E shtune, 20.04.2024, 01:09 PM (GMT+1)

Faleminderit

Tomë Mrijaj: Ndoc Mirakaj (1919 – 1949) – Pinjolli i denjë i familjes zëmadhe

E shtune, 13.12.2008, 05:08 PM


Ndoc Mirakaj (1919 – 1949)
Ndoc Mirakaj (1919 – 1949) – Pinjolli i denjë i familjes zëmadhe

Nga Tomë Mrijaj, New York

Mes bjeshkëve kreshnike të malësive Veriore të Shqipërisë, në votrat e moçme të kullave shumëshekullore të krahinës së njohur të Pukës nga lashtësia deri në ditët tona, kanë jetuar brez mbas brezi njerëz të pushkës dhe besës, të traditës, dokeve dhe zakoneve etnike të lashta, respektues korrekt të Kanunit të Lekë Dukagjinit (variantit të Kanunit të Pukës), bujarë dhe kulturdashës, patriot e luftëtarë të vendosur të lirisë së trojeve etnike shqiptare qysh nga koha e barbarëve turq dhe deri me përmbysjen e komunizmit në Shqipëri, duke mbetur kësisoj historia dhe krenaria e trevave tona më të mira.

Qyteti i Pukës me rrethina, shtrihet në pjesën qendrore të Shqipërisë së Veriut, një krahinë që për nga historia e lashtësisë përfshihet brenda trevës veriore të fisit pirust, si njerëz punëtorë dhe përpunues të metaleve…, meqenëse zona kishte dhe ka shumë pasuri minerale dhe sot një siperfaqe të madhe mbuluar me pyje, që janë mushkëri të gjelbërta të natyrës kreshnike alpine.

Gjatë shekujve të kaluar deri në ditët tona, në Iballë të Pukës, kanë jetuar njerëz punëtorë e atdhetarë të mirë, klerikë katolikë dhe laikë përparimtarë. Në odat e kuvendeve të burrave me emër të familjeve të njohura të Iballës, ka jetuar edhe familja e mirënjohur e Mirakajve.

Ndër të parët e Besëlidhjes të shtatë bajrakëve të Pukës ishte edhe gjyshi i Ndoc Kolë Bibë Mirakës, Bibë Ndoja Mirakaj i Iballës. Vetë nipi i tij Ndoci, ka një histori shumë interesante, që është e lidhur me vetë krahinën dhe trojet shqiptare.

Meqenëse gjatë kohës së rregjimit komunist në Shqipëri (1944 – 1990), gjithnjë është hedhur baltë e denigruar nga historiografia komuniste Dera e mirënjohur e Mirakajve të Iballës, e cila dha shumë luftëtarë e martir kundërkomunist, në mënyrë modeste dhe me fakte historike, do të mundohem të hedh dritë mbi historinë e lavdishme të Mirakajve dhe në veçanti të gjyshit Bibë Ndoja, dhe djemëve të tij: Kolë Bibë Mirakaj, i cili ndërroi jetë në klinikën Fordham në New York (më 17 maj të vitit 1968), ish - Ministër i Punëve të Brendshme në vitin 1941 – 1944, kur trojet etnike shqiptare ishin të bashkuar; udhëheqësi dhe ndërlidhësi mes forcave të rezistencës kundërkomuniste në linjën Kosovë – Shqipëria e Veriut, atdhetari liridashës Pashuk Bibë Mirakaj, vrarë në malet e Shqipërisë së Veriut në vitin 1946; Pal Bibë Mirakaj, mbylli sytë në New York në vitin 1978, udhëheqës i çetave kundërkomuniste për 7 vjet në malet e ashpra të Shqipërisë së Veriut,

Është diçka tepër origjinal fakti, se nga kjo derë kanë dalë burra trima, që vepronin kundër rregjimit komunist të Tiranës së kuqe. Ata vepronin me energji dhe vendosmëri në luftimet që zhvilloheshin në zonën e Pukës dhe Tropojës, kundër forcave të ndjekjes partizane, që kishin ardhur nga Shqipëria e Jugut të udhëhequr nga Shefqet Peçi, Mehmet Shehu, Adil Çarçani, Ramiz Alia, komandanti i Brigadës VIII partizane Petrit Dume etj.

Çetat nacionaliste demokratike kundërkomuniste si udheheqës kishin tre komandant nga e njëjta familje me emrin e njohur Mirakaj dhe njëkohsisht me dhjetra djem të tjerë po të kësaj familje, që luftonin në male me heroizëm, duke shkruar gjithnjë faqe të lavdishme në historinë e lëvizjes kundërkomuniste në gjithë Shqipërinë dhe në veçanti në zonën kundërkomuniste të Veriut.

“Në Shkodër u bë përpjekja e fundit për bashkimin në një front të të gjithë forcave kundërkomuniste, që mund të përballonte mësymjen komuniste. Kështu u kirjua “Lidhja e Shkodrës”, e cila donte të shpëtonte Shkodrën nga anarkia dhe t’i bashkonte forcat luftarake në një qëndresë dhe në luftë kundër veprimit komunist jugosllavo - shqiptar… Duke e parë që s’mund të vazhdonte dot një luftë frontale Kapidan Mark Gjon Marku, më 28 dhjetor në Kukës të vitit1944 shpërndau forcat e shumta të luftëtarëve të krahinave të tjera, që të vazhdonin luftën me çeta të vogla në zonat e tyre: … Prenkë Gjergji në Lumë, Pashuk dhe vëllai Pal Bibë Mirakaj në Pukë, Gjergj Nikolla dhe Pjetër Llesh Lalaj në Kurbin, Alush Leshanaku në Elbasan etj…”, shkruan studiuesi bashkëkohor Uran Butka, në librin e tij: “Lufta Civile në Shqipëri 1943 – 1945” (Shtëpia Botuese Drier, Tiranë, Dhjetor 2006, f. 548)
Në këtë udhë vijoi pa ndërprerje dhe me vendosmëri Ndoc Mirakaj, komandant i çetave të renzistencës kundërkomuniste për 4 vjet me pushkë në dorë, duke kryesuar forcat e rezistencës në zonën e Pukës. Ndoci si kundërkomunist i rregjimit të diktatorit Enver Hoxha, ishte i vendosur të luftonte deri në vdekje sikurse të gjithë trimat e malëve.

Studenti i inxhinierisë në Universitetin e Torinos në Itali Ndoc Mirakaj, la auditoret e famshme për t’i ardhur në ndihmë atdheut të vet, që po kërcënohej nga kthetrat e komunizmit të zi. Ai luftoi me vendosmëri deri në fishekun e fundit, duke mbetur martir i vendit të vet.

Sot me krenari mund të themi se Dera e Mirakajve të Iballës së Pukës dhe më i riu i tyre Ndoc Mirakaj, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme gjatë periudhës së Luftës Kundërkomuniste dhe mbas saj në historinë e krahinës dhe të vetë popullit shqiptar.

Bibë Ndoj Mirakaj

Nëse do të shohim me kujdes faqet e lavdishme të historisë së popullit tonë dhe në veçanti atë të krahinës së Pukës, ndër emrat e shumtë të luftëtarëve kundërturk të Perandorisë Otomane, një emër të mirë ka edhe biri i Iballës Biba i Mirakajve, duke e kthyer kullën e tij në sofër të flaktë të atdhetarizmit dhe lirisë nga kthetrat shumëshekullore të osmanllinjve.

Me sa kam mundur të lexoj dhe mësoj nga disa antarë të Derës së Mirakajve, që për shumë vite jetojnë në Amerikë, e përshkruajnë Bibën, si një burrë të gjatë si lisat e bjeshkëve, i veshur hijshëm me kostumin tradicional popullor të krahinës së Pukës, me pushkën gjithnjë të mbushur me barut, kuvendar dhe njohës shumë i mirë i dokëve e zakoneve jo vetëm të zonës së tij të vendlindjes por edhe më gjërë, tregimtar dhe gojëtar i ëmbël, njohës shumë i mirë i figurave kryesore të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, që i kanë mbajtur gjallë ndjenjën e flaktë të dashurisë për atdheun e krenarinë e të qënurit shqiptar etj.

Në odën e burrave të Derës së Mirakajve gjithnjë është folur për fatet e atdheut, mbarëvajtjen e shtatë bajraqeve të Pukës dhe mirëkuptimi me zonat e tjera më gjërë përtej Kanunit të Pukës, organizimin e forcave kryengritëse kundër Portës së Lartë Turke, zgjimin e ndërgjegjës kombëtare çlirimtare tek rinia e zjarrtë e Pukës dhe zonave përreth, mirësinë dhe mirëkuptimin, që duhet të ekzistojë midis shqiptarëve dhe se armiku kryesor nuk janë shqiptarët në hasmëri por pushtuesit e huaj shumëshekullorë turq. Ishte shumë tolerant dhe mjeshtër i hollë i mirëkuptimit ndër bashkëvendasit dhe miqtë e shumtë që e vizitonin ose kishin kontakte pune dhe ideale të përbashkëta atdhetare.
Këtu më poshtë po citoi një shkrim të bashkëvendasit të tij, Mark Frrok Bajraktari, nga Bugjoni i Pukës, botuar në “L’Albanie Libre” (Shqipnija e Lirë), Organ i Blokut Kombëtar Indipendent (28 Nëntor 1961, f.2), ku në artikullin me titull: “Kontributi i Pukës për Pavarsi” Mark F. Bajraktari, ndër të tjera shkruan:
“Me kujtohet si sot kur në kullën tonë në Bugjon të Pukës u mblodhen burra të zgjedhun të vendit të inspirum nga Bib Ndoja, i cili me vete kishte sjell disa armë: 20 maulihere greke disa martina e municion që ishin të pamjaftueshme për të luftue kundër nji garnizoni rreth 3000 astjeresh (ushtarësh) të paisur me topa e mitraloza me komandant njifar Qafziu, që ishin të stacionuem në Pukë. Këta burra të pranishëm në krye me Bib Ndojen ishin: Pjetër Ndue Prendi i Bedishes, Hajdar Nimani i Bugjonit, Shyt Gjergji i Firzës, Frrok Kol Pemati i Iballës, Zenel Aga, Ndrek Markiq Doda i Berishes dhe babai im Frrok Bajraktari. Aty u vendos që pa hezitim të shkojn në Mal të Zi për të bler municion e arm të tjera.
Bib Ndoja, Frrok Bajraktari, Hajdar Nimani me 47 djem të tjerë u nisen për Mal të Zi, ku pa vones u kthyen mal në mal në Bugjon dhe çitën kushtrimin në shtat bajrakët e Pukës dhe u organizuan në luftë kundër turkut, ku munden me i thy forcat turke dhe me 29 nëntor të vitit 1912 Don Gasper Thaqi ngriti flamurin kuq e zi, tuj e mbajt nji fjalim të përmallshëm para kryengritësve te Kisha e Qelzës.”

Atdhedashuria rrugë e përbashkët e Mirakajve

Rrugën e të atit Bibë Ndojës e filloi më vonë i biri Kolë Bibë Mirakaj në vitin 1941 si komandat i aftë që më zgjuarësi dhe largpamësi udhëhoqi forcat vullnetare liridashëse patriotike kundër sulmeve shoviniste çetnike serbe dhe malazeze (ish - jugosllave), që me furi kishin depërtuar në pjesën veriore të territorit të Shqipërisë. Ata i dolën zot Shkodrës heroike, që u bë vatra e përpjekjeve dhe luftrave për liri dhe pavarësi, përmes pushkës dhe pendës së dhjetra patriotëve ndër shekuj.
Në këtë luftë të përgjakshme kundër forcave serbo – malazeze Kolë Bibë Mirakaj, mori plagë të rëndë në këmbën e majtë dhe me ndihmen e Prendush Colit nga katundi i Midhës në Pukë mundi të shpëtoi nga vdekja e sigurtë. Ky lufëtar e mori në shpinë dhe e largoi nga fronti i parë i luftim, duke i ardhur në ndihmë dhe shpëtuar kështu jetën komandantit të vet.

Edhe në vitet e mëvonshme Kolë Bibë Mirakaj luftoi për idenë dhe bashkimin praktik të trojeve etnike shqiptare, duke ia lënë këtë amanet edhe Ndocit të ri. Qysh fëmijë atij i pëlqente të dëgjonte dhe fliste për legjendat e trimërisë së bijve më të mirë të tokës së Arbërit ndër shekuj. Janë këto kushte që i zgjojnë atij krenarinë e atdhedashurisë, duke i inspiruar ndjenjat dhe mendimet e para kombëtare.
Në kujtimet e veta atdhetari dhe këshilltari i Blokut Kombëtar Indipendent intelektuali vlonjat Ago Agaj, për bashkëvuajtësin dhe antarin e Kryesisë së Blokut Indipendent të ndjerin Kolë Bibë Mirakajn, shkruan:

“Në shkollë të Shkodrës këto ndjenja u kultivuan dhe u rrënjosën thellë prej mësuesit të madh të tij, të pavdekshmit At Gjergj Fishtës t’onë. Më vonë u bë vet arsimtar dhe kjo qe koha ma e lumtur e jetës së tij, se andërronte që ndjenjat e tij kombëtare do t’ua shtinte në shpirt gjithë nxansavet të cilët vit për vit vinin tue u shtuar dhe aji me fantazin e tij të gjallë e shifte Shqipërinë të lulëzuar e të përparuar me anën e atyre filizave… Po ky burrë pati një cilësi shumë të rrallë, atë cilësi që poeti e filozofi universal Goetheja e shprehu kështu: “Ma i madh se fati asht ai që duron pa u tronditur”, dhe ky, si në të mirë dhe në të keqe, mbeti ai që: lartësia nuk ia turbulloi mendjen, nuk e bëri madhështor e qibar dhe e keqja nuk e përkuli. Trim e pris i lindun, shpëtoi jetën e shumë shqiptarëve në kohën ma të rrezikshme të dyndjes së armatave ruse e nën breshërin e artileris e të bombave të fluturakëve në Vjenë. I ndershëm deri në palcë, nuk mundi t’a korruptonte askush dhe qëndroi i varfër dhe ballëhapët e faqebardhë. Bujar në shpirt, rrezikoi edhe veten për të mbrojtur të përsekutuarit e pafaj si p.sh. izraelitët e Shqipërisë. Orator i shquar plot guxim e dinjitet, u ban përshtypje autoriteteve të kampit ku ishin mbledhur refugjatët e mjeruar të kombit tonë, dhe i detyron të mos marrin masa të ashpra kundër shqiptarëve… I lidhur me Atdhenë e vet ngushtësisht të cilin e kish larë me gjakun e tij, të vëllait dhe të birit ma të madh dhe shumë të tjerë të fisit të tij si ndoshta askush nga neve të tjerët, nuk donte të largohej nga buza e Adriatikut, se i dukej që sikur valët e këtij e mbanin të lidhur më Atdhenë e tij, thosh përhera: “Kur të detyrohem të largohem shumë nga Shqipëria, asht ma mirë të vdes”.” (Ago Agaj, “Salikimi i Kolë Mirakajt”, “Shqipnija e Lirë” Organ i Blokut Kombtar Indipendent 15 gusht 1968, f. 4)

Ndoc Kolë Mirakaj lindi në vitin 1919, në vendlindjen e tij Iballë të Pukës, ku dhe kaloi fëmijërinë e vet. Në familje mori një edukatë të shëndoshë atdhetare dhe kulturdashëse. Familja duke parë talentin dhe prirjet e djalit të vogël Ndoc, e dërgojnë në qytetin e kulturës së lashtë e bashkohore asokohe në Shkodër, për të vijuar shkollën fillore dhe më pas ato të mesmet në të njëjtin qytet. Në gjimazin e famshëm të qytetit veriperendimor përfundon studimet e shkollës së mesme, duke spikat me rezultatet të larta në mësime.

Prirja e tij për shkencat ekzakte dhe posaçërisht per fushën e inxhinerisë, bën që adolishenti pukjan Ndoc Mirakaj, të nisej për studime të larta universitare në Universitetin e Torinos në Itali, në degën e Inxhinjerisë Politeknike, të cilin e mori me shumë pasion.

Gjatë kohës së pushimeve verore, ai kthehet në qytetin e dashur të tij Shkodër, ku takohet me miqtë dhe shokët e vet. Sporti ishte një hob i tij. Me not në ujërat e qeta të liqenit të Shkodrës, ujërat e ftohta të lumit Kir dhe lumit fushor Buna ushtron sportin e bukur të notit. Futbolli që për herë të parë filloi të luhet në lagjet dhe rrugicat e qytetit të Shkodrës qysh prej vitit 1905 e tërheq shumë dhe luan gjatë gjithë kohës që kishte orë të lira, duke u zbavitur me shokët e shkollës dhe bashkëmoshatarët e tjerë shkodranë. Shpesh ai vraponte me një grup shokësh, sepse i pëlqente shumë atletika, duke përshkuar me vrap qytetin dhe periferinë e saj. Ai kishte një trup sportive dhe gëzonte shëndet të plotë.

Stina e verës dhe të papriturat

Për Ndocin sikurse edhe për shumë të rinjë shkodranë dhe pukjanë filluan të papriturat, që vinin nga partizanët, që gënjenin me propagandë komuniste popullin shqiptarë. Ndoci e dinte shumë mirë se kush ishin komunistët, mbasi në Itali kishte lexuar përmes mediave krimet që bolshevikët e Rusisë kishin filluar të bënin mbi kundërshtarët politik të rregjimit komunist. Ai bisedonte me shokët e vet dhe këto ide kundërkomuniste i shprehte hapur në publik, takime me miqtë e tjerë në Veri e Jug të Shqipërisë.
Komunizmi kjo murtajë e keqe e popujve demokratik, kishte filluar të shtrinte tentakulat kanceroze tek njerezit me nivel të ulët kulturore dhe shtresa e varfër e popullit shqiptar, të cilët filluan të bëhen vegla çorre të propagandës së diktaturës së proletariatit. Vetë fjala diktatura e proletariatit, nuk kuptohej sa duhej nga një pjesë e mirë e popullsisë në disa zona të Shqipërisë së Veriut, ndërsa në Jug të saj kjo ideologji pothuajse ishte bërë sunduese dhe përkrahej.

Partizanët kishin mundur përmes luftës civile, traktateve ose fletërrufeve luftënxitëse të ekspozuar në murë në lagjet dhe rrugicat e qyteteve të Shqipërisë, përmes shtypit të tyre mashtrues “Zëri i Popullit” (1942), vrasjeve, propagandës së shfrenuar dhe denigruese shpifëse ndaj kundërshtarëve politikë në Shqipëri, të gjenin një shtrat të përshtatshëm për mbështetjen e tyre.

Komandantët e tyre partizanë, vinin nga familjet me karakter të dobët. Një pjesë e fëmijëve të tyre shpesh kishin berë krime, vjedhje, grabitje me armë ndaj qytetarëve, ndiqeshin nga policia para ardhjes së komunistëve në pushtet, ishin tashmë udheheqës në krime të reja si njerëz të hurit dhe litarit (atentator) ushqenin tek ushtarët e tyre partizanë urretjen dhe zemërimin ndaj Veriut të Shqipërisë, ku komunizmi gjeti rezistecën e vendosur me armë në dorë (prej forcave atdhetare nacionaliste), që asnjëherë nuk u pajtuan me rregjimin e ri komunist, që lindi përmes gjakut, u ushqye me gjak dhe u mbajt me gjak martirësh të pafajshëm për 50 vjet.

Në Shqipëri kishte filluar të nuhatej nga largpamësit era e keqe e bolshevizmit komunist, që nga stepet e Siberisë kishte filluar të përhapej si kancer në pjesën më të madhe në Kosovë e Shqipëri. Qeveria e atyre ditëve për të ndalur këtë murtajë shfarosëse e ngarkon të riun plot enërgji e të palodhur Ndoc Mirakajn në krye të lëvizjes kundërkomuniste, një organizatë kjo që kishte si objekt shkatërrimin e qerdheve komuniste në Kosovë, si atyre serbe dhe shqiptare. Ndoci posedonte gjithë përgatitjen e duhur për këtë detyrë të vështirë, shumë speciale dhe tepër të rrezikshme njëkohsisht.

Në vitin 1942 Ndoci filloi punën si udhëheqës i lëvizjes kundërkomuniste në Pejë dhe shumë qytete të tjera të Kosovës, i ndihmuar nga shumë vendas dhe bashkëpunëtorë të tjerë nga Shqipëria. Oratoria e tij dhe bindja e patundur në fitoren kundër komunizmit bën që në gjirin e kësaj organizate të bëjnë pjesë shumë antarë të rinj nga Kosova, duke e zgjeruar shumë aktivitetin e vet.

Duke qene i vetdijshëm se kush ishte idelogjia dhe zbatuesit e diktaturës komuniste që kërkonin ta vendosnin në të gjithë Europën dhe shenjat e saj po shfaqeshin edhe në Kosovë e Shqipëri, për të mos i dhënë kohë e mundësi organizimit të celulave komuniste, që ishin gangrenë e shoqërisë shqiptare, mori masa dhe veproi më ashpërsinë më të madhe. Komunistët ia kishin frikën dhe disa herë kishin organizuar grupet terroriste për të bërë atentat dhe eliminuar fizikisht Ndoc Mirakajn. Emir i tij ishte bërë shumë i njohur në të gjithë Kosovën dhe Serbinë.

Në fund të vitit 1944 me ftesë të udhëheqësve të atyre ditëve ishte kthyer në Shkodër, mbasi njësitet guerrile komuniste kishin depërtuar edhe në këtë qytet. Duhet menduar goditja e tyre dhe eleminuar qysh në embrion. Por komunistët shpesh hidhnin gurin dhe fshehnin dorën. Ata bënin atentate në mes të ditës dhe zhdukeshin në errësirën e natës, duke u strehuar shpesh edhe nga ato pak familje që përkrahnin lëvizjen komuniste në Shkodër dhe Shqipëri.

Rruga konfrontuese me armë në dorë ndaj partizanëve kishte kohë që kishte filluar. Ishin pikërisht çetat partizane që organizonin vrasjet e antarëve të organizatave nacionaliste shqiptare dhe në fletushkat e propagandës së tyre thuhej, se këto krime janë bërë nga ballistët dhe legalistët që ishin edhe njerëzit e Ndoc Mirakës.

Arratisja nga kazermat e Malit të Zi

Një mbrëmje papritur në rrugët e Shkodrës ishte kapur Ndoci nga komunistët dhe meqenëse ky kishte kryer shumë akte në Kosovë me një grup shokësh e kthejnë në Mal të Zi, që shteti jugosllav ta dënoj, për masat ndeshkuese që kishte bërë ndaj komunistëve në at vend. Kështu në Titograd (sot Podgoricë) i futën të gjithë të arrestuarit në një kazermë të madhe, për të pritur një urdhër të ri nga eprorët që kishin dhënë urdhër për arrestimin e tyre.

Ndoci i zgjuar e kishte nuhatur rrezikun, që po i trokiste atij dhe shokëve të vet të arrestuar. Ai filloi të bëj një plan për arratisje. Çdo moment studionte me vëmendje vendin dhe mendoi se muri rrethues mund të kapercehej pa problem nga të gjithë shokët e tij të ri në moshë.

Ishte një natë e errët pa hënë dhe dritë. Ndoci me qetësi i kërkon rojeve të kazermës për të dalë për të kryer nevojat përsonale. Ashtu i lidhur me pranga të vjetra sikurse ishte u shoqërua nga rojet, merr turr dhe me një kërcim prej kaprolli kapërcen lartësinë e murit. Të gjithë shtangen në vend nga habia dhe rojet nuk u besojnë syve të tyre. I arrestuari me aq mund e sakrifica u kishte shpëtuar sa hap e mbyll sytë. Ata të gjindosur se gjahu i tyre i shtrenjtë u kishte ikur nga duart ulërijnë si të çmendur. Menjëherë rojët mbushin armët dhe fillojnë të qëllojnë në mur, por tashmë Ndoci u kishte lënë hijen dhe ishte futur me shpëjtësi falë errësirës pus të zi, në pyllin e dendur.

Prej Podgoricës, i porsaarratisuri Ndoc Mirakaj drejtohet menjëherë për në katundin Kastrat të Malësisë së Madhe, ku gjen strehim dhe mikpritje tek miku besnik i tij i ngushtë Gjon Martini, një mik i shtrenjtë i familjes Mirakaj të Iballës së Pukës. Gjon Martini tek e sheh ashtu të lodhur por buzagaz menjëherë ia liron duart nga prangat i jep ushqim, veshmbathje dhe armë dhe sipas dëshirës së Ndocit e përcjellë deri në qytetin e Shkodrës. Aty ai vihet në kontakt me kunatin e vet Ndoc Ejllin.

Forcat e Sigurimit të shtetit në qytetin e Shkodrës lajmërohen nga ish - jugosllavët se i arrestuari Ndoc Mirakaj ka mundur të largohet me shpejtësi nga kazerma ku ishte vendosur dhe priste të gjykohej me dënim kapital. Kalecat e sigurimit menjëherë vihen në lëvizje për të futur në dorë edhe një herë të arratisurin guximtar Ndoc Mirakajn.

Vetëvrasja për të mos rënë në dorë të komunistëve

Miku i tij Ndoc Ejlli e kupton rrezikun që e priste dhe vetë me Ndocin shkojnë në katundin Bardhaj disa kilometra larg qytetit. Sigurimi vëzhgonte të gjithë të afërmit ose miqtë e Mirakajve që gjendeshin në Shkodër, ku përmes tyre të mund të binte në gjurmët e të arratisurit Ndoc Mirakaj. Ndoc Ejlli, duke e ditur se e kishte ai radhën të arrestohet nga forcat e ndjekjes komuniste, la gjithçka dhe largohet drejt katundit Bardhaj ku takohet me shokun dhe mikun e vet Ndoc Mirakajn.

Këtu dy Ndocat takohen me Shtjefen Geg Gjuren prej katundit Berishë të Pukës, i cili i tërheq që të dy bashkë dhe i çon në katundin Berishë ku kalojnë disa muaj në qetësi larg vëmendjes së forcave të ndjekjes së Sigurimit komunist.

Në mbarim të vitit 1945, Ndoc Mirakaj, bashkohet me axhën e vet Pashuk Bibë Mirakajn e të tjerë luftarë të lirisë nga treva e Pukës. Këtu ai fillon të tregojë aftësitë e tij duke i dhënë një drejtim të shëndoshë luftës kundërkomuniste në Pukë, ku Pashukut i jepet mundësia më e madhe për t’u ndërlidhur me çetat e maleve, që udhëheqëshin asokohe nga komandanti i të gjithë forcave kundërkomuniste në Shqipërinë e Veriut dhe Kosovë nga Kapidan Dr. Mark Gjomarku.

Tashmë Pashuk Bibë Mirakaj ndërlidhet shpesh herë me forcat kundërkomuniste, që vepronin në pyjet dhe malet e Shqipërisë së Veriut dhe në veçanti në Malësi të Madhe, Lumë, Mirditë, Kosovë, ku forcat e shumta vullnetare të lirisë drejtoheshin nga i vëllai i Pashukut Pal Bibë Mirakaj.

Vendtakimi nga të dy anët e kufirit Kosovë – Shqipëri ishte Mali i Pashtrikut (afër Prizrenit), ku Pashuku e njihte shumë mirë këtë terren. Dhe këtu ata takoheshin me udhëheqësit e çetave nacionaliste, si liderët patriotë: Muharrem Bajraktari i Lumës, Profesor Ymer Berishën, Ndue Përlleshin, Ukë Sadikun, Marije Shllakun e shumë të tjerë. Në rend të ditës ishte analiza e situatës në Shqipëri e Kosovë nën rregjimet komunisto – sllave si dhe masat që duhen marrë për përmbysjen e komunizmit në vendet respektive. Gjithë situata shqetësuese asokohe dhe levizjet e komunisteve, përmes lajmëtarëve dhe ndërlidhësve të çetave i dërgoheshin strategut të çetave nacionaliste patriotit kryekomandantit të përgjithshëm kundërkomunist Dr. Mark Gjomarku, i cili jepte orientimet e duhura largpamëse në luftën kundër komunizmit.

Mbas vrasjes së Pashkuk Bibë Mirakajt në vitin 1946, komanda ose drejtimi i çetës kundërkomuniste i kalon Ndocit, i cili, menjëherë shfaq zotësinë dhe aftësinë e tij vepruese në terren. Aktiviteti i tij zgjat 5 vjet deri më 29 gusht të vitit 1949, ku në Boset të Pukës bie heroikisht me bashkëluftëtarët e tij Ndue Përlleshin dhe Ndue Fushën në përpjekje me armë në dorë kundër forcave komuniste.

Ai lufton heroikisht dhe ballë për ballë me forcat e ndjekjes së sigurimit. Ndonëse nuk kishte shumë fishekë, vijon të luftojë duke i shpenzuar granatat dhe fishekët në ballë të partizanëve si një shenjestar i mirë dhe plumbin e fundit, për të mos rënë në dorë të partizanëve e shpraz mbi trupin e tij…

Pavdeksia

Me vrasjen e Ndocit, familja Mirakaj humbi një ndër bijtë me të shtrenjtë të saj, krahina e Pukës dhe qendresa kundërkomuniste humbi prijësin energjik, që kishte vizion dhe cilësi të rralla udhëheqëse. Në këtë kohë komanda e forcave që ende vepronin në krahinën e Pukës, Nikaj - Mertur dhe Tropojë kalon tek Pal Mirakaj, i cili, udhëhoqi këto forca deri në vitin 1951, ku mbas këshillave dhe kontakteve që kishte me të vëllain Kolë Bibë Mirakajn në Romë të Italisë, me anë të radio - transmetueses të drejtuar nga nacionalisti Kolë Çuni, Pali me ata luftatarë që kishin mbetë kaloi në ish - Jugosllavi. Këtu përfundon rezistenca e armatosur në këto krahina.

Ndoc Mirakaj, ishte pinjolli trim i malësorit të trashëguar të një rrace të fortë ndër shekuj, që gjithnjë ushqeu dhe ruajti traditat e kombit edhe kur një pjesë e madhe e bashkëatdhetarëve në rrethana të ndryshme i sollën shpinën Atdheut, duke mohuar traditat, gjuhë e kanunin, mbeti besnik i fesë së të parëve dhe traditave më të mira të kombit tonë, duke i mbrojtur me gjakun e vet të pastër.

Ai si një vigan nën hijën e flamurit kuq e zi (që e mbante gjithnjë në gji) dha jetën si martir i lirisë nga zgjedha e komunistëve barbarë. Me atë instiktin e kjartë e të kulluar të malësorit aktiv Ndoci, si largpamës arriti të kuptoj e dalloj në një çast shumë delikat të jetës politike në Shqipëri, rrugën e përshtatshme për të mbrojtur me jetën e vet interest e larta të kombit tonë. Si djalë i mprehtë nga mendja, me një kulturë të pasur e të thellë, ishte edukuar dhe brumosur me parime të shëndoshta nga ambienti ku kishte lindur dhe rritur, me një karakter të vendosur vazhdoj rrugën e drejtë pa u tërhequr asnjëherë deri sa kaloi në amshim.

Edukata dhe parimet shoqërore, që kishte trashëguar brez mbas brezi, prej gjyshërve dhe stërgjyshëve, ishin për Ndocin një garanci e plotë për të parë larg dhe kjartë dhe kështu ai ndjeku udhën që historia do ta kujtoj përherë me respekt.

Emri i tij është i shkruar sot me germa dhe ngjyrën e gjakut të vet të pastër, që u vetëfliju për vendosjen e lirisë dhe demokracisë ne vendin e tij. Ai me shokë nuk ka vdekur, se dëshmorët që mbesin besnik të idealit, ndërrojnë jetë por nuk vdesin.

Profesorët Ernest Koliqi dhe Prof. Luk Çuni, të cilët kanë emigruar prej shumë vitësh në Itali dhe Australi, kanë shkruar plot ndjenja poezi kushtuar trimit Ndoc Mirakaj, të cilat po i botojmë për lexuesit shqiptarë:

Kanga e Ndoc Mirakës

Prof. Ernest Koliqi

Nga Zoti u vndue mbi rrmore t’ashpra fisi,
paranoj e Prendimit,
dhe rriba e asnji thellimit
rrokull motive s’mujti t’a trondisi.
Vetuen ktu pari e u shemen
t’madhnueshëm Perandorë e t’rrebt Sulltana,
q’ai njofti sa për emën,
mbret tu’ e ndi veten mbi shkambij vigana.

Struk’ n’kulla vetmitare përmbi maje,
buz’ votre shpesh lodhë unit,
ky n’besë i ndei Kanunit
t’stërgjyshave bujarë e s’u ba raje.
Dhe n’shtrëngesa vobsije,
nonse vesh’ n’zhele e mbath’ me t’grisme opanga,
bukën e that me shije
ngrante e i lulzonte n’gojë e gzueshme kanga.
Bylmet prej Perendis, lirija rrnesën
i a melmente edhe gjellën:
breznit n’kët shije u kndellen,
shqip Zotit tue i a sjell’ lutën e shpresën.
Bylmet të pamazitun,
Ate të dhënvet, n’skuta t’çarranikut
e mshefte m’i a gatitun
sofren zotnisht, kur n’der’ trokitte, mikut.
Gjallesën e pa vesk n’kto karpa t’shkreta
kush m’i a lakmue pat mujtun?
Kujt i shkoi n’mend me shujtun
nji fis t’harruem ngujue n’gojdhana t’veta?
E t’patënzonvet frota
qi këlthet: - Epu tmira e kam skamnorit!
ma t’vobtit fis qi bota
njef, der bylmetin ruejt’ për miq i a mori.
Frota e furishme qi frymzon Moskovi
deshti me zhbi n’kto rrmore
doke kanu therore
mbru n’magje qytetnije qi përftovi
Prendimi, se t’pashueshme
hetonte nën vobsi lidhnit jetike
brez n’brez të trashigueshme
Q’e ban’ Shqipnin Europ’s me i ndejt besnike.
Terbue për ploje elternat vu nën themra,
me gjak shou n’votra zjarmin,
tu’ u rrek’ me lnduemun tharmin
e qytetnis s’Prendimit, thadrue n’zemra.
E fisi u mek. N’malsinat
tuj u fikë e qindresës vinte flaka;
kur shungulluen heshtinat
n’nji kushtrim lartushtues. Ish Ndoc Miraka.
Kreshnik i ri, Ti u shfaqe n’megje t’vjetër,
Flakrove ndër sulmine
E doke e trashigime
N’gjak shugurove e u dhae nji shndritje tjetër.
Mbi t’përgjakunat troje
kundra të trentvet dejun n’jerme t’hueja
dole i Shqipnis muroje,
tue çuditun dh’anmiqt me vepra t’hueja.
E vrik rrodhen curril me t’reja hove
t’vleres së moçme gurrat:
për pris Ty t’zgjodhne burrat
dh’epopen e Gjomarkajvet vazhdove.
N’cep të lavdis u ngjite;
jo veç dishmove se je rod’ drangonit
por’ dhe sa rreze drite
lshon nji pinjuell qi rritet n’frym’ t’zakonit.
Egersin gjakatare e t’mnis tërbimin
vlagu i yt i përballi
me at vërtyt n’shpirt qi t’kalli
prindi tue t’msuem urtin e vetmohimin.
As t’i sodumi shkolla,
ato n’qum’sht t’nanës thith’ shkase bujare,
me shllimet e stërholla
Qi nxisin me përbuz’ vetit shqiptare.
E rae deshmuer për komb: veç prap mbi shpate
trimnija e jote e madhe
vezullon ndër aradhe
t’djelmvet qi rrane n’luft mbas thirrjes s’ate;
njashtu, Ndoc, si mbas majesh
n’farfuri t’vet prendon prej mbramjet dielli
arin mbi gjeth lisnajesh
tu’ e resh’ der’ von’ të pavenitun n’qielli.
O Flije e bardhë, amshue ndër kang’ lahute,
zbutim nga Zoti i Epër
n’kob qi na lodhi tepër
lyp se ç’mos kush ndëgjohesh n’ahte lute,
msa t’fisit motra e nana,
o i votrave dalzot’s nder gulma t’tmerit,
derdhin lot ke murana
qi t’mblon, tue sjellun m’nji dafina nderit.
vetëm Arbnor’t per Ty mos t’qajnë e Arbnoret:
t’vajtoj me lot për faqe,
dh’Europa, zoj’ harraqe,
qi s’din sa t’forta i ka n’Shqipni llogoret:
pse, Ndoc, kjo flija e jote
desht, me gojdhana t’ona, t’ruej dh’at keze
qytenije hirplote
q’i xhixhllon n’ball Europ’s plot dritë e rreze.

Kanga e Ndoc Mirakës

Prof. Luk Çuni

Çka kan malet qi gjimojnë?
Djelt e Shqipes ç’po luftojnë!
Ç’po luftojn’o n’at Boset
Ndoc Mirakaj me shok’ t’vet.

Për Ty o Zot, o Zot!
Ç’po vlon lufta sod.
Haj medet, medet!
Per Malsinë ç’e gjet!

Gjimojn’ bjeshkt’ e maj’e Qllumit.
Qaj Ndoc Kola Burr i burrit,
N’ato lugje të Malsisë:
Ball për ballë me klysh t’Rusisë.

Për Ty o Zot, o Zot! etj.

Ball për ball me klysh t’Rusisë;
N’dor’ Flamurin e LIRISË,
Amanet dorzim q’i – a bani,
Mark Gjomarkaj Kapidani.

Per Ty o Zot, o Zot! etj.

Ndoc Mirakaj trim me fletë,
Ça po - u thotë o shokve t’vet:
“M’ka ardh’ dita sod me dekë,
Po – u perbej n’emen t’Shqipnisë
Per t’vazhdue luft’n e Lirisë
Mue t’më leni tuj luftue,
Ju shtek t’gjeni per me pshtue.”

Per Ty o Zot, o Zot! etj.

Sa ngusht shokt jan’ gjet’ n’at rend,
Duen me dekë, Ndoci s’i len.
Ndue Perlleshi i Lugut Drinit
Asht përbë m’Zan’ t’Lubotinit.

Per Ty o Zot, o Zot! etj.

Asht përbë me lot nder sy:
“O vras veten o des me ty”.
T’njatën be n’Zot e n’Hyll t’Dritës
Ban Ndue Nikolli i Kthells’ Mirditës.

Per Ty o Zot, o Zot! etj.

T’tjervet Ndoci u ka përbe:
“Pash’ njat Zot qi rrin mbi ne,
T’gjeni shtek me dal’kti shpati,
Kur un t’madhe t’hallakati.
E me bomba ksaj shpatinë
T’bie m’anmik si gjeraçinë,
Pushk’ e zjarm e tym e fkalë,
Shtek pa tjetër kam m’u hapë.

Per Ty o Zot, o Zot! etj.

“S’due qi n’dorë t’klyshve t’Rusisë,
T’bien Flamuri i Lirisë
Sod djelmoça due të pshtoni;
Der n’fitim luftën t’vazhdoni.”

Per Ty o Zot, o Zot! etj.

“E si mue tash pes vjet,
Axhës Pali –amanet
T’i ndigjoni o burra t’Dheut;
Per Liri e nder t’Atdheut.

Per Ty o Zot, o Zot! etj.

“Bacit t’im atje n’gerbet,
Çoni fjalë te bajn’ gajret,
T’bajnë gajret, t’qindrojn’ per mue.
Sod po des si Aj m’pat msue.

Per Ty o Zot, o Zot! etj.

“Djalin, Bac, kujtim po t’la,
Me m’a rritë e burr m’e ba;
E n’vyrtyte me m’a msue,
Me at kujdes qi rrite mue.

Per Ty o Zot, o Zot! etj.

“Sod Atdheut – i kjosha falë
Kërkon t’des per Te – i ri djalë!
Le t’a dije i gjith Dheu,
Edhe n’Qiell vet’ Skenderbeu.

Per Ty o Zot, o Zot! etj.

“Le t’shkojn’ zani Rrokullisë
Si Petritat e Shqipnisë,
Per Liri Atdhe e Fe,
Dinë të desin si me le.”

Per Ty o Zot, o Zot! etj.

Zotit Madh i kjoshim falë!
Per ball Ndoci kur ka dalë,
Tue – i qit syni zjarm e shkndi.
Të dy shok’t i shkojn per bri.

Per Ty o Zot, o Zot! etj.

Mbi anmik rrfeja – u ndez zhari.
Ndue Perlleshi met ma – i pari,
Ndue Perlleshi ball per ball;
Ngjit mbas ti Ndoj m’i ri djal.

Per Ty o Zot, o Zot! etj.

Por o Zot, oh haj medet,
Ka mbet Ndoci pa fyshek;
Rand’ plague n’kamb’ e n’dorë,
Po – i ndihmon o bjeshkës Orë:

Per Ty o Zot, o Zot! etj.

Turren klyshat për t’a kapë!
T’madhe djali u hallakatë:
“Rrnoft’ Shqipnija, Rrnof’t Lirija!
Kshtu dinë t’desin djelmënija.”

Per Ty o Zot, o Zot! etj.

Katër bomba mbi anmik,
I ka hjedhun vrik e vrik.
Gjak e zjarm u mbush shkorreti:
T’pesten herë i’a kalli veti.

Per Ty o Zot, o Zot! etj.

Or’ e Zana ç’po vajtojnë,
Me lot gjaku po lotojnë:
Humb Prijsin sod Malsija,
Flamurtarin djelmënija.

Për Ty o Zot, o Zot!
Ç’po vlon lufta sod.
Haj medet, medet!
Per Malsinë ç’e gjet!

Referenca:

1. Shqipnija e Lirë, (Redaksia), “Ndoc Mirakaj dëshmor i Atdheut”, “L’Albanien Libre”, Organe du Blog National Independent, 15 Mars 1950, Roma, Italia., f. 2.
2. Ndoc Kolë Mirakaj, “Vdekje Terrorit! Lavdi Atdheut!”, Letër në dorëshkrim, f. 1 – 2, Maj 1949.
3. “Në kujtim të disa deshmorëve… Ndoc Mirakaj “, “Lajmtari i të Merguemit”, Buletin i Blokut Kombtar Indipendent, New York, Numer i Veçantë Kushtue 25 Vjetorit të Thenelimit të Buletin i Blokut Kombtar Indipendent, Nanduer 1946 – Nanduer 1971, f. 18 – 20.
4. Shqipnija e Lirë, (Redaksia), “Jehona e rezistencës shqiptare”, “L’Albanien Libre”, Organe du Blog National Independent, 15 Mars 1950, Roma, Italia., f. 2.
5. Prof. Ernest Koliqi, “Kanga e Ndoc Mirakës”, “L’Albanien Libre”, (Shqipnija e Lirë) Organe du Blog National Independent, 10 Tetor 1957, Roma, Italia., f. 3.
6. Prof. Luk Çuni, “Kanga e Ndoc Mirakës”, “L’Albanien Libre”, (Shqipnija e Lirë) Organe du Blog National Independent, 1 Qershor 1951, Roma, Italia., f. 3.
7. Oro – Mëri, “Veprimtarija e Qindresës s’Armatosun” (Shënime nga Pal Bibë Mirakaj, Ded Pjetri, Pjetër Smajli, Nikoll Hoti e tjerë) Tregon: Pal B. Mirakaj, “L’Albanien Libre”, (Shqipnija e Lirë) Organe du Blog National Independent, 27 Shtatuer 1962, Roma, Italia., f. 6.
8. Shqipnija e Lirë, (Redaksia), “Jeta e Mërgatës” “L’Albanien Libre”, (Shqipnija e Lirë) Organe du Blog National Independent, Vjeti XXII, Nr. 123, 15 Gusht 1968, Roma, Italia., f. 4.
9. Fjalimi i Z. Ago Agaj, “Salikimi i Kolë Mirakajt”, “L’Albanien Libre”, (Shqipnija e Lirë) Organe du Blog National Independent, Vjeti XXII, Nr. 123, 15 Gusht 1968, Roma, Italia., f. 4.
10. Oro – Mëri, “Veprimtarija e Qindresës s’Armatosun” (Shënime nga Pal Bibë Mirakaj, Ded Pjetri, Pjetër Smajli, Nikoll Hoti e tjerë) Tregon: Pal B. Mirakaj, “L’Albanien Libre”, (Shqipnija e Lirë) Vjeti XXVI, Nr. 112 - 115, Organe du Blog National Independent, 27 Nanduer 1962, Roma, Italia., f. 7.
11. Oro – Mëri, “Veprimtarija e Qindresës s’Armatosun” (Shënime nga Pal Bibë Mirakaj, Ded Pjetri, Pjetër Smajli, Nikoll Hoti e tjerë) Tregon: Pal B. Mirakaj, “L’Albanien Libre”, (Shqipnija e Lirë) Vjeti XXVI, Nr. 112 - 115, Organe du Blog National Independent, 27 Nanduer 1962, Roma, Italia., f. 8.
12. Radio “Free Europa” Dt. 4 Maj 1952, “Kol Bibë Mirakaj i drejtohet popullit shqiptar”, “L’Albanien Libre”, (Shqipnija e Lirë) Vjeti XXVI, Nr. 112 - 115, Organe du Blog National Independent, 1 Qershuer 1952, Roma, Italia., f. 2.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora