndonëse është një ditë festive, tek shumë kush vihet re edhe emocioni, pse jo edhe ndonjë pikë loti. Kola dhe Rexhina janë para momentit kur duhet të ndahen përgjithmonë me djalin e madh të tyre, i cili pas kësaj dite do ti përkasë Zotit për ti shërbyer njerzve kudo që të jetë nevojë. Dhe emërimi kishtar, Ambrozi nga Stublla e Kosovës do të shërbejë përgjithnjë në dioqezën e Rëshenit. Në përcjellje të tij janë të gjithë banorët e Stublles. Janë nga të gjitha moshat, por më së shumti spikasin të rinjtë dhe të rejat, të cilaët janë kujdesur si për ditë feste. Looku i tyre është mjaft mahnitës, të gjithë me kostume dhe me veshje nga më të mirat dhe cilësoret, por asnjë prej tyre nuk i kalon "caqet" e një veshje moderne. Sejcili prej tyre të përshëndet me përzemërsi, ndonëse të kanë parë për herë të parë.

Pikërisht në këtë orë një karvan i gjatë me priftërinj, më një kryqe të gjatë që prin, ndalohen në oborrin e Kol Demajt. Karvani ndalet para derës së tij, ndërsa tre prej priftërinjëve futen në banese dhe nxjerrin prej andej, priftin më të ri dom Ambrozin i cili një javë më parë në Katedralen e Rrëshenit u paranua në komunitetin e madh dhe të respektuar të meshtarisë. Ai ulet në gjunjë duke u kthyer me front nga dera ku lindi dhe u rrit. Riti vijon me dhënien e bekimit nga babai dhe nëna e tij. Fillimisht babai Kola, i vendos duart në kokë për disa sekonda dhe më pas falet me të. Të njëtën rit bën edhe nëna e tij, Rexhina, ndërkohë që emocionet e të pranishmëve janë të shumta. Qindra sy ngulen për nga porta, ndër ta janë edhe 40 të ardhur nga Mirdita, të kryesuar nga Ipeshkëvi i Dioqezës së Rrëshenit imzot Cristoforo Palmieri, dhe Kryetari i Bashkisë së Rrëshenit z. Gjon Dedaj. Pas kryerjes së këtij riti, karvani i gjatë i meshtarëve dhe të tjerëve të pranishëm nisen për nga oborri i Kishës, kambanat e sëcilës bien pa pushim.

 

Mesha.

 Salla e madhe Kishës së Stublles është tejmbushur nga qindra banorë të fshatit. Ndër ta janë edhe shumë trupa të KFOR-it, të cilët kanë shprehur dëshirën për të marrë pjesë në këtë ceremoni. Mesha nën kujdesin e  famulltarit të fshatit, ndërkohë që aktori kryesor i saj, është dom Ambrozi. I gjithë vëndi ku zhvillohet mesha është zbukuruar me kujdes për këtë rast. Një varg i gjatë lulesh ka krijuar fjalëm "M" dhe më poshte dy gërma të tjera "A" dhe "D", pra "Meshtar Ambroz Demaj". Ceremonia nis me recitime të disa fëmijëve të fshatit, krijuar enkas për këtë ditë. Me vargje ata i urojnë dom Ambrozit që të jetë sa më pranë besimtarëve, të nderojë fshatin dhe familjen e tij, duke e falenderuar për rrugën e zgjedhur. Më pas nis ceremonia meshtarake ku ndër fjalët e para të dom Ambrozit, veçohet fakti se meshën e parë në fshatin e tij të lindjes, ja kushton Zotit. Më pas përshëndet dom Rroku, bir i këtij fshati i cili për shumë vite ka qënë famulltar këtu, ndërkohë që më pas është bërë famulltar i fshatit Bishtazhin në Gjakovë. Ceremonia vijon me dhurimin e Kryqit, verës, bukës, luleve të cilat komentohen nga dy të rinjë të fshatit. Në fund qindra besimtarë marrin Korpin e Krishtit, pa përjashtuar edhe trupat e KFOR-it të cilët respektojnë në çdo detaj ceremoninë e dom Ambrozit. Ndërsa përshëndetja e Ipeshkëvit të Rrëshenit është pritur me mjaft ineteres nga besimtarët në këtë ceremoni.

Pas kësaj rradha ka qënë e një drekë festive me këtë rast, e shtruar nga familja Demaj, në një restorant në qytetin e Vitisë. Salla është përgatitur si për dasëm, ndërsa Grupi Folklorik i Karadakut, i përbërë nga djem dhe vajza të reja dhurojnë momente festive me kengët dhe vallet e tyra të spikatuara. Ky grup është i mirnjohur, por i rikrijuar rishtazi pas luftës së Kosovës. Kënga e tyre është mjaft e spikatur dhe melodioze. Pas pak e gjithë salla ngrihet në valle gjigande që pushton sallën. Një përshëndetje vjen edhe nga këngëtarët e Mirditës Fran Preçi e Kastriot Kola, të cilët me deputimin e tyre elektrizojnë sallën. Të gjithë festojnë, ndërsa nuk mungojnë urimet dhe përshëndetjet. Ndër to janë edhe ato të Ipeshkëvit të Rrëshenit Palmieri dhe kryetarit të bashkisë Dedaj. Festa vijon deri në orët e vona, ndërsa falenderimi për mbështetjn që mirditasit treguan për meshtarin e ri janë të pa fundme.

Aleksandër Ndoja. Stubell, Viti, 15-16. 11. 2008

www.stublla.de - Dërgoi për ZSH: Engjëll Koliqi