Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fotaq Andrea: Këtë ditë të të dashuruarve të Shën Valentinit, poezia “Bashkimi i Lirë” i Andre Breton-it në gjuhën e bukur shqipe

| E hene, 14.02.2022, 09:30 PM |


Këtë ditë të të dashuruarve të Shën Valentinit,

poezia “Bashkimi i Lirë” i Andre Breton-it

në gjuhën e bukur shqipe -  Një letër e hershme për prof. Emil Lafen

I dashur Prof. Emili,

Faleminderit për mesazhin tuaj të ngrohtë që, mbi të gjitha, më solli ndër mend një poezi të “Babait të Surrealizmit” Andre Breton, të cilën e kisha mësuar përmendesh që në vitet ‘70 kur isha student në Francë dhe ëndërroja ta përktheja, por që më dukej e pamundur.

Atëherë, mbrëmë më 11 të darkës, si piva një filxhan të zakontë kafeje të fortë për të asgjësuar gjumin, i hyra përkthimit të poezisë « Union Libre » të Bretonit, dhe më 2 të mëngjesit e kisha përfunduar enkas per t'ju pershendetur juve.

Sic e vini re, është një poemë pa folje të zgjedhuara, pa sintaksë, pa shenja pikësimi,

me gjuhë të re, sa prozë dhe poezi, pa rimë, pa metrikë, thjesht në varg të lirë, ku trupi i gruas shpaloset si një mikro e makro univers, me yje vezullues natën e kthjelltë dhe gjëmime e vetëtima furtune mbi det, me florë e faunë dhe botë inerte, por edhe një botë e pasur gjithë luks, me ar, rubinë e shampanjë, e tëra e dhënë në formë litanie apo lutjeje, ku forca e mendimit është jashtë çdo kontrolli të arsyes apo gjykimit, jashtë çdo konvencioni estetik a moral, me liri të plotë të fjalës deri në shkrim automatik,  dhe ku duket sikur figurat letrare shfaqen pa lidhje, ndërkohë që metaforat marrin shpesh kuptim të trefishtë për ta vënë gruan në qendër të universit: GRUAJA -  Ujë, Ajër, Tokë dhe Zjarr !!!!!!!

Pra, Andre Bretoni erotizon në këtë mënyrë trupin e gruas në shkallën me të lartë artistike,

ku fjala merr zhdërvellësi peneli në ngjyrë e formë,  plot figura letrare me ritmikë harmonike e  përsosmëri plastike, dhe duke e shndërruar kështu vetë gruan në muzë, në grua-filtër drejt botës së çelur, në grua të dëshiruar e sensuale, falë fjalës epshore, shpirtërore, asaj fjale bashkimi hyjnor në Kopsht të Edenit: Ma femme – Gruaja ime, në formën posesive më të lartë.

Bashkim i lirë është sakaq sa trupor aq edhe leksikor, në gjuhë letrare të zhdërvjellë, në krejt format e veta të çlirta, me metaforë të fuqishme à la Jérôme Bosh dhe à la Salvadore Dali.

Ja pra, i dashur Prof. Emili, kjo poemë, e përkthyer në tërë gjuhët kryesore të botës dhe që ju më frymëzuat ta përkthej më në fund edhe në gjuhën e bukur shqipe, me një fuqi e fuqishmëri të jashtëzakontë shprehëse, ku njërrokshet e dyrrokshet i japin ritmin dihatës edhe

të lëvizjes trupore, si ajo "kafsha me dy kurrize", sic e quan Rableja aktin seksual.

Shpresoj që ju ta shijoni këtë përkthim, dhe une nga ana ime do lexoj me kënqësi ato të Petrit Rukës që më dërguat ju.

Sot, në Perëndim sikur ka perënduar njëfarësoj poezia erotike, pasi ajo njohu  kulmin artistik me bukuri fjale metaforike dhe përtej çdo vulgarizimi që i bëhej epshit të tipit "Po të pres i dashur me shalët hapur"..................

Duke dëshiruar e uruar edhe une sot ne ndeshjen Shqipëri-France një paraqitje të bukur të çunave tanë futbollistë përballe frëngjve

ju përqafoj,

Fotaq – Strasburg, 15 juin 2016 11:06

Edouart Manet, « Olimpia » 1865, gravurë në dru.

ANDRE BRETON (1931)

« BASHKIMI I LIRË »

Gruaja ime ka floknajë gjuhëzash prej flake druri

Me mendime vetëtimash ngrohëse

Me shtatin lavjerrës

Gruaja ime me shtatin e vidrës mes dhëmbëve të tigrit

Gruaja ime me gojën kokardë dhe buqetë yjesh ndezur vezullimë

Me dhëmbët prej gjurmësh miusheje të bardhë mbi tokë të bardhë

Me gjuhën qelibar dhe prej qelqi të fërkuar

Gruaja ime me gjuhën prej nafore të tejshpuar

Me gjuhën prej kukulle që çel e qep sytë

Me gjuhë të gurtë të pangjashme

Gruaja ime me qerpikë si shkopinjtë në shkrim të fëmijëve

Me vetullat si buzë foleje dallëndyshesh

Gruaja ime me tëmthat prej plloçash mbi çati serre

Dhe prej avulli mbi xhama

Gruaja ime me shpatulla shampanje

Dhe burimi plot koka delfinësh nën akull

Gruaja ime me kyçe shkrepsesh

Gruaja ime me gishtërinj rastësie dhe asi zemër

Me gishtërinj kashte të korrur

Gruaja ime me sqetulla kunadheje e lendeje

Dhe nateje të Shën Janit

Prej voshtre e foleje bishtatundësish

Me krahët shkumë deti dhe shkumë ekluze
Dhe përzierje gruri mbi rrotën e mullirit

Gruaja ime më kofshët bosht fushqetë

Me lëvizje sahati dhe dëshpërimi

Gruaja ime me pulpat prej palce shtogu

Gruaja ime me shputa nistoresh

Me shputa mbajtëse çelsash dhe shputa kallafati që pinë ujë

Gruaja ime me qafë elbi të pathekur

Gruaja ime me gushë luadhi të praruar

Me gushë takimi në vetë shtrat të përroit

Me gjinj nate

Gruaja ime me gjinj fole urithi deti

Gruaja ime me gjinj fole rubinësh

Me gjinj spektri të trëndafilit nën vesë

Gruaja ime me barkun si shpalosje freskoreje e ditëve

Me barkun si kthetër gjigande

Gruaja ime me kurriz shpendi që arratiset vertikalisht

Me kurriz sermi të fortë

Me kurriz drite

Me qafën prej guri të rrokullisur dhe shkumësi të qullur

Po edhe me zhurmë-rënie të një gote në të cilën sapo ke pirë

Gruaja ime me ijet prej barkëze

Me ijet prej llambadari dhe bisht shigjete

Dhe prej kërcell pendësh të palloit të bardhë

Prej peshoreje të pandjeshme

Gruaja ime me vithe shtufi dhe amianti

Gruaja ime me vithe kurrizi mjellme

Gruaja ime me vithe pranvere

Me seks shpatoreje

Gruaja ime me seks diamanti e ornitorinku

Gruaja ime me seks algesh e sheqerkash të dikurshme

Gruaja ime me seks pasqyre

Gruaja ime me sy plot lot

Me sy arsenali të manushaqtë dhe gjilpëre të magnetizuar

Gruaja ime me sy savane

Gruaja ime me sy uji për të pirë në burg

Gruaja ime me sy druri përherë nën sëpatë

Me sy niveli uji niveli ajri toke zjarri.

Përktheu nga origjinali: Fotaq Andrea, 2016.