E marte, 28.06.2022, 06:39 AM (GMT+1)

Speciale » Namani

Qazim Namani: Çetnikët serbë, ndjekës të popullatës hebraike në Serbi dhe Kosovë, shqiptarët rrezikuan për mbrojtjen e tyre

E merkure, 09.02.2022, 08:55 PM


Çetnikët serbë, ndjekës të popullatës hebraike në Serbi dhe Kosovë, shqiptarët rrezikuan për mbrojtjen e tyre

Nga Dr. Qazim Namani

Sipas planit të çetnikëve, në prill të vitit 1941, u përgatit konflikti i parë i ushtrisë gjermane me popullatën shqiptare në kufirin e Kosovës

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, u sulmua nga ushtria gjermane me 06 prill 1941, ndërsa kapitulloi me 16 prill, dhe me datën 17 prill u nënshkrua kapitullimi, pa shkrepur as një plumb kundër forcave gjermane. Forcat e ushtrisë gjermane me 10 prill të vitit 1941, hyjnë në Prishtinë. Në këto rrethana popullata shqiptare, ishte mobilizuar për tu mbrojtur nga ndonjë sulm i pa pritur, i grupeve të armatosura serbe. Kur arrijnë njësitet e ushtrisë gjermane në Medvegjë, Radovan Shakici, zhvillojë një bisedë me komandantin e njësitit ushtarak gjerman. Fshati Prapashticë ishte djegur tërësisht nga serbët tre herë më parë, në luftërat ballkanike, pastaj në Luftën e Parë Botërore, në janarin e vitit 1921, nga armata e rregullt serbe,  u vranë më shumë se 1000 banorë, dhe fshatin e  kolonizuan me serbë e malazez. Kolonët serbë, pas kapitullimit të ish Jugosllavisë, e kishin braktisur fshatin Prapashticë dhe ishin vendosur në fshatrat e medvegjës. Serbët e nxisin një njësit të ushtrisë gjermane që të hyjë në Prapashticë. Gjermanët, kishin gabuar, pasi që për të hyrë në fshatrat shqiptare të Kosovës, nuk ishin konsultuar me shqiptarët e Medvegjës, por kishin rënë viktimë e komplotit të kolonëve serbë, dhe Radovan Shakicit. Gjermanët të shoqëruar nga grupet e kolonëve serbë që e kishin lëshuar Prapashticën, që ishin grumbulluar në Medvegjë e rrethinë, dalin te kufiri. Serbët për ta nxitur konfliktin e shqiptarëve me gjermanët, gjuajnë nga prapavija një shqiptar i cili kishte qenë duke lëvruar arën e tij në fshatin Dabishec. Me të dëgjuar krismat fshatarët e Prapashticës, duke menduar se u sulmuan nga serbët, i marrin armët dhe i zënë pozicionet për mbrojtje të fshatit atje afër kufirit. Për ta mbrojtur kufirin shpejtë u mobilizuan edhe shqiptarë tjerë nga fshatrat për rreth Prapashticës. Luftimet u zhvilluan me datën 24 prill 1941 dhe zgjatën disa orë.

Për herë të parë gjermanët pësuan humbje të mëdha duke i lënë rreth 20 ushtarak në këtë betejë, dhe disa tjerë që u tërhoqën të plagosur. Banorët e Prapashticës arritën që ti zënë rob dy ushtarë gjerman, por kur e kuptuan se luftën e kanë bërë me gjerman, të dy ushtarët gjerman i dorëzuan në komandën e ushtrisë gjermane në Prishtinë. Nga pala shqiptare kishte mbetur një i vrarë dhe dy të plagosur.

Edhe pse ushtria gjermane fal ndërhyrjes së Xhafer Devës e kishte kuptuar rastin dhe mashtrimin nga pala serbe, nga komanda e ushtrisë gjermane, ishte dhënë urdhri që të digjet i tërë fshati Prapashticë.  Me 3 maj të vitit 1941, ushtria gjermane e ndërmori një fushatë ushtarake, për ta sulmuar Prapashticën, dhe fshatrat për rreth. Në këtë aksion mbeten disa shqiptarë të vrarë, dhe disa tjerë të zënë robër, por pjesa dërmuese e banorëve, kishin arritur më parë që ta braktisin fshatin. Ushtria gjermane përdori arsenalin më modernë ushtarak, e rrethojë Prapashticën dhe e dogji tërësisht, duke mos lënë asnjë lagje pa e djegur.

Ky rast shkaktoi mos besim të ushtrisë gjermane, ndaj popullatës shqiptare, dhe ofrim të gjermanëve, me formacionet çetnike serbe.

Ky ishte rasti i parë dhe i fundit kur popullata shqiptare e Kosovës, pa vetëdije i sulmuan trupat ushtarake gjermane. Ishte ky një plan i formacioneve çetnike serbe, me qëllim që të shkaktoi mos besim të madh, në mes të popullatës shqiptare dhe ushtrisë gjermane, andaj kjo edhe e pati efektin negativ, për krijimin e besimit dhe raporteve të ushtrisë gjermane me liderët shqiptar.

Çetnikët, ndjekës të popullatës hebraike në Serbinë jugore

Çetnikët serbë, që i kontrollonin ato vise, që kishte edhe popullatë autoktone shqiptare, për ta fituar besimin te gjermanët i fillojnë ndjekjet ndaj popullatës hebraike që jetonin në qytetet jugore të Serbisë së sotme. Hebrenjtë e Nishit, u dërguan në kampet e përqendrimit, në pronat e tyre vendosen romët, të cilët u nxitën që ti shkatërrojnë edhe varrezat e hebrenjve. Disa hebrenj nga këto vise jugore, duke ju falënderuar popullatës shqiptare, arrijnë që ta kalojnë kufirin, për të kaluar në Shqipëri. Kufiri më i largët verior-lindor i Shqipërisë në ato vite ishte vija kufitare Prapashticë e deri te Guri i Pribocit, sot në komunën e Bujanocit.

Pika më e afërt kufitare, nga Serbia për të hyrë në Prishtinë në anën veri lindore, ishte fshati Prapashticë, andaj dhjetëra hebrenj nga Serbia jugore, shpëtimin e tyre e kërkonin te popullata shqiptare e Medvegjës dhe Bujanocit, për të kaluar në Shqipëri. Përgjatë kësaj vije kufitare, gjatë hulumtimeve në terren, janë shënuar disa raste kur shqiptarët, rrezikuan jetën dhe familjet e tyre për të shpëtuar hebrenjtë. Familjet e hebrenjve që jetonin në Orllan, Brainë, Kalaticë, Tullarë, Medvegjë dhe vendbanime tjera shqiptare me ndihmën e shqiptarëve, e kaluan kufirin e Serbisë, për tu strehuar në qytetet shqiptare.  Në fshatin Prapashticë ishte një strehimore, që mundësonte strehimin e të përndjekurve nga LDB, pastaj në fshatin Novosellë, familja e Sadik Sadikut, rrezikojë shumë për ti shpëtuar jetën, hebreut të ri Ahim Kohen, i cili nga Leskoci, u strehua në familjen e Sadikut, e pastaj me ndihën e tij, e kaloi kufirin te Guri i Pribocit, për të udhëtuar drejtë qyteteve në Shqipërinë qendrore.

Ndarja e sferave të interesit në mes të Gjermanisë , Italisë dhe Bullgarisë në trojet shqiptare

Në vijim të shohim si u zhvilluan bisedat në mes Gjermanisë, Italisë dhe Bullgarisë, për ndarjen e sferave të interesit, në këto treva të banuar me popullatë shqiptare.

Gjatë bisedimeve për ndarjen e sferave të interesit në territorin e Kosovës në mes të Gjermanisë, Italisë dhe Bullgarisë, u zhvilluan bisedimet prej datës 22 e deri më 24 prill 1941 në Vjenë të Austrisë.

Edhe pse Hitleri i kishte premtuar Italisë, territorin e Kosovës, për interesa të ngushta politike dhe ekonomike, për shkak të minierave të Trepçës, nën kontrollin gjerman mbeti Mitrovica, me rrethinë, Vushtrria dhe Besiana (Podujeva), një pjesë e Drenicës, Obiliqi deri shumë afër Prishtinës. Po ashtu në këtë takim gjermanët e lejuan Bullgarinë që ta okupojë, territore të Kosovën Lindore, deri afër Dardanës (Kamenicës), Gjilanit, Vitisë e deri në Kaçanik. Në fund komanda superior e forcave të armatosura gjermane më 3 gusht 1941, e njoftoj komandantin në Serbi, se ishte caktuar vija e demarkacionit.

Vendimet e Qeverisë Kuislinge Serbe dhe bashkëpunimi i saj me ushtrinë gjermane

Këshilli i komisareve të qeverise kuislinge të Serbisë, më 6 gusht 1941, e nxori dekretin për formimin e qarkut të Kosovës.

Kryetar i qeverisë kuislinge serbe ishte zgjedhur Acimovic. Qarku i themeluar nga gjermanët në territoret me popullatë shqiptare, ishte në kuadër të Serbisë, por me status të veçantë, për pushtet të përbashkët në mes shqiptarëve dhe serbëve.

Komandanti i divizionit të 60-të, të motorizuar gjenerali Eberhard, më 21 prill 1941, në  Mitrovicë e kishte organizuar një tubim, në të cilin e kishin ftuar edhe parinë shqiptare.

Kur plani gjerman Final Solution” ose zgjedhja përfundimtare u përdor për herë të parë në konferencën e Vansi (Vannsee) në Berlin, më 20 janar të vitit 1942, ku ushtarakët e lartë gjerman diskutuan për zbatimin e këtij plani për vrasjen e të gjithë hebrenjve në Evropë në këtë kohë qëndrimi i shqiptarëve ndaj hebrenjve ishte human dhe i drejtë.

Njësitë ushtarake të Divizionit të 60-të, dhe të Divizionit 294, vepronin sipas instruksioneve të komandantit të prapavijës së Armatës  së Dytë, gjeneral kolonelit Voltfgang Shmit-Llogan.

Më vonë me 22 prill1941, këto detyra kaluan në duart e komandantit të ri ushtarak për Serbi, gjeneral nënkolonelit Helmut Ferster.

Helmut Ferster e kishte për detyrë të udhëheq administratën ushtarake dhe administrative në tërë territorin e Serbisë.

Në atë kohë në qytetin e Mitrovicës ishte formua, Orts Komanda 1/861, si organ i administratës ushtarake.

Më 2 maj 1941 Orst Komanda, e kishte ndërruar emrin dhe e kishte bërë Krajs Komandura 86, në kuadër të Feld Komandaturës 816 e cila selinë e kishte në Uzhicë.

Krajs Komandanti i ushtrisë gjermane në Mitrovicë, më 16 maj 1941, kishte mare pjesë në këshillime me shtabin e komandantit e përgjithshëm të ushtrisë gjermane në Serbi, gjeneralin Helmut Ferster.

Krajs komandatura e Mitrovicës ishte kompetente për rrethet dhe kontrollonte territoret e Mitrovicës, Vushtrrisë, Llapit, Studenicës dhe të Dezhevës (Tregut të Ri).

Gjermanët i filluan bisedimet, me të gjitha forcat reaksionare të komuniteteve brenda territorit të Serbisë: Të serbëve, malazezëve, boshnjakëve, shqiptarëve, folksdojçët, bjellogardistet etj.

Gjermanët në Trepç gjermanët, u pritën nga Loticistët, Foldojçerët, Bellogardistët, dhe admiruesit e tjerë të fashizmit, të cilëve ju printe drejtori teknik i minierës Gjorgje Dimitrijevic. Siç shihet në minierat e Trepçës shqiptarët ishin të përjashtuar nga çdo ndikim i udhëheqjes apo edhe punësimit, edhe pse popullate e këtyre vendbanimeve ishte me shumicë shqiptare.

Në atë kohë në minierën e Trepçës ishin të punësuar 3600 punëtor, ndërsa në qytetin e Mitrovicës, jetonin gjithsejtë 13.000 banorë të shumë kombësive si: shqiptarë, serbë, malazias, turq, romë, hebrenj etj.

Udhëheqësit kompetent të ushtrisë gjermane (Nojhauzeni, Braumileri) etj, dhe eksponentët e tyre në minierën e Trepçë, merreshin me eksploatimin e mineraleve dhe pasurive të asaj treve për nevojat e ekonomisë dhe ushtrisë gjermane. Orst Komandatura, prej 2 majit të vitit 1941, dhe Krasj komandatura 861, si organi më i lartë i pushtetit ushtarak-administrativ të ushtrisë gjermane për Qarkun e Kosovës, i zbatonte të gjitha masat, që i urdhëronte administrate gjermane në Serbi.

Në Mitrovicë më punët informative dhe me shërbimin kontra-informativ, merrej selia e degës së shërbimit gjerman ABVER (mbrojtja), qendra e së cilës gjendej në Beograd. Organizatë tjetër informative ushtarake e cila kishte funksion ekzekutiv (bënte arrestime, hetime e tj), ishte policia e fshehtë ushtarake (Gehajmefe-LD policia)-GEP, dhe qendra e saj po ashtu gjendej në Beograd, (GEP-grupi 20).

Më 12 qershor 1941, në qytetin e Mitrovicës, formohet Komisariati i Policisë Ushtarake të fshehtë. Ky komisariat bashkëpunonte ngushtë me degën e ABVERIT, dhe i kryente urdhëratë e tij, si dhe urdhëratë e komandave ushtarake gjermane.

Organizatë e tretë informative ishte shërbimi I-C (Ajus-ce), në njësitë e ushtrisë gjermane, që vepronte edhe në terren. ABVER dhe GEP, organizuan aktivitete informative në terrenin e Mitrovicës dhe Qarkut të Kosovës në përgjithësi. Në atë kohë ende nuk ishte themeluar ekspozitura e GESTAPOS. Gesoapo u formua në muajin shkurt të vitit 1942.

Me punët policore dhe të sigurisë merrej xhandarmëria (Feld Xhandarmëria), komanda e së cilës ishte pranë Krajs Komanduarës së Mitrovicës, e cila i kishte degët e saj në Tregun e Ri dhe Rashkë.

Roja kufitare doganore (Colgreneslive), krahas shërbimit kufitar doganor, kishte edhe detyra policore, dhe të sigurisë me karakter ushtarak-informativ dhe kontra-informativ. Në qytetin e Mitrovicës ekzistonte komisariati i këtij shërbimi edhe në terren.

Interesimi i gjermanëve ishte që të sigurohet rrugëtimi i lirë, drejt Beogradit dhe Serbisë qendrore, përmes luginës së lumit Ibër. Udhëtimin e lire nëpër luginën e Ibrit, gjermanët e shihnin vetëm, duke bashkëpunuar Milan Nedicin, dhe çetnikët të cilët ishin koncentruar në atë zone. Në vijim të shohim bashkëpunimin e çetnikëve me ushtrinë gjermane.

Philip Cohen në librin e tij “Lufta sekrete e Serbisë, propaganda dhe falsifikimi i historisë” dokumenton pastrimin e të gjithë hebrenjve nga bashkëpunëtorët nazist të Serbisë, i cili shkruan se ishte kryetar i qeverisë së Serbisë gjenerali Milan Nedici i cili mburrej se Beogradi është kryeqyteti i parë evropian i pastruar nga hebrenjtë.

Çetnikët u bënë aleatët më besnik të gjermanëve në Mitrovicë me rrethinë

Gjermanët në qytetin e Mitrovicës i gjetën bashkëpunëtoret e tyre, nga të gjitha komunitetet, që në ato vite jetonin në Kosovë. Si aleatin më besnik gjermanët e gjetën Kosta Milovanovicin dhe grupin e çetnikëve të tij. Vojvoda Kosta Peçanci, nën patron atin e gjermanëve shkoi në Beograd, dhe e formoi shtabin e aradheve çetnike. Siç shihet rolin kryesor për bashkëpunim me Gestapon, në qytetin e Mitrovicës e kishin dy formacionet e çetnikëve, grupi i Kosta Milovanovicit dhe ai i Kosta Peçancit.

Të gjithë komandantët gjerman me urdhër të Komandës së Lartë 65, u informuan për gatishmërinë e Kosta Peçancit, dhe çetnikëve të tij, se do ta pastrojnë territorin e kësaj zone prej komunistëve dhe kundërshtareve tjerë të ushtrisë gjermane.

Kosta Peçanci e pranoj detyrën, se do ti pastroj territoret Prej Leskoci, Luginës së Ibrit, Kralevës, Rashkës dhe Raçës. Për këtë çështje më 17 shtator 1941, u informua edhe Shtabi i ushtrisë gjermane, Divizionit të Kosovës 717-të.

Kosta Peçanci dhe çetnikët e tij, duke qenë të pakënaqur, me administratën e Acimovicit, ata e formuan qeverinë kuislinge në krye më gjeneral Milan Nedicin, të cilit ju besua detyra, që të punoj me forcat e armatosura gjermane, për likuidimin e partizanëve, kundërshtarëve tjerë,  dhe vendosjes së pushtetit të rregullt.

Forcat e çetnikëve të Nedicit, e morën në kontroll edhe luginën e lumit Ibër, dhe atje i zhvilluan disa konflikte me xhandarët shqiptar. Njësitë çetnike në këtë zonë i udhëhiqte Mashan Gjurovici. Gjurovici vazhdimisht i akuzonte shqiptarët, se po bëjnë presion ndaj popullatës serbe, në Leshak, Leposavic, Sllatinë, dhe Bajnsk. Çetnikët e Mashan Gjurovicit, Vaso Popovicit, Radomir Sveticit, David Popovicit, Brana Petrovicit, ishin shumë aktiv, dhe rreth vetes i tubonin serbët përgjatë luginës së lumit Ibër, tej përroit të  fshatit Cerajë. Në këtë trevë u formuan edhe dy rryma tjera të çetnikëve, ajo e Drazha Mihajlovicit dhe e Kosta Peçancit. Nga këto të dhëna kuptohet qartë se lugina e lumit Ibër, ishte e kontrolluar tërësisht nga formacionet e grupeve çetnike serbe.

Gjermanët edhe Milan Nedici, në fillim të vitit 1942, dërguan forca të mëdha ushtarake në luginën e lumit Ibër, me detyrë që të sigurojnë rrugëtimin e pa penguar, për mirëmbajtjen e rrugës dhe hekurudhës, prej qytetit të Mitrovicës e deri në Kralevë. Gjermanët i jepnin rëndësi të posaçme këtij territori dhe vijave të komunikacionit.

Forcat kuislinge të çetnikëve të Milan Nedicit, që në fillim të vitit 1942, ishin shpërndarë, në Mitrovicë, Rashkë, Vushtrri, Besianë, Tregun e Ri dhe Luginën e Ibrit.

Mbrojtja doganore kufitare, përveç gjermanëve që e kishin një numër të vogël të ushtarëve, pjesa më e madhe e doganierëve ishin nga forcat çetnike të Nedicit, veç tjerash Nedici, i kishte dërguar për këtë qëllim 29 oficer dhe 658 ushtarë. Në mesin e këtyre doganierëve ishin edhe një numër i vogël nga xhandarmëria shqiptare nën komandën e Bajazit Boletinit, e të cilët trajtoheshin si pjesëtar të rojës shtetërore serbe.

Organizata fashiste Lotiçiste “Zbor” e bëri arrestimin e hebrenjve në Mitrovicë me rrethinë

Kjo organizatë fashiste serbe, aktivitetin e saj kundër hebrenjve e kishte filluar, para Luftës së Dytë Botërore.

Sjellja ndaj hebrenjve në Serbi, ndryshoi kah fundi i viteve tridhjeta të shekullit XX, kur partia fashiste serbe “ZBOR”, e filloi fushatën e hapur anti semitike. Krye rabini Alkalaj u dëbua nga senati me 1938, ndërsa me 1939 dhe 1940 kundër hebrenjve aplikohen restrikcione të ndryshme ligjore.

Organizata serbe fashiste, Lotiçiste “Zbor”, e vazhdoi veprimtarinë e vet edhe në kushtet e okupimit nga Gjermania. Gjatë viteve1941/42, organizata fashiste serbe “Zbor” që e drejtonte Lotici, përkrahej nga një pjesë e klerit serb, i bëri listat për likuidimin e hebrenjve. Në vitin 1941 kjo organizatë serbe, ju dorëzoi gjermanëve listën e të gjithë hebrenjve që jetonin në Kosovë.

Stefan Ilici, duke mos hasur në pengesa nga xhandarmëria shqiptare, të cilët tani më nuk kishin asnjë mundësi që të kundërshtojnë, vepronte në rajonin e Mitrovicës, i pa penguar nga askush. Stefan Ilic, që ishte udhëheqës i rajonit organizativ të “Zborit” në Mitrovicë, më 8 korrik 1941, e vizitojë në Beograd sekretarin e përgjithshëm të “Zborit”, dhe e njoftoi për rrethanat e krijuara në qytetin e Mitrovicës. Prej asaj kohe Stefan Ilici, i dërgonte rregullisht raporte sekretarit të “Zborit”, dhe Milan Nedicit. Stefan Ilici u emrua shef i Qendrës Informative për Kosovën. Stefan Ilici, ishte bashkëpunëtor i Gestapos në Mitrovicë, dhe merrej me zbulimin e pjesëtarëve të partizanëve dhe hebrenjve.

Gjermanët dhe Millan Nediqi dërguan qysh në fillim të vitit 1942 forca të mëdha ushtarake në luginën e Ibrit për mirëmbajtjen e hekurudhës dhe rrugës. Njësitet e Nediqit ishin shpërndarë në Mitrovicë, në Rashkë, në Podjevë, Vushtërri, dhe Novi Pazar.

Prej marsit të vitit 1942, u formua ekspozitura e Gestapos, për ti likuiduar partizanët dhe hebrenjtë, Qeveria e Milan Nedicit, në fillim të vitit 1942 i shtojë shpërblimet, për zënien dhe vrasjen e pjesëtarëve të partizanëve dhe hebrenjve, ku disa prej tyre ishin mbështetur te grupet komuniste dhe ato partizane.

Qeveria e tij jepte shpërblim për likuidimin e çdo anëtari të partisë komuniste, shpërblimi u shtua prej 3000-25 000 dinarë, ndërsa për atë çetnik, që e vret prijësin e bandave të armatosura partizane, shpërblimi u shtua prej 25.000 në 100.000 dinarë. Vrasësit e komunistëve merrnin edhe disa shpërblime tjera, dhe për çetnikët sigurohej me garanci, fshehja e emrave të tyre. Pas ofrimit të këtyre kushteve, çetnikët filluan aksionin, për arrestimet e kundërshtarëve të ushtrisë gjermane

Arrestimet që i bëri Gestapoja, në maj të vitit 1942, i solli dëm lëvizjes sepse Gestapo arrestoi 44 anëtar të lëvizjes, 24, prej tyre ishin anëtar të PKJ, kurse 14 anëtar të LRKJ.

Vojvoda Mashan Gjurovici, në një nga letrat që ja kishte dërguar Kosta Pecancit, lavdërohej se si i kishte depërtuar në kampin e qëndrimit në qytetin e Nishit, një grup prej 28 partizanësh. Çetnikët merrnin paga prej Qeverisë së Millan Nedicit, në mënyrë që ata ta ruanin rrugën automobilistike dhe hekurudhën që kalonin nëpër luginën e lumit Ibër. Milan Nedici në fillim të vitit 1942, e gradoi vojvodën Mashan Gjurovicin, duke i dhënë edhe gradën e kapitenit të klasës të dytë. Nga këto burime tani më bëhet e qartë se të gjithë hebrenjtë e zonës së Nishit, të cilët u kapën nga grupet çetnike, u dërguan në kampin e Sajmishtës, në Beograd.

Vrasja e tre tregtarëve më të njohur të Mitrovicës në Leshan

Aradhet çetnike filluan që të vrasin edhe pjesëtar të komuniteteve tjera, por më shumë bëri jehonë vrasja e tre tregtarëve shqiptar, më të njohur të Mitrovicës, të cilët u vranë në Leshan. Ky rast i detyroj gjermanët që të hulumtojnë rastin dhe të kërkojnë largimin e çetnikëve nga ajo zonë, dhe të kalojnë në Serbinë Perëndimore.

Për këtë rast Mashan Gjorgjevici, i drejtohet me një letër Milan Nedicit, duke ju lutur që të intervenoj, pranë administratës ushtarake gjermane, që ai me çetnikët e tij të mbesin në luginën e lumit Ibër.

Mashan Gjorgjevici në letrën e tij kishte shkruar. Çetnikët e kësaj aradhe kanë bërë çmos për këtë trevë, për ti likuiduar partizanët e kundërshtarët tjerë të ushtrisë gjermane, që çetnikët e tij bashkë me ushtrinë gjermane, kanë dhënë plotë dëshmi të bashkëpunimit. Prezantimet tendencioze të shqiptarëve për çetnikët para trupave gjermane, është e pa saktë shkruan ai, sepse në këtë pjesë ku vepronte aradhja ime deri më tani, nuk ka ndodhur asnjë gjë e pa pëlqyeshme për gjermanët.

Pas ndërhyrjes së Milan Nedicit, forcat e çetnikëve të Moshan Gjorgjevicit mbesin edhe më tutje në luginën e lumit Ibër.

Forcat gjermane së bashku me çetnikët që vepronin në atë zonë, duke i kërkuar kinse vrasësit e tre tregtarëve më të njohur të Mitrovicës, në fshatin Belluq, kishin zënë hebrenj dhe qytetar tjerë robër, të cilët i mbajtën disa muaj në burgun e Mitrovicës, pastaj i internuan në kampet e përqendrimit, ku shumica prej tyre u likuiduan.

Përqendrimi i çetnikëve në luginën e lumit Ibër

Siç shihet pas këtyre ndërhyrje dhe arrestimeve me ndihmën e çetnikëve, të cilët duke i shërbyer ushtrisë gjermane, çetnikët u konsoliduan mire për të qëndruar edhe më tutje në luginën e lumit Ibër. Bashkëpunimi në mes të ushtrisë gjermane, dhe formacioneve çetnike dhe ushtarake të Nedicit u shtuan.

Përveç kësaj po në prill të vitit 1942, në luginën e Ibrit, erdhën edhe lotiçistët me armatën e tretë vullnetare nën komandën e kapitenit Jovan Kragujac. Kjo aradhë pasi erdhi në Leshan, ia fali kishës ortodokse një kambanë të madhe pasi më 26 maj 1942, e organizoj një miting të madh. Meshen e kishës në këtë rast e kreu kleriku lotiqist Boshko Haxhi Trifunoviqi, dhe pas meshës foli edhe kapiteni Jovan Kragujac, pas tij e morën fjalën inxhinieri Dragutin Jakshiqi dhe Mlladen Vuçkovici, vullnetar. Kjo aradhe serbe e ardhur si përforcim në Leshan, i kishte 341 ushtarë, ku 18 prej tyre ishin angazhuar në polici.

Në këtë periudhë gjermanët, konstatuan se administrate gjermane, me ndihmën e qeverisë kuislingë serbë të Milan Nedicit, ishin forcuar mjaftë, dhe nuk kishin nevojë të madhe që të bashkëpunojnë me aleancën e lidhur më çetnikët e Drazha Mihajlovicit dhe me komunitetet tjera që jetonin në Mitrovicë. Pas këtij bashkëpunimi me ushtrinë gjermane, çetniket i forcuan radhët e tyre, dhe filluan organizimin e organizatave çetnike në vendbanimet ku me shumicë jetonte popullata shqiptare.

Është me rëndësi të dihet se gjermanët në luginën e lumit Ibër e kishin sjellë edhe një korpus me ushtarë rus, për ta siguruar hekurudhën dhe komunikacionin nëpër luginën e lumit Ibër, në një gjatësi prej 98 km, prej Zveçani e deri në Ushçe, përgjatë rrugës u ndërtuan 66 bunker me betonarme, dhe në këtë korpus mbrojtës rus ishin të mobilizuar 1.100 ushtarë. Garnizoni i çetnikëve i kishte 685 vetë, me ta ishin edhe njësitë e rojës shtetërore serbe, si dhe korpusi i vullnetarëve serb. Të gjitha këto forca e kishin për detyrë që të sigurojnë komunikacionin dhe të pengojnë depërtimin e ushtrisë partizane, prej Sanxhaku në Serbi. Në fakt gjithë ky numër i ushtarëve serbë, rusë dhe gjerman, e kishin në kontroll të plotë këtë zonë, dhe e pengonin çdo bashkëpunim dhe lidhje të shqiptarëve të Tregut të Ri me shqiptarët e Mitrovicës përmes luginës së lumit Ibër.

Formimi i korpuseve çetnike brenda kufijve të Shqipërisë

Në vijim ofrojmë të dhëna, rreth shtrirjes dhe organizimit të korpuseve çetnike, brenda kufijve të Shqipërisë, duke i organizuar radhët e veta në tërë territorin e Kosovës së sotme e Shqipërisë.

Komandanti i korpusit të parë çetnik në Kosovë, kapiten Jovan Milladinoviqi, më 11 nëntor e urdhëroi kapitenin Zhivorad Zhika Markovicin, që të shkoi në terren në rrethet e Mitrovicës, Vushtrrisë, dhe Llapit për të formuar organizata çetnike. Ai në pranverë të vitit 1943, ia kishte kthyer një telegram Komandës Supreme duke shkruar, se është shumë i lumtur, që atij ju besua detyra për organizimin e çetnikëve në trevat e Kosovës.

Korpusi i dytë çetnik i Kosovës u formua në muajin mars të vitit 1943, në Llokovicë afër Leposaviqit, korpusi i katër i çetnikëve formohet me 7 shtator, për trevën e Dukagjinit, e cila i numëronte 120 vetë. Komandant brigade për këtë trevë ishte caktuar Radovan Role Vulici.

Brigada e çetnikëve të Mitrovicës, përbëhej prej anëtarëve të Keserovicit, dhe komandant i saj ishte caktuar Zarija Radovanovici. Brigada që vepronte në lumin Ibër në atë kohë, ishte nën komandën e Mihajlo Zekicit. Grigada e çetnikëve që u themelua në dhjetor 1943, në qytetin e Pejës, komandohej nga Milosh Petrovici. Brigadën e çetnikëve të Sharrit e udhëhiqte Bogdanovici, komandant në brigadën e çetnikëve të Graçanicës ishte caktuar Vaso Zokici, ndërsa brigadën e çetnikëve të Drenicës e udhëhiqte komandant Makarija Llazarovici. Në vitin 1943, shihet qartë se çetnikët i kishin themeluar brigadat edhe në të gjitha zonat me popullatë shqiptare brenda zonës së Italisë, që në atë kohë ishin bashkuar me trojet shqiptare dhe quheshin Shqipëri. Nga këto burime shihet qartë se të gjitha trevat e Kosovës si ato që ishin në kontroll të gjermanëve por edhe ato në kontroll të italianëve ishin mbuluar me rrjetin e organizuar të forcave çetnike të Serbisë.

Korpusi çetnik i Kosovës në vitin 1943 ishte bërë ndër më të mëdhenjtë në Serbi, dhe deri në atë kohë i kishte mobilizuar 1700 vetë. Çetnikët në rrjetin e tyre i tubonin njerëzit, që kishin formim shovinist, dhe që nxisnin aspirata për vrasjen dhe shpërnguljen e shqiptarëve.

Shtabin e përgjithshëm të korpusit të çetnikëve, përveç komandantit Zhika Marinkovicit, e përbënte edhe togeri i xhandarmërisë së Mitrovicës Miorad Popovici, si krye shef i shtabit dhe majori Dragolub Radovici nga Toplica, si zëvendës komandant i korpusit të çetnikëve.

Gjatë kësaj periudhe, oficer informativ ishte zgjedhur Lluka Radonjici, ish shef i stacionit hekurudhor në qytetin e Mitrovicës, e i cili punonte me këmbëngulje për të siguruar sa më shumë njerëz, për punë informimi në Mitrovicë, dhe vende tjera në Kosovë. Pranë shtabit të çetnikeve ekzistonte edhe shërbimi propagandistik, radiostacioni, itendantura dhe gjyqi special ushtarak. Nga këto të dhëna kuptohet qartë se në territorin e Kosovës së sotme, gjatë vitit 1943, formacionet e çetnikëve e kishin në duart e veta tërë situatën në terren.

Bashkëpunimi i Drazha Mihajlovicit me ushtrinë gjermane

Pas kapitullimit të Italisë, ushtria gjermane hyri në territorin e Shqipërisë. Gjermani e formoi qeverinë e re në Tiranë. Xhafer Deva dhe Rexhep Mitrovica, ishin caktuar të jenë pjesë e kësaj qeverie. Pas kalimit në Tiranë, të këtyre figurave të njohura nga Mitrovica, popullata shqiptare e rrethinës së Mitrovicës, dhe e Sanxhakut mbetën nën kontrollin e ushtrisë gjermane dhe formacioneve çetnike. Ky ishte rast i volitshëm për çetnikët që të fillojnë aksionet e tyre kundër popullatës së pa mbrojtur shqiptare.

Pas kapitullimit të Italisë, njësit gjermane, pjesëtar të korpusit të vullnetarëve të rrethit, dhe Drazha Miahajlevici me çetnikët e tij, morën pjesë së bashku me ushtrinë gjermane në luftime, kundër partizanëve.

Qëndrimi i Drazha Mihajlovicit, dhe çetnikëve të tij, ishte pastrimi i territoreve veriore, duke i vrarë dhe larguar shqiptarët nga vendbanimet e tyre. Drazha Mihajlovici deklarohej kundër hakmarrjes personale, dhe insistonte se vetëm hakmarrja kolektive dhe e organizuar do të arrinte efektin e qëllimeve të tij.

Drazha Mihajloviçi dhe formacionet tjera të çetnikëve, natën e Bozhiqëve të vitit 1943, pikërisht më datën 5 dhe 6 të muajit janar 1943, forcat serbo-çetnike i vranë dhe masakruan 9200 shqiptarë të pafajshëm, ndërsa  me dhunë i detyruan të shpërngulën nga vendlindjet e tyre edhe 32 000 banorë tjerë me origjinë shqiptare. Kjo masakër është kryer me bekimin e Kishës Ortodokse të Serbisë. Korpuset çetnike kryen një prej krimeve më të rënda, gjatë Luftës së Dytë Botërore në këtë pjesë të Gadishullin tonë.

Të mbijetuarit e Masakrës së Bihorit u detyruan të konvertohen me dhunë. Vajzat e reja dhe gratë e mbetura pa burra, u skllavëruan për nevojat e batalioneve çetnike.

Këto krime të rënda, që çetnikët i kryan kundër popullatës së pafajshme shqiptare, nuk penguan bashkëpunimin e çetnikëve me ushtrinë gjermane.

Në fillim të vitit 1944, Korparmata e Dytë e Çetnikëve të Kosovës, ndër më të mëdhatë në Serbi

Korparmata e Dytë e Çetnikëve të Kosovës, në fillim të vitit 1944, kishte mobilizuar një numër të vullnetarëve diku midis 1500-1700, dhe hynte në radhën e Korparmatave më të mëdha në Serbi.

Çetnikët në Mitrovicë lëviznin lirshëm, dhe zhvillonin shantazhe e propaganda, madje edhe merrnin nga qytetarët ndihma material. Në fund të muajit prill 1944, komandanti i Korparmatës së Dytë të çetnikëve të Kosovës, Zhika Markovici, ju drejtohet serbëve të Vushtrrisë dhe Mitrovicës, që me datën 6 maj, ditën e Shën Gjergjit të dalin në malin e Kopaunikut (Albanikut), për ta dhënë betimin e mbretit për atdheun. Në tekst të betimit ithtarët e lëvizjes çetnike, u zotuan se do të luftojnë dhe do të hakmerren, për Kosovën, Rrafshin e Dukagjinit, Drenicën, Kollashinin, Lebanën dhe Ibrin.

Pas këtij betimi Ratko Krivokapici, i cili ishte zgjedhur komandant i brigadës fluturuese çetnike në Sanxhak, bëri masakrime të mëdha të popullatës myslimane shqiptare në atë trevë.

Korparmata e Dytë e Çetnikëve të Kosovës, në vitin 1944, haptas bashkëpunonte më ushtrinë gjermane, dhe mori pjesë aktive në luftime përkrah ushtrisë gjermane.

Në një telegram të shërbimit informativ gjerman, të datës 13 prill 1944, thuhet se Zhika Markovici, komandant i Korparmatës së Dytë të çetnikëve të Kosovës, është i gatshëm që me 4000 ushtar të vihej nën komandën gjermane.

Këto formacione të çetnikëve, së bashku me ato që ishin themeluar në Maqedoninë e sotme, në tetor të vitit 1944, u bashkuan me forcat partizane jugosllave, ushtrinë bullgare dhe armatën ruse, ku në nëntor të vitit 1944, bënë masakra të tmerrshme ndaj popullatës së pa mbrojtur shqiptare, duke i vrarë e masakruar rreth 50.000 shqiptar.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Qazim Namani: Shpëtimi i hebrenjve nga popullata shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore në Malësinë e Galabit Qazim Namani: Kisha e familjes Boletini nuk është serbe Qazim Namani: Historia e qytetit të Prishtinës dhe kultura materiale Qazim Namani: Serbizimi i familjes Gjaka në fshatin Shillovë të Gjilanit Qazim Namani: Raportet e Mustafa Pashë Bushatliut me Rusinë sipas historiografisë serbe Qazim Namani & Emin Sallahu: Oxhaku në shtëpinë e fortifikuar të Fazli Bllatës Qazim Namani: Falsifikimet e hartës së atlasit të V. M. Coronelli-t të botuar më 1689 në Venedik Qazim Namani: Gjurmë të mbishkrimeve në gurë në territorin e Dardanisë Qëndrore Qazim Namani: Rrënimi i kishës katolike në fshatin Keqekollë Qazim Namani: Falsifikimet dhe gënjeshtrat serbe për veshjet popullore! Qazim Namani: Gjurmët historike dhe arkeologjike në qytetin mesjetar të Bërvenikut Namani & Sallahu: Fortifikimet në anën e majtë të Lumit Llap - gjurmët arkeologjike në fshatin Majac Qazim Namani: Trashëgimia e jonë kulturore në rrezik Qazim Namani: Lotë dhe kujtime te varri i babës Qazim Namani: Si u asimiluan ortodokset shqiptar në dekadat e fundit të shekullit XIX Namani & Sallahu: Mërgata dhe roli i saj në zhvillimin e arsimit dhe kulturës shqiptare gjatë viteve 1970-2000 Qazim Namani: Kontributi i Shqiptarëve për Shpëtimin e Hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore Qazim Namani: Masakrat në fshatin Prapashticë sipas burimeve historike dhe rrëfimeve nga familjarët e mi Qazim Namani: Kisha në Boletin është katolike shqiptare Qazim Namani: Familja shqiptare që gjatë Luftës së Dytë Botrore e strehoi hebreun Ahim Kohen

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora