Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Emocionet e një fotografi

| E premte, 07.07.2006, 12:20 AM |


Si në çdo veprimtari krijuese të fushës së arteve, edhe ne sendërgjimin e fotografisë, emocionet janë elementë nxitës, që e shtyjnë autorin për ngjizjen e saj. Këtu fjala rreh për fotografët të cilët mëtojnë të krijojnë foto artistike kësisoj, aparati i u është shtuar si gjymtyrë e re me të cilën janë përherë në “gjueti” ose “peshkim” të pamjeve që do të përngrijnë (fiksojnë) në pelikolën e filmit e më pas në letrën fotografike. E rëndësishme është se ata jetojnë gjithë ditën e ditës me dhe për fotografinë. Qysh prej çastit kur imazhi godet syrin dhe mendjen e fotografit deri sa fotoja bëhet gati për të “parakaluar” në ekspozitë ose të paraqitet në album, kryhen disa procese krijuese mendore e teknike. Padyshim, çdo kohëndarje e këtyre proceseve shoqërohet me emocione vetjake të ndryshme.
. Para se të shkrepet aparati, gjithçka që ndodhet përballë fotografit, “përtypet” nga vetëdija dhe ndërdija e njeriut. Kur këto të dyja, barabar ose njera më shumë se tjetra bien në një “mendje” se tanimë çdo gjë është në rregull, menjëherë hapin “shtegun” përudhjeve të mëtejëshme. Aparati shtrëngohet pas fytyrës, frymëmarja mbahet, trupi ngrin, e nga sistemi qëndror nervor urdhërohet ajo lëvizja klasike e gishtit tregues mbi butonin e shkrepjes. Ndërkaq , shembëllimi në të dhjetat e sekondës kalon (si në vrimë të gjilpërës) nëpër objektiv dhe ndehet përgjithmonë mbi film. Nga ky nëpërkalim atij i humbet një përmasë (thellësia) dhe shndërohet kështu në një figurë të rafshët, pra dypërmasore.
Shtypja e mollëzës së gishtit mbi butonin e shkrepjes i jep fund trysnisë ndjesore të krijuar nga imazhi mbi fotografin, dhe në atë lëvizje mekanike (mish-metal) kalon si “shkrepje rrufeje” një rrymë e lartë emocionale, a ndoshta nje tension i ndjeshëm bioelektrik. Vet fjala “shkrep” (aparatin), që simbolizon fotografimin, në gjuhën shqipe përdoret edhe për rrufenë si dhe për daljen e shkëndijave kur përplasen dy sende. Kjo fjalë ka një tingëllimë shumë të afërtë me zhurmërinë e obturatorit gjatë fotografimit (shkrap) e , sipas fjalorit të termave letrare, përbën një onomatope të pastër, një figurë stilistikore që shpreh procesin e fotografimit, çka nuk gjendet në gjuhë të tjera. Këtu, ndoshta merita i përket atij fotografi shqiptar me shpirt poeti dhe ndjenja atdhetare, deri tani i panjohur, aty nga fillimi i shekullit XX, i cili e shqiptoi për herë të parë. Më pas me këmbëngulje e përdori në vijimësi në vend të ndonjë fjale të huaj, siç ndodhte e ndodh rëndom. Në rastin e fotografimit, dy subjektet janë: njeriu dhe mjeti ( fotografi dhe aparati) dhe xixat ose shkëndijat janë fotografitë, fryt i mendimit dhe i veprimit të të dyve. Shkrepja shoqërohet nga zhurma ( e ëmbël për fotografin) e hapje-mbylljes së obturatorit që tejçon nga veshi në tru kumtin se shëmbëllesa “u prangos”.Pra, edhe nje shqisë më tepër, ajo e dëgjimit, mer pjesë në procesin e fotografimit , gjë që natyrshëm shton emocionet.
Pas këtij çasti, të rrahurat e zemrës së fotografit ulen disi, por pa u normalizuar, sepse nuk është përpunuar fotoja në laborator, dhe ai nuk e ka prekur krijimin e tij, fotografinë, madje as me shikim. Ndonëse përbën një proces teknik, ai është shumë i rëndësishëm. Stampimi në laborator, ku fotografia përfundohet ( teknikisht) gjithashtu ka emocionet e tij. Letra e ndjeshme, e bardhë në dukje, pasi ka kaluar nga zmadhuesi është “mbarsur” me shëmbëllimin. Në vaskën e zhvilluesit ajo dalngadalë e pjesë-pjesë të ngjyroset nën veprimin e reaguesve kimike. Kështu nis “mpiksja” e fotografisë. Fotografi, tanimë i bërë vetëm sy, vëren si formohen , të themi flokët, vetullat, sytë e pjesë të tjera të një portreti, e kur mbaron ravijëzimi, ai heton se sa ia ka arritur qëllimit me këtë foto. Kjo kohështrirje ndjesiplote ha disa minuta të “mëdha” e duhet pritur të formëzohen edhe fotot e tjera që të dalë në përfundime për punën fillimisht teknike. Këtë fazë e përshkruan me fantazi e bukuri të veçantë Kadare në romanin “Dimri i madh”, kur flet per emocionet e fotografit Xan, gjatë punës në laborator. Të mos nxitohemi, se për natyrën e mënjëanëshme të artit fotografik, puna nuk mbaron me stampimin në letër të imazhit. Kjo sepse, në ndryshim nga piktori, i cili pasi e mbaron veprën, vendos datën dhe emrin dhe le mënjanë penelin , fotografi duhet të bëjë zgjedhjen e më të mirës ndër disa që ka përpara.Me këtë kuptojmë përcaktimin e fotografisë përfaqësuese, ngaqë për veçoritë e këtij arti, rregullisht për cdo pamje aparati nuk shkrepet vetëm një herë (përjashtohen rastet kur imazhi që po fotografohet është në castet e konsumimit përfundimtar). Duke pasur shumë foto për të njëjtën pamje a subjekt (me ndryshime të vogla të parametrave teknikë, si këndmarrja, shkallët e diafragmes, fokusimit dhe kohës, por që ndryshojnë vlerën e fotos), fotografi duhet të përzgjedhë atë më të bukurën, më të goditurën, gjithmonë sipas tij. E këtu nuk ka matematikë, sepse vepron më shumë ndërdija dhe ai e ka të vështirë të lërë mënjanë disa foto e të mbajë vetëm një, mbasi të gjithë gishtat e dorës dhembin njësoj. Pas disa mëdyshjesh (piktori ka kohë që e ka lënë penelin dhe ka fshirë duart) ai duhet të vendosi, e tani rahjet e zemrës përsëri shpeshtohen. Kjo përzgjedhje kërkon shije të hollë artistike dhe shpërfaq kësisoj nivelin estetik të fotografit. Si të thuash, është një proces teorik ku ndërthuren në përpjestime të papërcaktuara estetika, filozofia dhe psikologjia e fotografit. Atij tanimë, i duhet “të hedhi dorën e të zgjedhi mollën”, e kjo të jetë e tillë që të nesërmen të mos “e hedhi dorën “ përsëri. Njihen raste kur janë flakur në kosh fotografi që do t’i rezistonin gjatë kohës. Këtu një peshë të madhe ka edhe gjendja shpirtërore e atij që zgjedh. Themi kohës , sepse fotografia, duke u shprehur në mënyrë figurative, është rezultante e dy vektorëve, dritës dhe kohës, ose dhe më ndryshe, ajo është si një bimë të cilën e mbjell e para, por e korr e dyta. E para, e domosdoshme për t’u ngjizur fotografia, por e pamjaftueshme për të “qëndruar në këmbë” pa mbështetjen e kohës që është shumë e pamëshirëshme dhe e paanshme në përcaktimin e vlerave artistike, dhe që shfaqet në përballjet me publikun. Koha përbën kushtin që fotografia e mbjell nga drita të “vegjetojë” gjatë, e me këtë nënkuptojmë bashkëjetesën me shikuesin, numërimin e kohës drejt pafundësisë.
Le të kthehemi tek përzgjedhja përfundimtare e fotos më të mirë. Kujtojmë se fotografi i madh Gjon Mili, për të arritur te fotografia “ikonë”, “Pikaso duke vizatuar me dritë”(1), ka qëndruar pranë piktorit të madh me ditë të tëra dhe e ka shkrepur aparatin qindra herë. Me këto fotografi, Mili ka botuar edhe nje album-monografi “Dimensioni i tretë i Pikasos” ku përfshihet pjesa më e madhe e fotove të piktorit i cili paraqitet duke vizatuar me dritë. Në zgjedhjen e fotos së sipërpërmendur të Milit ka ndikuar veçanërisht intuita e tij artistike, dhe mendimi i përgjithëshëm ka “nënshkruar” se ai ka goditur në shenjë.
Ndoshta mendoni se me përzgjedhjen e fotos më të mirë shqetësimet kanë mbaruar, emocionet janë mpakur e janë normalizuar dhe rahjet e zemres. Por jo,mos të nxitohemi. Fotoja kërkon emër, dhe këtë e kërkon nga “babai” i saj. Ai duhet ta vrasi përsëri mendjen, t’i ritet adrenalina e t’i përkushtohet sërish punes. Këtu përjashtohen rastet kur titullin e ka pasur në dorë para fotografimit dhe pikërisht ai titull e ka nxitur ta bëjë atë foto. Fotografi përpilon një listë titujsh që shkurtohet duke e studiuar deri sa mbetet vetëm ai që autori e vendos ndënë foto. Kujtojmë fotografinë e njohur të Gegë Marubit me katër shkrimtarët. Në atë kohë fotografi e titulloi thjeshtë ,por me shumë kuptim “Dy breza letrarësh”(2). Ka edhe raste kur fotos i ndryshohet emri nga analizat që i bëhen , si p.sh., fotoja “Kapiteni Mark Raka dhe bajraktari i Shalës” e Kel Marubit, sot në shtyp botohet e emërtuar “Dorëzimi i armëve”(3). Ndonjëherë fotografët i bien shkurt, sidomos kur kanë medyshje dhe ngurime, dhe i quajnë fare thatë fotot e tyre “Pa titull”, e kështu edhe me pak “dredhi”, i detyrojnë shikuesit të ngulen e të përsiaten gjatë para tyre.
Tani fotografia është gati dhe autori e vendos para publikut në ekspozitë, në album ,në shtypin e shkruar në median elektronike, ne rastet me fatlume ne muze (habitatet ku gjallon fotografia) dhe pret gjykimin e shikuesve. Kjo drejtëz kohore është pafundësishtë e gjatë dhe përcjell tek autori përshtypjet e shikuesve të cilat lindin apo rilindin emocione të dikurëshme ,por edhe të paprovuara. Përmendim se edhe sot vlerësohen me nota të ndryshme , gjithmonë “kaluese”, fotografi që janë realizuar dhjetra vjetë më parë.
Këto na bëjnë të mendojmë se emocionet e fotografit janë të shumta dhe të vazhdueshme ashtu sic ndodh natyrshëm me artistin në procesin e krijimit të veprave artistike. Por a nuk ja vlen që të jetohet me emocione të tilla ?!

Ikona mbi titullin: Nadar, "Pierrot fotograf", fragment, 1854-55.

Fotot: Dorothea Lange, foto te viteve 1932-1936 (në foton 6: Lange me aparatin fotografik).

Qerim Vrioni