E marte, 23.04.2024, 12:45 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Charlemagne/Rrëfim për një mbret legjendar

E shtune, 13.12.2008, 09:11 PM


NJERIU

Ne dimë jo pak gjëra për Charlemagne nga një biografi e Einhardit, një akademik në oborrin e tij si dhe një mik që e admironte shumë. Ndonëse nuk ka patur portrete bashkëkohorë të tij, përshkrimi i Einhard për udhëheqësin frëng, na jep një pamje të një njeriu të madh, gojëtar dhe një individi shumë karizmatik. Einhard këmbëngul se, Charlemagne ishte jashtëzakonisht shumë i dashur me familjen e tij, miqësor me "të huajt", një njeri shumë i gjallë, tip atlet dhe me vullnet të hekurt. Sigurisht, tek lexon këtë këndvështrim duhet të kihet parasysh se nevojitet një ballafaqim me faktet si dhe duhet konsideruar fakti që Einhard kishte një vlerësim shumë të madh për mbretin, të cilit i shërbeu me aq shumë besnikëri; gjithsesi, përshkrimi i tij shërben si një pikënisje shumë e mirë për të kuptuar njeriun që u shndërrua në legjendë.

Charlemagne pati pesë gra dhe ai kishte gjithashtu shumë gra jashtë kurore si dhe shumë fëmijë. Pothuajse gjithmonë ai e mbante familjen e tij të madhe pranë vetes, dhe herë pas here merrte të paktën bijtë e tij me vete në fushatat ushtarake dhe në beteja. Charlemagne respektonte Kishën Katolike aq shumë sa mblidhte para dhe ia dërgonte (një akta avantazhi politik, po aq sa edhe nderimi moral), megjithatë ai asnjëherë nuk iu nënshtrua tërësisht ligjit fetar. Ishte pa asnjë dyshim një njeri që ndiqte vetëm rrugën e tij.

MBRETI

Babai i Charlemagne, pepin III ndoqi traditën dhe e ndau mbretërinë e tij në mënyrë të barabartë ndërmjet dy bijve të ligjshëm. Ai i dha Charlemagne zonat rrethuese të Frankland, duke i dhuruar hapësirën e brendshme dhe më të sigurtë djalit të tij më të vogël, Carloman. Vëllai më i madh tregoi se ishte në lartësinë e detyrës për t'u përballur me provincat rebele, por Carloman nuk ishte një udhëheqës ushtarak. Në vitin 769, ata bashkuan forcat për t'u përballur me një rebelim në Aquitaine: Carloman nuk bëri praktikisht asgjë, dhe Charlemagne e shtypi rebelimin praktikisht pa ndihmën e tij. Një gjë e tillë nisi të shkaktojë shumë tension mes dy vëllezërve, të cilin nëna e tyre, Berthrada arriti ta zbusë deri në ditën kur Carloman vdiq, në vitin 771.

PUSHTUESI

Ashtu si i ati, dhe gjyshi i tij përpara tij, Charlemagne e zgjeroi dhe konsolidoi kombin frëng me forcën e armëve. Konfliktet e tij me Lombardinë, Bavarinë dhe Sakronët jo vetëm zgjeruan territoret që ai kishte nën kontroll, por shërbyen gjithashtu për të forcuar ushtrinë franke. Veç kësaj, fitoret e tij të shumta dhe mbresëlënëse bënë që ai të fitonte respektin maksimal të fisnikërisë së tij, ashtu si edhe frikën e përzierë me nderim - falë zgjidhjes së tij përfundimtare në saksoni - e madje edhe frikën e popullit të tij. Shumë pak vetë ishin në gjendje të sfidonin apo kundërshtonin një udhëheqës kaq të fuqishëm ushtarak.

Pasi kishte pushtuar më shumë territore se çdo monark evropian tjetër i kohës së tij, Charlemagne u detyrua që të krijojë pozicione të reja dhe të përshtasë zyrat e vjetra për t'iu përgjigjur nevojave të reja. Charlemagne ua delegoi autoritetin provincave të udhëhequra nga fisnikë frankë. Megjithatë, ai e kuptonte gjithashtu se popujt e ndryshëm që kishte bashkuar në një komb të vetëm ishin ende pjesëtarë të grupeve të ndryshëm etnikë, dhe kështu që mbreti i madh lejoi secilin grup që të ruante ligjet e vet në zonat ku jetonte. Për të garantuar drejtësinë, ai kërkoi që ligjet e secilit grup të shkruheshin dhe të imponoheshin me kujdes. Nga ana tjetër, Charlemagne nxirrte me vulën e tij edhe dekrete, të cilët duhej të zbatoheshin në të gjithë mbretërinë e tij, pavarësisht nga përkatësia etnike.

E, ndërkohë që shijonte jetën në oborrin e tij mbretëror në Aachen, ai gjithsesi mbante një sy nga delegatët e tij përmes Missi dominici, që kish për detyrë të inspektonte provincat dhe të raportonte më pas në oborrin mbretëror. Missi ishin përfaqësues ishin përfaqësues të mbretit dhe ata vepronin gjithnjë me autoritetin e tij.

Kuadri bazë i qeverisë karolingiane, ndonëse aspak i ngurtë apo universal, i shërbente mbretit shumë mirë, sepse në të gjithë rastet pushteti buronte nga vetë Charlemagne, pra pikërisht nga njeriu që kish luftuar dhe kish nënshtruar kaq shumë popuj rebelë. Ishte reputacioni i tij personal që e bënte Charlemagne një udhëheqës efektiv; pa kërcënimin e armëve prej mbretit luftëtar, sistemi administrativ që ai kishte ndërtuar do të ishte shembur, ashtu si ndodhi në të vërtetë më vonë.

PADRONI I DIJES

Charlemagne nuk ishte një njeri i letrave, por ai e kuptonte shumë mirë vlerën e arsimit dhe shihte se ishte në rënie. Kështu që, mbreti mblodhi në oborrin e tij disa prej mendjeve më të ndritura të kohës, mes të cilëve Aquin, si dhe Paulin dhe biografin e tij Einhard. Charlemagne sponsorizoi manastirë ku ruheshin dhe kopjoheshin libra të lashtë. Ai reformoi shkollën e pallatit mbretëror dhe kërkoi që në të gjithë mbretërinë e tij të ngriheshin shkolla manastiresh. Idesë së të mësuarit iu ofrua tashmë një vend për të lulëzuar.

Kjo 'rilindje karolingiane" ishte një fenomen i izoluar. Dija nuk është se mori zjarr në të gjithë Evropën. Vetëm në oborrin mbretëror, manastirët dhe shkollat pati një fokus të vërtetë në drejtim të arsimimit. Megjithatë, për shkak të interesit të Charlemagne në ruajtjen dhe rigjallërimin e dijes, një pasuri e tërë dorëshkrimesh të lashtë u kopjuan për brezat e ardhshëm. Po kaq i rëndësishëm ishte fakti që u krijua një traditë e të mësuarit dhe e dijes në komunitetet e manastireve evropianë që alcuin dhe St. Boniface përpara tij kishin kërkuar ta arrinin, duke mposhtur rrezikun e zhdukjes së kulturës latine. Ndërkohë që, izolimi i tyre nga Kisha Katolike dërgoi drejt rënies manastirë të famshëm irlandezë, manastirët evropianë u konsoliduan tashmë si ruajtës të dijes falë pjesërisht mbretit frank.

PERANDORI

Ndonëse Charlemagne kishte ndërtuar me siguri një perandori të vërtetë deri në fundin e shekullit të tetë, ai nuk mbante titullin e perandorit. Tashmë ekzistonte një perandor në Bizant, një që konsiderohej se mbante titullin në të njëjtën traditë si Perandori romak Kostandin, dhe emri i të cilit ishte konstandini VI. Ndërkohë që nuk ka asnjë dyshim, se Charlemagne ishte i vetëdijshëm për arritjet e tij sa u përket territoreve të pushtuar dhe një forcimi të mbretërisë së tij, është shumë e dyshimtë, nëse ai kërkoi ndonjëherë të konkuronte me bizantinët apo madje, nëse ndjeu ndonjëherë nevojën që të pretendonte një titull të famshëm përtej atij "Mbret i Frankëve".

Kështu, kur papa Leo III i bëri thirrje atij për ndihmë kur u gjend përballë akuzave për simoni, shkelje betimi dhe tradhëti bashkëshortore, Charlemagne veproi me shumë maturi. Zakonisht, vetëm Perandori romak ishte i kualifikuar për të gjykuar në lidhje me një Papë, por kohët e fundit Konstandini V i ishte vrarë dhe gruaja që ishte përgjegjëse për vrasjen e tij, e ëma e tij tashmë qëndronte në fron. Qoftë, sepse ajo ishte një vrasëse, apo me më shumë gjasa, për arsye se ishte grua, Papa dhe udhëheqës të tjerë të Kishës nuk e konsideruan të përshtatshme që t'i bënin apel Irenës së Athinës për të gjykuar. Në vend të kësaj, me miratimin e Leos, Charlemagnes iu kërkua që të kryesonte dëgjesën e Papës. Në 23 dhjetor të vitit 800 ai pranoi dhe Leo u pastrua nga të gjithë akuzat.

Dy ditë më vonë, teksa Charlemagne po ngrihej nga luftja në meshën e Krishtlindjeve, Leo i vendosi atij një kurorë në kokë dhe e shpalli Perandor. Charlemagne ishte i zemëruar dhe më vonë ai është mësuar të ketë thënë se në qoftë se do të dinte se çfarë kishte Papa në mendje, ai nuk do të kishte hyrë kurrë në kishë atë ditë, edhe pse bëhej fjalë për një festival kaq të rëndësishëm fetar.

Eshtë e dyshimtë që Charlemagne e kish problem të qenurit një perandor; ndonëse ai nuk e përdori asnjëherë titullin "perandori i shenjtë romak" dhe bëri të pamundurën për të zbutur bizantinët, duke përdorur frazën: "Perandor, Mbret i frankëve dhe Lombardëve". Në vend të kësaj, ishte dhurimi i titullit nga Papa si dhe pushteti që ai i jepte Kishës mbi Charlemagne dhe udhëheqësit e tjerë laikë që e shqetësonin në të vërtetë atë. Nën këshillat e një prej këshiltarëve të tij më të besuar, studiuesit Alcuin, Charlemagne injoroi kufizimet e imponuara nga Kisha mbi pushtetin e tij dhe vazhdoi të ecë në rrugën e tij si udhëheqës i Frankland, që tani zinte një pjesë shumë të madhe të Evropës. Tashmë në perëndim ishte krijuar dhe konsoliduar koncepti i perandorit dhe ai do të merrte një domethënie dhe rëndësi edhe më të madhe në shekujt që do të vinin.

TRASHËGIMIA

Ndërkohë që, Charlemagne bëri përpjekje për të rizgjuar një interes në dijen dhe për të bashkuar grupe të shpërndarë në një komb të vetëm, ai asnjëherë nuk u mor seriozisht me vështirësitë teknologjike dhe ekonomike që haste Evropa tani, që Roma nuk siguronte më homogjenitet burokratik. Rrugë dhe ura u vjetëruan dhe shembën, tregtia me lindjen e pasur u frakturua, dhe prodhimi ishte tashmë një zeje e lokalizuar dhe jo një industri e zgjeruar dhe fitimprurëse.

Por këta janë dështime vetëm nëse mendon se qëllimi i Charlemagne ishte të ndërtonte Perandorinë Romake. Që ky ka qenë qëllimi i tij, kjo është në rastin më të mirë, e dyshiimtë; Charlemagne ishte një luftëtar frank me të kaluarën dhe traditat e popujve gjermanikë. Sipas standardeve të tij dhe atyre të kohës kur ai jetoi, ai pati vërtetë një sukses të madh. Fatkeqësisht, është pikërisht një prej këtyre traditave që solli kolapsin e vërtetë të perandorisë karolingiane: ndarja e barabartë e tokës mes trashëgimtarëve.

Charlemagne e trajtoi perandorinë si pronën e tij personale për ta shpërndarë ashtu si e shihte ai të arsyeshme dhe e ndau mbretërinë në mënyrë të barabartë mes bijve. Ky njeri vizionar, për në herë të vetme nuk arriti të shohë një fakt shumë domethënës: se ishte pikërisht mungesa e zbatimit të kësaj tradite që bëri që perandoria e tij të zhvillohej në një fuqi të vërtetë. Charlemagne jo vetëm që kishte të gjithë Frnklandin për vete pas vdekjes së vëllait; babai i tij, Pepin ishte bërë gjithashtu sundimtari i vetëm kur vëllai i tij kish hequr dorë nga froni për të hyrë në një manastir. Frankland kish njohur tre udhëheqës të njëpasnjëshëm personalitetet e fortë të të cilëve, bashkë me aftësitë administruese dhe mbi të gjitha qeverisja e vetme e vendit e shndërruan perandorinë në një fuqi të begatë.

Fakti që nga të gjithë trashëgimtarët e Charlemagne, vetëm Luigji fanatik i mbijetoi atij do të thotë shumë pak; Luigji ndoqi edhe ai traditën e ndarjes së barabartë dhe, veç kësaj, pothuajse i vetëm sabotoi perandorinë, duke qenë pak si shumë fanatik. Brenda një shekulli pas vdekjes së Charlemagne në 814, Perandoria karolingiane ishte ndarë tashmë në dhjetëra provinca të udhëhequra nga fisnikë të izoluar, të cilët nuk patën aftësinë të ndalnin pushtimin prej vikingëve, saraçenëve dhe magjarëve. Megjithatë, pavarësisht gjithë këtyre, Charlemagne e meriton të quhet "i Madh". Si një udhëheqës ushtarak shumë i aftë, një administrator inovator, një promovues i dijes dhe një figurë politike domethënëse, Charlemagne qëndronte mbi të gjithë bashkëkohësit e tij dhe ai ndërtoi një perandori të vërtetë. Ndonëse ajo perandori nuk zgjati, ekzistenca dhe udhëheqja e saj ndryshoi fytyrën e Evropës në mënyra të tilla sa mbresëlënëse, aq edhe mendjeholla, që ndihen edhe sot e kësaj dite.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora