E premte, 29.03.2024, 09:47 AM (GMT)

Kulturë

Suzana Kuqi: Gjashtë muaj

E shtune, 13.12.2008, 04:14 PM


Suzana Kuqi

Gjashtë muaj

- Idiote, budalle, nuk i ke sytë në ballë ?!- zëri i erdhi i fortë me një tufë të sharash të tjera. Linda kish ngrirë në mes të rrugës me sy të çapëlyer. Dy hapa para saj kish ndaluar një autobus, e shoferi kish nxjerrë kokën në dritaren e tij e po e shante pa pushuar. Kaloi mbi trotuar e ndoqi me sy autobusin që kaloi e vuri re shenjat që kishin lënë rrotat e tij mbi asfalt kur kish frenuar me një zhurmë si klithmë bishe. Kish munguar fare pak që të përfundonte poshtë tij. Kalimtarët e shihnin me habi. Një i moshuar ju afrua dhe e pyeti se si ndihej.

- Ke qenë me fat se ishte shofer i mirë dhe frenat e autbuzit funksionuan në mënyrë perfekte , ndryshe...ai i tregoi me gisht shenjat mbi asfalt.

- Kam qenë me fat, - tha si me vehte Linda ndërsa largohej duke u munduar të ishte më e kujdesëshme tek kalonte rrugën. Befas i erdhi keq që nuk kishte përfunduar poshtë atij autobuzi...

&

Linda mori tabakanë me gotat e rakisë e bombonet dhe hyri në dhomën e mbushur me burra, me një ndjesi lehtësimi. Së shpejti ai ankth do të merrte fund. .Xhaxhallarët i kishin premtuar. Dajua i Andit u çua më këmbë:

- Të na trashëgohen të rinjtë!

Të tjerët u panë në sy të zënë ngushtë, u ngrit njëri e pas tij dhe të tjerët.

- Të na trashëgohen!- përsëriti dajua.

- Të na trashëgohen! - e pasoi dikush me gjysmë zëri.

Linda u tërhoq në aneks. Tavani filloi t'i rrotullohej.

- C'pret, nxirr llokumet!- zëri i nënës i erdhi nga larg.

- E po, të trashëgohem, përsëriti me vehte Linda, tek ndjeu se po dyzohej, ajo e vërteta

iku larg e tallej me të. Paska qenë e shkruar, mendoi. E shkruar për ty e jo për mua, ja ktheu vetja e dyzuar që i largohej gjithnjë e më shumë...

Andi kish kohë që i ishte bërë hije. Si paraqitje, ishte goxha djalë, ose kështu i ishte dukur nga larg , deri sa e ndaloi dhe i foli herën e parë. As vetë nuk e kuptoi se ç'ishte ajo gjë e pakapshme, ajo energji e pakëndëshme që i hoqi oksigjenin ajrit dhe e bëri të ndjehej keq .

- Jo, as mos e mendo!- ja kish prerë shkurt ajo.

- Të lutem, mos më dil më përpara!- i kish thënë herën e dytë.

- M'u qëro nga sytë!- i kish thënë herën e tretë.

Nuk e kish shqitur dot. I ishte ankuar nënës, xhaxhallarëve, por ata nuk shihnin asgjë të keqe tek ai djalë. Me shkollë, prindërit i kish me pozicione të mira, ekonomia për t'u lakmuar...E Linda e dinte, të gjitha ishin për t'u admiruar ...Pastaj ata kishin hequr dorë, ai jo. Gjëndja ishte rënduar me frikën se kështu ai i largonte rastet e tjera që mund të kishte, e rasti duhet kapur në kohë se ikën, edhe mosha ikën. Xhaxhallarët vendosën të ndryshojnë taktikë. I thanë të kërkonte dorën e vajzës në shtëpi. Do t'i thonin zyrtarisht "jo" , dhe ai më në fund do të mblidhte mendjen. Andi nuk e kish bërë të gjatë, kish marrë dajën dhe...

- Fundja ç'të keqe ka, i tha Linda asaj të dyzuarës, më mirë një që të do se një që t'a duash e nuk të do... Gjysma e së keqes...

Dhe gjysma e së keqes u fejua. Pas disa ditësh ndërruan nishanet. Tashmë gjithshka që ndodhte, nuk i ndodhte asaj , por asaj tjetrës. I kish rënë nur. Asnjëherë nuk kish qenë më e bukur se atë ditë.

Ditët, javët e para ... Vetja i dukej e mbyllur në një burg mjegulle, asgjë nuk ishte reale aty. Zëri i tij i vinte nga larg, shumë larg, pas asaj frazës së parë:

- E dija, po të këmbëngulja, një ditë ...

Në burgun e saj nuk e acaronte, as ato fjalë që sado normale, nuk merrnin kuptim në buzët e tij. Linda ndjente se largohej gjithnjë e më shumë. Diku u fol për të caktuar datën e martesës.

- Ka kohë! – kundërshtoi ajo e ndërkohë ankthi ju mblodh në grykë. Nuk e duronte dot

kur e kishte në krah në rrugë , e jo më në shtrat.

- Nuk e dua!- i tha nënës në mbrëmje

- Don ndonjë tjetër moj bijë?

- Jo.

- Të pëlqen ndonjë tjetër?

- Jo .

- Atë djalë t'a ka zili tërë qyteti.Vajzat e tjera e lakmojnë e ti...

- Le ta marrin mama, unë nuk e dua!

- Dashuria vjen më vonë. Pse, si kujtove ti se unë me babanë tënd... Më martuan të re fare, edhe unë nuk e doja. Gjashtë muaj m'u deshën të më hyjë në zemër. Duro edhe ti, nuk ke bërë muajin që je fejuar. Do të shohësh se pas gjashtë muajsh nuk do të ketë tjetër në botë për ty.

- Nëse jo mama, do ta prish fejesën!

Fytyra e nënës u rrudh nga dhimbja. Nuk i dhëmb unë, por emri im, mendoi padashur Linda, emri im që do të marrë atë mbiemër të shpifur "kaqenëefejuar". Vetë e ka fajin, përse këmbënguli aq... po sikur të ketë të drejtë, gjashtë muaj dhe...

- Si është... si është të ndjehesh grua mama?

- Grua ... , - Lindes i erdhi për të qeshur që e ema mundohej t'i fshihte sytë ndërsa mollëzat e faqeve ju bënë rozë,– mos bjer në kurthin e tij, nuk je martuar ende!

- Mos u shqetëso, më thuaj si ndjehesh kur je grua e dashuruar.

- E dashuruar... ishte një detyrim t'i jepeshe burrit tënd ... të lije të merrte atë ç'ka donte. Kush të pyeste në të pëlqen apo jo. Pastaj, vjen një moment kur fillon e jep nga pak derisa ... arrin në atë pikë kur jep trupin e shpirtin njëherësh, kur drithërohesh e tëra nga një pëshpëritje, nga gishtërinj që të prekin... lëkura bëhet e ngushtë për shpirtin , dëshëron të vdesësh e të rilindësh brenda atij momenti, e të ekzistosh se ekziston ai burrë, e kupton se për këtë ke lindur, të dashurosh, të japësh , të sakrifikosh ... duket sikur vetë Zoti të jep bekimin...

- Përse nuk më ke folur kurrë kështu mama?

- Sepse edhe mua nuk më ka folur gjyshja jote, as asaj e ëma, janë gjëra që nuk u thuhen vajzave .

- Gjashtë muaj,- i tha kolegja e punës, - gjashtë muaj unë nuk desha ta shoh me sy burrin me të cilin më fejuan, e tani, nuk ka më të lumtur se unë. Mos u bëj budallaqe, mos i bjer fatit me këmbë...

- Gjashtë muaj, - i tha kushërira,- gjashtë muaj kam qenë e keqe me të fejuarin tim, shtrigë kam qenë, e kam trajtuar aq keq sa nuk e di se si më ka duruar, nuk e lija të më prekte me dorë, ndërsa tani nuk më zë gjumi nëse nuk e mbaj pëllëmbën e tij në timen ...

-Gjashtë muaj,- i tha një shoqe fëmijërie,- e të mendosh se ai donte marrëdhënie në fejesë, që në fillim. Jam torturuar gjashtë muaj, më dukej sikur më përdhunonte ...-Linda nuk e dëgjonte më, sytë i ishin mbushur me lot. Andi i kish zgjatur duart mbrëmjen e shkuar, kish ndjerë frymën e tij mbi shpatull, kish parë atë shikim në ata sy si të atij...

Disa ditë më vonë e la veten në krahët e tij për një moment, duhej të fillonte të mësohej, por kur ndjeu buzët e tij... e shtyu me forcë...siç kish shtyrë atë fëlliqësirën që e kish edhe kushëri nga e ëma. Ai burrë në moshë, që bënte sikur vinte për t'i qarë hallin nënës që kish mbetur e ve, nuk linte rast pa ju qepur kur nëna nuk ishte në shtëpi, dhe Linda... sapo kish filluar t'i rritej gjoksi, e trupi t'i merrte formë, nuk kuptonte ende atë ndryshim në fizikun e saj, nuk dinte në se duhej të gëzohej apo të hidhërohej për feminilitetin e saj që po shpërthente... shokët e saj t'a shihnin me sy ... ndryshe. Qenë sytë e tij që e bënë t'u largohej shokëve të saj të lojrave, kishin qenë fjalët e tij që i derdheshin si lëtyrë e neveritëshme, që e kishin bërë t'i largohej komplimentave të djemve . Kishin qenë duart e tij që i kishin hyrë mes kofshëve, një ditë nëpër shkallë, që e kishin bërë të ndrydhte feminilitetin e saj në honet më të thella të qënjes. E pastaj ato porosi të nënës e të gjyshes, t'a konsideronte gjë të turpshme...

- Të kanë bërë magji, - i tha halla, - të çoj unë diku dhe e prishim.

Linda doli me të shpejtë nga shtëpia e saj. Këtë kish mangut, të kërkonte dashuri me magji e magjistare. Shihte Andin nga dritarja kur vinte dhe e mirrte për të dalë, e zemra i ngushtohej. Përse vallë e mendoj kështu, është alamet djali. Do të mundohem t'a shoh me sy tjetër sot, vendoste ajo e vraponte t'i hapte derën. E sapo e hapte shtangte, nuk ishte në gjëndje t'i thosh as edhe një fjalë të mirë, ndërsa ai kishte atë shkëlqim në sy... Asaj i krijohej ajo ndjesi se pak rëndësi kish për të ç'mendonte e ndjente ajo. Rëndësi kish si ish bërë Linda nga jashtë e Linda, ishte e bukur... gjë e mirë, siç shprehej ai. Ishte "gjë",a mund të ishte"gjë" një person, aq më tepër ajo që do të ishte nëna e fëmijëve të tij ?

- Mua nuk më pëlqejnë fëmijët,- ish shprehur ai një ditë, - do të bëjmë një, sa më vonë që të jetë e mundur.

E unë budallaqja, që mendoja se fundja në rastin më të keq të bëj një fëmijë, të kem diçka timen për ta dashur e për t'ju kushtuar... Gjashtë muaj, kish kaluar më shumë se gjysma, e ajo e dyzuara, që fliste, që buzeqeshte nuk kish gjë në terezi, mjegulla nuk ishte më e bardhë...

- Idiote, budalle , nuk i ke sytë në ballë ?!- zëri i erdhi sërish i fortë me një tufë të sharash të tjera. Linda mbajti hapin mbi trotuar. Kujtimi i atij zëri... Keqardhja që nuk kishte përfunduar poshtë atij autobuzi... Të paktën nuk do të ishte e detyruar të shihte fytyrën e tij të bukur e të kënaqur, të dëgjonte atë shprehje, se e dinte se po të mos i ndahej do t'a kishte të tijën një ditë... Të tijën...Se vajzat thyhen, mjaft të këmbëngulësh... Ajo, qelqi që do të thyente ai... Mbajti këmbët. Vallë deri në këtë pikë kishte arritur, ajo që e kish dashur jetën me gjithë shpirt? Përse? Vallë kish kaq rëndësi ai mbiemër i shëmtuar që do t'i ngjisnin, sa ja kish errësuar çdo gjë...

Në ecje e sipër hoqi unazën nga gishti, ato gjashtë muajt... nuk ishin për të. Shikoi rreth e rrotull. Në anën tjetër po riparonin rrugën e ajo pa shtresën e asfaltit të nxehtë tek po e hidhnin. Pas vinte rruli. Nxitoi hapin e kaloi pranë rrulit duke e shoqëruar një copë rruge aq sa të mos gabohej kur të hidhte unazën poshtë tij. Pastaj e la t'a kalonte e u kthye në anë të kundërt.

- Ishte unazë, apo më bënë sytë?- Një djalë me sy çapkënë i erdhi në krah e filloi të ecte bri saj.

-Nuk është punë për ty! Nuk ke punë tjetër? – ja ktheu me të qeshur ajo.

- Jo, për momentin po shihja një vajzë të bukur që desh e shtypi një autobuz. U bëra kurioz dhe e ndoqa. Gjynah, thashë, qenka e fejuar se shqova një unazë në gishtin e saj. Pastaj nuk e pashë më ...- befas zëri i djalit u bë serioz, – Je e fejuar?

- Kam qenë e fejuar, – Linda mbajti hapin, ish kurioze të shihte reagimin e parë të kësaj fjale të frikshme.

- Atëherë, mund të të ftoj për një kafe?

- Jo sot!- qeshi Linda.

- Kur?

- Ndonjë ditë tjetër, - Linda shpejtoi hapin, kish shumë punë akoma sa të prishte fejesën .

- Ej!

Ktheu kokën. Djali kish qëndruar dhe po i buzëqeshte.

– Bëj kujdes nga autobusat!

Ajo e përshëndeti me dorë. Do t'a kish pranuar me dëshirë atë ftesë. Ata sy nuk e shihnin si "gjë" , e shihnin si një vajzë së cilës mbase ja vlente t'i fitohej zemra. E përfshiu një valë e këndshme, një dëshirë e vakët për një përkëdhelje... për një pëshpëritje... Duhet të ishte i tillë ai vështrim që do të zbulonte shtresat e qënies së saj, për të zbuluar atë të fshehurën, atë të mrekullueshmen e të ndjerit grua ... Gjashtë muaj, nuk kishin funskionuar me Andin, kishin filluar me hap të gabuar. Ndoshta, me një tjetër, do të duheshin më pak se gjashtë muaj...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora