E premte, 19.04.2024, 08:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Dy këngëtare franceze në objektivin e Gjon Milit

E premte, 07.07.2006, 12:16 AM


Gjon Mili, fotografi i madh shqiptaro-amerikan i shekullit të kaluar (Korcë,1904- Nju Jork, 1984), ka përfshirë në krijimtarinë e tij të gjerë edhe njerëz të njohur të artit dhe kulturës botërore. Në këtë lëmë gjenden kompozitorë, piktorë, shkrimtarë, skulptorë,instrumentistë, valltarë, këngëtarë etj. Me ta , ai krijoi miqësira të shumta, jo vetëm në saje të profesionit, por edhe të natyrës së tij gazmore dhe dashamirëse. Ndër këngëtarët përmendim posacërisht dy franceze, Edit Piaf (1915-1963) dhe Zhyljet Greko (1926), shumë të njohura jo vetëm në Francë.

Edit Piaf, mbretëresha e muzikës së lehtë franceze e mesit të shekullit të kaluar, ka qënë këngëtare shumë popullore, me zë jo shumë të bukur, por me timbër të vecantë e mallëngjyes. Ajo ka interpretuar me forcë të madhe emocionuese, është krijuese e mjaftë këngëve, ndër to “La vie en rose” dhe “l’Hymne a l’amour”, e po ashtu edhe përzgjedhëse me shije e repertorit të saj. Piaf-in ,Mili e ka fotografuar në vitin 1946, vit në të cilin hapi ekspozitën e parë vetjake fotografike në Paris. Atë e përuroi me një fjalim të ngrohtë paraqitës filozofi i shquar francez Zh.P.Sartr , i cili ndër të tjera u shpreh se : “Mili çdo fotografi e shndëron në studim, në përvojë. Për të ka aq mënyra fotografimi sa ka dhe tipa”. Fotografia është e atypëratyshme gjatë një koncerti, mbase në sallën e njohur “Olimpia” të Parisit, kur këngëtarja e madhe këndon këngën “Fizarmonicisti”. Piaf, kishte disa vite që po korrte sukses në publikun francez, dhe Mili, si njeri me shpirt artisti, s’kish sesi të mos mahnitesh nga interpretimet e saja shumë të vecanta. Padyshim, atij i është dashur, në një farë mënyre të ndaj kënaqsinë e dëgjimit të këngëtares, me ëndjen e vazhdueshme të të fotografuarit. Sot, ndoshta mund të themi se, ndërsa soditim fotografinë, sikur e degjojmë atë duke kënduar. E, këtë mund t’a arrijë vetëm një fotograf që e njeh, por sidomos e ndjen muzikën.
Teknikisht, fotografi ka përdorur procesin e grafikimit i cili mënjanon tonet e ndërmjetme dhe e shndëron foton në një sipërfaqe të bardhë e të zezë. Në fotografinë e Piaf-it, ngjyra e zezë është mbizotëruese, ndërsa e bardha përbëhet vetëm nga dy njolla ; Koka dhe dora e djathtë ngjitur në faqe, si dhe dora e majtë e mbështetur në trup (por jo “e vdekur”). Pra, fotoja ka shumë “pak” të bardhë, por edhe ajo “pak”, flet shumë.
Këngëtarja si zakonisht , kur këndon, edhe këtu jeton me këngën. Me sa kuptojmë kënga është duke përfunduar, kënaqësia e këngëtares e ka kaluar kulmin, tanimë është duke u zvogëluar, zëri duke u shuar. Vetullat e bashkuara nga dy rrudhat vertikale tregojnë se nuk kemi të bëjmë me dicka të gëzueshme, përkundrazi na krijohet përshtypja e një përlotje të shpirtit. Edhe dora e majtë merr pjesë në interpretimin e këngës me ngjeshjen e saj në trup. Mili, duke qënë mjeshtër i fotoaparatit, e njëkohësisht duke njohur mirë e bukur estetikën e fotografisë, arrin të realizojë me kaq pak të bardhë e aq shumë të zezë, një foto që të shtyn t’a soditësh gjerë e gjatë. Duke analizuar dhe përsiatur mbi shumë fotografi të këngëtares së njohur (pa mëtuar se janë shikuar të gjitha), mendoj se Mili ka realizuar një nga fotot që ravijëzon më thelbësisht portretin e plotë (jo fizik) të Piaf-it. Ai e ka shkrepur disa herë aparatin dhe, me sensin e tij të hollë artistik, ka vecuar këtë fotografi, shumë të thjeshtë në shikim të parë, por tepër shprehëse, e që na kujton se e bukura dhe e thjeshta janë gjithmonë në fqinjësi të mirë me njera-tjetrën. Kjo fotografi, përbën ndoshta lidhjen e vetme të botës shqiptare me këngëtaren e madhe Edit Piaf. Gjithashtu ajo (fotografia) mund të konsiderohet , si të thuash “një dhuratë” e Milit për adhuruesit e shumtë shqiptarë të së shkuarës dhe të sotëm (ndër ta dhe artikullshkruesi) të këngëtares së shquar.

Fotografia tjetër i përket këngëtares së njohur të viteve ’60, Zhyljet Greko. Ajo nuk është fotografuar duke kënduar si në rastin e Piaf, por të themi duke medituar. Teknologjia e fotografimit është me ngjyra. Fotoja titullohet “Rreziku i madh” (The Big Gamble) nga fotografi dhe është realizuar në një lokalitet të krahinës së Provansës në vitin 1960, kur kengëtarja ishte 34 vjeçe, si te thuash në moshën e rinisë së pjekur. Vërtetë për Milin beqar afër moshës së tretë, 57 vjeçar, sensualiteti i Grekos paraqet rrezikëshmëri, por fotografin mbase e ka mbrojtur nga “rreziku i madh”, pasioni i madh për krijimtarinë fotografike. Ai ka zgjedhur një këndmarrje të tillë në mënyrë që qendra e rëndesës së fotos të jenë buzët shumë grishëse dhe gjysëm profili i faqes së majtë. Se çfarë shikon këngëtarja simpatike nuk e zhbirojmë dot, ndoshta fotografin shumë tërheqës në sjellje. Në foto nuk vërejmë ndonjë element që ta lidhi pamjen e kësaj femre kaq joshëse me muzikën, e megjithatë ajo është këngëtarja e njohur Zhyljet Greko.
Gjon Mili ka jetuar dhe studiuar në SHBA (1923-1984), rrjedhimisht ka marrë kulturë amerikane. Por ai ishte njeri me vizion largëpamës e kulturë të gjerë. Përmendim vizitat e herëpasherëshme në Francë e miqësitë e shumta me elitën e botës kulturore franceze si me Sartr, Pikaso, Matis, fotografin Kartje-Breson dhe gruan e tij Martinë Frank, të cilën për disa kohë e ka pasur ndihmëse. Kujtojmë se Festivali i përvitëshëm ndërkombëtar i Fotografisë në Arlë të Francës së Jugut, në vitin 1970 iu kushtua vetëm krijimtarisë së Gjon Milit, vlerësim ky që natyrisht , do t’a lakmonte çdo fotograf në botë.
Fotografitë e panumurta të Milit në Francë (për artistë, piktorë, skulptura, si dhe ato historike, arkeologjike etj.), të cilat tregojnë për simpatinë e tij për botën franceze, u shpërblyen nga djepi i kulturës botërore me kushtimin e një festivali të tërë të fotografisë. Edhe fotografitë që shqyrtuam bëjnë pjesë në shprehjen e respektit dhe dashurisë së Milit për Francën.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora