E marte, 23.04.2024, 07:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Koçi Petriti: Krijuesi, që të bëhet i shquar duhet të ketë talent, të investohet për shkollimin e tij dhe të shohë botë me sy

E shtune, 13.12.2008, 12:24 PM


Koçi PETRITI: Krijuesi, që të bëhet i shquar duhet të ketë talent, të investohet për shkollimin e tij dhe të shohë botë me sy.

Fiqrete Shehu ka kritikuar poezinë time të parë

Çudi, ekranet shqiptare po i injorojnë poetët dhe shkrimtarët

Nga Albert Zholi
 
Kanë thënë për Koçi Petritin

Koçi Petriti është një nga lirikët tanë më të mëdhenj, një nga lëvruesit më të veçantë të baladës, një nga krijuesit e shquar të poemës, shkruan studiuesi A.Jakllari.
“Lirika dhe epika në poezinë e K.Petritit janë të kërleshura si dy gjarpërinj në vallzim. Ec e ndaji, po deshe”, -thotë A.Plasari.
“Muzikaliteti metrik e afron me mjeshtër të tjerë të traditës sonë letrare si N. Frashëri, N. Mjeda, L. Poradeci”, shprehet Anton Papleka.
“Poezia e tij e kapërcen muzikën e saj-ky është pakti i tij i shpirtit me intimen... Duke rigjallëruar karakterin e amëshuar baladik, poezitë e tij na tregojnë miniaturat, ku janë ngjyrat e ikonave të tij lirike”, shënon M. Zeqo
“I vendosur midis lirikave të fuqishme të F. Nolit dhe temperamentit realist tokësor të D. Agollit”, vlerëson Robert Elsie.
“Verbi poetik i Petritit ka energji shprehëse, densitet dhe saktësi, cilësi këto të poezisë që i reziston kohës”, shënon A. Pipa.
“Si piktori Vangjush Mio edhe Petriti pikturon me të gjitha ngjyrat e vendlindjes, poeti ka brenda piktorin, ndaj është edhe një lirik i madh”, shprehet Uran Butka.
Ndërsa për librin me alternativa të mësimdhënies, studime dhe ese, titulluar “Fjala poetike-kuti e Pandorës, profesorët Gj. Shkurtaj dhe T.Topalli shkruajnë: “...Mund ta quajmë kryevepër e komentit letrar dhe e mësimdhënies së letërsisë në shkollë...I vlefshëm për tryezën e punës së çdo mësuesi, kabineti të letërsisë dhe bibliotekën e çdo shkolle të mesme...”
K. Petriti është edhe autor i njohur i shumë teksteve të Festivaleve kombëtare të Këngës në Radio Televizion.

Ju sapo keni botuar librin “Fjala poetike-kuti e Pandorës” përse e keni titulluar kështu?

Sipas mitologjisë, Pandora është një sajesë zeusore, së cilës, kur u martua, i sollën shumë dhurata (pan-gjithë dhe doris-dhuratë). I dhanë edhe një kuti, ku ishin shtresuar mjerimet dhe fatkeqësitë njerëzore. Ndërsa studiuesit e tekstit letrar thonë që fjala poetike është një kuti e Pandorës, ku është mbyllur virtuoziteti i gjuhës. Edhe në Poemën e Mjerimit të Migjenit, në njëqind e pesë vargjet e saj, janë shtresuar mjerimet njerëzore. Nga ana tjetër fjala poetike e kësaj vepre shpreh virtuozitetin e gjuhës shqipe. Unë duke interpretuar modele tekstesh poetike të Naimit, Mjedës, Lasgushit, Koliqit, Camajt etj., kam dashur të zbuloj e të përcjell tek studentët dhe mësuesit e letërsisë këtë begati të gjuhës shqipe. Ja, pse librin me alternativa të mësimdhënies, studime dhe ese intime e kam titulluar “Fjala poetike-kuti e Pandorës”.

Cila ka qenë shtysa që hartuat këtë libër ?

Shtysa është pasioni im i përhershëm si poet, studiues dhe pedagog. Në këtë vepër, ku janë përmbledhur pesë libra në një, është shtresuar përvoja ime gati gjysmëshekullore si mësimdhënës i letërsisë. Mendimi teorik është vjelë nga studiues të shquar të tekstit letrar. Interpretimet janë të mijat. Nuk bëhet histori letërsie në këtë libër.

A kanë marrë çmime këngët me tekstin tuaj në festivale kombëtare?

Asnjëherë të parë, por vetëm të dytë dhe të tretë.

Ku e keni botuar vjershën e parë?

Në revistën “Hosteni”. Ishte një gjë për të qeshur. Kisha dëgjuar për një mësues fshati, që, kur shpjegonte aritmetikë, kërkonte t’i sillte secili nxënës nga një mollë, apo vezë. Për shpjegimin e thyesave e ndante mollën në katër pjesë. I hante pjesët një nga një dhe kështu u konkretizonte nxënësve një, dy, tre dhe katër të katërtat që përfundonin në barkun e mësuesit. Këtë vargëzova unë dhe e botova.

Po shqetësimi i parë që keni shkaktuar me ndonjë botim tuajin?

Kisha botuar në “Zëri i Rinisë” një vjershë me motiv historik. Liri Lubonja, sekretare kolegjiumi e gazetës, më tregoi pas dyzet vjetësh të atij botimi, se si papritur kishte rënë telefoni i Fiqrete Shehut dhe i kish hequr vërejtjen që patën lejuar botimin e vargjeve “lanë eshtrat mbi shkëmbinj/ lafshëprerët osmanllinj”. Po mua kurrë nuk m’u tha kjo gjë atëherë.

Cili ka qenë viti më i shënuar në botimet tuaja?

Në jetën e njeriut ka vite të shënuar. Kështu ka qenë për mua viti 1963. Botova librin e parë me poezi “Lirikat e majit”, E kisha çuar për botim në vjeshtën e ‘62-shit, 45 vjet më parë. Doli në pranverën e ‘63-shit. Po këtë vit, (në verë) për këtë libër, që bëri befasisht jehonë, më pranuan në Lidhjen e Shkrimtarëve. Po këtë vit (në vjeshtë) m’u dha e drejta e studimit, që nuk më jepej më parë.

Si e gjetët rrugën për të botuar këtë libër të parë?

U nisa në Ndërmarrjen e Botimit “Naim Frashëri”. Drejtor ishte Drago Siliqi. E mori dorëshkrimin tim, që nuk i mbushte as njëqind faqe, shfletoi vjershën e parë, të dytë, gjer te e pesta, buzëqeshi dhe tha: Ky libër do të botohet! Përgjegjës i redaksisë së poezisë ishte kritiku Razi Brahimi, redaktore e librit Donika Omari, recensente Adelina Mamaqi, piktore Dolli Gjinali. “Ky libër do të botohet” më shoqëroi në udhët me shi e me baltë, me dëborë e lehje qensh të fushës së Korçës. “Ky libër do të botohet”,- thoshte telegrami i mbërritur në Korçë me listën e vjershave që qenë zgjedhur për botim nga redaksia. Çuditërisht ishin hequr nga libri vjershat “tematike” e “të partishme”, që u kërkoheshin të tjerëve. Libri kishte mbetur thjesht me lirika dashurie, peizazhi e meditime rinore.

A keni aventura djaloshare në librin tuaj të parë?

Në “Lirikat e majit”, apo në radhonjtë me dorëshkrime, (që më kishin humbur dhe i gjeta këto vitet e fundit), unë kam motive që lidhen edhe drejtpërsëdrejti me dashuri, apo me aventura djaloshare të asaj kohe, që nganjëherë tërhiqnin vëmendjen e rrugicave të Korçës, për të mos thënë se pëshpëriste i gjithë bulevardi. Ja, ai që është dhe poet dhe i krahut tjetër të lumit, na qenka ngatërruar me një të anës së këtejme të lumit, të lagjes së kaurëve. Ndërsa kur erdha në universitet me këtë libër të sapobotuar, një vajzë e Veriut zbriste në kryeqytet dhe më recitonte krejt librin përmendësh. Një tjetër e qytetit jugor dërgonte letra nën pushtetin e këtyre lirikave. Për të mos thënë që ky libër u fut në listën e mosqarkullimit dhe arsimtarit A. S. i bënin hetuesi në Durrës se i kishin gjetur “Lirikat e majit” me autografin tim dhe pastaj i kërkonin të gjurmonte se ç’shkruaja
tjetër.

A pati jehonë botimi i “Lirikave të majit”?

Jehona nisi me fjalët “Ky libër do të botohet” të D.Siliqit. Dhe vazhdoi të rrathëzohet e të zgjerohet, jo vetëm midis lexuesve, por edhe në vështrime kritike të personaliteteve letrare të kohës, të kritikës, të katedrës universitare, të poetëve dhe studiuesve më të shquar, që edhe sot janë autoritete me emër në këto fusha.
Agolli në “Zëri i popullit” shprehej: Kam një ndjenjë të dyfishtë: E para dhe që të gëzon është se te ky libër ekziston ajo e fshehtë, ajo diçka specifike që i duhet artit. Ajo që është më afër shpirtit të tij shprehet deri diku drejt. E dyta dhe që të hidhëron, të bën të frikësohesh për të ardhmen, është se në mjaft vjersha mungojnë krahët, mungon horizonti…Poetin… duhet ta shqetësojnë problemet e mëdha…Kritiku që e mirëpriti librin, (pas Mark Gurakuqit, i cili shkroi gjatë në “Zëri i Rinisë”); ishte R.Brahimi që shprehej: Kjo poezi është larg temave të mëdha, por kjo nuk do të thotë se një poezi e tillë nuk duhet të ekzistojë dhe nuk ruan në vetvete vlerat e veta ideoartistike…”
Ndërsa një kritik me emër shqetësohej që në këto lirika mungonin traktorët.

Çfarë përfituat ju nga jehona që bëri libri “Lirikat e majit?

Përmes kësaj jehone unë u nisa të trokas në dyert e atyre që kishin në dorë hyrjen time në Universitet.. Korça përsëri seç kishte ngatërruar, megjithëse shef arsimi ishte Kristaq Cepa (Capa-vjershëtari satirik i “brezit të ri të viteve ‘30”). Llazar Siliqi më ndihmoi. Ngarkoi Baki Kongolin, sekretar për muzikën në Lidhje, të bisedonte me ministrin Thoma Deliana si elbasanlli. Më mundësuan të takohem me të. Ai, si më dëgjoi, më tha: “Ti do të shkosh në fakultet!“ I zgjata, duke u dridhur, librin “Lirikat…”, siç më kishte mësuar Llazari. Më kërkoi autograf. Nuk mbaj mend se ç’i kam shkruar. Kur u kthye nga internimi, nga Tepelena, ku ministri ruante delet, i dhashë një libër tjetër me lirika, ku i shkrova: “Ministrit të përhershëm të arsimit”. Për një moment m’u afruan dy fytyrat e dy burrave shtatgjatë dhe të pashëm: Ai i Drago Siliqit me kumbimin e fjalëve “Ky libër do të botohet!” dhe i Thoma Delianës, me “Ti do të shkosh në fakultet!”
Në Korçë, në dyqanin e shitjes me valutë, kisha blerë këmishë dhe këpucë çeke dhe një pardesy italiane në ngjyrë ulliri. Dhe shkova në Universitet, në fakultetin e ëndërruar, nga fundi i tetorit 1963, d.m.th. dyzet e pesë vjet më parë.

Po pedagogë të shquar kishit atëherë?

Pedagogët e kohës tonë ishin ndër më të shquarit. Ne kemi marrë leksione nga Eqerem Çabej, Selman Riza, Mahir Domi, Shaban Demiri, Jakov Xoxa, Myzafer Xhaxhiu, Mark Gurakuqi, Alfred Uçi, Fatos Arapi, Nexhip Gami, Androkli Kostallari, Koço Bihiku, Zihni Sako, Jani Thomai, Anastas Dodi, Ziaudin Kodra, Stefan Prifti, Henrik Lacaj, Nonda Bulka, Petro Lalaj etj.

Ju thoni që viti i botimit të librit të parë ishte vit i shënuar, vit fatlum se solli edhe hyrjen tuaj në universitet. Po viti i mbarimit të këtyre studimeve?

Ndërkohë po ashpërsoheshin situatat. Nuk pinin më ujë lirikat erotike. Koha thirri në skenë “temat e mëdha”. Edhe në botën time filloi të vepronte një mekanizëm i brendshëm modifikues. Nga poet i virgjër i lirikave, fillova të përpunohem e të kultivohem, jo në kuptimin e shkollimit, po në atë të kërkesave të kohës. Libri “Lirikat e majit” mbartte me vete edhe enigmën. S’dihet ç’zili kishte zgjuar. Më ka mbetur enigmë pse u derdh aq egërsi ndaj autorit të këtij libri, herë fshehtësish, herë hapur. Vitin fatlum 1963 ma kishte gëlltitur viti 1967. Ky ishte viti, kur pas diplomimit në qershor, pas dy muajve (korrik-gusht) në aksionin e ndërtimit të hekurudhës Rrogozhinë-Fier, në ledhet e trasesë në sektorin e Gradishtës më komunikohet emërimi në Librazhd, ndërsa shumë të tjerë mbaheshin në Tiranë. Përcillem fshehtësish me rekomandimin e përbindshëm të dekanatit, (me shkresën sekrete të dekanit të Fakultetit dhe sekretarit të partisë: “Në radhë të parë për origjinën e tij… të mos punojë arsimtar”). Më përjashtuan edhe nga zbori pasuniversitar që bënin bashkëstudentët e mi. Më dërguan dhunshëm ushtar në repart pune, në NBU të Zall-Herrit e më përtej. Pastaj më hoqën të drejtën e botimit, që ma riktheu më vonë ndërhyrja e Todi Lubonjës,, që atëherë ishte çuar në Korçë. Po librin “Lirikat e majit” dhe vjershat e pabotuara të fletoreve të viteve ’60 nuk m’i asgjësuan dot.

Cilët poetë ju kanë bërë më tepër përshtypje në botimet e fundit?

Përveç Xhevahir Spahiut dhe Anton Paplekës, për të cilët kam shkruar, sikundër për Jorgo Bllacin, vlerësoj Moikom Zeqon, Petraq Riston dhe Agron Tufën. I vlerësoj për nivele të kapërcyera, për frymë dhe mjete moderniteti. Ndërsa nga ata që u quajtën brezi i avantgardës çmoj poetin me fat tragjik Ilir Belliu.

Si i vlerësoni veprimtaritë poetike? Çfarë vendi zënë ato në jetën kulturore dhe mediatike?

Zënë vendin e vrimës së fundit të kavallit. Shembull është injorimi injorant prej mediave dhe ekraneve tona i çmimit ndërkombëtar të Kurorës së Poezisë në Strugë, që mori poeti Fatos Arapi. Ndërsa bëhen edhe nga ato veprimtari letrare klanore, që të vjen turp të marrësh pjesë, se kanë arritur t’i jepet çmim, apo t’i mbillet pemë nderimi edhe hajdutit trafikant, duke e ditur që është hajdut.

Po proza sa vend ka zënë në krijimtarinë tuaj?

Proza nuk zuri vend nga indiferentizmi im. Unë pata bërë një novelë, që mori edhe çmim, që pastaj ma hoqën se kisha marrë edhe në poezi. Kryetar jurie ishte Jakov Xoxa. Teodor Laço, Dhimitër Xhuvani, Naum Prifti më thanë e ke roman, duhet zgjeruar. Unë e neglizhova ripunimin dhe botimin.

Keni qenë sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, pastaj dekan i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë. Jeni doktoruar me poezinë e Martin Camajt, ç’ju ka lidhur me të?

E lemë për një intervistë tjetër se u zgjatëm. Gazetës tuaj të nderuar, që po tregohet shumë dashamirëse me mua i duhet lënë vend edhe të më shajë. Ju falënderoj shumë!
 
Libri “Lirikat e majit”

I vajtur familjarisht në Korçë në vitin 1950, isha nxënës në godinën e Mësonjëtores së Parë Shqipe, kisha mësuar dy vjet gjimnaz në godinën e Liceut Francez, pastaj dy të tjerë në Pedagogjike, që të mund të punoja mësues fshati, ku lejoheshin edhe ata me “cene” në biografi. E drejta e studimit nuk më jepej se isha me dy të dënuar politikë, një vëlla me motivacionin e “tradhtisë ndaj atdheut” dhe babai për agjitacion e propagandë kundër pushtetit dhe për antisovjetizëm. Shërbeva katër vjet mësues në fshatra të Korçës.. Dhashë edhe gjuhë-lexim, edhe kimi, edhe…pothuaj të gjitha lëndët që jepen në një klasë të shtatëvjeçares. Gjatë verës bëja punë bujqësore në kooperativën e Korçës. Edhe prashisja, edhe korja, edhe grazhdoja lopët e racës. Pastaj nxitoja në mbasditet e vallëzimit, që në Korçë ishin të shumta. Shkoja edhe në Tiranë. Një ditë vija në “Zëri i Rinisë”,
apo “Ylli”, apo “Nëntori” për të çuar vjersha; ditën tjetër vija në burgun e Tiranës të “takoja” tim atë, apo në Senatorium, apo në Kombinatin e autotraktorëve, apo në Rinas, që ndërtoheshin prej të burgosurve, të “ngjatjetoja” tim vëlla. Në Korçë kisha sjellë fëmininë, që braktisi shtëpinë e madhe dhe të bardhë të ish-zotniut, me kalë të bardhë me shalë, me toka që ia gllabëroi “reforma agrare”, braktisa korije, vresht e kopshtin e qershive, braktisa drozela e ngjala e patat e ardhura nga Danubi, rosakët e gjolit dhe legjendën e “kaut të kënetës”, bashkë me këngën e gjermankës me vargjet “Te kishka e Sovjanit ma kishe meqanë/ ikë moj gjermankë se do gjesh belanë!”. Me këto imazhe e kisha mbushur kujtesën fëminore. Isha ai “Pusi”që i thosha në vjershë, (kur një dorë vajze nën hënë, ia ngre kapakun e rëndë): Befas ti, nga terr i zi mbështjellë / kur që lart
ia pi të kaltrit sy / ndrit e shkëndijon e nxjerr që thellë / qiejt e përmbysur përmbi ty…”. Kështu erdha te libri “Lirikat e majit”, jo i zymtë dhe pesimist. I fundosa thellë shpirtit hallet dhe brengat e mija familjare dhe u dhashë udhë ngazëllimeve djaloshare. Në vargje nuk më pikoi brenga dhe vreri, po vargu “tërfili sjell aromë edhe të deh”. Mbetën dorëshkrim vargjet: Sikush më sheh që qesh nga vreri / askush s’beson kur them: Po vdes! / Eh, kur do gjej mes këtij ferri / kërcu ku kokën ta mbështes ? - që i botova mbas dyzet vjetësh.

Lufta e klasave dhe Universiteti

Në atë vit, kur erdhëm ne në universitet u “zbut” pak lufta e klasave. Ishin prishur marrëdhëniet me kampin socialist. U kthyen të gjithë studentët që studionin në Bashkimin Sovjetik dhe Demokracitë Popullore, siç quheshin, për të vazhduar studimet e ndërprera në Tiranë. Nëpër mbrëmjet tona të vallëzimit kërciste xhazi dhe muzika perëndimore. Koncertet e miqësisë shqiptaro-sovjetike u kthyen në koncerte të miqësisë midis popujve, ku Merdani këndonte këngë italiane

Vitet studentore dhe krijuesit

Në auditor gjeta ata që do të bëheshin ndër emrat e njohur të letrave shqipe.
Janë mbi tridhjetë shkrimtarë, studjues dhe gazetarë, (disa ndër më të shquarit e letrave shqipe), që nga poetët e shkrimtarët: Xhevahir Spahiu, Ndoc Papleka, Hiqmet Meçaj, Faik Ballanca, Koço Kosta, Nasi Lera, Gaqo Bushaka, Halil Laze, Pandeli Koçi, kosovarët Adem Istrefi, Sulejman Krasniqi, Ymer Lugalliu, minoritari grek Foto Qiriazati; gjer te gazetarë e studiues si Spiro Dede, Seit Mansaku, Ilia Lëngu, Shaban Murati, Niko Dako, Fisnik Sina, Thoma Qendro, Agim Korbi, përkthyesi nga gjermanishtja Aristidh Ristani, apo Kozeta Mamaqi, Tatjana Buda e Vera Lohja (Ibrahimi)...Midis tyre “krekosesha” unë se isha i vetmi që kisha botuar librin e parë.
Në kurs ishim tre korçarë “të deklasuar”, unë, një djalë tregtari, (me të vëllanë në Fakultetin e Shkencave, për fizikë), dhe një bir beu, (me të vëllanë në degën e histori-gjeografisë, bashkë me Sherif Merdanin). Ky djalë beu u lidh me studenten bejlereshë të kursit tonë, (që u bënë prindërit e ardhshëm të Blendi Fevziut).

Lufta e trëndafilave dhe Mbreti Henry VI

Lufta e trëndafilave, një varg luftërash civile në Angli ndërmjet qëndrave rivale të Lankaster dhe Jork midis 1455 dhe 1485. Lufta u quajt kështu sepse stema e familjes së Lankasterëve ishte një trëndafil i kuq dhe stema e familjes së Jorkëve ishe trëndafil i bardhë. Kundërshtarët fillestarë ishin Mbreti Lankastrian i Anglisë Henry VI, përkrahur nga mbretëresha e tij, Margareta e Anjou, dhe Rikard Plantagenet, duka i 3 i Jorkëve. Për shkak të çmendurisë së mbretit dhe të humbjeve ushtarake në Francë gjatë fazës së fundit të Luftës Njëqindvjeçare, autoriteti i familjes së Lankasterëve ra keqas. Jorkët kërkuan të drejtën e fronit në 1460, pasi kishin mundur ushtritë Lankastriana ne St. Albans në 1455 dhe në Northampton në 1460. Në vitet e mëpasshme Jorkët u mundën dhe u vranë në Ëakefield. Në vitin 1461, gjithsesi, djali i tij u vetëshpall mbret si Eduard IV dhe pak kohë më vonë mundi bindshëm Henrin dhe Margaretën, të cilët më pas u larguan nga Anglia. Në 1465 Henri u kap dhe u burgos në Kullën e Londrës.

Përçarja

Lufta u rigjallërua për shkak të përçarjes në familjen e Yorkëve. Richard Neville, kont i Uarvick, përkrahur nga George Plantagenet, duka i Klarencës, vëllai i vogël i Eduardit, bëri aleancë me Margaretën dhe drejtuan një sulm nga Franca në 1470. Eduardi u dëbua dhe Henri u rikthye në fron. Në 1471, gjithsesi, Eduardi e rimori fronin, i ndihmuar nga Klarenca, e mundi dhe e vrau Uarvick ne Betejën e Barnet. Pak më vonë, Lankastrianët u shkatërruan plotësisht ne Betejën e Teukesbury, dhe Henri u vra në Kullë.Pas vdekjes së Eduardit në 1483, vëllai i tij Rikard mori pa të drejta fronin, duke u bërë mbreti Rikard III, dhe Lankastrianët risulmuan për udhëheqjen e Henri Tudor, kont i Riçmond, që u bë më vonë Mbreti Henri VII, themelues i Dinastisë Tudor. Në 1485 forcat e Rikardit dhe të Henrit u ndeshën në Betejën vendimtare te Fushës Bosuorth, përplasja e fundit dhe më e rëndesishmja e luftës. Pas vdekjes
së Rikardit ne betejë, Henri mori fronin dhe u martua me vajzën e Eduardit, duke i bashkuar kështu familjet. Rezultati kryesor i luftës ishte fuqizimi i pushtetit të Mbretit. Betejat dhe ekzekutimet pothuajse shkatërruan fisnikërinë e vjetër, dhe burimet financiare të monarkisë u shtuan nga konfiskimi i pasurive.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora