Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Tahir Bezhani: Prof. Dr. Salih Ahmeti, hero i ditëve tona

| E merkure, 16.02.2022, 08:50 PM |


Portret për njeriun e kohës, sfidat dhe mirënjohjet...

PROF. DR. SALIH AHMETI, HERO I DITËVE TONA

Nga Tahir Bezhani

Në çdo kohë kur lindin sfidat e jetës, njerëzit provokohen, dëshmohen para shoqërisë me vlerat e tyre njerëzore, humane e profesionale. Tani e dy vite epidemia e quajtur covid 19, e cila përfshiu tërë globin, nuk  kurseu as shtetin tonë të rij, por me njerëz të mëdhenj, të palodhur e profesionist të shkathët, fiks në parimet e Hipokratit, të gatshëm për çdo sfidë. Në kacafytje të drejtpërdrejt me epideminë vdekjeprurëse,  u përballë e gjithë mjekësia kosovare, ku në këtë luftë të rrezikshme, shumë sish  humbën  jetën,  duke luftuar për jetën e të tjerëve.

Në këtë përballje heroike, ndër më të dalluarit me epideminë famëkeqe, që nga fillimi e deri me sot, me punën e tij të palodhshme, Salih Ahmeti, shef i departamentit në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, tregoi gjithë potencialin e tij shkencor e njerëzor për ta çrrënjosur këtë të keqe nga Kosova .

Emri i Prof. Dr. Salih Ahmetit, tani e dyzet vite, është i njohur në mbarë opinionin kosovar e jo vetëm, si  njeri e mjek i përkushtuar ndaj profesionit dhe njerëzve të këtij dheu, të  kësaj Kosove.

Ka mbaruar fakultetin e mjekësisë në Prishtinë, ndërsa specializimin për sëmundje infektive dhe subspecializimin nga lëmi e Gastroenterologjisë me Hepatologji në Zagreb. Njëherit në Zagreb kreu studimet pasdiplomike, magjistraturën dhe doktoratën, të cilën, për shkaqe të situatës politike të kohës, në rrethana lufte, i mbrojti në Prishtinë. Si fushë  hulumtimi ka viruset me patogjinitet të lartë si dhe ato të etheve hemorragjike dhe sëmundje të mëlçisë. Ka mbi njëzet vite që bashkëpunon ngushtë me ekspert nga Universiteti i Lubjanës, Instituti Porton Doën (BM),Instituti Bernhard Noch në Hamburg, dhe Universiteti i Teksasit (SHBA), e shumë vende të tjera të botës. Ka qenë  bartës i disa pozitave mjekësore në QKUK, edhe  dekan i Fakultetit të Mjekësisë. Shumë kuadro të profileve të ndryshme mjekësore, falë dijes universale të Prof. Dr. Salih Ahmetit, sot janë kuadro kyçe e me përgjegjësi në mjekësinë kosovare e jo vetëm. Në Klinikën Infektive punon që nga viti 1983,ku ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij. Për gjitha ato vite të karrierës, ka arritur që emri i tij të jetë i njohur në mbarë vendin, si emër “shpëtimtarë i jetëve njerëzore.”

Duke pasur në konsideratë gamën e gjanë të punës së  Prof. Dr. Salih Ahmetit, me 2o.12.2021 ka marrë çmimin vjetor “ NJERIU I VITIT”( MAN OF THE YEAR),një vlerësim publik për punën shumëvjeçare, nga një Organizatë “Geltelmen magazinë”,e cila përzgjedhë njerëzit e sukseseve të arriturave vjetore. Me gjithë veprimin e drejtë për këtë vlerësim, mendoj se profesionalizmi dhe përgatitja e lartë shkencore, puna e palodhshme e humane ndër vite, japin arsye që për këtë kuadër shkencor, mos të mbetët e vetmja dhuratë ndër vite.

Sytë e vëmendja drejtohen tek Institucionet e shtetit tonë për vlerësimin e kuadrove të dëshmuara, si  Prof. Dr. Salih Ahmeti.

Përvoja dhe kontributet në lami shkencore, puna humanitare gjatë një karrierë shumëvjeçare, duhet të jenë synim i respektit njerëzor, shtetërorë e kombëtarë.

Jo vetëm se gjendemi në habi, por shpesh shtrohet pyetja  si një kërkesë imanente e njerëzore, që ndaj humanistëve të tregohet humanitet, mirënjohje e respekt meritorë, siç do ishte rasti me Prof .Dr. Salih Ahmetin.

Nëse qytetarët dhe pushteti, vlerësojnë njerëzit për vlera të larta intelektuale, morale e profesionale, atëherë jemi të vlerësuar të gjithë, madje si popull, që njohim virtytet dhe vlerat e të tjerëve.

Duhet të ndihemi mirë kur në rrethana të tilla, të vështira që sjellin kohët, lindin kësi heronj të punës, me vepra konkrete, duke rrezikuar veten për të tjerët. Në këtë kuptim, nuk qe i vetëm  Prof .Dr. Salih Ahmeti, por të tillë patëm shumë këtë radhë në Kosovë.

Është në kulturën tonë që të vlerësojmë kuadrot tona. Sikur të bënim vlerësime të tilla me kohë, nuk do i kishim të “humbur” me qindra penda të shkencave të ndryshme nëpër botë. Atje gradohen, dekorohen ,falënderohen, ndërsa ne, ne nuk gjejmë forcë e mirësi  për t’i vlerësuar ata që tregojnë humanizmin me vepër profesionale e jetësore.

Mos të hezitojmë! Nuk është vonë kurrë për të mirën. Respekt të gjithë atyre mantelbardhëve që dhanë çdo gjë nga vetja për popullin e vet!