Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Dervishi: Doku i ushtarit

| E marte, 08.02.2022, 07:54 PM |


Doku i ushtarit

Nga Kastriot Dervishi

Në mbledhjen e fundit të E. Hoxhës në Byronë Politike, të datës 12.2.1985, janë ngritur probleme të shumta për çështjen e industrisë së lehtë. Anëtarë të Byrosë dhe të ftuar, flasin me kompetencë për çështjet të rrushit, rakisë, kavanozave, leshit, etj. Midis të tjerash, merret vesh se edhe ushtarët ishin të zhveshur dhe se doku leninist i deformonte uniformën, e cila shëmtuar dhe pa shije ishte edhe ashtu. Pjesë nga biseda:

Shoku Prokop Murra (ministër i Mbrojtjes Popullore): Edhe doku shoqja Vito, hyn menjëherë në ujë, ushtarëve u ngushtohen rrobat, nuk i mbërthejnë dot dhe dashur pa dashur. Shkelin disiplinën në paraqitjen e uniformës ushtarake.

Shoku Ramiz Alia: Nga pikëpamja e projektit, shoqja Vito, a mund të shpejtohet filatura e stofrave të leshta dhe ai i bëjmë dot ballë ne nga ana e ndërtimit? Se po e ndërtuam më shpejt, ma merr mendja që qeveria do të gjejë fondet, duke lënë një gjë tjetër mangut dhe t’i sjellë makineritë.

Shoqja Vito Kapo (ministre e Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore, e ftuar): Filatura e pambukut dhe ajo e leshit, janë dy objektet më të mëdha që kanë fondet më të shumta.

Shoku Enver Hoxha: Po atëherë ç’do bëjmë me ushtrinë? Që të reduktojmë këtë fabrikë, duhet të reduktojmë edhe kërkesat e ushtrisë për veshmbathje.

Shoqja Vito Kapo: Ne duhet ta ndërtojmë atë, se ndryshe do të pranojmë që t’i sjellim nga jashtë tekstilet për rrobat e ushtrisë.

Shoku Hekuran Isai (ministër i Punëve të Brendshme): Edhe neve, shoqja Vito, 15 mijë kostume verore për ushtarët e kufirit nuk na i keni dhënë. Po vjen prilli dhe s’kemi çfarë t’u japim ushtarëve. Batanijet po ashtu. Mushamave po u hyn uji nga të gjitha anët. Këpucët grisen shpejt. Pra, ky është një problem shumë serioz që duhet ta shikojmë, se nuk mund ta lëmë kufitarin tonë të vishet më keq se ushtari jugosllav.