E marte, 23.04.2024, 11:51 AM (GMT+1)

Shtesë » Shoqëria

Rimishërim dhe Karma: Konceptet e ekzistencës

E shtune, 13.12.2008, 09:16 PM


Njerëzit kanë pyetur gjithmonë veten se çfarë (nëse ka diçka) gjendet përtej varrit. A është vdekja fundi i ekzistencës, një hyrje në përjetësi, apo një pushim midis jetëve tokësore? Disa thonë se shpirti rimishërohet në shumë trupa të ndryshëm dhe afro 25% e amerikanëve e besojnë këtë. Pse tërheq kaq shumë njerëz Rimishërimi?

Që atëherë kur njeriu vëzhgoi për herë të parë, kureshtar, natyrën dhe pa funksionimin e saj ritmik, e deri më sot, kanë kaluar miliona vjetë. Është thënë se kureshtja është dera e parë që hapet nga aftësia e të filozofuarit. Dhe kjo gjë është e vërtetë. Me vëzhgimin e natyrës dhe të ritmeve të saj, njeriu filloi të filozofojë dhe të pyesë veten për prejardhjen e tij dhe fatin e tij, për jetën dhe vdekjen, për vetë natyrën e tij dhe rëndësinë e Ekzistencës dhe të Universit dhe kështu filloi të ndjente botën hyjnore, Përjetësinë.

Një nga pikat - çelësat kryesorë të filozofisë së brendshme është ajo e ekzistimit të Rimishërimit, domethënë, të trashëgimit midis jetës dhe vdekjes së ekzistencës njerëzore. Vëzhgimi i natyrës na mëson ekzistimin e cikleve, ritmeve që përsëriten, ashtu si edhe një pjesë muzikore, por në nivele të ndryshme. Notat muzikore nuk janë të njëjta, por melodia është e njëjtë, harmonia e totalit mbetet e konsoliduar, ndryshimi i tingujve dhe pushimet, gjithçka ka të njëjtën mënyrë ndërtimi.

Një pranverë e re zëvendëson çdo dimër dhe një ditë e re zëvendëson çdo natë. Punën e lodhshme e zëvendëson çlodhja, e cila lajmëron për një punë të ardhshme të re. Pas çdo stuhie vjen qetësia. Por, pavarësisht se trëndafilat e çdo pranvere janë të ndryshëm nga të kaluarit, aroma e tyre është e njëjtë. Vëzhgime të tilla, mendime të tilla, bënë që njeriu të kuptojë se edhe ai vetë, si një pjesë e pandarë e natyrës, merr pjesë në ritmet e saj dhe duke ndjekur këto ritme, jeton, vdes dhe rijeton në këtë botë.

Qëllimi i ligjit të Rimishërimit, ashtu si edhe të çdo ritmi tjetër të natyrës është perfeksionimi i qënies, domethënë të bëhet më e pastër, më e purifikuar nga gjendjet iluzioniste të botës materiale dhe të prirjeve inferiore, që e skllavërojnë në injorancë dhe në vuajtje. Me Rimishërimet e njëpasnjëshme, shpirti njerëzor perfeksionohet, fiton njohuri dhe eksperienca të nevojshme dhe lartësohet gjithmonë e më tepër drejt dritës shpirtërore, nga e cila është ndarë.

Pra ai që Rimishërohet është uni superior i njeriut, shpirti, që merr në çdo jetë, një personalitet, një seks, kombësi, familje, mjedis etj. të ndryshëm. Dhe për këtë arsye, thuhet se njeriu është një qënie me shumë fytyra. Pasi sa herë që mishërohet, "vesh" dhe përdor një personalitet të ri, të ndryshëm. Por gjithmonë, është i njëjti individ, i njëjti un, i cili përdor çdo njërin nga personalitetet si një mbartës që shërben për t'u shprehur në këtë botë.

Ashtu sikur Krisna i shpjegon Arzunës - në librin e mrekullueshëm "Bagavad Gita" - uni thjesht ndryshon rroba - personalitete në çdo jetë dhe vdekja e personalitetit do të thotë thjesht se tani uni jeton në dimensione të tjera më superiore:

"Të gjitha qëniet në fillimin e tyre, para se të lindin, janë të padukshme. Sapo të lindin bëhen të dukshme dhe në fundin e tyre bëhen përsëri të padukshme".

Ligji i Rimishërimit, që duhet ta ndajmë nga doktrina e metapsikozës, është një nga njohuritë më të lashta të njerëzimit. Përbënte një mësimdhënie popullore në shoqëritë tradicionale dhe transmetohej nga goja në vesh, nga babai tek fëmijët, nga mësuesi tek nxenësit. Eksperienca personale dhe kujtime nga jetët e kaluara kishin dhe kanë, madje akoma dhe sot, miliona njerëz. Por, përse nuk mbajnë mend të gjithë? Sepse, zakonisht niveli i ndërgjegjësimit është i lidhur ngushtë me personalitetin dhe në çdo jetë të re, shpirti i njeriut merr një personalitet të ri. Vetëm nëse niveli i ndërgjegjes do të lartësohet deri tek uni superior, atëherë do të mund të arrije të kujtoje, pasi atje regjistrohen kujtimet e rëndësishme dhe elementët e jetëve të kaluara. Zotëruesi i kujtimeve është uni superior dhe jo uni i përkohshëm i çdo personaliteti.

Në Perëndim, me ardhjen dhe zhvillimin e fesë së krishterë, kjo mësimdhënie u harrua dhe u kufizua vetëm në disa grupe sekrete dhe sisteme filozofike, që në mënyrë sporadike e sillnin në sipërfaqe. Por, në shekujt e parë kristianë, kristianizmi pranonte ekzistimin e Rimishërimit, ashtu sikurse konkludohet nga disa pjesë të ungjilleve, si për shembull tek ai i Gjonit 9 1,2 dhe 3,3 ku duket qartë se Rimishërimi ishte një besim publik i pranueshëm tek hebrenjtë e asaj periudhe.

Për teologët e mëdhenj kristianë, si për Origjenin, Gregor Nazianzinon, Vasilidin dhe të tjerë, Rimishërimi ishte, deri në shekullin e VI, një e vërtetë e patundshme. Madje, patundshmëria e ekzistencës së tij, u konfirmua në Këshillin e Shenjtë të Kaklidonës, në vitin 451. Por, për arsye politike dhe për të justifikuar prejardhjen hyjnore të pushtetit mbretëror, Perandoresha Teodora, influencoi të shoqin, Justinianin dhe mblodhi të quajturin "Këshillin e Pestë Global" të vitit 553 dhe deklaroi si dogmë heretike Ligjin e Rimishërimit. Që atëherë e deri më sot, Rimishërimi konsiderohet si një doktrinë heretike në kishat e ndryshme kristiane, me përjashtime të rralla.

Ligji i Rimishërimit është i lidhur ngushtë dhe plotësohet nga një ligj tjetër i rëndësishëm, që është Ligji Karma.

Fjala Karma është sankrite dhe do të thotë "Veprim". Por nënkuptohet, me kuptimin e gjerë të saj, domethënë përmban veprimin dhe kundërveprimin që ajo vetë prodhon. Karma është Ligji Universal i Veprimit dhe Kundërveprimit, i shkakut dhe i pasojës. I njohur në fizikë dhe në kimi, ligji i Karmës funksionon njëlloj në të gjitha nivelet e ndërgjegjes. Kështu, çdo mbartës shprehjeje i ndërgjegjes krijon dhe shlyen Karmën e tij. Veprimet mendore dhe Psikologjike krijojnë Karma dhe si pasojë do të pësojnë kundërveprime reciproke të veprimeve të mira apo të këqija që kryen.

Ligji Karma është shfaqja dinamike e Ligjit Universal, Unik që në Lindje quhet DARMAN. Për filozofët e Indisë, përpara ekzistimin të çdo qënie tjetër ekzistonte një Ligj unik, universal, i cili përmbante brenda tij gjithçka.

Ky ligj i përgjithshëm u shfaq nëpërmjet ligjeve të ndryshme, DARMA. Çdo Darma ka të bëjë me një lloj qëniesh. Pra, ekziston një Darma për njerëzimin, Darma tjetër për kafshët, tjetër për bimët e kështu me radhë.

Çdo qënie për t'u organizuar, për të marrë formë dhe për t'u shfaqur, ka nevojë për një inteligjencë. Kjo inteligjencë universale, e cila buron nga Ligji Darma, quhet MAHAT. Është Drita e Vërtetë, që ndryshon Darmanin në Darmat e ndryshme, duke shfaqur në këtë mënyrë krijimin. Darmani, duke kaluar nëpërmjet Mahatit, analizohet dhe kështu krijohet dualizmi në botën e shfaqur. Ky dualizëm është Ligji i Karmës.

Kështu Darma dualizohet kur kapet nga mendja. Atëherë Ligji hyn në veprim dhe ndryshohet në dy anë të ndryshme, veprimin dhe kundërvëprimin, shkakun dhe pasojën, që funksionojnë në kuadrin e "Rrugës së Drejtë" të Darmës.

Çdo veprim provokon një kundërveprim dhe çdo shkak ka një rezultat, i cili do të bëhet shkak për një tjetër rezultat të ri. Nuk ekziston shkak pa pasojë dhe as pasojë që të mos provokojë një kundërveprim zinxhir.

Ligji i Karmës pra, mund ta drejtojë njeriun në udhëkryq, pasi ka të bëjë me veprime dhe kundërveprime zinxhir të pafund. Është ajo që quhet Rrotulla e Karmës ose SAMSARA, pasi detyron njeriun në mishërime të vazhdueshme dhe të pafund, meqë në çdo mishërim, ai krijon veprime dhe gjendje të reja që do t'i duhet të shlyejë në mishërime të tjera dhe kështu me rradhë.

Por, si mund të çlirohet dikush nga Rrotulla e Samsarës?

Esoterizmi tradicional, i bazuar në mësimdhëniet e të diturve, na përgjigjet:

"Me ushtrimin e VEPRIMIT TË DREJTË, që nuk pret fryte nga veprimet e tij dhe me respekt kundrejt DETYRËS dhe LIGJIT të natyrës. Vetëm atëherë njeriu mund të çlirohet nga rrotulla e rimishërimeve të përjetshme dhe ndodhet përtej të mirës dhe të keqes".

Karma mund të jetë, sipas cilësisë së tij, e mirë apo e keqe. Por këtu duhet të theksojmë se të dyja llojet lidhin. Vetëm veprimi i drejtë çliron. Veprimet e mira krijojnë kundërveprime të mira, Karma të mirë dhe të këqijat të kundërtën. Por të gjitha këto rikthehen tek ne dhe na lidhin, duke na kërkuar shlyerje dhe fryte. Vetëm veprimi që bazohet tek detyra, një veprim krejt altruist dhe i çliruar nga çdo shpresë shpërblimi, është me të vërtetë veprimi i drejtë, që udhëheq në çlirimin përfundimtar nga çdo lloj vargonjsh, përtej kuptimit relativ të së mirës apo të keqes.

Karma dhe Rimishërimi janë dy ligje të lidhura ngushtë njëri me tjetrin, por edhe plotësojnë njëri-tjetrin. Por, si mund të shpjegojmë padrejtësitë që mbeten të pandëshkuara në jetë? Apo faktin se dikush dënohet fenomenikisht duke qenë i pafajshëm? Si shpjegohen absurditetet, disa herë "kapriço" të fatit, që na bëjnë të pasur apo të varfër, pavarësisht nga përpjekja dhe liria jonë? Ekzistenca e Rimishërimit na jep një përgjigjjë pozitive, duke na lejuar të ndjejmë funksionin e një drejtësie absolute në univers.

Fillimi i lirisë njerëzore është një nga pasojat kryesore të Ligjit të Karmës, në nivelin psikologjik dhe mendor të vendimeve, pasi si do të mundnim të krijonim Karma të mirë apo të keqe nëse nuk do të kishin liri për të vendosur. Ligji Karma lidh harmonikisht dy kuptimet fenomenikisht të kundërta: të vullnetit të lirë dhe të fatit të pandryshueshëm. Domethënë, me të vërtetë jemi të detyruar, në mënyrë të pashmangshme, të paguajmë dhe të pësojmë rezultatet e veprimeve tona të kaluara, por edhe se çdo veprim yni i ri varet nga vendimet e lira që ne marrim. Jemi të detyruar të veprojmë. Por, cili do të jetë ky veprim? Si dhe ku do të veprojmë? Këtë mund ta vendosim vetë ne, me vullnetin tonë të lirë. Dhe sa më vullnet të fortë të zotërojmë, kaq liri vendimi më të madhe do kemi, pasi vetëm ata që kanë vullnet të fuqishëm, janë të aftë për të ndryshuar fatin dhe të vendosin lirisht, pa kufij.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora