E marte, 19.03.2024, 08:02 AM (GMT)

Sport » Legjenda

Ali Mata, traineri që fitoi me "17 Nëntorin" 36 herë titullin kampion kombëtar për meshkuj dhe 41 herë për femra

E shtune, 13.12.2008, 08:21 PM


"Mbreti" matian i qitjes që stërviti 33 mjeshtra sporti

Nga Agron SEJAMINI

Pesë vjeç është larguar nga vendlindja dhe përsëri edhe pse tani është 82 vjeç, ai nuk shuhet në mall e dashuri... Mbase edhe për arsyen tjetër, se aty ju ngacmua pasioni dhe dëshira për atë sport, që do e bënte aq të njohur dhe të nderuar.

...Në ato vite, dita më e shumëpritur e vitit në gjithë Matin ka qenë festimi i ditëlindjes së Ahmet Zogut. Mblidheshin nga e gjithë treva në sarajet e Mbretit. Hanin, pinin, argëtoheshin, gëzoheshin dhe krenoheshin, që Naltmadhëria kishte lindur aty. Por më i këndshëm në këtë festim tradicional, ka qenë organizimi i disa lojërave popullore. Mes tyre, vënia në nishan me pushkë e një tjegulle të bardhë në largësi 150-200 m. Natyrisht, që nuk ishte vetëm zbavitje një konkurim i tillë, me nga dy përfaqësues për secilin fshat. Ndërthurej në atë thyerje tjegulle, mençuria, trimëria dhe krenaria. Ishte bërë zakon që në fund, pak fishekë të rezervoheshin edhe për fëmijët. Me këta të vegjël, më shumë bëhej kujdes se sa nxitej gara. Por, ndjesia dhe emocioni tek kjo moshë ishte shumë herë më e madhe se te të rriturit. Fatlum e ka ndjerë veten edhe Aliu i vogël, kur i është besuar pushka në dorë... Asnjëherë nuk mban mend ta ketë thyer atë tjegull, por nuk harron se ajo lojë popullore ëndrrën e jetës që të qëllonte me pushkë. Edhe pse për shkak të kushteve të vështira, u shpërngulën familjarisht në Tiranë, ai sëbashku me babanë e tij edhe për dhjetë vjet të tjerë rresht, nuk munguan në atë festë të përvitshme. Dhe më shumë se sa malli për vendlindjen, i tërhiqte edhe dëshira për të shënuar atë tjegull të bardhë...

Deri sa një ditë, u lumturua kur mësoi se në qendër të Tiranës ishte një poligon qitjeje (diku aty ku sot ndodhet selia e Partisë Demokratike, ish- SHNUMI) dhe kundrejt një pagese, të krijohej mundësia për të qëlluar me pushkë. Tashmë gëzohej kur i binte ndonjë lek në dorë, jo për të shijuar ndonjë kurabie apo akullore, por për të qëlluar me pushkë. Tre lekë ishte një fishek. Një ditë bleu pesë copë, nga të cilët dy i çoi te nënta, të tjerët në qendër të tabelës. Një javë rresht nuk ju nda pushkës. Por erdhi një ditë që u dorëzua. Jo nga rezultatet e dobta apo se i doli nga qejfi kjo lojë, por sepse... ju mbaruan lekët. Kur po përshëndetej me drejtuesit e poligonit si për lamtumirë, ishin ata që i bënë surprizën...

- Ali, nga nesër e tutje, t'i do të vish për ditë të qëllosh sa të duash, pa paguar asnjë lekë.

Ishin Vehap Haxhihyseni dhe Sotir Polena, që i ofruan mundësinë për të filluar sportin e qitjes. Tashmë edhe varfërinë e harroi, mjafton të mos i mungonin fishekët... Falë edhe mjeshtërisë, tek bënte copë gati të gjitha rrethin e dhjetës pas pak javësh u caktua trainer i ekipit të "17 Nëntorit". Ishte me fat, që në përbërje të ekipit kishte snajperat e shquar Reshit Maloku, Taip Dimoshi, Nazire Galanxhi, Muharrem Gjashta dhe Gjyla Vojka. Filloi menjëherë të nxirrte ekipin e Tiranës kampion, por të fitonte edhe emrin e nderuar, duke u bërë nga trainerët më të njohur në të gjithë sportet, për rezultatet e larta dhe të qëndrueshme. Një njeri i shkathët, i komunikueshëm dhe përherë i qeshur. Pas pesë vjetësh, aty nga viti 1955 ekipi arriti në 30 vetë. Të gjithë ishin punëtorë të Kombinatit të Tekstileve ku dhe vetë Aliu ishte elektriçist. Tashmë jo vetëm që u bë popullor ky lloj sporti, por dhe shumë i dëshiruar nga jehona e rezultateve të arritura edhe në takimet ndërkombëtare. Gjithnjë e më shumë emrat e qitësave shqiptare po pushtonin majat e qitjes të Ballkanit e më tej. Por bashkë me kohën ndryshonin metodikat dhe programet e stërvitjes. Ndjehej se duhej ecur me bashkëkohoren paçka se rezultatet kishin ardhur në rritje.

Disa herë kishte ardhur ekipi përfaqësues i qitjes së Kinës dhe në të gjitha garimet, ne kishim dalë fitues. Por kjo nuk mjaftonte. Në një turne disa javor që ata organizuan në Kinë në vitin 1965, Aliu u befasua se si punohej me sportin e qitjes. Atë periudhë, 4000 sportisë ishin mbledhur në poligonin e Pekinit, prej nga ku kishte dalë ekipi që do të konkuronte me ekipin përfaqësues shqiptar. Tanët fituan përsëri, por traineri i shquar, Ali Mata, më shumë mësoi nga ata që humbën... Një pjesëmarrje aq masive dhe për më tepër mosha e vogël i ngacmoi atij konkluzionin se, vetëm kjo udhë të çon më shkurt dhe më sigurtë te rezultatet e larta. Fillon të bluajë në kokë strategji të reja, nëpër të cilat duhet të zhvillohet ky sport në Shqipëri. Në Aeroportin e Rinasit, i madhi i sportit shqiptar Rexhep Ramaj, e përqafon me lot në sy për turneun e suksesshëm që përfunduan. Sikur t'i thoshte ndonjë sihariq dhe gjithë ngutje, i pëshpërit Rexhepit, se ka vendosur që të japë dorëheqjen... I zënë disi në befasi, jo pa shqetësim, miku i tij i nderuar, i kërkon më shumë shpjegim për këtë veprim të nxituar.

-Dua të lë ekipin e të rriturve dhe të filloj punën me të rinjtë!, i shprehet me entuziazëm Aliu. Pasi shkëmbyen mendime me njëri-tjetrin kuptuan se, kjo nismë do të ishte me shumë vlerë.

Të nesërmen, mëngjezi e gjeti te gjimnazi "Qemal Stafa". Gjithë çiltërsi dhe ëmbëlsi përshëndetej për të ngacmuar bashkëbisedimin me grupe të rinjsh, duke u folur me shumë dashuri për t'i afruar me qitjen. Pastaj kaloi te "Petro Nini", "Sami Frashëri" dhe "Ismail Qemali".

Dhe i doli me jo pak bereqet, kjo punë. Siguroi jo vetëm masivitetin, por edhe cilësinë. Emrat që u skalitën më vonë, me gërma të arta në historinë e qitjes shqiptare, dolën pikërisht nga kjo përzgjedhje. Kujtojmë Dhurata Bahollin, Ermira Dingun, Lindita Zeqon, Eglantina Lalmin, Diana Matën etj. Klubi "17 Nëntorit" pati në këtë kohë, dy ekipe me 120 qitësa të federuar, djem dhe vajza. Në krah të Ali Matës, si trainerë, filluan të jenë edhe Maliq Demneri, Urani Dhora, Agim Peqini, Xhavit Muça, Shpëtim Kolani dhe Petrit Robdishta.

Do të dilnin në vazhdim nga ky ekip i shquar kampionet e Europës dhe të Ballkanit, duke iu afruar në jo pak raste edhe rekordeve botërore. Të shumta janë mbresat emocionuese që kujton ky trainer i shquar. Por, më e paharruara për të, do të mbetet befasia që kishte rezervuar fati, në Kampionatin Europian të vitit 1980 në Madrid. Në përgatitje të konkurimit për në këtë garë europiane ishin zhvilluar pesë grumbullime me ekipin përfaqësues të femrave. Çdo gjë po shkonte mirë, veç rezultateve të qitëses Eglantina Lalmi. Në të gjitha garat ajo kishte dalë e pesta, duke zhgënjyer dhe rrezikuar mospjesëmarrjen. Vetëm katër të parat kishin të drejtë të shkonin në Madrid. Traineri Ali Mata kishte humbur qetësinë, por dhe mundësinë për të patur në ekip edhe këtë qitëse të talentuar. Jashtë "rregullave" kishte shtuar edhe një garë mes konkurenteve. Por edhe në këtë mundësi, fati nuk ishte me Lalmin. Madje, doli e gjashta. As që i bënin këmbët për në Madrid, trainerit të shquar, pa patur në ekip Englantinën. Deri në Kryeminstri trokiti që të siguronte pjesëmarrjen e saj. Natyrisht jo për në ekipin e parë, por si rezervë.

Një ditë para konkurimit, mjeshtrja e madhe, Liri Beqja, për arsye shëndetësore tërhiqet nga gara. Askush nuk do besonte që shansi ishte krijuar jo vetëm për Eglantina Lalmin, por edhe për Europën që të nxirrte në këtë garë kampionen e saj...

Jo më pak emocione janë ndjerë edhe në Olimpiadën e Mynihut, në vitin 1970. Këtë radhë me qitësen tjetër bardheblu Afërdita Tushën. Në ditët e grumbullimit, nuk ishte mundur që të plotësohej norma e përfaqësimit nga meshkujt. Mendja shkoi menjëherë te rregullorja që mundësonte edhe konkurimin e një femre në vend të mashkullit. Atë normë e kapi lehtësisht Tusha... Të gjithë pjesëmarrësit, në Mynih, shqyen sytë kur në garën e pistoletës, u rendit në vijën e zjarrit me meshkujt, Afërdita Tusha. Dhe çfarë konkurimi! E 28-ta mes 128 konkuruesve. "Mjeshtrja shqiptare që la pas 100 burra...", shkruanin gazetat e sportit të atyre ditëve.

Në vitin 1977 filloi stërvitjen për t'u bërë qitëse Lindita Zeqo. Por koha dëshmoi se ajo ishte e vlefshme në ushtrimin 3x20 dhe 1x60 preçizion, më shumë se sa për ekipin. Shkëlqeu në disa takime ndërkombëtare, duke shpresuar te kjo e re në moshë dhe në përvojë. Por rezultati që ajo arriti më 1980, në takimin Ndërkombëtar të Finlandës e nxorri në majë të qitëseve botërore. Po të kujtojmë se ajo doli e para mes 101 shteteve pjesëmarrëse, nuk është tepri ta ndjejmë këtë trofe si të radhës kupë Evrope apo Bote në qitje.

E natyrshëm, pas gjithë këtyre arritjeve është mundi dhe kontributi i vyer dhe i çmuar, i Ali Matës, Mjeshtrit të Merituar të sportit ose i cilësuar ndryshe "babai" i qitjes shqiptare.

EMRI: Ali

MBIEMRI: Mata

DATËLINDJA: 13 mars 1926

VENDLINDJA: Barbullej, Burrel

KLUBET GARUESE:

"17 Nëntori", 1950-1958

KLUBET TRAJNUESE:

"17 Nëntori", 1950-1991

dhe ekipin përfaqësues të

meshkujve dhe femrave

në qitje nga viti 1958 deri 1991

TAKIME NDËRKOMBËTARE: 40

TROFE: 36 herë kampion për meshkuj, 41 herë kampion për femra, 35 herë fitues i Kupës së Republikës (meshkuj dhe femra); gjashtë herë fitues i spartakiadave kombëtare (1959, 1964, 1969, 1974, 1979, 1984)

TITUJT: Mjeshtër i Merituar Sporti, Trainer Kombëtar, Nderi i Sportit Shqiptar 2000; Urdhër Olimpik 2002, Krenaria e Tiranës etj.

Dy yje të qitjes shqiptare që u shuan shumë shpejt...

Ishin nga më të mirët e qitjes shqiptare, por njëkohësisht edhe dy nga djemtë më të dashur dhe më të shtrenjtë të familjes Mata. Largimi i parakohshëm i të dyve qe një humbje e madhe. Të dy aksidentalisht. Shefqeti ishte i datëlindjes 1948. Nip i trainerit të shquar Ali Mata, por më shumë se kaq një krenari dhe siguri për arritjen e rezultateve të larta. Qitës i "17 Nëntorit" që nga viti 1972, anëtar i ekipit kombëtar në garën 1X60 me pushkë. Në vitin 1967 në garat e kampionatit kombëtar, Shefqeti grumbulloi 598 pikë. Vetëm 1 pikë larg rekordit botëror. Sukses i jashtëzakonshëm jo vetëm për qitjen, por për mbarë sportin shqiptar. Për herë të parë, ai la pas mjeshtrin tjetër të madh të pushkës, Ismail Ramën. Dhënia e titullit Mjeshtër i Merituar ngjante sikur ishte shumë pak për rezultatet e deritanishme të arritura nga Shefqet Mata, pasi pritej që këto nivele botërore t'i shpaloste në veprimtaritë e ardhshme ndërkombëtare. Por... vetëm kaq ishte e thënë që shkruhej për të në historikun e artë të qitjes shqiptare. Por edhe fundi i tij tragjik, dëshmoi për shpirtin e tij të bardhë dhe fisnik sikurse ishte në jetën e përditshme me shokët, miqtë dhe të afërmit. Nuk u kap në befasi, as në atë çast fatal, për të treguar natyrën e tij njerëzore. Sapo ndjeu rrezikun e pashmangshëm, lëshoi timonin e makinës që drejtonte dhe u palos me trup, në mbrojtje të fëmijës që ishte ulur në sedilen e djathtë. Nuk e kreu këtë veprim instiktivisht, por shpirtërisht, sepse kuptoi që në atë krah ishte rreziku. Nuk ishte fëmija e tij, por shpirti i madh i atij njeriu të thjeshtë nuk mund të ndjente ndryshe në ato fraksione sekondash. Ai la jetim dy vogëlushët e tij... Por edhe për fëmijët e tij, ai kështu mbeti i shenjtë! Ndaj thuhet u shua një yll... Ishte viti 1993.

Fëmija e parë dhe më i dashuri ishte Skënderi, për familjen Mata. Gëzohej babai i vet, që i rritej aq shpejt djali me dëshirën e madhe për t'u bërë qitës. Para kohe e burërroi Aliu, duke e vendosur mes më të rriturve në stërvitje... Por, parakohe i arriti edhe rezultatet e larta Neri. Pas pesë vjetësh që konkuroi për ngyrat e ekipit të tij të zemrës, "17 Nëntori", ai u bë pjesë e denjë e ekipit përfaqësues. Rezultatin më të mirë e arriti në vitin 1985, kur në garat e vlefshme për Kupën e Republikës, grumbulloi 595 pikë, në garën e preferuar të pistoletës 30+30. Kishte mbetur pas rekordit botëror vetëm për 4 pikë. Një mjeshër tjetër sporti, i shtohet qitjes shqiptare dhe familjes Mata. Më pas në Stamboll u zhvillua Kampionati Ballkanik i qitjes. Një Shqipëri e tërë gëzoi, kur nga Turqia u shpërnda lajmi se Skënder Mata, kishte lënë pas gjithë të tjerët dhe ishte shpallur kampion i Ballkanit. E, ndërsa synonte ecurinë dhe arritjet e kushëririt, Shefqetit, gjeti... fatin e njëjtë tragjik. Humbet jetën në një aksident rrugor. Kishte përcjellë me motor një shokun e vet dhe në kthim për në shtëpi, përplaset me një makinë. Ishte 16 dhjetori i vitit 1998. Kështu, në moshën 42- vjeçare, shuhet Skënderi, ylli tjetër i familjes Mata...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora