E premte, 22.11.2019, 07:04 PM (GMT)

Komente

Mexhid Yvejsi: Prejardhja e Vitit të Ri

E diele, 14.12.2008, 01:15 PM


PREJARDHJA E VITIT TË RI

Nga Mexhid YVEJSI, Gjakovë

“…Përbehem në Zotin: mos jetoni sikurse jetojnë paganët me mendje të errërsuar, larg nga jeta e Hyut, për shkak të paditurisë që është ndër ta për arsye të trashamanisë së zemrës së tyre. Vetveten e kanë bërë të pandjeshëm, u dhanë mbas shfrenisë, në mënyrë, të shtyrë prej lakmisë, të bëjnë çdo poshtërsi.”

(Bibla, Efesianëve, 4:17-20)

(Pasha kohën !
Njeriu me siguri është në humbje.
Përveç atyre që besojnë, porosisin për
drejtësi dhe këshillojnë njëri-tjetrin
të jenë të durueshëm.)
(Kur’an-i, 103:1-3)

Pyetja më e shpeshtë që po bëhet këto ditë, në fund të muajit dhjetor, pra, në fund të vitit, është: Ku do ta pritni Vitin e Ri?

Shpesh ndodh që pyetja nuk çon te përgjigja, por te pyetjet tjera. Njëra nga pyetjet është edhe kjo: Nga e ka prejardhjen Viti i Ri?

Viti i Ri e ka prejardhjen në Babiloni, Azi…

Babilonasit paganë, 4000 vjet më parë, e festonin ndërrimin e viteve në ditën e Pranverës, kur Hëna ishte e plotë, kur nata e dita janë të barabarta, kur natyra rilindë mbas dimrit të gjatë…

Prejardhja e Vitit të Ri në Evropë

Viti i Ri në Evropë, në gjithë hemisferën perëndimore edhe përtej Atlantikut, e ka prejardhjen nga Roma antike pagane, para 2000 vjetëve…

Në vitin 274, Imperatori romak pagan, Aurelian, e shpalli ditën e 25 dhjetorit: Natalis Solis Invicti (Festa e Diellit të Pamposhtur)…Kjo festë kremtohej në gjithë Perandorinë Romake pagane, e cila e ka prejardhjen nga hyu pagan i iranianëve të lashtë, i cili quhej Mithra.

Mithra, prej të cilit lindi religjioni: Mithraizmi, ishte hyu pagan iranian i dritës, që besohej se kishte lindur me 25 dhjetor! Kjo festë pagane kremtohej një javë, prej 25 dhjetorit deri me 1 janar…Kurse 1 janari kremtohej për nder të hyjnisë Janus, hyu dyerve dhe hyrjeve, prej të cilit ka prejardhjen emri i muajit të parë të vitit-Janari, që është dera, hyerja në Vitin e Ri…!

Pra, kjo festë e lashtë pagane, në Perandorinë Romake, zgjaste një javë. Një historian perëndimor, J.M. Wheeler, në librin e tij: “Paganism in the Christian Festivals”, (Paganizmi në Festat Kristiane) ndër të tjera, shkruan:

“Të gjithë festonin dhe gëzonin, puna dhe tregtia ishin pezulluar tërësisht. Shtëpitë ishin zbukuruar me bredha, pisha, me dafina dhe me bimë e pemë me blerim të përhershëm; midis miqëve shkëmbeheshin dhurata e vizita. Ishte një periudhë gëzimi dhe dashamirësie dhe populli jepej pas çdo lloj argëtimi…”

Përse gëzimi dhe argëtimi?

Pse ndodhnin këto? Pse gëzoheshin, argëtoheshin…? Sepse popujt paganë evropianë besonin se kur ditët shkurtoheshin, e dita më e shkurtër bie me 21 ose me 22 dhjetor, ata besonin se Dielli-zoti i dritës ishte sëmurë dhe porsa dita fillon të zgjatej ata gëzoheshin dhe festonin, duke besuar se Dielli-zoti i tyre po shërohet, po forcohet dhe se pranvera, vera, po afrohet!

Ky besim i verbër pagan ishte i përhapur ndër popujt evropianë, por që ka prejardhje nga egjyptasit e lashtë paganë, të cilët e adhuronin hyun pagan Ra, hyu i agrikulturës, por që vjen nga besim pagan iranian i Mithras, hyu pagan kushtuar Diellit të pamposhtur…!

Kjo është arsyeja e paarsyeshme e pavetëdijshme, pse edhe sot e kësaj dite, në mijëvjeçarin e tretë, në shumë vende të botës, kjo festë kremtohet me madhështi, njerëzit argëtohen, gëzohen, tranohen…!

Përse zbukurimi, dekorimi?

Për nder të kësaj feste pagane zbukurohen, dekorohen, shtëpitë, fshatrat, qytetet me bredha, pisha, me blerim të përhershëm, nga njerëzit e përkohshëm dhe populli, siç dihet, siç shihet, jepet pas çdo lloj argëtimi-deri te shfrenimi…!

Përse zbukurohen, dekorohen shtëpitë, fshatrat, qytetet, me bredha, pisha? Sepse popujt paganë të Evropës, para krishterimit, besonin se pemët e gjelbërta, siç janë bredhi, pisha, të cilat tërë vitin e ruajnë blerimin e tyre, ngjyrën e tyre, edhe në dimër, kanë diçka hyjnore…

Popujt paganë evropianë besonin në qëndresën e tyre, i adhuronin ato si krijesa hyjnore, që nuk do t’i lënë pasdore…!

Prandaj, porsa fillonte dimri i dekoronin, i zbukuronin, duke menduar, duke besuar se, meqë ato i qëndrojnë dimrit të ftohtë e të gjatë, do t’i ndihmojnë edhe atyre të mjerëve të qëndrojnë…!

A ka kuptim që popujt me besim monoteist, siç jemi edhe ne , shqiptarët, qofshin të krishterë apo muslimanë, të presim, të kremtojmë, të gëzohemi, të tranohemi për një festë pagane, siç është Viti i Ri? Këtë e gjykon Bibla, e gjykon Kur’ani, dy Librat Hyjnorë, më të lexuara, më të përhapura, më të nderuara, në rruzullin tokësor.

Shën Pali, në letrën dërguar Efesianëve, ndër të tjera, shkruan:

“…Përbehem në Zotin: mos jetoni sikurse jetojnë paganët me mendje të errërsuar, larg nga jeta e Hyut, për shkak të paditurisë që është ndër ta për arsye të trashamanisë së zemrës së tyre. Vetveten e kanë bërë të pandjeshëm, u dhanë mbas shfrenisë, në mënyrë, të shtyrë prej lakmisë, të bëjnë çdo poshtërsi.”
(Bibla, Efesianëve, 4:17-20)

A keni menduar, si besimtarë, ndonjëherë rreth kësaj çështje? Nëse nuk keni menduar, atëherë shtrohet pyetja: Deri kur të pranojmë, pa menduar, çdo festë që të tjerët na kanë servuar - si një sofër e shtruar?!

Sidoqoftë, para nesh është Viti i Ri, por jo për ta pritur, se ai vjen vet, jo për ta kremtuar, jo për ta uruar, jo për t’u gëzuar, jo për t’u shfrenuar, por për të medituar!

Meditimi rreth Vitit të Ri do të na çon kah një kuptim më i thellë i jetës, i kohës. Koha, për të cilën betohet Krijuesi i Madhnueshëm në Kur’an, është gjëja më e çmueshme për krijesën-njeriun.

Njeriu i sotëm, modern, bashkohor, perëndimor, materialist, është i aftë për të drejtuar, për të kontrolluar fuqitë e ndryshme natyrore, por qe de, është i pa aftë për të frenuar epshet e veta shtazore…!

Mos frenimi i epsheve shtazore, duke qenë larg Zotit, duke mos përfillur udhëzimet e Tij, shumicën e njerëzve e ka tërhequr kotësia, marrëzia, shfrenia të shtyrë nga lakmia…

Në etapa të ndryshme kohore, miliona njerëz për shkak të mosdijes, lakmisë, grykësisë, padrejtësisë janë shkatërruar, janë asgjësuar. Po të kthehemi në histori, do të pyesim me habi: Ku janë gjithë ato perandori?! Perandori shekullore, të fuqishme, që dukeshin aq madhështore, por u shkrinë si me qenë fluska bore!

Sot, sikurse dje, njerëzit që nuk kanë besim në t’Madhin Zot-jetojnë kot! Ata e presin me pa durim Vitin e Ri, duke shpresuar, duke besuar se Viti i Ri ju sjellë begati!

Me kohë, bota e kapitalit, e tregtisë, e bisnisit, me reklama, me dredhi, joshje e mashtrime prej çdo lloj pisit, këtë e kanë kuptuar dhe përgatitjet për Vitin e Ri , që moti, ata i kanë filluar. I kanë filluar dhe do t’i përfundojnë përgatitjet të organizuara më bukur se çdo herë, sepse me fitime të mëdha, si asnjëherë, e shpërblejnë vetveten menjëherë…!

Nata e Vitit të Ri

Për natën e Vitit të Ri thuhet se është nata më e gjatë, nata më e mrekullueshme. Po , por këtë e thonë të gjithë ata që janë në gjëndje të trullueshme!

Në të vërtetë, jo vetëm që është nata më e trullueshme, duke pirë- pije alkoolike e narkotike, duke kënduar, duke vallëzuar, pa rend e vend, pa kurrfarë sjellje, duke hangër deri në vjellje , duke luejtur bixhoz, lotari duke bërë edhe ndonjë marrëzi…! Pra, nata e Vitit të Ri bëhet jo vetëm nata më e trubullueshme, ajo bëhet edhe nata më e mjerueshme, më e mallkueshme, më e dënueshme…! Pse? Sepse kjo është një festë pagane, e cila urohet pothuejse nga mbarë bota, por të gjitha urimet janë të kota ! Urojnë, urojnë, urojnë, derisa e teprojnë, derisa urinojnë dhe pse ata ashtu nuk mendojnë, nuk besojnë…!

Ka shumë që do të thonë, është e drejta jonë, jemi n’Evropë, jetojmë në liri, në demokraci dhe e gëzojmë të drejtën të kremtojmë, ta presim Vitin e Ri!

Po, me siguri, keni të drejtë ta pritni, të kremtoni , por një ditë do të vajtoni…! E drejta juaj nuk do të thotë se po veproni drejt. E drejta juaj, në këtë rast ju bën të huaj! Nëqoftëse dëshironi të jeni si të tjerët, atëherë kush do të jetë si ju?

Me pak fjalë, kjo është e Vërteta, e Vërteta: Pse pritja, kremtimi i Vitit të Ri – është kotësi, është marrëzi? E Vërteta, siç thoshte Shileri, nuk pëson nëse dikush nuk e beson.

E Vërteta është Zoti. Zoti është Krijues, Furnizues, Dhurues. Prandej, të gjithë kemi nevojë për Zotin. Zoti nuk ka nevojë për ne. Kush vepron mirë, shpreson mirësi

nga Mirësia e Tij, jo nga Viti i Ri. Kush vepron keq, por pendohet, shpreson se do të falet dhe qetësohet, rehatohet… I varfëri shpreson të pasurohet, i sëmuri të shërohet, i papuni të punësohet, i burgosuri të lirohet…

Zoti është i vetmi Krijues, i vetmi Furnizues dhe i vetmi Dhurues për gjithçka. Ai Krijon, Furnizon, Dhuron nga oqeani i pashtershëm i Mirësisë dhe Bujarisë së Tij, jo Viti i Ri.

Në Kur’an, All-llahu i Madhnueshëm urdhëron e thotë:


“ Kush nuk beson barrën e mosbesimit e ka kundra vetes” (30:40)

Pra, kush nuk beson, ai është kundër vetes. Ai që është kundër vetes e ka krijuar burgun e vet. Në burgun e vetë, vetvetja në këtë jetë i duket më e largët se çdo planetë…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT